KAPITULLI 14
«Vendosëm njëzëri»
Si arriti trupi udhëheqës të merrte një vendim dhe si e forcoi ai vendim unitetin e kongregacioneve
Bazuar te Veprat 15:13-35
1, 2. (a) Me cilat pyetje të rëndësishme u përball trupi udhëheqës i shekullit të parë? (b) Ç’ndihmë morën vëllezërit që të arrinin në përfundimin e duhur?
TË GJITHË prisnin me padurim vendimin. Apostujt dhe pleqtë e mbledhur në atë dhomë në Jerusalem, panë njëri-tjetrin dhe kuptuan se kishte mbërritur momenti vendimtar. Çështja e rrethprerjes kishte ngritur pyetje thelbësore: a ishin të krishterët nën Ligjin e Moisiut? A duhej të kishte ndonjë dallim mes të krishterëve judenj dhe jojudenj?
2 Burrat që morën drejtimin, shqyrtuan një sërë provash. Ata patën parasysh Fjalën profetike të Perëndisë, si dhe dëshmitë e fuqishme të përjetuara që tregonin bekimin e Jehovait. Shprehën hapur mendimin e tyre. Dëshmitë e mbledhura për këtë çështje, ishin të bollshme. Fryma e Jehovait po e tregonte qartë drejtimin. A do ta ndiqnin atë drejtim?
3. Si do të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i tregimit në kapitullin 15 të Veprave?
3 Do t’u duhej shumë besim e guxim që të pranonin drejtimin e frymës në këtë rast. Rrezikonin ta ndiznin edhe më tepër urrejtjen e udhëheqësve fetarë judenj. Mund të hasnin edhe kundërshtimin e atyre burrave brenda kongregacionit, që ishin të vendosur ta kthenin përsëri popullin e Perëndisë nën varësinë e Ligjit të Moisiut. Si do të vepronte trupi udhëheqës? Le ta shohim. Ndërsa bëjmë këtë, do të kuptojmë modelin që lanë, i cili ndiqet sot nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. Këtë model duhet ta ndjekim edhe ne kur gjendemi para vendimeve e sfidave në jetën tonë si të krishterë.
«Me këtë pajtohen edhe fjalët e Profetëve» (Veprat 15:13-21)
4, 5. Cilat fjalë të Profetëve citoi Jakovi?
4 Fjalën e mori dishepulli Jakov, vëllai i Jezuit nga nëna.a Me sa duket, në këtë rast ai ishte drejtues i mbledhjes. Fjalët e tij përmblodhën vendimin që kishte arritur i gjithë trupi. Jakovi u tha burrave të pranishëm: «Simioni na tregoi nga fillimi në fund se si, për herë të parë, Perëndia e drejtoi vëmendjen nga kombet, që të nxirrte prej tyre një popull për emrin e tij. Me këtë pajtohen edhe fjalët e Profetëve.»—Vep. 15:14, 15.
5 Fjalimi i Simionit ose ndryshe Simon Pjetrit, dhe provat që siguruan Barnaba e Pavli, me siguri i sollën ndër mend Jakovit shkrimet e duhura që hidhnin dritë mbi argumentin që po shqyrtohej. (Gjoni 14:26) Pasi tha se ‘edhe fjalët e Profetëve pajtohen’, Jakovi citoi Amosin 9:11, 12. Ky libër renditej në atë pjesë të Shkrimeve Hebraike që në përgjithësi quhej «Profetët». (Mat. 22:40; Vep. 15:16-18) Do të vëresh se fjalët që citoi Jakovi janë disi ndryshe nga ato që gjejmë sot në librin e Amosit. Ka të ngjarë që ai të ketë cituar nga Septuaginta, përkthimi grek i Shkrimeve Hebraike.
6. Si hodhën dritë Shkrimet mbi argumentin?
6 Me anë të profetit Amos, Jehovai paratha se do të vinte koha kur Ai do ta ngrinte sërish «kasollen e Davidit», domethënë linjën mbretërore që çonte te Mbretëria mesianike. (Ezek. 21:26, 27) A do të kishte përsëri Jehovai një marrëdhënie të veçantë vetëm me judenjtë si komb? Jo. Profecia shton se «njerëz nga të gjitha kombet» do të mblidheshin bashkë si ata «që thirren me emrin [e Perëndisë]». Të mos harrojmë se Pjetri sapo kishte dëshmuar se Perëndia «nuk bëri kurrfarë dallimi mes [të krishterëve judenj dhe jojudenj], por ua pastroi zemrat me anë të besimit». (Vep. 15:9) Me fjalë të tjera, është vullneti i Perëndisë që të hyjnë në Mbretëri si trashëgimtarë edhe judenjtë, edhe jojudenjtë. (Rom. 8:17; Efes. 2:17-19) Asgjëkundi këto profeci të frymëzuara nuk lënë të kuptohet se besimtarët jojudenj duhet të rrethpriten në mish ose të bëhen prozelitë para se të bëhen trashëgimtarë të Mbretërisë.
7, 8. (a) Cilën zgjidhje propozoi Jakovi? (b) Si duhet t’i kuptojmë fjalët e Jakovit?
7 I nxitur nga këto prova në Shkrime dhe nga dëshmitë e fuqishme që kishte dëgjuar, Jakovi propozoi këtë zgjidhje: «Prandaj, unë mendoj të mos i trazojmë njerëzit e kombeve që po kthehen te Perëndia. Për më tepër t’u shkruajmë që të rrinë larg nga gjërat e ndotura nga idhujt, nga imoraliteti seksual, nga kafshët e mbytura dhe nga gjaku. Faktikisht që nga kohët e lashta ka pasur njerëz që predikojnë shkrimet e Moisiut qytet më qytet, sepse ato lexohen me zë çdo sabat nëpër sinagoga.»—Vep. 15:19-21.
8 A po përdorte Jakovi autoritetin e tij mbi vëllezërit e tjerë, ndoshta si drejtuesi i mbledhjes, duke vendosur në mënyrë arbitrare ç’duhej bërë? Aspak. Fjalët e Jakovit «unë mendoj», nënkuptojnë se nuk po vendoste në emër të trupit udhëheqës, por po sugjeronte se çfarë veprimi mund të ndërmerrej në bazë të dëshmive të paraqitura dhe asaj që thoshin Shkrimet për çështjen.
9. Ç’dobi do të sillte propozimi i Jakovit?
9 A ishte i vlefshëm propozimi i Jakovit? Duket qartë se po, pasi më vonë apostujt dhe pleqtë e tjerë e miratuan. Ç’dobi do të sillte? Nga njëra anë, drejtimi i sugjeruar nuk ‘do t’i trazonte’ ose ‘bezdiste’ të krishterët jojudenj, duke u ngarkuar kërkesat e Ligjit të Moisiut. (Vep. 15:19, Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94) Nga ana tjetër, vendimi do të tregonte respekt për ndërgjegjen e të krishterëve judenj, të cilët për vite me radhë kishin dëgjuar ‘të lexohej me zë Moisiu çdo sabat nëpër sinagoga’.b (Vep. 15:21) Ky drejtim me siguri do ta forconte lidhjen mes të krishterëve judenj dhe jojudenj. Mbi të gjitha, do të kënaqte Perëndinë Jehova, sepse ishte në harmoni me qëllimin e tij. Ç’mënyrë e shkëlqyer për të zgjidhur një problem që kërcënonte unitetin dhe mirëqenien e gjithë popullit të Perëndisë! Dhe sa shembull i shkëlqyer për kongregacionin e krishterë sot!
10. Si e ndjek sot Trupi Udhëheqës modelin që la ekuivalenti i tij i shekullit të parë?
10 Siç u përmend në kapitullin e mëparshëm, njësoj si ekuivalenti i tij në shekullin e parë, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovaitc sot për çdo gjë pret drejtim nga Jehovai, Sovrani Universal, dhe nga Jezu Krishti, Kreu i kongregacionit. (1 Kor. 11:3) Si e bën këtë? Albert Shroderi, i cili shërbeu në Trupin Udhëheqës nga viti 1974 deri në mars të vitit 2006 kur përfundoi jetën në tokë, shpjegoi: «Trupi Udhëheqës mblidhet të mërkurave, e hap mbledhjen me lutje dhe kërkon drejtimin e frymës së Jehovait. Bëhen shumë përpjekje për t’u siguruar që çdo çështje që trajtohet dhe çdo vendim që merret, të jetë në përputhje me Fjalën e Perëndisë, Biblën.» Po kështu, edhe Milton Hensheli, që ishte anëtar i Trupit Udhëheqës prej shumë kohësh dhe e përfundoi jetën në tokë në mars të vitit 2003, u bëri një pyetje të rëndësishme studentëve që po diplomoheshin në klasën e 101-të të Shkollës Watchtower të Galadit. Ai pyeti: «A ka ndonjë organizatë tjetër në tokë, organi drejtues i së cilës konsulton Fjalën e Perëndisë, Biblën, para se të marrë vendime të rëndësishme?» Përgjigjja është e qartë.
‘Dërguan burra që i zgjodhën’ (Veprat 15:22-29)
11. Si iu komunikua kongregacioneve vendimi i trupit udhëheqës?
11 Trupi udhëheqës në Jerusalem kishte marrë një vendim unanim për çështjen e rrethprerjes. Por, që vëllezërit në kongregacione të vepronin në unitet, ky vendim u duhej komunikuar në mënyrë të qartë dhe inkurajuese. Si mund të bëhej sa më mirë kjo? Tregimi shpjegon: «Apostujt, pleqtë dhe gjithë kongregacioni vendosën që, bashkë me Pavlin dhe Barnabën, të dërgonin në Antioki edhe burra të tjerë që i zgjodhën mes tyre. Dërguan Judën, që quhej Barsaba, dhe Silën, të cilët merrnin drejtimin mes vëllezërve.» Veç kësaj, u përgatit një letër dhe u dërgua me anë të këtyre burrave, që të lexohej në të gjitha kongregacionet e Antiokisë, të Sirisë dhe të Kilikisë.—Vep. 15:22-26.
12, 13. Ç’dobi pati dërgimi (a) i Judës dhe i Silës? (b) i letrës nga trupi udhëheqës?
12 Si burra «të cilët merrnin drejtimin mes vëllezërve», Juda dhe Sila ishin plotësisht të kualifikuar të shërbenin si përfaqësues të trupit udhëheqës. Delegacioni prej katër burrash do t’ua bënte të qartë vëllezërve se mesazhi që po u çonin, nuk ishte thjesht një përgjigje për pyetjen fillestare, por një drejtim i ri nga trupi udhëheqës. Prania e këtyre ‘burrave të zgjedhur’, do të krijonte një lidhje të fortë mes të krishterëve judenj në Jerusalem dhe të krishterëve jojudenj në kongregacione. Ç’masë e mençur dhe e dashur! Pa dyshim, ajo nxiti paqen dhe harmoninë mes popullit të Perëndisë.
13 Letra u siguronte drejtim të qartë të krishterëve jojudenj jo vetëm për çështjen e rrethprerjes, por edhe u tregonte çfarë duhej të bënin që të merrnin miratimin dhe bekimin e Jehovait. Pjesa kryesore e letrës thoshte: «Frymës së shenjtë dhe neve na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga imoraliteti seksual. Nëse ruheni me kujdes nga këto, do t’ju shkojë mbarë. Ju urojmë shëndet!»—Vep. 15:28, 29.
14. Si është e mundur që populli i Jehovait vepron në unitet në botën e sotme të përçarë?
14 Sot, mes nesh si Dëshmitarë të Jehovait, kemi unitet bindjesh dhe bëjmë të njëjtën vepër edhe pse jemi më shumë se 8.000.000 në më se 100.000 kongregacione anembanë tokës. Si arrihet ky unitet, sidomos në botën e sotme ku mbizotërojnë pështjellimi dhe pikëpamjet përçarëse? Kryesisht falë drejtimit të qartë e plot vendosmëri që siguron Jezu Krishti, Kreu i kongregacionit, me anë të ‘skllavit besnik dhe të mençur’, që është Trupi Udhëheqës. (Mat. 24:45-47) Uniteti vjen edhe ngaqë vëllazëria mbarëbotërore ndjek me gatishmëri drejtimin e Trupit Udhëheqës.
«Ata gëzuan për inkurajimin» (Veprat 15:30-35)
15, 16. Si përfundoi çështja e rrethprerjes, dhe cili ishte çelësi i këtij përfundimi?
15 Më tej, tregimi i Veprave thotë se, kur delegacioni nga Jerusalemi mbërriti në Antioki, «mblodhën gjithë grupin e vëllezërve dhe u dhanë letrën». Si reaguan vëllezërit ndaj drejtimit të trupit udhëheqës? «Pasi e lexuan [letrën], ata gëzuan për inkurajimin.» (Vep. 15:30, 31) Veç kësaj, Juda dhe Sila «u dhanë zemër e forcë vëllezërve me shumë fjalime». Në këtë kuptim, ata dy burra u quajtën «profetë» njësoj si Barnaba, Pavli e të tjerë, pasi ky term u referohet atyre që shpallën ose bënë të njohur vullnetin e Perëndisë.—Vep. 13:1; 15:32; Eks. 7:1, 2.
16 Ishte e qartë se Jehovai e bekoi vendimin që u mor, dhe kështu çështja pati një përfundim të kënaqshëm. Cili ishte çelësi i këtij suksesi? Pa dyshim, ishte drejtimi i qartë e në kohën e duhur që dha trupi udhëheqës, bazuar në Fjalën e Perëndisë dhe në udhëheqjen e frymës së shenjtë. Gjithashtu, ishte edhe fakti që trupi udhëheqës dërgoi vëllezër për t’ua komunikuar vendimin kongregacioneve në mënyrë të dashur e të ngrohtë.
17. Si po i imitojnë mbikëqyrësit qarkorë sot Pavlin, Barnabën, Judën dhe Silën?
17 Duke ndjekur këtë model, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait sot siguron drejtim në kohën e duhur për vëllazërinë mbarëbotërore. Kur merren vendime, u komunikohen kongregacioneve qartë e hapur. Një mënyrë si bëhet kjo, është me anë të vizitave të mbikëqyrësve qarkorë. Këta vëllezër vetëmohues udhëtojnë nga një kongregacion në tjetrin, duke dhënë drejtim të qartë dhe nxitje të përzemërt. Njësoj si Pavli e Barnaba, ata kalojnë shumë kohë në shërbim, ‘duke mësuar dhe shpallur lajmin e mirë të fjalës së Jehovait’. (Vep. 15:35) Ashtu si Juda e Sila, ‘u japin zemër e forcë vëllezërve me shumë fjalime’.
18. Si mund të sigurohet populli i Jehovait se do të vazhdojë të ketë bekimin e Tij?
18 Po kongregacionet anembanë tokës, çfarë do t’i ndihmojë të vazhdojnë të kenë paqe e harmoni në botën e sotme të përçarë? Të kujtojmë se vetë dishepulli Jakov më vonë tha: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet. . . . Veç kësaj, drejtësia jep fryt kur mbillet në paqe për të mirën e atyre që bëjnë paqe.» (Jak. 3:17, 18) S’kemi si ta dimë nëse Jakovi kishte ndër mend mbledhjen në Jerusalem. Por, nga shqyrtimi i ngjarjeve në kapitullin 15 të Veprave, është e sigurt se Jehovai bekon vetëm kur ka unitet e bashkëpunim.
19, 20. (a) Si u duk qartë se në kongregacionin e Antiokisë kishte paqe dhe unitet? (b) Ku mund të përqendroheshin tani Pavli e Barnaba?
19 Dukej qartë se tani në kongregacionin e Antiokisë kishte paqe e unitet. Në vend që të debatonin me vëllezërit që kishin ardhur nga Jerusalemi, vëllezërit në Antioki e vlerësuan shumë vizitën e Judës dhe të Silës. Tregimi thotë: «Pasi qëndruan ca kohë atje, vëllezërit i përcollën në paqe tek ata që i kishin dërguar», pra në Jerusalem.d (Vep. 15:33) Mund të jemi të sigurt se edhe vëllezërit në Jerusalem u gëzuan kur dëgjuan ç’thanë dy burrat për udhëtimin. Falë mirësisë së pamerituar të Jehovait, misioni i tyre ishte kryer me sukses.
20 Pavli dhe Barnaba, që mbetën në Antioki, tani mund t’i përqendronin forcat për të marrë drejtimin në veprën e predikimit, siç bëjnë sot mbikëqyrësit qarkorë kur vizitojnë kongregacionet që kanë nën kujdes. (Vep. 13:2, 3) Sa i bekuar është populli i Jehovait! Por, si i përdori e i bekoi më tej Jehovai ata dy ungjillëzues të zellshëm? Do ta shohim në kapitullin vijues.
a Shih kutinë «Jakovi, vëllai i Zotërisë».
b Me mençuri, Jakovi iu referua shkrimeve të Moisiut. Këto shkrime përfshinin jo vetëm Ligjin e Moisiut, por edhe ngjarje që tregonin cili ishte vullneti i Perëndisë për njerëzimin që para se të ekzistonte ky Ligj. Për shembull, pikëpamja e Perëndisë për gjakun, kurorëshkeljen dhe idhujtarinë, mund të shihet qartë në librin e Zanafillës. (Zan. 9:3, 4; 20:2-9; 35:2, 4) Pra, Jehovai kishte siguruar parime që zbatohen për gjithë njerëzimin, judenj a jojudenj qofshin.
c Shih kutinë «Si është i organizuar sot Trupi Udhëheqës».
d Në vargun 34, disa përkthime të Biblës kanë futur fjalë që tregojnë se Sila vendosi të qëndronte në Antioki. (Diodati i Ri—Përkthimi 1991-94) Por këto fjalë duket se janë shtuar më vonë.