Vetëkontrolli le të ekzistojë në ju dhe le të jetë me bollëk
«Shtojini besimit tuaj . . . vetëkontrollin.»—2. PJETRIT 1:5, 6, NW.
1. Në çfarë situate të veçantë një i krishterë mund të japë dëshmi?
JEZUI tha: «Për shkak timin do t’ju qesin para sundimtarëve dhe mbretërve, që të dëshmoni para tyre.» (Mateu 10:18) Në qoftë se do të thirreshe para një sundimtari, një gjykatësi apo para një presidenti, për çfarë do të flisje? Së pari ndoshta për shkakun përse ndodhesh atje, akuzën kundër teje. Fryma e Perëndisë do të të ndihmonte ta bëje këtë. (Luka 12:11, 12) Por, a mund të imagjinosh të flasësh për vetëkontrollin? A e konsideron atë si një pjesë të rëndësishme të mesazhit tonë të krishterë?
2, 3. (a) Çfarë ndodhi që Pavli mundi t’i dëshmonte Feliksit dhe Druzilës? (b) Përse vetëkontrolli ishte një temë e përshtatshme për Pavlin për të folur në këtë situatë?
2 Le të shqyrtojmë një shembull nga jeta reale. Një nga dëshmitarët e Jehovait u arrestua dhe u soll para gjyqit. Kur iu dha mundësia për të folur, ai dëshiroi të shpjegonte si dëshmi, bindjet e tij si i krishterë. Duke shqyrtuar të dhënat do të kuptosh se ai dha një dëshmi gjyqësore «për drejtësinë, vetëkontrollin dhe gjykimin e ardhshëm». E kemi fjalën për një përvojë të apostullit Pavël në Çezare. Ishte marrja e parë në pyetje. «Pas disa ditësh erdhi Feliksi me gruan e vet Druzilën që ishte çifute. Si e thirri Palin, po e dëgjonte fjalën e tij lidhur me fenë në Jezu Krishtin.» (Veprat 24:24) Historia bën të ditur se Feliksi «praktikonte çdo lloj egërsie dhe epshi, duke përdorur fuqinë e mbretit dhe të gjitha instinktet e një skllavi». Ai kishte qenë dy herë i martuar para se të shtynte Druzilën të divorcohej nga burri i saj (duke shkelur ligjin e Perëndisë) dhe të bëhej gruaja e tretë e tij. Ndoshta, ishte ajo që dëshironte të dëgjonte për fenë e re, krishterimin.
3 Pavli vazhdoi të fliste «për drejtësinë, vetëkontrollin dhe gjykimin e ardhshëm». (Veprat 24:25) Kjo bëri të dukshme kontrastin ndërmjet normave të drejta të Perëndisë dhe egërsisë e padrejtësisë, pjesë e të cilave ishin Feliksi dhe Druzila. Mbase Pavli shpresonte të nxiste Feliksin që të tregonte drejtësi në rastin e paraqitur. Por, përse paraqiti «vetëkontrollin dhe gjykimin e ardhshëm»? Ky çift imoral donte të dinte çfarë kërkonte «besimi në Krishtin Jezu». (NW) Kështu, ata kishin nevojë të dinin se të ndjekësh atë kërkohet mbajtja nën kontroll e mendimeve, e të folurit dhe e veprimeve, që përbëjnë vetëkontrollin. Të gjithë njerëzit janë përgjegjës para Perëndisë për mendimet, fjalët dhe veprimet e tyre. Pra, në rastin e Pavlit, më i rëndësishëm se çdo gjykim nga Feliksi, ishte gjykimi që guvernatori dhe gruaja e tij do të përballonin para Perëndisë. (Veprat 17:30, 31; Romakëve 14:10-12) Është e kuptueshme se përse «Feliksi u frikësua», duke dëgjuar mesazhin e Pavlit.
Është i rëndësishëm, por jo i lehtë
4. Përse vetëkontrolli është një pjesë e rëndësishme e krishterimit të vërtetë?
4 Apostulli Pavël e pranonte vetëkontrollin si një pjesë jetësore të krishterimit. Këtë e përforcoi apostulli Pjetër, një nga shokët më të afërt të Jezuit. Kur u shkroi atyre që «do të bëheshin pjesëtarë të natyrës hyjnore» në qiell, Pjetri i nxiti të tregonin disa cilësi që ishin të domosdoshme, të tilla si besimi, dashuria dhe vetëkontrolli. Kështu, vetëkontrolli ishte përfshirë në këtë sigurim: «Nëse këto gjëra do të ekzistojnë në ju dhe do të jenë me bollëk, ato do t’ju parandalojnë që të jeni joveprues dhe të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht.»—2. Pjetrit 1:1, 4-8, NW.
5. Përse duhet të jemi veçanërisht të përqëndruar për vetëkontrollin?
5 Megjithatë, ti e di se është më e lehtë të thuash se duhet të tregojmë vetëkontroll sesa ta praktikosh vërtet atë në jetën e përditshme. Një arsye është se vetëkontrolli është pak a shumë i rrallë. Në 2. Timoteut 3:1-5 Pavli përshkroi qëndrimet që do të mbizotëronin në kohën tonë, «në ditët e fundit». Një tipar që do të karakterizojë periudhën tonë është se shumë do të jenë «pa vetëkontroll». A nuk e shikojmë këtë të vërtetë përreth nesh?
6. Si është e dukshme sot nevoja për vetëkontroll?
6 Shumë njerëz mendojnë se në themel është e shëndetshme «të lenë pa kontroll» apo «të shpërthejnë». Mendimi i tyre është përforcuar nga ndikimi i modeleve në sy të publikut, të cilët duket se e injorojnë vetëkontrollin e çdo lloji, të cilët thjesht kënaqin vrullet e tyre. Për të ilustruar: Shumë të cilët pëlqejnë sportet profesioniste janë rritur me zakonin për të treguar egërsi ndjenjash, madje tërbim të furishëm. A nuk të kujtohen rastet e paraqitura nga shtypi, ku përleshjet e ashpra apo skenat me turma shpërthenin në ngjarjet sportive? Megjithatë, pika jonë nuk kërkon që t’i kushtojmë shumë kohë hartimit të një liste me shembuj të nevojës për vetëkontroll. Do të renditje shumë fusha në të cilat kemi nevojë për vetëkontroll—konsumimi i ushqimit dhe i pijes, sjellja me seksin e kundërt dhe koha e të hollat që harxhon për dëfrim. Por, në vend se të prekim përciptas shumë prej tyre, le të shqyrtojmë një fushë kryesore në të cilën duhet të tregojmë vetëkontroll.
Vetëkontroll në lidhje me ndjenjat
7. Cili aspekt mbi vetëkontrollin meriton kujdes të veçantë?
7 Shumë prej nesh kanë qenë të suksesshëm në përmbajtjen apo mbajtjen nën kontroll të veprimeve tona. Ne nuk vjedhim, nuk jepemi pas imoralitetit apo nuk kryejmë vrasje; ne e dimë ligjin e Perëndisë për gabime të tilla. Megjithatë, sa të suksesshëm jemi në kontrollin e ndjenjave tona? Me kohë, ata që dështojnë të kultivojnë vetëkontrollin e ndjenjave, shpesh humbin vetëkontrollin në lidhje me veprimet e tyre. Pra, le të përqëndrohemi në ndjenjat tona.
8. Çfarë pret Jehovai prej nesh në lidhje me ndjenjat tona?
8 Jehova Perëndia, nuk pret nga ne që të jemi automatë në mënyrë që të mos paraqesim ndjenja. Para varrit të Lazrit, Jezui «u trondit në shpirt dhe u shqetësua». Pastaj «Jezui shpërtheu në lotë». (Gjoni 11:32-38, NW) Ai tregoi një ndjenjë krejt të ndryshme kur me kontroll të përkryer të veprimeve të tij, dëboi këmbyesit e të hollave nga tempulli. (Mateu 21:12, 13; Gjoni 2:14-17) Gjithashtu, edhe dishepujt e tij besnikë treguan ndjenja të thella. (Luka 10:17; 24:41; Gjoni 16:20-22; Veprat 11:23; 12:12-14; 20:36-38; 3. Gjonit 4) Megjithatë, ata kuptonin nevojën për vetëkontroll me qëllim që ndjenjat e tyre të mos i udhëhiqnin drejt mëkatit. Efesianëve 4:26 e bën plotësisht të qartë këtë: «Po u zemëruat? Mos mëkatoni! Dielli mos të perëndojë mbi hidhërimin tuaj!»
9. Përse është kaq i rëndësishëm kontrolli i ndjenjave tona?
9 Ekziston rreziku që një i krishterë të duket sikur tregon vetëkontroll, kurse në fakt, ndjenjat e tij dalin nga kontrolli. Mos harro reagimin kur Perëndia miratoi sakrificën e Abelit: «Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar. Atëherë Zoti i tha Kainit: ‘Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta.’» (Zanafilla 4:5-7, Dio) Kaini dështoi të kontrollonte ndjenjat e tij, të cilat e çuan atë në vrasjen e Abelit. Ndjenjat e pakontrolluara çojnë në veprime të pakontrolluara.
10. Çfarë mëson nga shembulli i Hamanit?
10 Shqyrto, gjithashtu, një shembull nga ditët e Mardokeos dhe Esterës. Nënpunësi i quajtur Haman u zemërua sepse Mardokeo nuk përkulej para tij. Më vonë Hamani gabimisht mendoi se ishte i privilegjuar. «Atë ditë Hamani doli gjithë qejf dhe me zemër të kënaqur, por kur Hamani pa Mardokeun që as ngrihej as lëvizte para tij, u zemërua shumë me të. Megjithatë Hamani e mbajti veten, shkoi në shtëpi.» (Estera 5:9, 10, Dio) Ai ishte i shpejtë të provonte ndjenjën e gëzimit. Gjithashtu, ishte po aq i shpejtë të provonte ndjenjën e zemërimit thjesht nga shikimi i dikujt, ndaj të cilit ai kishte smirë. A mendon se kur Bibla thotë që Hamani «e mbajti veten» do të thotë që ai ishte një shembull në vetëkontroll? Vështirë. Për momentin, Hamani kontrolloi veprimet e tij dhe çdo shfaqje emocioni, por ai dështoi të kontrollonte zemërimin e tij ziliqar. Ndjenjat e shtynë atë të kryente vrasje.
11. Çfarë problemi ekzistonte në kongregacionin e Filipisë dhe cili mund të ishte shkaku që çoi në të?
11 Në mënyrë të ngjashme, sot, nevoja për të kontrolluar ndjenjat mund t’i dëmtojë seriozisht të krishterët. «Oh,—mund të thonë disa,—ky nuk mund të jetë një problem në kongregacion.» Por, ka qenë. Dy të krishtere të mirosura në Filipi kishin një mosmarrëveshje serioze, të cilën Bibla nuk e përshkruan. Përfytyro si një mundësi të kësaj mosmarrëveshjeje këtë që thuhet më poshtë: Evodia ftoi disa vëllezër dhe motra për një vakt apo për një grumbullim të këndshëm. Sindikia nuk ishte e ftuar, prandaj ishte e prekur. Ndoshta, ajo u përgjigj duke mos e ftuar Evodinë në një rast tjetër. Atëherë të dyja filluan të shikonin për gabimet e njëra-tjetrës; me kohë ato i flisnin ashpër njëra-tjetrës. Në një skenar si ky, a mund të jetë problemi themelor mungesa e ftesës në një vakt? Jo. Kjo ishte vetëm shkëndija. Kur këto dy motra të krishtere dështuan të kontrollonin ndjenjat e tyre, shkëndia u bë një zjarr pylli. Problemi vazhdonte dhe rritej derisa një apostull ndërhyri.—Filipianëve 4:2, 3.
Ndjenjat tona dhe vëllezërit
12. Përse Perëndia na jep këshillën e gjetur në Eklisiastiu 7:9?
12 Siç kemi pranuar, nuk është e lehtë të kontrollosh ndjenjat kur dikush ndihet i parëndësishëm, i lënduar apo i trajtuar me paragjykim. Jehovai e di këtë, sepse ai ka vështruar me vëmendje lidhjet njerëzore që nga fillimi i njeriut. Perëndia na këshillon: «Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.» (Eklisiastiu 7:9, Dio) Vëre se Perëndia u kushton kujdes në fillim ndjenjave dhe jo veprimeve. (Proverbat 14:17; 16:32; Jakovi 1:19) Pyet veten: «A duhet t’i kushtoj më tepër kujdes kontrollit të ndjenjave të mia?»
13, 14. (a) Çfarë problemi i përbashkët zhvillohet në botë nga dështimi për të kontrolluar ndjenjat? (b) Çfarë gjërash mund ta çojnë një të krishterë të ushqejë smirë?
13 Shumë njerëz në botë, të cilët dështojnë të kontrollojnë ndjenjat e tyre, fillojnë hakmarrjet—të hidhur, madje të ashpër, armiqësi për një gabim real apo të imagjinuar kundër tyre apo një të afërmi. Një herë që ndjenjat dalin nga kontrolli, mund të ushtrojnë një ndikim të dëmshëm për një kohë të gjatë. (Krahaso Zanafilla 34:1-7; 25-27; 49:5-7; 2. Samueli 2:17-23; 3:23-30; Proverbat 26:24-26.) Sigurisht, të krishterët, pa marrë parasysh sfondin kombëtar apo kulturor, duhet t’i shohin armiqësi të tilla të hidhura dhe smirën si të gabueshme, të këqija që duhen shmangur. (Levitiku 19:17) A e shikon shmangien e smirës si një pjesë të vetëkontrollit në lidhje me ndjenjat?
14 Ashtu si në rastin e Evodisë dhe Sindikisë, tani dështimi për të kontrolluar ndjenjat mund të çojë në probleme. Një motër mund të ndihet e ofenduar, pasi nuk është ftuar në një dasmë. Apo, ndoshta ka qenë fëmija apo një i afërm i saj që nuk ka qenë i ftuar. Ose, ndoshta një vëlla ka blerë një makinë të përdorur nga një i bashkëkrishterë dhe pas pak ajo ka pësuar avari. Çfarëdo qoftë arsyeja, ajo shkakton ndijime të dëmshme, emocionet janë të pakontrolluara dhe ata që përfshihen në të bëhen të çrregullt. Atëherë ç’mund të ndodhë?
15. (a) Çfarë pasojash të trishtueshme ka pasur ndërmjet të krishterëve nga smira? (b) Çfarë këshille biblike na nxit të luftojmë prirjen për të ushqyer smirë?
15 Nëse një person i çrregullt nuk punon për të kontrolluar ndjenjat e tij dhe për të bërë paqe me vëllezërit e tij, mund të zhvillohet smira. Kanë ndodhur raste kur ndonjë i krishterë ka kërkuar të mos caktohet në një studim libri të kongregacionit sepse nuk i pëlqen një i krishterë apo familje që merr pjesë atje. Sa e trishtueshme! Bibla thotë se do të ishte një shkatërrim për të krishterët të çonin njëri-tjetrin në gjyqet botërore, por a nuk do të ishte po ashtu një shkatërrim nëse shmangim një vëlla për një zemërim të kaluar ndaj nesh apo ndonjë të afërmit tonë? A nxjerrin në pah ndjenjat tona se vendosim marrëdhëniet e gjakut para paqes me vëllezërit dhe motrat? A themi se jemi të gatshëm të vdesim për motrën tonë, por ndjenjat na nxitin të flasim ashpër me të tani? (Krahaso Gjoni 15:13.) Perëndia na bën të ditur pikërisht: «Askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe! Kini kujdes të bëni mirë para të gjithë njerëzve! Nëse është e mundur—aq sa varet prej jush—jini në paqe me të gjithë njerëzit! Mos u hakmerrni, o të dashur, por lini vend të veprojë hidhërimi i Hyut.»—Romakëve 12:17-19; 1. Korintasve 6:7.
16. Çfarë shembulli të mirë dha Abrahami kur kishte të bënte me ndjenjat?
16 Një hap përpara për të fituar kontroll të ndjenjave tona është që të bëjmë paqe apo të sqarojmë shkakun e pakënaqësisë, në vend se të lejojmë që urrejtja të vazhdojë. Sill ndër mend kohën kur toka nuk mjaftonte për të mbajtur kopenë e madhe të Abrahamit bashkë me atë të Lotit dhe njerëzit e tyre të pajtuar në punë u grindën. A lejoi Abrahami që ndjenjat e tij të kishin epërsi mbi të? A tregoi ai vetëkontroll? Në mënyrë të lavdërueshme, ai sugjeroi një zgjidhje paqësore për këtë problem mosmarrëveshjeje; la që secili të kishte territorin e vet. Ai i dha Lotit mundësinë për të zgjedhur i pari. Për të provuar se Abrahami nuk ishte hidhëruar dhe se nuk ushqente smirë, ai më vonë shkoi të luftonte për Lotin.—Zanafilla 13:5-12; 14:13-16.
17. Si dështuan Pavli dhe Barnaba në një rast, por si shkuan gjërat më pas?
17 Gjithashtu, mund të mësojmë për vetëkontrollin nga një incident që përfshiu Pavlin dhe Barnabën. Pasi kishin qenë partnerë për vite me rradhë, ata nuk pajtoheshin për të marrë Markun në një udhëtim. «Lindi në mes tyre një mosmarrëveshje sa që u ndanë njëri prej tjetrit: Barnaba mori me vete Markun e shkoi me barkë për Qipro.» (Veprat 15:39) Fakti se këta njerëz të pjekur dështuan të kontrollonin ndjenjat e tyre në atë rast siguron një paralajmërim për ne. Nëse ajo mund t’u ndodhte atyre, mund të na ndodhë edhe ne. Megjithatë, ata nuk lejuan që prishja e marrëdhënieve të ishte e qëndrueshme apo që hakmarrja të rritej. Tregimi tregon se vëllezërit e përfshirë rifituan kontrollin e ndjenjave të tyre dhe më vonë punuan bashkë në paqe.—Kolosianëve 4:10; 2. Timoteut 4:11.
18. Çfarë mund të bëjë një i krishterë i pjekur kur ndihet i lënduar?
18 Mund të presim që ndjenja të dëmshme apo smirë mund të ketë edhe në mes të popullit të Perëndisë. Ato ekzistonin në kohën e hebrenjve dhe në ditët e apostujve. Gjithashtu, ato ndeshen në kohën tonë në mes të shërbëtorëve të Jehovait, pasi të gjithë jemi të papërsosur. (Jakovit 3:2) Jezui i nxiti ithtarët e tij që të vepronin shpejt për të zgjidhur probleme të tilla ndërmjet vëllezërve. (Mateu 5:23-25) Por, është edhe më mirë ta parandalojmë atë që në hapin e parë, duke përmirësuar vetëkontrollin tonë. Nëse ndihesh i ofenduar apo i trajtuar me mospërfillje nga një gjë relativisht e vogël që vëllai apo motra jote ka thënë apo ka bërë, përse të mos kontrollosh ndjenjat e tua dhe thjesht ta harrosh atë? A është me të vërtetë e nevojshme të përballosh personin tjetër, kur ti nuk do të ishe i kënaqur derisa dikush të pranonte se është në gabim? Deri në ç’masë je duke i kontrolluar ndjenjat e tua?
Mund t’ia dalësh mbanë
19. Përse do të ishte e përshtatshme që shqyrtimi ynë të përqëndrohej në kontrollin e ndjenjave tona?
19 Në fillim trajtuam një aspekt të vetëkontrollit, kontrollin e ndjenjave tona. Kjo është një fushë kyçe, sepse dështimi për të kontrolluar ndjenjat mund të na çojë në humbjen e kontrollit të të folurit, të nxitjeve tona seksuale, të zakoneve tona të të ushqyerit dhe shumë aspekte të tjera të jetës ku duhet të tregojmë vetëkontroll. (1. Korintasve 7:8, 9; Jakovit 3:5-10) Megjithatë, merr kurajo për t’u përmirësuar në mbajtjen e vetëkontrollit.
20. Si mund të jemi të sigurt se mund të përmirësohemi?
20 Jehovai është i gatshëm të na ndihmojë. Si mund të jemi të sigurt? Po, vetëkontrolli është një nga frytet e frymës së tij. (Galatasve 5:22, 23) Atëherë, në masën që ne punojmë për të marrë frymën e shenjtë nga Jehovai, për ta merituar atë dhe për të treguar frytet e saj, po në atë masë mund të presim që të jemi më të vetëkontrolluar. Kurrë mos harro sigurinë e Jezuit: «Ati në qiell [do] t’ua japë frymën shenjtë atyre që ia kërkojnë atë.»—Luka 11:13, NW; 1. Gjonit 5:14, 15.
21. Çfarë ke vendosur të bësh në të ardhmen për vetëkontrollin dhe ndjenjat e tua?
21 Mos kujto se do të jetë një gjë e lehtë. Ajo mund të jetë e vështirë për dikë që është rritur në mes të njerëzve të cilët i lënë të lirë frerët e ndjenjave të tyre, për dikë me një temperament të trazuar apo për dikë që kurrë nuk është përpjekur për të treguar vetëkontroll. Për një të krishterë të tillë, që vetëkontrolli të ekzistojë dhe të jetë me bollëk mund të jetë një sfidë e vërtetë. Megjithatë, mund t’ia dalësh mbanë. (1. Korintasve 9:24-27) Duke iu afruar gjithnjë e më shumë fundit të këtij sistemi gjërash, streset dhe presionet do të rriten. Vazhdojmë të kemi nevojë jo vetëm që të mos lëmë vetëkontrollin, por që të kemi më shumë! Shqyrto veten nën aspektin e vetëkontrollit. Nëse shikon disa fusha në të cilat ke nevojë të përmirësohesh, puno! (Psalmi 139:23, 24) Kërkoji Perëndisë që të të japë më shumë frymë të shenjtë. Ai do të të dëgjojë dhe do të të ndihmojë në mënyrë që vetëkontrolli të ekzistojë dhe të jetë me bollëk në ty.—2. Pjetrit 1:5-8.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse është kaq e rëndësishme të kontrollosh ndjenjat e tua?
◻ Çfarë ke mësuar nga shembulli i Hamanit, Evodisë dhe Sindikisë?
◻ Çfarë do të mundohesh të bësh ndershmërisht nëse ndodh diçka për t’u ofenduar?
◻ Si mund të të ndihmojë vetëkontrolli për të shmangur të ushqyerit e smirës?