Koha për të kërkuar Perëndinë
FOTOGRAFIA që shohim në këtë faqe është nga Akropoli i Athinës, një qendër, ku kohë më parë adhuroheshin shumë perëndi. Nën Akropolin, është Aeropagu, për të cilin thuhet se ishte qendër e gjyqit të drejtësisë në kohërat e vjetra. Në këtë vend, rreth 2.000 vjet më parë, apostulli Pavël mbajti një ligjëratë të rëndësishme. Ja diçka nga ajo që tha ai:
«[Perëndia] prej një njeriu krijoi çdo komb njerëzor; që të banonin mbi gjithë sipërfaqen e tokës; caktoi rendin e kohërave dhe kufijtë e vendbanimit të njerëzve, që të kërkojnë Perëndinë, që edhe nëse ecën me të prekur, të mund ta gjejnë, derisa nuk është larg nga asnjëri prej nesh. Sepse nëpërmjet tij jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë.»—Veprat 17:26-28.
Sa e ndryshme do të ishte historia, në qoftë se njerëzimi në përgjithësi do t’i kishte kushtuar vëmendje fjalëve të Pavlit! Sa luftra, sa vuajtje do të ishin eleminuar, nëse njerëzit do të kishin pranuar interesin e tyre të përbashkët si pasardhës të një njeriu të krijuar nga Zoti Sovran, Jehova.
Sot, njerëzimi është i copëtuar nga nacionalizmi, dallimet klasore, urrejtjet raciale dhe padrejtësitë shoqërore. Megjithatë, fjalët e Pavlit janë gjithmonë të vlefshme. Të gjithë ne jemi pasardhës të atij njeriu të vetëmkrijuar nga Perëndia. Në këtë kuptim, të gjithë ne jemi vëllezër e motra. Ende nuk është tepër vonë që të kërkohet Perëndia, derisa mund të gjendet.
Fjalët e Pavlit kanë një rëndësi edhe më të madhe, kur shqyrtojmë përfundimin e ligjëratës së tij. Ai tha: «[Perëndia] ka caktuar një ditë, kur me drejtësi do të gjykojë tokën e banuar me anë të një njeriu, që e ka emëruar dhe i ka dhënë të gjithëve një garanci, duke e ringjallur nga të vdekurit.»
Ringjallja e Jezuit është një fakt historik dhe, siç shpjegon Pavli, është një garanci se do të ndodhë dita e gjyqit për njerëzimin. Kur? Ne e dimë, se ajo është rreth 2.000 vjet më afër qëkurse Pavli i tha këto fjalë në Aeropag. Me të vërtetë, plotësimi i profetizimit biblik tregon se ajo është shumë afër. Çfarë mendimi i kthjellët! Sa urgjente është që të kërkojmë Perëndinë me gjithë sinqeritetin, sikurse Pavli u tha athinasve, «tani [Perëndia] i thotë njerëzve të çdo vendi të pendohen.»—Veprat 17:30, 31.