Libri biblik numër 46—1 Korintasve
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Efes
Shkrimi përfundoi: rr. 55 të e.s.
1. Ç’qytet ishte Korinti në ditët e Pavlit?
KORINTI ishte «një qytet me nam dhe epshndjellës, ku takoheshin veset e Lindjes me të Perëndimit».a I gjendur në një rrip të ngushtë toke që lidhte Peloponezin me Greqinë në kontinent, Korinti zotëronte rrugën që çonte në kontinent. Në ditët e apostullit Pavël, popullsisë së tij prej rreth 400.000 banorësh, ia kalonte vetëm Roma, Aleksandria dhe Antiokia e Sirisë. Në lindje të Korintit shtrihej deti Egje, kurse në perëndim gjiri i Korintit dhe deti Jon. Kështu, Korinti, kryeqyteti i provincës së Akaisë, me dy porte, atë të Kenkresë dhe të Lekeumit, zinte një pozitë të rëndësishme strategjike në aspektin tregtar. Gjithashtu, ishte vatra e dijeve greke. Thuhet se «pasuria e tij ishte përfolur aq shumë, sa ishte bërë e famshme; të tilla ishin edhe veset dhe shthurja e banorëve të tij».b Ndër praktikat fetare pagane të atij qyteti, ishte edhe adhurimi i Afërditës (që përkonte me Venusin e romakëve). Epshi ishte pjellë e adhurimit që praktikohej në Korint.
2. Si u formua kongregacioni i Korintit dhe për pasojë cila lidhje e bashkonte me Pavlin?
2 Rreth vitit 50 të e.s., apostulli Pavël udhëtoi drejt këtij metropoli të botës romake, të begatë, por të shthurur moralisht. Gjatë qëndrimit të tij prej 18 muajsh, atje u formua një kongregacion i krishterë. (Vep. 18:1-11) Çfarë dashurie ndiente Pavli për këta besimtarë, të cilëve ua kishte çuar i pari lajmin e mirë për Krishtin! Me anë të një letre ai u kujtoi lidhjen frymore që i bashkonte, duke u thënë: «Edhe po të keni dhjetë mijë edukatorë në Krishtin, pa dyshim që nuk keni shumë etër, ngaqë në Krishtin Jezu, unë jam bërë ati juaj nëpërmjet lajmit të mirë.»—1 Kor. 4:15.
3. Ç’e nxiti Pavlin të shkruante letrën e tij të parë drejtuar korintasve?
3 Meraku i madh për mirëqenien e tyre frymore e nxiti Pavlin që gjatë udhëtimit të tretë misionar të shkruante letrën e tij të parë drejtuar të krishterëve në Korint. Kishin kaluar disa vjet që nga koha kur ai kishte qenë në Korint. Ishte aty rreth vitit 55 të e.s. dhe Pavli ishte në Efes. Me sa duket kishte marrë një letër nga kongregacioni relativisht i ri i Korintit që kërkonte përgjigje. Veç kësaj, Pavlit i kishin vajtur në vesh disa lajme që e kishin bërë merak. (7:1; 1:11; 5:1; 11:18) Ato ishin aq shqetësuese, sa apostulli nuk i preku as shkarazi gjërat që i kishin kërkuar ata, deri në vargun e parë të kapitullit 7 vrg. 1të letrës së tij. Pavli u ndie i nxitur t’u shkruante të krishterëve në Korint, sidomos për shkak të gjërave që kishte marrë vesh.
4. Ç’gjë tregon se Pavli e shkroi 1 Korintasve kur ishte në Efes?
4 Por, si e dimë se Pavli e shkroi 1 Korintasve kur ishte në Efes? Së pari, në fund të letrës ku shkruan përshëndetjet, apostulli përfshin edhe përshëndetjet e Akuilës dhe Priskës (Prishilës). (16:19) Veprat 18:18, 19 tregon se ata ishin shpërngulur nga Korinti në Efes. Përderisa Akuila dhe Prishila banonin në Efes dhe Pavli përfshiu edhe përshëndetjet e tyre në vargjet përmbyllëse të 1 Korintasve, ai duhet të ketë qenë në Efes kur e shkroi letrën. Megjithatë, një pikë që nuk lë vend për dyshim, janë fjalët e Pavlit te 1 Korintasve 16:8: «Por do të qëndroj në Efes deri në festën e Ditës së Pesëdhjetë.» Pra, 1 Korintasve u shkrua nga Pavli në Efes, me sa duket aty nga fundi i qëndrimit të tij në atë qytet.
5. Ç’gjë e vërteton autenticitetin e letrave drejtuar Korintasve?
5 Autenticiteti i 1 Korintasve, e gjithashtu i 2 Korintasve, është i padiskutueshëm. Këto letra i janë atribuar Pavlit dhe janë pranuar si pjesë e kanunit të Biblës nga të krishterët e hershëm, të cilët i përfshinë në përmbledhjet e tyre. Në fakt, thuhet se 1 Korintasve përmendet dhe citohet të paktën gjashtë herë në një letër të quajtur «E para e Klementit», e dërguar nga Roma në Korint rreth vitit 95 të e.s. Me sa duket duke iu referuar 1 Korintasve, shkrimtari i nxiste ata të cilëve iu dërgua kjo letër, ‘të merrnin letrën e të lumit Pavël, apostullit’.c Gjithashtu, Justin Martiri, Atenagora, Ireneu dhe Tertuliani citojnë drejtpërdrejt nga 1 Korintasve. Ekzistojnë dëshmi të forta për të besuar se një përmbledhje e letrave të Pavlit, ku përfshihen edhe 1 dhe 2 Korintasve, «u hartua dhe u botua dekadën e fundit të shekullit të parë».d
6. Ç’probleme ekzistonin në kongregacionin e Korintit dhe çfarë donte në mënyrë të veçantë Pavli?
6 Letra e parë e Pavlit drejtuar Korintasve na jep mundësinë të shohim brenda kongregacionit të Korintit. Këtyre të krishterëve u duhej të përballeshin me probleme dhe kishin çështje për të zgjidhur. Brenda kongregacionit ekzistonin fraksione, pasi disa ndiqnin njerëzit. Kishte pasur një rast skandaloz imoraliteti seksual. Disa jetonin në familje të ndara nga ana fetare. A duhej të qëndronin me bashkëshortin jobesimtar apo të ndaheshin? Si duhej ta konsideronin mishin e flijuar idhujve? A mund ta hanin? Korintasit kishin nevojë për këshilla si të mbanin mbledhjet, duke përfshirë edhe kremtimin e Darkës së Zotërisë. Ç’vend duhej të zinin gratë në kongregacion? Gjithashtu, mes tyre kishte nga ata që mohonin ringjalljen. Probleme kishte plot. Megjithatë, apostulli donte në mënyrë të veçantë t’i rimëkëmbte frymësisht korintasit.
7. Me ç’qëndrim duhet ta shqyrtojmë 1 Korintasve dhe pse?
7 Përderisa gjendja brenda kongregacionit dhe ambienti rrethues në Korintin e lashtë, me begatinë dhe shfrenimin e tij moral, kanë paralele për kohën tonë, këshillat e arta të Pavlit, të shkruara nën frymëzimin hyjnor, meritojnë vëmendjen tonë. Fjalët e Pavlit kanë aq shumë kuptim në kohën tonë, sa do të jetë vërtet e dobishme që letrën e tij të parë drejtuar vëllezërve dhe motrave të tij të dashura në Korint ta shqyrtojmë duke medituar. Mbaj në mendje frymën e asaj kohe dhe të atij vendi. Teksa shqyrtojmë fjalët e frymëzuara nxitëse e që të prekin thellë, që Pavli u drejtoi të krishterëve në Korintin e lashtë, të mendojmë seriozisht për to, ashtu si duhet të kenë bërë të krishterët korintas.
PËRMBAJTJA E 1 KORINTASVE
8. (a) Si e demaskon Pavli marrëzinë e sektarizmit në kongregacion? (b) Çfarë nevojitet për të kuptuar gjërat e Perëndisë, siç shpjegon Pavli?
8 Pavli demaskon sektarizmin, nxit të kenë unitet (1:1–4:21). Pavli shpreh dëshirat më të mira për korintasit. Por, ç’mund të thuhet për ndarjet dhe fërkimet mes tyre? «Krishti qenka i ndarë.» (1:13) Apostulli është i kënaqur që ka pagëzuar shumë pak prej tyre, që të mos thonë se janë pagëzuar në emër të tij. Pavli predikon Krishtin të vënë në shtyllë, që për judenjtë është shkak pengese, kurse për kombet marrëzi. Por Perëndia zgjodhi gjërat e marra dhe të dobëta të botës, që të turpëronte të mençurit dhe të fortët. Pra, Pavli nuk përdor fjalë tepër të larta, por i bën vëllezërit të shohin frymën dhe fuqinë e Perëndisë nëpërmjet fjalëve të tij, që besimi i tyre të mos bazohet në mençurinë e njerëzve, por në fuqinë e Perëndisë. Ne flasim për gjërat e zbuluara nga fryma e Perëndisë, thotë Pavli, «pasi fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë». Këto s’mund t’i kuptojë njeriu fizik, por vetëm njeriu frymor.—2:10.
9. Si tregon Pavli se askush s’duhet të mburret në lidhje me njerëzit?
9 Ata ndjekin njerëz: disa Apolin e disa Pavlin. Por, ç’janë Apoli dhe Pavli? Vetëm shërbëtorë nëpërmjet të cilëve korintasit u bënë besimtarë. Ata që mbjellin dhe ujitin s’janë asgjë, pasi «Perëndia vazhdon ta rritë» dhe ata janë «bashkëpunëtorë» të tij. Prova e zjarrit do të tregojë veprat e kujt do të qëndrojnë. Pavli u thotë: «Ju jeni tempulli i Perëndisë», ku banon fryma e Tij. «Mençuria e kësaj bote është marrëzi në sytë e Perëndisë.» Prandaj, askush të mos mburret në lidhje me njerëzit, sepse në të vërtetë gjithçka i përket Perëndisë.—3:6, 9, 16, 19.
10. Pse mburrja e korintasve është krejt e pavend dhe ç’hapa ka ndër mend të bëjë Pavli për të rregulluar situatën?
10 Pavli dhe Apoli janë kujdestarë të përulur të sekretit të shenjtë të Perëndisë, dhe nga kujdestarët kërkohet të jenë të besueshëm. Kush janë vëllezërit e Korintit që të mburren dhe ç’gjë kanë që nuk e kanë marrë? Janë bërë të pasur? Kanë filluar të mbretërojnë, të bëhen të matur e të fortë, kurse apostujt, që janë bërë teatër për engjëjt dhe për njerëzit, janë të marrë e të dobët, fundërrinat e çdo gjëje? Pavli po u dërgon Timoteun që t’u sjellë ndër mend metodat e tij në shërbimin e Krishtit dhe të bëhen imituesit e tij. Nëse është vullneti i Jehovait, Pavli do të shkojë së shpejti jo për të njohur fjalët e atyre që krekosen, por fuqinë e tyre.
11. Ç’lloj imoraliteti ka ndodhur mes tyre, çfarë duhet bërë dhe pse?
11 Si ta mbajnë kongregacionin të pastër (5:1–6:20). Është raportuar se mes korintasve ka një rast skandaloz imoraliteti. Një burrë ka shkuar me gruan e të atit. Ai njeri i duhet dorëzuar Satanait, sepse pak maja e bën të vijë gjithë brumin. Ata s’duhet të përzihen më në shoqëri me këdo që quhet vëlla, por që është i lig.
12. (a) Çfarë thotë Pavli për faktin që kanë hedhur njëri-tjetrin në gjyq? (b) Pse thotë Pavli «ikni nga kurvëria»?
12 Korintasit kanë arritur deri aty sa kanë hedhur njëri-tjetrin në gjyq! A s’do të ishte më mirë të lejonin t’u hahej haku? Përderisa ata do të gjykojnë botën dhe engjëjt, s’gjejnë dot dikë në gjirin e tyre që të gjykojë mes vëllezërve? Veç kësaj, duhet të jenë të pastër, sepse kurvarët, idhujtarët dhe të tjerë si këta nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. Të tillë kishin qenë disa prej tyre, mirëpo ishin larë dhe ishin shenjtëruar. «Ikni nga kurvëria!—thotë Pavli.—Sepse u bletë me një çmim. Jepini, medoemos, lavdi Perëndisë në trupin tuaj.»—6:18, 20.
13. (a) Pse Pavli i këshillon disa të martohen? Çfarë duhet të bëjnë një herë që janë martuar? (b) Në ç’kuptim i pamartuari bën «edhe më mirë»?
13 Këshilla për beqarinë dhe martesën (7:1-40). Pavli i përgjigjet një pyetjeje për martesën. Për shkak të përhapjes së kurvërisë, është e këshillueshme që burri ose gruaja të martohen, dhe ata që janë të martuar të mos ia mohojnë njëri-tjetrit detyrimet martesore. Është mirë që të pamartuarit dhe vejushat të qëndrojnë të pamartuar, si Pavli; por nëse nuk kanë vetëkontroll, le të martohen. Një herë që janë martuar, duhet të qëndrojnë së bashku. Edhe nëse bashkëshorti është jobesimtar, besimtari të mos e lërë, sepse kështu mund ta shpëtojë bashkëshortin jobesimtar. Lidhur me rrethprerjen dhe skllavërinë, secili le të kënaqet me atë gjendje që u thirr. I martuari është i ndarë, sepse do të fitojë miratimin e bashkëshortit, kurse i pamartuari është në ankth vetëm për gjërat e Zotërisë. Kush martohet nuk mëkaton, por kush nuk martohet bën «edhe më mirë».—7:38.
14. Çfarë thotë Pavli për ‘perënditë’ dhe ‘zotërinjtë’? Kur është e mençur të mos hash ushqime të paraqitura idhujve?
14 Bëni gjithçka për hir të lajmit të mirë (8:1–9:27). Ç’mund të thuhet për ushqimet e paraqitura idhujve? Një idhull s’është asgjë! Ka shumë «perëndi» dhe «zotërinj» në botë, por për të krishterin ka «një Perëndi të vetëm, Ati» dhe «një Zotëri të vetëm, Jezu Krishti». (8:5, 6) Megjithatë, ndonjë mund të fyhet, kur të sheh se po ha mish të flijuar për ndonjë idhull. Në këto kushte, këshillon Pavli, mos ha që të mos bëhesh pengesë për vëllanë.
15. Si e kryen Pavli shërbimin?
15 Pavli i mohon vetes shumë gjëra për hir të shërbimit. Si apostull ai ka të drejtë ‘të jetojë me anë të lajmit të mirë’, por nuk e ka bërë. Megjithatë, atij i është ngarkuar nevoja për të predikuar; në fakt, ai thotë: «Mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!» Kështu, ai është bërë skllav i të gjithëve, duke u bërë «çdo gjë për njerëz të çdo lloji», që ‘medoemos të shpëtojë disa’, duke e bërë gjithçka «për hir të lajmit të mirë». Për të fituar garën dhe për të marrë një kurorë të paprishshme, ai e trajton ashpër trupin, që pasi t’u ketë predikuar të tjerëve, ‘të mos bëhet vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar’.—9:14, 16, 19, 22, 23, 27.
16. (a) Ç’mësim nxjerrin të krishterët nga «paraardhësit»? (b) Si mund të bëjnë të krishterët gjithçka për lavdi të Perëndisë, kur bëhet fjalë për idhujtarinë?
16 Paralajmërim kundër gjërave të dëmshme (10:1–33). Ç’mund të thuhet për «paraardhësit»? Ata ishin nën renë dhe u pagëzuan në Moisiun. Shumica e tyre nuk e fitoi miratimin e Perëndisë, por ranë të vdekur në shkretëtirë. Pse? Sepse dëshiruan gjëra të dëmshme. Të krishterët duhet ta marrin këtë si një paralajmërim e të mos bëjnë idhujtari, të mos praktikojnë kurvërinë, të mos e vënë Jehovain në provë dhe të mos murmuritin. Ai që mendon se po qëndron në këmbë, të ketë kujdes që të mos bjerë. Tundim do të ketë, por Perëndia nuk do të lejojë që shërbëtorët e tij të tundohen përtej asaj që mund të mbajnë. Ai do të sigurojë rrugëdaljen, që të mund t’i qëndrojnë. «Prandaj,—shkruan Pavli,—ikni nga idhujtaria.» (10:1, 14) Nuk marrim dot pjesë edhe në tryezën e Jehovait, edhe në tryezën e demonëve. Megjithatë, nëse ha në një shtëpi, mos pyet se nga vjen mishi. Ama, nëse dikush të tregon se është flijuar për idhujt, mos e ha për shkak të ndërgjegjes së tij. «Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»—10:31.
17. (a) Cilin parim paraqit Pavli për kryesinë? (b) Si e lidh ai problemin e përçarjeve në kongregacion me Darkën e Zotërisë?
17 Kryesia; Darka e Zotërisë (11:1-34). «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit»,—thotë Pavli, dhe më pas, paraqit parimin hyjnor të kryesisë: kreu i gruas është burri, kreu i burrit është Krishti, kreu i Krishtit është Perëndia. Prandaj, gruaja duhet të mbajë «një shenjë nënshtrimi» mbi krye, kur lutet ose profetizon në kongregacion. Pavli s’mund t’i lavdërojë korintasit, sepse mes tyre ka përçarje kur mblidhen. Atëherë, si mund të marrin pjesë në mënyrë të përshtatshme në Darkën e Zotërisë? Ai përsërit çfarë ndodhi kur Jezui themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij. Secili duhet të shqyrtojë veten para se të marrë pjesë në të, që të mos i sjellë vetes gjykim se nuk di të dallojë «trupin».—11:1, 10, 29.
18. (a) Pse s’duhet të ketë ndarje në trup, ndonëse ka shumëllojshmëri dhuratash dhe shërbimesh? (b) Pse dashuria është gjëja kryesore?
18 Dhuratat frymore; dashuria dhe si ta ndjekin (12:1–14:40). Ka një shumëllojshmëri dhuratash, e megjithatë është e njëjta frymë. Ka shumëllojshmëri shërbimesh e veprimesh, e megjithatë është i njëjti Zotëri dhe i njëjti Perëndi. Po ashtu, ka shumë gjymtyrë në trupin e vetëm dhe të bashkuar të Krishtit, ku secila gjymtyrë ka nevojë për tjetrën, njësoj si në trupin e njeriut. Perëndia i ka vendosur gjymtyrët në trup, secilën ashtu si i pëlqeu, dhe secila ka punën e vet, që «në trup të mos ketë ndarje». (12:25) Kush zotëron dhurata frymore nuk është asgjë pa dashurinë. Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse; nuk është xheloze dhe nuk krekoset. Gëzon vetëm me të vërtetën. «Dashuria nuk shuhet kurrë.» (13:8) Dhurata si profetizimi dhe gjuhët do të hiqen, por besimi, shpresa dhe dashuria do të qëndrojnë. Nga këto, më e madhja është dashuria.
19. Ç’këshillë jep Pavli për ndërtimin e kongregacionit dhe bërjen e gjërave me rregull?
19 «Ndiqni dashurinë»,—këshillon Pavli. Dhuratat frymore duhen përdorur me dashuri për ndërtimin e kongregacionit. Për këtë arsye, më mirë të profetizojnë sesa të flasin në gjuhë të huaja. Më mirë të flasë pesë fjalë të kuptueshme që të mësojë të tjerët, sesa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të panjohura. Gjuhët janë si shenjë për jobesimtarët, ndërsa profetizimi është për besimtarët. S’duhet të jenë «si fëmijë të vegjël» për t’i kuptuar këto gjëra. Gratë duhet të jenë të nënshtruara në kongregacion. «Çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.»—14:1, 20, 40.
20. (a) Ç’prova jep Pavli për ringjalljen e Krishtit? (b) Sipas cilës radhë bëhet ringjallja dhe cilët janë armiqtë që duhet të vërë Jezui nën këmbët e tij?
20 Siguria e shpresës së ringjalljes (15:1–16:24). Krishti i ringjallur iu shfaq Kefës, të dymbëdhjetëve, më shumë se 500 vëllezërve njëherësh, Jakovit, të gjithë apostujve, dhe në fund fare iu shfaq Pavlit. ‘Nëse Krishti nuk është ngritur,—shkruan Pavli,—predikimi dhe besimi ynë janë të kotë.’ (15:14) Secili është ringjallur sipas radhës: Krishti, fryti i parë, pastaj, gjatë pranisë së tij, ata që i përkasin atij. Në fund, ai ia dorëzon Mbretërinë Atit të tij, pasi t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Edhe vdekja, armiku i fundit, do të asgjësohet. Ç’kuptim ka që Pavli përballet vazhdimisht me rrezikun e vdekjes, nëse nuk ka ringjallje?
21. (a) Si ngrihen ata që kanë për të trashëguar Mbretërinë e Perëndisë? (b) Cilin sekret të shenjtë zbulon Pavli dhe si shprehet për fitoren mbi vdekjen?
21 Por si do të ngrihen të vdekurit? Që të lindë trupi i një bime, më parë duhet të vdesë fara e mbjellë. Njësoj është edhe me ringjalljen e të vdekurve: «Mbillet trup fizik dhe ngrihet trup frymor. . . . Mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot mbretërinë e Perëndisë.» (15:44, 50) Pavli zbulon një sekret të shenjtë: jo të gjithë do të bien në gjumin e vdekjes, por do të shndërrohen sa hap e mbyll sytë, gjatë trumbetës së fundit. Kur ai që është i vdekshëm të veshë pavdekësinë, vdekja do të jetë përpirë përgjithmonë. «Ku është fitorja jote, o vdekje? Ku është thumbi yt, o vdekje?» Nga thellësia e zemrës Pavli thërret: «Por falënderojmë Perëndinë, sepse na jep fitoren nëpërmjet Zotërisë tonë Jezu Krisht!»—15:55, 57.
22. Ç’këshillë dhe nxitje të fundit jep Pavli?
22 Në përfundim të letrës Pavli jep këshilla si t’i mbledhin me rregull kontributet që dërgohen në Jerusalem për të ndihmuar vëllezërit në nevojë. U tregon se do t’i vizitojë së afërmi, pasi të ketë kaluar nëpër Maqedoni, dhe u thotë se mund t’i vizitojnë Timoteu me Apolin. «Rrini zgjuar,—nxit Pavli,—qëndroni të patundur në besim, silluni si burrat, bëhuni të fuqishëm. Bëjini të gjitha punët tuaja me dashuri.» (16:13, 14) Pavli u dërgon të fala nga kongregacionet e Azisë, dhe pastaj u dërgon një përshëndetje të fundit me dorën e vet, duke u shprehur dashurinë e tij.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
23. (a) Si i ilustron Pavli pasojat shkatërrimtare të dëshirave të gabuara dhe të besimit të tepruar te vetja? (b) Ku i bazon Pavli këshillat e tij për Darkën e Zotërisë dhe për ushqimet që janë të përshtatshme të hahen?
23 Fjalët e apostullit Pavël te 1 Korintasve kanë një vlerë të madhe për rritjen e kuptueshmërisë sonë për Shkrimet Hebraike, nga të cilat ai citon shumë herë. Në kapitullin 10, Pavli tregon se izraelitët që drejtoheshin nga Moisiu, pinë nga një shkëmb frymor, që përfaqësonte Krishtin. (1 Kor. 10:4; Num. 20:11) Pastaj, vazhdon me pasojat shkatërrimtare që sjell dëshira për gjëra të dëmshme, siç e ilustron rasti i izraelitëve në kohën e Moisiut dhe shton: «Këto gjëra u ndodhnin atyre si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.» Kurrë të mos i besojmë tepër vetes e të mendojmë se s’mund të biem! (1 Kor. 10:11, 12; Num. 14:2; 21:5; 25:9) Përsëri, merr një ilustrim nga Ligji. Ai u referohet flijimeve në bashkësi që bëheshin në Izrael, për të treguar si të hanë denjësisht në tryezën e Jehovait ata që marrin pjesë në Darkën e Zotërisë. Pastaj, për të mbështetur argumentin e tij se është e përshtatshme të hahet gjithçka që shitet në pazarin e mishit, ai citon Psalmin 24:1, që thotë: «Jehovait i përket toka dhe çdo gjë që është në të.»—1 Kor. 10:18, 21, 26; Dal. 32:6; Lev. 7:11-15.
24. Ç’referime të tjera nga Shkrimet Hebraike përdor Pavli për të mbështetur argumentet e tij?
24 Për të treguar se sa lart qëndrojnë «gjërat që Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan» dhe kotësinë e ‘arsyetimeve të njerëzve të mençur’ të kësaj bote, Pavli u referohet përsëri Shkrimeve Hebraike. (1 Kor. 2:9; 3:20; Isa. 64:4; Psal. 94:11) Si burim për udhëzimet e tij mbi përjashtimin e shkelësit, në kapitullin 5, ai citon ligjin e Jehovait që thotë: «Hiqe të keqen nga gjiri yt.» (Ligj. 17:7) Kur flet për të drejtën e tij për të jetuar me anë të shërbimit, Pavli i referohet sërish Ligjit të Moisiut, që thoshte se kafshës që punon, nuk i duhet vënë gojëz për të mos ngrënë dhe se levitët që shërbenin në tempull merrnin pjesën e vet nga altari.—1 Kor. 9:8-14; Ligj. 25:4; 18:1.
25. Cilat pika të spikatshme gjejmë në udhëzimet e dobishme që përmban 1 Korintasve?
25 Udhëzimet e frymëzuara që kemi marrë nga letra e parë e Pavlit drejtuar të krishterëve korintas kanë qenë vërtet të dobishme! Medito për këshillat kundër përçarjeve dhe vajtjes pas njerëzve. (Kapitujt 1-4) A të kujtohet rasti i imoralitetit dhe se si Pavli theksoi nevojën për virtyte dhe pastërti brenda kongregacionit. (Kapitujt 5, 6) Shqyrto këshillat e tij të frymëzuara lidhur me beqarinë, martesën dhe ndarjen. (Kapitulli 7) Mendo për mënyrën si e trajton apostulli çështjen e ushqimeve të paraqitura idhujve, dhe si theksohet me forcë nevoja që të kemi kujdes të mos bëhemi pengesë për të tjerët dhe të mos biem në idhujtari. (Kapitujt 8-10) Gjithashtu, trajtohen edhe këshilla për nënshtrimin e përshtatshëm, dhuratat frymore, si dhe një diskutim shumë praktik i cilësisë së shkëlqyer të dashurisë, që duron gjithçka dhe nuk shuhet kurrë. Sa mirë e theksoi apostulli Pavël nevojën për rregull në mbledhjet e krishtere! (Kapitujt 11-14) Nën frymëzim, ai hodhi me shkrim një mbrojtje të shkëlqyer për ringjalljen. (Kapitulli 15) Kjo letër na dha mundësi të shihnim me sytë e mendjes të gjitha këto dhe të tjera akoma, gjëra që janë shumë të vlefshme për të gjithë të krishterët që jetojnë sot.
26. (a) Cilën vepër të parathënë prej kohësh kryen Krishti i ringjallur si Mbret? (b) Ç’inkurajim të fuqishëm jep Pavli në bazë të shpresës së ringjalljes?
26 Kjo letër na ndihmon shumë të kuptojmë edhe më mirë temën e lavdishme të Biblës për Mbretërinë e Perëndisë. Ajo jep paralajmërime të rrepta se të padrejtët s’do të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë dhe rendit shumë nga veset që nuk i lejojnë njerëzit të hyjnë në të. (1 Kor. 6:9, 10) Por mbi të gjitha, ajo shpjegon lidhjen mes ringjalljes dhe Mbretërisë së Perëndisë. Tregon se Krishti «fryti i parë» i ringjalljes, duhet «të mbretërojë derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij». Pra, kur t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij, duke përfshirë edhe vdekjen, «do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij, . . . që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë». Në fund, në përmbushje të premtimit për Mbretërinë, të bërë në Eden, Krishti dhe vëllezërit e tij frymorë të ringjallur do t’ia shtypin kokën gjarprit përgjithnjë. Perspektiva e ringjalljes është vërtet madhështore për ata që do të jenë të paprishshëm bashkë me Krishtin Jezu në Mbretërinë qiellore. Në bazë të shpresës së ringjalljes Pavli këshillon: «Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, bëhuni të palëkundur e të patundur. Kini gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.»—1 Kor. 15:20-28, 58; Zan. 3:15; Rom. 16:20.
[Shënimet]
a Halley’s Bible Handbook, 1988, Henri Hallei, faqja 593.
b Dictionary of the Bible, nga Smith, 1863, vëll. 1, faqja 353.
c The Interpreter’s Bible, vëll. 10, 1953, faqja 13.
d The Interpreter’s Bible, vëll. 9, 1954, faqja 356.