Të predikojmë për të bërë dishepuj
«Kur e dëgjuan [Apolin] Prishila dhe Akuila, e morën me vete dhe i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë.»—VEPRAT 18:26.
1. Për çfarë kishte nevojë Apoli, edhe pse ishte «i zjarrtë në frymë»?
PRISHILA dhe Akuila, një çift i krishterë në shekullin e parë, vërejtën Apolin ndërsa mbante fjalim në një sinagogë në qytetin e Efesit. Me një të folur të rrjedhshëm dhe me fuqi bindëse, Apoli e kishte bërë për vete auditorin. Ai ishte «i zjarrtë në frymë» dhe po «mësonte me saktësi gjërat për Jezuin». Megjithatë ishte e dukshme se Apoli ‘njihte vetëm pagëzimin e Gjonit’. Ajo që predikonte Apoli rreth Krishtit ishte e vërtetë, por nuk ishte e plotë. Apoli duhej ta rriste njohurinë për rolin e Jezu Krishtit në realizimin e qëllimit të Jehovait.—Veprat 18:24-26.
2. Çfarë detyre të vështirë morën përsipër Prishila dhe Akuila?
2 Pa ngurruar, Prishila dhe Akuila u treguan të gatshëm për ta ndihmuar Apolin që të bëhej një individ që mund të zbatonte «të gjitha gjërat» që urdhëroi Krishti. (Mateu 28:19, 20) Tregimi thotë se ata e morën Apolin «me vete dhe i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë». Gjithsesi kishte disa gjëra rreth Apolit që mund t’i kishin bërë disa të krishterë të ngurronin ta mësonin atë. Çfarë gjërash? Çfarë mund të mësojmë nga përpjekjet e Prishilës e të Akuilës për të diskutuar me Apolin rreth Shkrimeve? Si mund të na ndihmojë një rishikim i këtij tregimi të së kaluarës që të përqendrohemi në fillimin e studimeve biblike në shtëpi?
Të përqendrohemi te nevojat e njerëzve
3. Pse prejardhja e Apolit nuk e pengoi Prishilën dhe Akuilën që ta mësonin atë?
3 Apoli, i cili ishte me prejardhje judaike, ishte rritur me sa duket në qytetin e Aleksandrisë. Në atë kohë Aleksandria ishte kryeqytet i Egjiptit dhe qendër arsimimi të lartë, e njohur për bibliotekën e saj madhështore. Qyteti kishte një popullsi të madhe judaike, përfshirë shumë dijetarë. Kështu përkthimi grek i Shkrimeve Hebraike, i njohur si Septuaginta, ishte bërë atje. Nuk habitemi që Apoli ishte «njohës i mirë i Shkrimeve». Akuila dhe Prishila ishin bërës tendash. A i trembi ata gojëtaria e Apolit? Jo. Nga dashuria ata i kushtuan vëmendje atij si individ, nevojave të tij dhe se si mund ta ndihmonin.
4. Ku dhe si e mori Apoli ndihmën që i nevojitej?
4 Pavarësisht se sa gojëtar ishte Apoli, ai kishte nevojë për t’u mësuar. Ndihma që i nevojitej nuk mund të gjendej në ndonjë universitet, por mes pjesëtarëve të kongregacionit të krishterë. Apoli do të nxirrte dobi nga gjërat që do të mësonte, të cilat do të sillnin si rezultat një kuptueshmëri më të saktë për masën e Perëndisë për shpëtim. Prishila dhe Akuila «e morën me vete dhe i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë».
5. Çfarë mund të thoni për gjendjen frymore të Prishilës dhe të Akuilës?
5 Prishila dhe Akuila ishin të fortë frymësisht dhe të rrënjosur në besim. Ka shumë të ngjarë që ishin ‘gjithnjë gati për t’i paraqitur një mbrojtje kujtdo që u kërkonte arsye për shpresën e tyre’, qoftë ai i pasur, i varfër, studiues ose skllav. (1 Pjetrit 3:15) Akuila dhe e shoqja ishin të aftë që ta ‘përdornin drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Timoteut 2:15) Me sa duket, ata i studionin seriozisht Shkrimet. Apoli u prek thellë nga mësimi i bazuar në ‘fjalën e Perëndisë, e cila është e gjallë dhe ushtron fuqi’, duke ndikuar te zemrat e njerëzve.—Hebrenjve 4:12.
6. Si e dimë se Apoli e çmoi ndihmën që mori?
6 Apoli e çmoi shembullin e mësuesve të tij dhe u bë edhe më i aftë për të bërë dishepuj. Ai e përdori plotësisht njohurinë e tij në dobi të veprës së shpalljes së lajmit të mirë, sidomos mes popullsisë judaike. Apoli ishte jashtëzakonisht i dobishëm për t’i bindur judenjtë për Krishtin. ‘Duke qenë i zoti në lidhje me Shkrimet’, ai mundi t’u provonte atyre se të gjithë profetët e lashtë pritnim me padurim ardhjen e Krishtit. (Veprat 18:24, Kingdom Interlinear Translation) Tregimi shton se më pas Apoli shkoi në Akai, dhe atje «i ndihmoi shumë ata që kishin besuar për shkak të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë; sepse në mënyrë të zjarrtë, ai provoi plotësisht në publik se judenjtë e kishin gabim, ndërsa u tregonte me anë të Shkrimeve se Jezui ishte Krishti».—Veprat 18:27, 28.
Të mësojmë nga shembulli i mësuesve të tjerë
7. Si u bënë mësues të aftë Akuila dhe Prishila?
7 Si u bënë Akuila dhe Prishila mësues të aftë të Fjalës së Perëndisë? Përveçse ishin të zellshëm kur bënin studimin personal dhe ndiqnin mbledhjet, ata duhet t’i ketë ndihmuar shumë shoqëria e ngushtë me apostullin Pavël. Për 18 muaj Pavli banoi në shtëpinë e Prishilës dhe të Akuilës, në Korint. Ata punuan bashkë duke bërë e duke riparuar tenda. (Veprat 18:2, 3) Imagjinoni bisedat e thella frymore që duhet të kenë bërë dhe se sa e ka përmirësuar gjendjen e tyre frymore shoqërimi me Pavlin! «Kush ecën me të mençurit do të bëhet i mençur»,—thuhet te Proverbat (Fjalët e urta) 13:20, BR. Shoqëria e mirë kishte një ndikim të shkëlqyer në zakonet e tyre frymore.—1 Korintasve 15:33.
8. Çfarë mësuan Prishila dhe Akuila duke vërejtur Pavlin në shërbim?
8 Kur Prishila dhe Akuila vërenin Pavlin duke shërbyer si lajmëtar i Mbretërisë, ata shihnin se si vepronte një mësues i mirë. Tregimi te Veprat thotë për Pavlin se «çdo sabat ai bënte një fjalim në sinagogë [në Korint] dhe bindte judenj e grekë». Më vonë, kur me të u bashkuan Sila dhe Timoteu, Pavli «filloi të ishte tërësisht i zënë me fjalën, duke u dëshmuar judenjve për të provuar se Jezui është Krishti». Kur pjesëtarët e sinagogës nuk treguan shumë interes, Prishila dhe Akuila vunë re se Pavli e ndryshoi qendrën e predikimit të tij në një vend më të favorshëm, në një shtëpi ngjitur me sinagogën. Atje Pavli mundi të ndihmonte Krispin, ‘të parin e sinagogës’, që të bëhej dishepull. Ka shumë të ngjarë që Prishila dhe Akuila vërejtën se fakti që ky individ u bë dishepull, pati një ndikim të thellë dhe frytdhënës në territor. Tregimi thotë: «Krispi . . . u bë besimtar në Zotërinë dhe kështu bënë tërë ata të shtëpisë së tij. E shumë nga korintasit që dëgjuan, filluan të besonin e të pagëzoheshin.»—Veprat 18:4-8.
9. Si reaguan Prishila dhe Akuila ndaj shembullit të Pavlit?
9 Shembulli i Pavlit në shërbimin në fushë u imitua nga lajmëtarë të tjerë të Mbretërisë, siç ishin Prishila dhe Akuila. Apostulli i nxiti të krishterët e tjerë: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.» (1 Korintasve 11:1) Në përputhje me shembullin e Pavlit, Prishila dhe Akuila e ndihmuan Apolin që t’i kuptonte më saktë mësimet e krishtere. Pastaj edhe ai ndihmoi të tjerë. Prishila dhe Akuila pa dyshim ndihmuan për të bërë dishepuj në Romë, Korint dhe Efes.—Veprat 18:1, 2, 18, 19; Romakëve 16:3-5.
10. Çfarë keni mësuar nga kapitulli i 18-të i Veprave që do t’ju ndihmojë në veprën e bërjes së dishepujve?
10 Çfarë mund të mësojmë nga shqyrtimi i kapitullit të 18-të të Veprave? Po ja, ashtu si Akuila dhe Prishila mund të kenë mësuar nga Pavli, edhe ne mund të përmirësojmë aftësitë për të bërë dishepuj duke ndjekur shembullin e mësuesve të mirë të Fjalës së Perëndisë. Mund të shoqërohemi me ata që janë ‘tërësisht të zënë me fjalën’ dhe që po u ‘dëshmojnë në mënyrë të plotë’ të tjerëve. (Veprat 18:5, Kingdom Interlinear Translation) Mund t’i vëzhgojmë se si u prekin zemrën njerëzve duke përdorur aftësi mësimdhënieje bindëse. Këto aftësi mund të na ndihmojnë që të bëjmë dishepuj. Kur dikush po studion Biblën me ne, mund t’i themi që të ftojë pjesëtarë të tjerë të familjes ose fqinjët që të marrin pjesë me të në studim. Ose mund ta pyesim nëse njeh të tjerë të cilëve mund t’u ofrojmë një studim biblik.—Veprat 18:6-8.
Të krijojmë mundësi për të bërë dishepuj
11. Ku mund të gjenden dishepuj të rinj?
11 Pavli dhe të bashkëkrishterët e tij u përpoqën të bënin dishepuj duke predikuar nga shtëpia në shtëpi, në sheshet e pazarit dhe kur udhëtonin, pra kudo. Si një punëtor i zellshëm i Mbretërisë që përpiqet të bëjë dishepuj, a mund të zgjerosh veprimtaritë e tua të shërbimit në fushë? A mund të shfrytëzosh mundësitë për të kërkuar ata që e meritojnë dhe t’u predikosh atyre? Cilat janë disa mënyra nëpërmjet të cilave lajmëtarët e lajmit të mirë kanë gjetur dishepuj? Le të shikojmë së pari fushën e dëshmisë në telefon.
12-14. Tregoni një përvojë tuajën ose një nga ato që gjenden në këta paragrafë, për të ilustruar dobitë e dëshmisë në telefon.
12 Ndërsa po dëshmonte nga shtëpia në shtëpi në Brazil, një e krishterë, të cilën do ta quajmë Maria, i dha një fletushkë një të reje që po dilte nga një pallat. Duke përdorur si hyrje titullin e fletushkës, Maria e pyeti: «A dëshiron të dish më shumë për Biblën?» Gruaja u përgjigj: «Dua, por problemi është se unë jam mësuese dhe jam e zënë gjithë kohën duke dhënë mësim.» Maria shpjegoi se mund të bisedonin për tema biblike në telefon. Gruaja i dha numrin e saj Marisë dhe, po atë mbrëmje, ajo filloi një studim në telefon duke përdorur broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? a
13 Teksa po jepte dëshmi në telefon, një shërbëtore në kohë të plotë në Etiopi u shqetësua kur po fliste me një burrë, sepse dëgjoi një rrëmujë të madhe në telefon. Burri i kërkoi asaj që ta merrte më vonë. Motra i telefonoi përsëri. Ai kërkoi ndjesë dhe i shpjegoi se në kohën që e kishte marrë më parë në telefon po grindej keq me të shoqen. Motra e përdori këtë gjë si një mundësi për ta drejtuar vëmendjen e atij burri tek udhëheqja e mençur që jepet në Bibël për të zgjidhur problemet familjare. I tha atij se shumë familje i ka ndihmuar libri Sekreti i lumturisë familjare, i cili është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Pak ditë pasi i kishte postuar librin, motra i telefonoi përsëri atij burri. Ai tha me entuziazëm: «Ky libër më shpëtoi martesën!» Në të vërtetë e kishte mbledhur familjen dhe u kishte treguar disa pika të dobishme që kishte lexuar në libër. Me të u fillua një studim biblik në shtëpi dhe, shumë shpejt, ai burrë filloi të ndiqte rregullisht mbledhjet e krishtere.
14 Një lajmëtare e Mbretërisë në Danimarkë, e cila filloi një studim biblik duke dëshmuar në telefon, thotë: «Mbikëqyrësi i shërbimit më inkurajoi të dëshmoja me anë të telefonit. Në fillim ngurrova, duke thënë: ‘S’e kam shumë qejf.’ Megjithatë një ditë mora guximin dhe fillova të bëja telefonatën e parë. U përgjigj Sonja dhe, pas një bisede të shkurtër, pranoi të merrte literaturë të bazuar në Bibël. Një mbrëmje folëm për temën e krijimit dhe ajo donte të lexonte librin Jeta: Si erdhi këtu? Me evolucion apo me krijim?b I thashë se do të ishte mirë nëse do të takoheshim dhe të diskutonim për këtë temë. Ajo pranoi. Kur shkova, Sonja ishte e gatshme për studim dhe që nga ajo kohë kemi studiuar çdo javë.» Motra përfundon: «Për vite të tëra isha lutur për të pasur një studim biblik, por nuk e prisja ta gjeja duke dëshmuar në telefon.»
15, 16. Çfarë përvojash mund të përshkruani për të treguar dobitë që vijnë kur jemi syçelë ndaj mënyrave të ndryshme për të filluar studime biblike?
15 Shumë veta janë duke pasur sukses, sepse po i zbatojnë këshillat që t’u dëshmojnë njerëzve kudo që të jenë. Një e krishterë në Shtetet e Bashkuara e ndaloi makinën pranë një furgoni në një vend parkimi. Një grua që ishte në furgon e pa dhe motra filloi t’i shpjegonte për veprën tonë të arsimimit biblik. Gruaja e dëgjoi, doli nga furgoni dhe shkoi te makina e motrës. Ajo tha: «Sa e gëzuar jam që ndalove për të folur me mua. Ka kohë që s’kam marrë diçka nga literatura juaj biblike. Përveç kësaj dua të studioj përsëri Biblën. A do të studiojmë bashkë?» Kështu motra krijoi një rrethanë të favorshme për të folur për lajmin e mirë.
16 Një motër në Shtetet e Bashkuara pati përvojën vijuese kur vizitoi një azil pleqsh. Ajo i foli dikujt që kishte disa përgjegjësi në atë institucion dhe i tha se donte që të ndihmonte vullnetarisht nga ana frymore individët që banonin aty. Motra shtoi se do të ishte e kënaqur të drejtonte çdo javë një studim biblik pa pagesë me të gjithë ata që do të dëshironin të merrnin pjesë. Ai burrë i dha leje që të vizitonte dhomat e disa individëve. Shumë shpejt, ajo drejtonte një studim biblik tri herë në javë me 26 veta gjithsej, e një prej tyre është në gjendje të ndjekë rregullisht mbledhjet.
17. Cila metodë është shpesh e efektshme për të filluar studime biblike në shtëpi?
17 Disa lajmëtarë të Mbretërisë kanë rezultate të mira kur u ofrojnë drejtpërdrejt njerëzve një studim biblik. Një kongregacion me 105 lajmëtarë bëri një përpjekje të veçantë një mëngjes për t’i ofruar një studim biblik çdo të zoti shtëpie që do të takonin. Në shërbimin në fushë morën pjesë tetëdhjetë e gjashtë lajmëtarë dhe pasi kaluan dy orë në veprën e predikimit, panë se ishin filluar të paktën 15 studime biblike.
Të vazhdojmë të kërkojmë ata që e meritojnë
18, 19. Çfarë udhëzimi të rëndësishëm të Jezuit duhet të mbajmë në mendje? Për t’ia arritur këtij qëllimi, për çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
18 Si një lajmëtar i Mbretërisë, ndoshta do që të provosh këshillat që përmenden në këtë artikull. Natyrisht do të ishte e mençur të merrnim parasysh zakonet vendëse kur shqyrtojmë metodat e dhënies së dëshmisë. Mbi të gjitha, le të mbajmë në mendje udhëzimin e Jezuit për të kërkuar ata që e meritojnë dhe për t’i ndihmuar që të bëhen dishepuj.—Mateu 10:11; 28:19.
19 Për t’ia arritur këtij qëllimi, le të ‘përdorim drejt fjalën e së vërtetës’. Mund të veprojmë kështu duke përdorur argumentime bindëse të bazuara plotësisht në Shkrime. Kjo do të na ndihmojë që të prekim zemrën e atyre që pranojnë dhe t’i nxitim të veprojnë. Ndërsa mbështetemi te Jehovai me anë të lutjes, mund të marrim pjesë për t’i ndihmuar disa që të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit. Sa shpërblyese që është kjo vepër! Atëherë, le të ‘bëjmë çmos për t’u paraqitur para Perëndisë të miratuar’, duke e nderuar gjithmonë Jehovain si lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë që predikojnë për të bërë dishepuj!—2 Timoteut 2:15.
[Shënimet]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A ju kujtohet?
• Pse Apoli kishte nevojë që t’i shtjellohej në mënyrë më të plotë udha e Perëndisë?
• Në cilat mënyra Prishila dhe Akuila mësuan nga apostulli Pavël?
• Çfarë keni mësuar për veprën e bërjes së dishepujve nga kapitulli i 18-të i Veprave?
• Si mund të krijoni mundësi për të bërë dishepuj?
[Figura në faqen 18]
Prishila dhe Akuila «i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë» Apolit
[Figura në faqen 20]
Apoli u bë i aftë për të bërë dishepuj
[Figura në faqen 21]
Pavli predikonte kudo që shkonte
[Figurat në faqen 23]
Të krijojmë mundësi për të predikuar