KAPITULLI 22
«U bëftë vullneti i Jehovait!»
Pavli shkoi në Jerusalem, i vendosur të bënte vullnetin e Perëndisë
Bazuar te Veprat 21:1-17
1-4. Pse po shkonte Pavli në Jerusalem dhe çfarë e priste atje?
NDARJA në Milet ishte shumë prekëse. Sa të vështirë e kishin Pavli dhe Luka të ndaheshin nga pleqtë efesianë, me të cilët i kishte lidhur një dashuri e thellë! Dy misionarët ishin në kuvertën e anijes. Me vete kishin gjithçka që u duhej për udhëtimin. Gjithashtu, kishin fondet e mbledhura për të krishterët nevojtarë në Jude dhe mezi prisnin ta dorëzonin këtë dhuratë.
2 Një fllad i lehtë frynte velat dhe anija u shkëput nga porti i zhurmshëm. Dy burrat, bashkë me shtatë shokët e tjerë të udhëtimit, ua ngulën sytë fytyrave të brengosura të vëllezërve në breg. (Vep. 20:4, 14, 15) Udhëtarët ua bënë me dorë derisa miqtë e tyre u zhdukën nga horizonti.
3 Për rreth tre vjet, Pavli kishte punuar ngushtësisht me pleqtë në Efes. Por tani, i drejtuar nga fryma e shenjtë, po shkonte në Jerusalem. Deri diku, e dinte çfarë e priste. Më parë u kishte thënë pleqve: «I shtyrë nga fryma e shenjtë, jam rrugës për në Jerusalem, ndonëse nuk e di ç’do të më ndodhë atje; di vetëm se, qytet më qytet, fryma e shenjtë më paralajmëron herë pas here se po më pret burgu dhe përndjekjet.» (Vep. 20:22, 23) Pavarësisht nga rreziku, Pavli u ndie «i shtyrë nga fryma e shenjtë», pra ndiente si detyrimin edhe dëshirën të ndiqte drejtimin e frymës që të shkonte në Jerusalem. E çmonte jetën e tij, por gjënë më të rëndësishme konsideronte vullnetin e Perëndisë.
4 A ndihesh edhe ti kështu? Kur ia kushtojmë jetën Jehovait, i premtojmë solemnisht se gjëja më e rëndësishme për ne do të jetë bërja e vullnetit të tij. Prandaj mund të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i shembullit besnik të apostullit Pavël.
Kalojnë «ishullin e Qipros» (Veprat 21:1-3)
5. Ç’rrugë ndoqën Pavli dhe shokët e tij për të shkuar në Tir?
5 Anija ku hipën Pavli dhe shokët e tij, ‘lundroi drejt’. Kjo shprehje nënkupton se lundroi duke e pasur erën prapa dhe po atë ditë mbërriti në Kos. (Vep. 21:1, Dom Simon Filipaj) Duket se u ankorua atje për të kaluar natën, para se të lundronte për në Rodos dhe në Patarë. Në Patarë, në bregun jugor të Azisë së Vogël, vëllezërit hipën në një anije mallrash të madhe, që i çoi drejt e në Tir, në Feniki. Rrugës, lanë pas «ishullin e Qipros, . . . në të majtë». (Vep. 21:3) Pse e përmendi këtë hollësi Luka, shkrimtari i Veprave?
6. (a) Pse Pavli mund të ketë marrë zemër kur pa Qipron? (b) Ç’përfundim arrin kur sjell ndër mend se si të ka bekuar e ndihmuar Jehovai?
6 Ndoshta Pavli me sytë drejtuar nga Qiproja tregoi eksperiencat që kishte kaluar atje. Në udhëtimin e parë misionar, rreth 9 vjet më parë, ai me Barnabën dhe Gjon Markun kishin takuar magjistarin Elim, që i ishte kundërvënë predikimit të tyre. (Vep. 13:4-12) Të shihte ishullin dhe të sillte ndër mend çfarë i kishte ndodhur atje, mund t’i ketë dhënë zemër Pavlit e ta ketë forcuar për atë që e priste. Edhe ne mund të nxjerrim dobi teksa sjellim ndër mend si na ka bekuar Perëndia e si na ka ndihmuar të durojmë sprovat. Ky reflektim mund të na ndihmojë të ndihemi si Davidi që tha: «Hallet e të drejtit s’kanë të sosur, por Jehovai e çliron nga të gjitha.»—Psal. 34:19.
«Kërkuam dishepujt dhe . . . i gjetëm» (Veprat 21:4-9)
7. Ç’bënë udhëtarët me të mbërritur në Tir?
7 Pavli e kuptonte sa e vlefshme është shoqëria e krishterë dhe mezi priste të ishte me bashkëbesimtarët. Luka shkruan se, me të mbërritur në Tir, ‘kërkuan dishepujt dhe i gjetën’. (Vep. 21:4) Duke e ditur se në Tir kishte bashkëbesimtarë, udhëtarët i kërkuan dhe, me sa duket, qëndruan tek ata. Një nga bekimet që kemi ne që njohim të vërtetën është se, kudo që të shkojmë, mund të gjejmë bashkëbesimtarë që na mirëpresin. Ata që e duan Perëndinë dhe praktikojnë adhurimin e vërtetë, kanë miq në mbarë botën.
8. Si duhet ta kuptojmë shkrimin e Veprave 21:4?
8 Ndërsa përshkruan 7 ditët që ndenjën në Tir, Luka dokumenton diçka që fillimisht mund të duket e habitshme: «Për shkak të asaj që u zbuloi fryma e shenjtë, [vëllezërit në Tir] i thanë shpesh herë Pavlit të mos shkonte në Jerusalem.» (Vep. 21:4) Mos kishte ndërruar mendje Jehovai? A po e udhëzonte tani Pavlin që të mos shkonte në Jerusalem? Jo. Fryma kishte treguar se Pavlin do ta keqtrajtonin atje, jo se ai duhej ta shmangte qytetin. Duket se, nëpërmjet frymës së shenjtë, vëllezërit në Tir kishin nxjerrë saktë përfundimin se Pavlin e prisnin telashe në Jerusalem. Prandaj, nga meraku për të, e nxitën të mos ngjitej në qytet. Dëshira për ta mbrojtur Pavlin nga rreziku që i kanosej, ishte e kuptueshme. Gjithsesi, i vendosur të bënte vullnetin e Jehovait, Pavli vazhdoi rrugën për në Jerusalem.—Vep. 21:12.
9, 10. (a) Cilin rast të ngjashëm mund të ketë menduar Pavli teksa dëgjonte shqetësimet e vëllezërve në Tir? (b) Cila ide është e përhapur në botën e sotme, por si bie në kundërshtim me fjalët e Jezuit?
9 Teksa dëgjonte shqetësimet që shprehnin vëllezërit, ndoshta Pavli solli ndër mend Jezuin që kishte hasur një kundërshtim të ngjashëm pasi u kishte thënë dishepujve se do të shkonte në Jerusalem, do të vuante shumë dhe do të vritej. I shtyrë nga sentimentalizmi, Pjetri i kishte thënë Jezuit: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Jezui i ishte përgjigjur: «Rri prapa meje, Satana! Ti je pengesë për mua, se nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.» (Mat. 16:21-23) Jezui ishte i vendosur të bënte vullnetin e Perëndisë dhe ta ofronte jetën si sakrificë. Pavli ndihej njësoj. Vëllezërit në Tir, ashtu si apostulli Pjetër, pa dyshim që kishin qëllime të mira, por nuk e kuptonin se ky ishte vullneti i Perëndisë.
10 Shumë vetave sot u pëlqen ideja që të jenë të mirë me veten ose të zgjedhim rrugën më të lehtë. Në përgjithësi njerëzit kanë prirjen të gjejnë një fe të rehatshme që nuk kërkon shumë nga anëtarët e saj. Kurse Jezui nxiti një qëndrim krejt të kundërt. Ai u tha dishepujve: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Mat. 16:24) Të ndjekësh Jezuin është rruga më e mençur dhe më e drejtë, por jo më e lehta.
11. Si e treguan dishepujt në Tir përzemërsinë dhe inkurajimin e tyre për Pavlin?
11 Pas pak, erdhi koha që Pavli, Luka dhe të tjerët që i shoqëronin, të vazhdonin rrugën. Përshkrimi i nisjes së tyre është vërtet prekës. Tregon që vëllezërit në Tir e kishin për zemër Pavlin dhe që e inkurajuan të vazhdonte shërbimin. Burrat, gratë dhe fëmijët i shoqëruan Pavlin dhe shokët e tij deri në breg të detit. Si grup, të ulur në gjunjë, u lutën së bashku dhe pastaj i dhanë lamtumirën njëri-tjetrit. Pavli, Luka dhe shokët e tyre të udhëtimit hipën në një anije tjetër dhe vazhduan për në Ptolemaidë, ku takuan vëllezërit dhe qëndruan një ditë me ta.—Vep. 21:5-7.
12, 13. (a) Çfarë shembulli la Filipi për shërbimin? (b) Si është një shembull i mirë për baballarët e krishterë sot?
12 Luka raporton se Pavli dhe shokët e tij të udhëtimit vazhduan për në Cezare. Si mbërritën atje, ‘shkuan në shtëpinë e Filipit, ungjillëzuesit’.a (Vep. 21:8) Kushedi sa janë gëzuar kur panë Filipin! Rreth 20 vjet më parë, në Jerusalem, apostujt e kishin emëruar që të kujdesej për shpërndarjen e ushqimit në kongregacionin e krishterë të sapoformuar. Filipi kishte qenë një predikues i zellshëm prej vitesh. Nëse të kujtohet, kur dishepujt u shpërndanë për shkak të përndjekjes, Filipi shkoi në Samari dhe nisi të predikonte. Më pas i predikoi eunukut etiopas dhe e pagëzoi. (Vep. 6:2-6; 8:4-13, 26-38) Ai i shërbeu me besnikëri Jehovait për shumë vjet.
13 Filipit s’i ishte shuar zelli për shërbimin. Edhe tani që banonte në Cezare, ishte i zënë në veprën e predikimit. Këtë e kuptojmë nga fakti që Luka e quan ‘ungjillëzuesi’. Mësojmë se kishte edhe katër vajza që profetizonin, që do të thotë se ndiqnin gjurmët e babait të tyre.b (Vep. 21:9) Pra, Filipi duhet të ketë bërë shumë për ta ndihmuar familjen e tij që ta donte dhe t’i shërbente Jehovait. Baballarët e krishterë duhet të ndjekin shembullin e tij, duke marrë drejtimin në shërbim e duke i ndihmuar fëmijët të zhvillojnë dëshirën për veprën e ungjillëzimit.
14. Si ndikonin te bashkëbesimtarët vizitat e Pavlit, dhe ç’mundësi të ngjashme ekzistojnë sot?
14 Në çdo vend që shkonte, Pavli kërkonte bashkëbesimtarët dhe kalonte kohë me ta. Patjetër që vëllezërit vendas mezi pritnin t’i tregonin mikpritje këtij misionari udhëtues dhe shokëve të tij. Pa dyshim ata ‘inkurajonin njëri-tjetrin’ me vizita të tilla. (Rom. 1:11, 12) Edhe sot ekzistojnë mundësi të ngjashme. Sado të thjeshtë ta kesh shtëpinë, kur mikpret mbikëqyrësin qarkor dhe gruan e tij, do të marrësh shumë bekime.—Rom. 12:13.
«Jam gati . . . të vdes» (Veprat 21:10-14)
15, 16. Ç’mesazh u solli Agabi udhëtarëve dhe si ndikoi tek ata që e dëgjuan?
15 Ndërsa Pavli po rrinte te Filipi, erdhi një vizitor tjetër i respektuar, Agabi. Ata që ishin mbledhur në shtëpinë e Filipit, e dinin se Agabi ishte profet, pasi kishte parathënë një zi buke të madhe gjatë mbretërimit të Klaudit. (Vep. 11:27, 28) Ndoshta pyetnin veten: «Pse ka ardhur Agabi? Ç’mesazh sjell?» Ndërsa e shihnin ngultas, ai mori brezin e Pavlit, një copë pëlhure të gjatë si rrip që mbante pará ose sende të tjera, dhe u lidh këmbë e duar. Pastaj foli. Mesazhi ishte i fortë: «Ja çfarë thotë fryma e shenjtë: ‘Kështu do ta lidhin judenjtë në Jerusalem burrin, të cilit i përket ky brez, dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve të kombeve.’»—Vep. 21:11.
16 Profecia vërtetoi se Pavli do të shkonte në Jerusalem. Gjithashtu tregoi se, si pasojë e predikimit të tij te judenjtë atje, ‘do ta dorëzonin në duart e njerëzve të kombeve’. Profecia ndikoi thellë te të pranishmit. Luka shkruan: «Kur e dëgjuam këtë, ne dhe të pranishmit e tjerë, filluam t’i përgjëroheshim Pavlit të mos ngjitej në Jerusalem. Atëherë, ai u tha: ‘Ç’bëni kështu?! Pse qani e më shkurajoni që të mos vazhdoj përpara?! Jini të sigurt se për emrin e Zotërisë Jezu, unë jam gati, jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem.’»—Vep. 21:12, 13.
17, 18. Si tregoi vendosmëri Pavli, dhe si reaguan vëllezërit?
17 Përfytyroje skenën. Vëllezërit, ndër ta edhe Luka, iu përgjëruan Pavlit të mos vazhdonte udhëtimin. Disa prej tyre qanë. I prekur nga interesimi i dashur, Pavli u tha me butësi se po ‘e shkurajonin që të mos vazhdonte përpara’, ose siç e përkthejnë disa versione, ‘po ia copëtonin zemrën’. Gjithsesi, ishte i vendosur dhe, si në rastin kur u takua me vëllezërit në Tir, nuk do të lejonte që përgjërimet e lotët ta lëkundnin. Përkundrazi, u shpjegoi pse duhej të shkonte në Jerusalem. Ç’guxim e vendosmëri që tregoi! Siç kishte bërë edhe Jezui, Pavli ishte i vendosur të shkonte në Jerusalem. (Hebr. 12:2) Nuk donte të bëhej martir, por nëse kjo ndodhte, do ta quante për nder të vdiste si dishepull i Krishtit Jezu.
18 Si reaguan vëllezërit? E respektuan vendimin e tij. Lexojmë: «Meqë nuk i mbushej mendja, hoqëm dorë e thamë: ‘U bëftë vullneti i Jehovait!’» (Vep. 21:14) Ndonëse u përpoqën ta bindnin Pavlin të mos shkonte në Jerusalem, nuk ngulën këmbë t’u dilte e tyrja. E dëgjuan dhe e respektuan vendimin e tij. Kuptuan se duhej ta pranonin vullnetin e Jehovait për Pavlin, edhe pse kjo ishte e vështirë për ta. Pavli i kishte hyrë një rruge që mund ta çonte drejt vdekjes. Do ta kishte më të lehtë, nëse ata që e kishin për zemër, nuk përpiqeshin t’ia kthenin mendjen.
19. Ç’mësim të vlefshëm nxjerrim nga ajo që i ndodhi Pavlit?
19 Nga ajo që i ndodhi Pavlit nxjerrim një mësim të vlefshëm: kurrsesi s’duhet të përpiqemi t’ua kthejmë mendjen atyre që duan t’i shërbejnë Perëndisë me vetëmohim. Ky mësim mund të vlejë për një sërë situatash, jo vetëm për ato jetë a vdekje. Për shembull, shumë prindër të krishterë, edhe pse e kanë pasur të vështirë t’i lënë fëmijët të ikin që t’i shërbejnë Jehovait në caktime të largëta, janë të vendosur të mos i shkurajojnë. Filisi, e cila jeton në Angli, kujton si u ndie kur vajza e saj e vetme nisi shërbimin si misionare në Afrikë. Ajo thotë: «Ishte një periudhë e vështirë për mua. Mezi e përballoja mendimin se do ta kisha aq larg. Ndihesha e trishtuar dhe krenare në të njëjtën kohë. Lutesha gjithë kohës që të kisha qëndrimin e duhur. Ky ishte vendimi i saj dhe kurrë nuk u përpoqa ta ndryshoja. Fundja, gjithnjë i kisha mësuar të vinte në vend të parë Jehovain. Ajo po bën 30 vjet që shërben në vende të huaja dhe e falënderoj çdo ditë Jehovain për besnikërinë e saj.» Sa bukur është kur u japim zemër bashkëbesimtarëve tanë vetëmohues!
«Vëllezërit na pritën me gëzim» (Veprat 21:15-17)
20, 21. Nga e kuptojmë se Pavli donte të rrinte me vëllezërit dhe përse donte të ishte me ta?
20 Pasi u bënë përgatitjet, Pavli vazhdoi rrugën i shoqëruar nga vëllezërit. Kështu treguan se e mbështetnin me gjithë zemër. Në çdo ndalesë të udhëtimit për në Jerusalem, Pavli dhe shokët e tij kërkuan shoqërinë e vëllezërve dhe të motrave të krishtere. Në Tir i kishin gjetur dishepujt dhe kishin qëndruar shtatë ditë me ta. Në Ptolemaidë, i kishin përshëndetur vëllezërit e motrat dhe kishin kaluar një ditë me ta. Në Cezare kishin ndenjur disa ditë në shtëpinë e Filipit. Pastaj, disa dishepuj nga Cezarea i shoqëruan deri në Jerusalem, ku ndenjën si mysafirë te Mnasoni, një nga dishepujt e hershëm. Luka raporton se, kur mbërritën në Jerusalem, ‘vëllezërit i pritën me gëzim’.—Vep. 21:17.
21 Duket qartë se Pavli donte të rrinte me bashkëbesimtarët. Apostulli merrte zemër nga vëllezërit dhe motrat e tij, siç marrim zemër edhe ne. Pa dyshim, ky inkurajim i dha forcë të përballej me kundërshtarët e egër që do të orvateshin ta vritnin.
a Shih kutinë «Cezarea, kryeqyteti i provincës romake të Judesë».
b Shih kutinë «A mund të jenë mësuese gratë e krishtere?».