Të krishterët e hershëm dhe Ligji i Moisiut
«Ligji është bërë tutori ynë që çon te Krishti.»—GALATASVE 3:24.
1, 2. Cilat ishin disa dobi që nxirrnin izraelitët të cilët zbatonin me kujdes Ligjin e Moisiut?
NË VITIN 1513 p.e.s., Jehovai u dha izraelitëve një kod ligjesh. Ai u tha atyre që nëse do t’i bindeshin zërit të tij, do t’i bekonte dhe do të gëzonin një jetë të lumtur e të kënaqshme.—Eksodi [Dalja] 19:5, 6.
2 Ky kod ligjesh, i quajtur Ligji i Moisiut ose thjesht «Ligji», ishte «i shenjtë, i drejtë dhe i mirë». (Romakëve 7:12) Ai nxiste virtyte të tilla, si: mirëdashjen, ndershmërinë, sjelljen e moralshme dhe fqinjësinë e mirë. (Eksodi 23:4, 5; Levitiku 19:14; Ligji i përtërirë 15:13-15; 22:10, 22) Po ashtu Ligji i nxiste judenjtë që ta donin njëri-tjetrin. (Levitiku 19:18) Për më tepër ata nuk duhet të përziheshin ose nuk duhet të merrnin gra nga johebrenjtë që nuk i ishin nënshtruar Ligjit. (Ligji i përtërirë 7:3, 4) Si një ‘mur’ ndarës midis judenjve dhe johebrenjve, Ligji i Moisiut e ruante popullin e Perëndisë që të mos ndotej me mendimet dhe praktikat pagane.—Efesianëve 2:14, 15; Gjoni 18:28.
3. Çfarë ndikimi pati Ligji meqenëse askush nuk mund ta zbatonte në mënyrë të përsosur?
3 Gjithsesi, edhe judenjtë më të përpiktë nuk mund ta zbatonin me përsosmëri Ligjin e Perëndisë. A po priste tepër Jehovai nga ata? Jo. Një nga arsyet pse iu dha Ligji Izraelit ishte «për të bërë të qarta shkeljet». (Galatasve 3:19) Ligji i bënte të vetëdijshëm judenjtë e sinqertë për nevojën urgjente që kishin për një Shpengues. Kur Ai erdhi, judenjtë besnikë u gëzuan. Çlirimi i tyre nga mallkimi i mëkatit dhe i vdekjes ishte afër!—Gjoni 1:29.
4. Në ç’kuptim Ligji ishte ‘një tutor që çonte te Krishti’?
4 Ligji i Moisiut ishte vetëm një masë e përkohshme. Duke u shkruar të bashkëkrishterëve, apostulli Pavël e përshkroi atë si ‘një tutor që çonte te Krishti’. (Galatasve 3:24) Një tutor në kohët e lashta i shoqëronte fëmijët kur shkonin në shkollë dhe kur ktheheshin. Zakonisht ai nuk ishte mësuesi; thjesht i çonte fëmijët te mësuesi. Në mënyrë të ngjashme, Ligji i Moisiut u përgatit për të çuar te Krishti judenjtë me frikë Perëndie. Jezui premtoi se do të ishte me ithtarët e tij «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mateu 28:20) Prandaj, pasi u formua kongregacioni i krishterë ‘tutori’, pra Ligji, nuk shërbente më për ndonjë qëllim. (Romakëve 10:4; Galatasve 3:25) Por disa të krishterë judenj nuk e kapën menjëherë këtë të vërtetë jetësore. Si rrjedhim vazhdonin të zbatonin disa kërkesa të Ligjit edhe pas ringjalljes së Jezuit. Megjithatë të tjerë e ndreqën mënyrën e të menduarit. Duke vepruar kështu, lanë një shembull të shkëlqyer për ne sot. Le të shohim se si.
Zhvillime emocionuese në doktrinën e krishterë
5. Çfarë udhëzimesh mori Pjetri në një vegim dhe pse u trondit ai?
5 Në vitin 36 të e.s., apostulli i krishterë Pjetër pati një vegim të jashtëzakonshëm. Në atë vegim një zë nga qielli e urdhëroi që të therte e të hante zogj dhe kafshë që quheshin të papastra sipas Ligjit. Pjetri u trondit. Ai nuk kishte «ngrënë kurrë asgjë të ndotur e të papastër». Por zëri i tha: «Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.» (Veprat 10:9-15) Në vend që t’i përmbahej me ngurtësi Ligjit, Pjetri e ndreqi pikëpamjen e tij. Kjo e çoi në një zbulim mahnitës të qëllimeve të Perëndisë.
6, 7. Çfarë i dha mundësi Pjetrit të arrinte në përfundimin se tani mund t’u predikonte johebrenjve dhe ndoshta në çfarë përfundimesh të mëtejshme arriti ai?
6 Ja se ç’ndodhi. Tre burra erdhën te shtëpia ku rrinte Pjetri për t’i kërkuar që të shkonte me ta te shtëpia e një johebreu të parrethprerë, me frikë Perëndie, që quhej Kornel. Pjetri i ftoi këta burra në shtëpi dhe i priti si mysafirë. Pasi e kishte kuptuar domethënien e vegimit, ai i shoqëroi të nesërmen te shtëpia e Kornelit. Atje Pjetri dha dëshmi të plotë për Jezu Krishtin. Ai tha: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» Jo vetëm Korneli, por edhe të afërmit dhe miqtë e tij të ngushtë ushtruan besim te Jezui dhe «fryma e shenjtë ra mbi të gjithë ata që dëgjonin fjalën». Kur e kuptoi se në këtë çështje ishte dora e Jehovait, Pjetri «i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit».—Veprat 10:17-48.
7 Çfarë i dha mundësi Pjetrit të arrinte në përfundimin se johebrenjtë, të cilët nuk i ishin nënshtruar Ligjit të Moisiut, tani mund të bëheshin ithtarë të Jezu Krishtit? Aftësia dalluese frymore. Meqenëse Perëndia kishte shfaqur miratimin ndaj johebrenjve të parrethprerë duke derdhur frymën e tij mbi ta, Pjetri e kuptoi se ata mund të pagëzoheshin. Njëkohësisht Pjetri kuptoi me sa duket se Perëndia nuk priste nga të krishterët johebrenj që të zbatonin Ligjin e Moisiut si kusht për t’u pagëzuar. Po të kishim jetuar në atë kohë, a do të kishim qenë po kaq të gatshëm sa edhe Pjetri për të ndrequr pikëpamjen tonë?
Disa vazhdonin të ndiqnin ‘tutorin’
8. Cila pikëpamje për rrethprerjen, e ndryshme nga ajo e Pjetrit, u nxit nga disa të krishterë që jetonin në Jerusalem dhe pse?
8 Pasi iku nga shtëpia e Kornelit, Pjetri shkoi në Jerusalem. Lajmi se johebrenjtë e parrethprerë «kishin marrë fjalën e Perëndisë» kishte arritur në kongregacion dhe disa dishepuj judenj ishin të shqetësuar për këtë çështje. (Veprat 11:1-3) Edhe pse e pranonin se johebrenjtë mund të bëheshin ithtarë të Jezuit, «përkrahësit e rrethprerjes» ngulnin këmbë se këta persona nga kombet johebraike duhej të zbatonin Ligjin që të shpëtonin. Nga ana tjetër, në zonat kryesisht johebraike ku kishte pak të krishterë judenj, rrethprerja nuk ishte medoemos një çështje debatesh. Të dy pikëpamjet vazhduan të ekzistonin për rreth 13 vjet. (1 Korintasve 1:10) Çfarë sprove mund të ketë qenë kjo për ata të krishterë të hershëm, sidomos për johebrenjtë që banonin në zonat judaike!
9. Pse ishte jetësore që të zgjidhej çështja e rrethprerjes?
9 Më në fund, çështja arriti kulmin në vitin 49 të e.s., kur të krishterët nga Jerusalemi erdhën në Antiokinë e Sirisë ku po predikonte Pavli. Ata filluan të mësonin se johebrenjtë e kthyer në besim duhej të rrethpriteshin sipas Ligjit. Pavli dhe Barnaba patën me ta një fërkim jo të vogël dhe bënë fjalë me ta. Po të mos zgjidhej çështja, disa të krishterë, qoftë me prejardhje judaike, qoftë johebraike, ishte e sigurt se do të pengoheshin. Kështu që u morën masa që Pavli e disa të tjerë të shkonin në Jerusalem dhe t’i kërkonin trupit udhëheqës të krishterë që ta zgjidhte çështjen njëherë e përgjithmonë.—Veprat 15:1, 2, 24.
Në fillim një mospërputhje e hapur mendimesh, më pas unitet
10. Cilat ishin disa pika që shqyrtoi trupi udhëheqës para se të vendoste për gjendjen e johebrenjve?
10 Në një mbledhje që u mbajt, disa, me sa duket, diskutuan pro rrethprerjes, kurse të tjerë paraqitën pikëpamje të kundërt. Por në atë ditë nuk mbizotëruan emocionet. Pasi u bënë shumë diskutime, apostujt Pjetër dhe Pavël përshkruan shenjat që kishte kryer Jehovai mes të parrethprerëve. Ata shpjeguan se Perëndia kishte derdhur frymën e shenjtë mbi johebrenjtë e parrethprerë. Në fakt bënë një pyetje: ‘A mund të mos pranojë me të drejtë kongregacioni i krishterë ata që ka pranuar Perëndia?’ Pastaj dishepulli Jakov lexoi një fragment nga Shkrimet që i ndihmoi të gjithë të pranishmit të dallonin se cili ishte vullneti i Jehovait për këtë çështje.—Veprat 15:4-17.
11. Cili faktor nuk u përfshi në marrjen e vendimit për rrethprerjen dhe çfarë tregon se Jehovai e bekoi këtë vendim?
11 Tani të gjithë ishin të përqendruar te trupi udhëheqës. A do të anonte vendimi i tyre nga rrethprerja meqë ishin me prejardhje judaike? Jo. Këta burra besnikë ishin të vendosur të ndiqnin Shkrimet dhe drejtimin e frymës së shenjtë. Pasi dëgjuan të gjitha dëshmitë përkatëse, pjesëtarët e trupit udhëheqës ishin të gjithë të një mendjeje se nuk ishte e nevojshme që të krishterët johebrenj të rrethpriteshin dhe të viheshin nën Ligjin e Moisiut. Kur vëllezërit dëgjuan për këtë vendim, u gëzuan, dhe kongregacionet filluan «të shtoheshin ditë për ditë në numër». Ata të krishterë që iu nënshtruan drejtimit të qartë teokratik u bekuan me një përgjigje të bazuar në Shkrime. (Veprat 15:19-23, 28, 29; 16:1-5) Megjithatë një pyetje e rëndësishme kërkonte përgjigje.
Si do të veprohej me të krishterët judenj?
12. Cila pyetje mbeti pa përgjigje?
12 Trupi udhëheqës kishte treguar qartë se të krishterët johebrenj nuk duhej të rrethpriteshin. Por, si do të veprohej me të krishterët judenj? Vendimi i trupit udhëheqës nuk e përfshinte në mënyrë të veçantë këtë anë të çështjes.
13. Pse ishte e gabuar të pohohej se zbatimi i Ligjit të Moisiut ishte i domosdoshëm për shpëtimin?
13 Disa të krishterë judenj, të cilët ishin «të zellshëm për Ligjin», vazhdonin t’i rrethpritnin fëmijët e tyre dhe të zbatonin disa kërkesa të Ligjit. (Veprat 21:20) Të tjerë shkonin më tej madje, duke ngulur këmbë që të krishterët judenj, për të shpëtuar, duhej të zbatonin Ligjin. Në këtë gjë ata po gaboheshin seriozisht. Për shembull, si mund të ofronte një i krishterë një kafshë për faljen e mëkateve? Flijimi i Krishtit kishte bërë që këto flijime të shiheshin si gjëra që nuk bëheshin më. Ç’të themi për kërkesën e Ligjit që judenjtë të shmangnin shoqëritë e ngushta me johebrenjtë? Do të kishte qenë shumë e vështirë për ungjillëzuesit e zellshëm të krishterë që t’i zbatonin këto kufizime dhe njëkohësisht të përmbushnin detyrën për t’u mësuar johebrenjve të gjitha gjërat që kishte thënë Krishti. (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8; 10:28)a Nuk ka asnjë dëshmi që kjo çështje të ishte sqaruar në ndonjë mbledhje të trupit udhëheqës. Gjithsesi kongregacioni nuk kishte mbetur pa ndihmë.
14. Çfarë drejtimi lidhur me Ligjin siguruan letrat e frymëzuara të Pavlit?
14 Për këtë çështje erdhi drejtimi jo me një letër të shkruar nga trupi udhëheqës, por me letra të tjera të frymëzuara që u shkruan nga apostujt. Për shembull, apostulli Pavël u dërgoi një mesazh të fuqishëm judenjve dhe johebrenjve që jetonin në Romë. Në letrën drejtuar romakëve, ai shpjegoi se një jude i vërtetë është «kush është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës». (Romakëve 2:28, 29) Në të njëjtën letër, Pavli përdori një ilustrim për të treguar se të krishterët nuk ishin më nën Ligj. Ai arsyetoi se një grua nuk mund të martohej njëkohësisht me dy burra. Por, nëse burri i saj vdiste, ajo ishte e lirë për t’u martuar përsëri. Pastaj Pavli bëri zbatimin e ilustrimit, duke treguar se të krishterët e mirosur nuk mund t’i nënshtroheshin Ligjit të Moisiut dhe t’i përkitnin njëkohësisht Krishtit. Ata duhej të bëheshin «të vdekur para Ligjit» që të mund të bashkoheshin me Krishtin.—Romakëve 7:1-5.
Të ngadalshëm për ta kuptuar këtë pikë
15, 16. Pse disa të krishterë judenj nuk arritën të kuptonin pikën në lidhje me Ligjin dhe çfarë tregon kjo për nevojën që të qëndrojmë syçelë frymësisht?
15 Arsyetimi i Pavli në lidhje me Ligjin ishte i pakundërshtueshëm. Si ishte e mundur atëherë që disa të krishterë judenj nuk arritën ta kuptonin këtë pikë? Një arsye ishte se u mungonte aftësia dalluese frymore. Për shembull, ata nuk bëheshin merak për të marrë ushqim të fortë frymor. (Hebrenjve 5:11-14) Po ashtu nuk i ndiqnin rregullisht mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:23-25) Një arsye tjetër se përse disa nuk e kuptuan këtë pikë ndoshta kishte të bënte me vetë natyrën e Ligjit. Ai përqendrohej në gjëra që mund të shiheshin, të ndiheshin dhe të prekeshin, siç ishin tempulli dhe priftëria. Për dikë që nuk kishte një gjendje të mirë frymore ishte më e lehtë të pranonte Ligjin sesa të përqafonte parimet më të thella të krishterimit, të cilat përqendroheshin në realitete që nuk shiheshin.—2 Korintasve 4:18.
16 Gjithashtu një arsye tjetër se përse disa të vetëquajtur të krishterë ishin gati për ta zbatuar Ligjin, u theksua nga Pavli në letrën drejtuar galatasve. Ai shpjegoi se këta burra donin të shiheshin si individë të respektueshëm, si pjesëtarë të një feje që pranohej nga shumica e njerëzve. Në vend që të dalloheshin si të krishterë në bashkësinë ku jetonin, ata ishin të gatshëm të bënin pothuajse çdo kompromis për të qenë pjesë e bashkësisë. U interesonte më shumë të kishin miratimin e njerëzve, sesa atë të Perëndisë.—Galatasve 6:12.
17. Kur u bë plotësisht e qartë pikëpamja e duhur për zbatimin e Ligjit?
17 Të krishterët me aftësi dalluese që i studionin me kujdes shkrimet e frymëzuara nga Perëndia, të shkruara nga Pavli dhe të tjerët, arritën në përfundime të sakta për Ligjin. Megjithatë vetëm në vitin 70 të e.s. u bë e qartë në mënyrë të pagabueshme për të gjithë të krishterët judenj pikëpamja e duhur për Ligjin e Moisiut. Kjo ndodhi kur Perëndia lejoi që të shkatërrohej Jerusalemi, tempulli i tij dhe dokumentimet lidhur me priftërinë. Si pasojë, për këdo u bë e pamundur të zbatonte të gjitha kërkesat e Ligjit.
Ta zbatojmë mësimin sot
18, 19. (a) Cilat qëndrime duhet t’i bëjmë tonat dhe cilat duhet të shmangim që të mbesim të shëndoshë frymësisht? (b) Çfarë na mëson shembulli i Pavlit për ndjekjen e drejtimit që marrim nga vëllezërit përgjegjës? (Shihni kutinë në faqen 24.)
18 Pasi kemi shqyrtuar këto ngjarje që kanë ndodhur shumë kohë më parë, ndoshta jemi duke pyetur veten: ‘Po të kisha jetuar në atë kohë, si do të kisha reaguar ndërsa vullneti i Perëndisë zbulohej pak nga pak? A do t’i isha përmbajtur ngurtësisht pikëpamjeve tradicionale apo do të isha i durueshëm derisa të bëhej e qartë kuptueshmëria e duhur për Ligjin? A do ta kisha mbështetur me gjithë zemër këtë kuptueshmëri pasi ajo të bëhej e qartë?’
19 Sigurisht që nuk mund të jemi të sigurt se si do të kishim reaguar po të kishim jetuar në atë kohë. Por mund të pyesim veten: ‘Si reagoj ndaj sqarimeve për kuptueshmërinë biblike sot? (Mateu 24:45) Kur jepet drejtim sipas Shkrimeve, a përpiqem ta zbatoj duke iu përmbajtur jo vetëm udhëzimeve të shkruara, por edhe frymës që qëndron pas tyre? (1 Korintasve 14:20) A pres me durim Jehovain kur nuk ka ende përgjigje për disa pyetje që më mundojnë?’ Është jetësore që ta përdorim mirë ushqimin frymor që është në dispozicion sot, në mënyrë që «të mos na marrë kurrë rryma». (Hebrenjve 2:1) Le të dëgjojmë me kujdes kur Jehovai siguron drejtim me anë të Fjalës, të frymës dhe të organizatës së tij tokësore. Në qoftë se veprojmë kështu, Jehovai do të na bekojë me jetë të pafundme, të lumtur dhe të kënaqshme.
[Shënimi]
a Kur Pjetri vizitoi Antiokinë e Sirisë, ai u kënaq nga shoqëria e ngrohtë me besimtarët johebrenj. Por kur arritën të krishterë judenj nga Jerusalemi, Pjetri «nisi të tërhiqej dhe të veçohej nga frika e atyre të klasës së rrethprerë». Mund ta përfytyrojmë se sa të ofenduar duhet të jenë ndier ata johebrenj të kthyer në besim, kur apostulli i respektuar nuk pranoi të hante me ta.—Galatasve 2:11-13.
Si do të përgjigjeshit?
• Në ç’kuptim Ligji i Moisiut ishte si ‘një tutor që çonte te Krishti’?
• Si i shpjegoni ndryshimet në mënyrat se si reaguan Pjetri dhe «përkrahësit e rrethprerjes» ndaj ndreqjeve në kuptueshmërinë e së vërtetës?
• Çfarë keni mësuar për mënyrën se si e zbulon Jehovai të vërtetën sot?
[Kutia dhe figura në faqen 24]
Pavli përballon me përulësi një sprovë
Pas një udhëtimi të suksesshëm misionar, Pavli mbërriti në Jerusalem në vitin 56 të e.s. Atje e priste një sprovë. Lajmi se ai po u mësonte të tjerëve që Ligji ishte shfuqizuar, kishte arritur në kongregacion. Pleqtë kishin frikë se të krishterët judenj, të sapokthyer në besim, do të pengoheshin nga çiltërsia e Pavlit në lidhje me temën e Ligjit dhe se mund të arrinin në përfundimin që të krishterët nuk kishin respekt për rregullimet e Jehovait. Në kongregacion kishte katër të krishterë judenj që kishin bërë një betim, ndoshta betimin e nazireut. Ata duhej të shkonin në tempull që të përmbushnin kërkesat e këtij betimi.
Pleqtë i kërkuan Pavlit që të shoqëronte të katër burrat në tempull dhe të kujdesej për shpenzimet e tyre. Pavli kishte shkruar të paktën dy letra të frymëzuara në të cilat arsyetonte se zbatimi i Ligjit nuk ishte një kërkesë për të shpëtuar. Sidoqoftë ai kishte konsideratë për ndërgjegjen e të tjerëve. Më parë kishte shkruar: «Për ata nën ligj u bëra si nën ligj . . . që të fitoj ata në ligj.» (1 Korintasve 9:20-23) Edhe pse kurrë nuk do të bënte kompromis kur përfshiheshin parimet jetësore biblike, Pavli mendoi se mund ta pranonte këshillën e pleqve. (Veprat 21:15-26) Ai nuk e kishte gabim që të vepronte kështu. Nuk kishte asgjë në kundërshtim me Shkrimet në rregullimin e betimeve dhe tempulli ishte përdorur për adhurimin e pastër dhe jo për idhujtarinë. Atëherë, që të mos linte shkak për pengesë, Pavli bëri siç i kërkuan. (1 Korintasve 8:13) Pa dyshim atij iu desh të shfaqte shumë përulësi, dhe kjo gjë na e rrit çmueshmërinë për të.
[Figura në faqet 22, 23]
Për disa vjet midis të krishterëve vazhdonin të ekzistonin pikëpamje të ndryshme për Ligjin e Moisiut