Libri biblik numër 58—Hebrenjve
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Romë
Shkrimi përfundoi: rr. 61 të e.s.
1. Në përputhje me cilin caktim e shkroi Pavli letrën drejtuar Hebrenjve?
PAVLI njihet në veçanti si apostull i «kombeve». Por, a kufizohej shërbimi i tij vetëm te jojudenjtë? Aspak! Përpara se Pavli të pagëzohej e t’i caktohej vepra që kishte për të bërë, Zotëria Jezu i tha Ananisë: «Ai njeri [Pavli] është për mua një enë e zgjedhur, që t’ua çojë emrin tim kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.» (Vep. 9:15; Gal. 2:8, 9) Libri i Hebrenjve ishte vërtet në përputhje me caktimin e Pavlit për t’u çuar emrin e Jezuit bijve të Izraelit.
2. Si mund të hidhen poshtë argumentet që kundërshtojnë faktin se shkrimtari i Hebrenjve ishte Pavli?
2 Megjithatë, disa kritikë e vënë në dyshim që librin e Hebrenjve ta ketë shkruar Pavli. Një kundërshtim që ngrihet është se emri i Pavlit nuk del në këtë letër. Në të vërtetë, kjo s’përbën ndonjë problem, pasi edhe shumë libra të tjerë që janë pjesë e kanunit biblik, nuk e tregojnë emrin e shkrimtarit, i cili shpesh përcaktohet nga dëshmitë e brendshme të librit. Për më tepër, disa mendojnë se Pavli mund ta ketë fshirë qëllimisht emrin e tij kur u shkroi të krishterëve hebrenj në Jude, meqë judenjtë e atjeshëm e urrenin emrin e tij. (Vep. 21:28) E po kështu edhe stili që ndryshon nga ai i letrave të tjera, nuk përbën ndonjë kundërshtim të vërtetë ndaj autorësisë së Pavlit. Pavarësisht se cilëve u drejtohej—paganëve, judenjve apo të krishterëve—Pavli gjithnjë tregonte aftësinë që kishte ‘për t’u bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji’. Në këtë letër ai arsyeton si një jude që u drejtohet judenjve, duke përdorur argumente që ata do t’i kuptonin dhe vlerësonin plotësisht.—1 Kor. 9:22.
3. Ç’dëshmi e brendshme mbështet faktin se shkrimtari i Hebrenjve ishte Pavli dhe se ai e shkroi atë kryesisht për judenjtë?
3 Të gjitha dëshmitë e brendshme të librit mbështetin autorësinë e Pavlit. Shkrimtari ndodhej në Itali dhe ishte bashkë me Timoteun. Këto fakte përkojnë me situatën e Pavlit. (Hebr. 13:23, 24) Për më tepër, doktrina është tipike për Pavlin, edhe pse argumentet paraqiten nga pikëpamja e një judeu dhe janë ndërtuar në mënyrë të atillë që t’i drejtohen vetëm kongregacionit të hebrenjve, të cilëve u drejtohej letra. Pikërisht në lidhje me këtë fakt, një vepër thotë për letrën drejtuar Hebrenjve: «E tërë struktura e letrës dëshmon se ajo u shkrua për judenjtë që ishin të tillë prej natyre. Sikur të ishte shkruar për jojudenjtë, as edhe një në një mijë prej tyre nuk do ta kishte kuptuar argumentin, pasi nuk e njihnin sistemin judaik; dhe gjatë gjithë kësaj letre duket që shkrimtari e merr për të mirëqenë njohjen e këtij sistemi.»a Kjo na ndihmon kur shqyrtojmë ndryshimet e stilit në krahasim me letrat e tjera të Pavlit.
4. Ç’dëshmi të tjera kemi se Pavli ishte shkrimtari i letrës drejtuar Hebrenjve?
4 Zbulimi rreth vitit 1930 i Papirusit Çestër Biti nr. 2 (P46), siguroi dëshmi të mëtejshme në lidhje me autorësinë e Pavlit. Duke komentuar për këtë kodik papirusi, që u shkrua vetëm rreth një shekull e gjysmë pas vdekjes së Pavlit, kritiku i shquar britanik i teksteve, sër Frederik Kenion, tha: «Është për t’u vënë re se letra drejtuar Hebrenjve është vendosur menjëherë pas asaj drejtuar Romakëve (një pozicion pothuajse i paprecedent), dhe kjo tregon se në atë kohë të hershme kur u shkrua ky dorëshkrim, nuk kishte asnjë dyshim se autori i saj ishte Pavli.»b Për të njëjtën çështje, një enciklopedi thotë hapur: «Nuk ka asnjë dëshmi thelbësore, të jashtme ose të brendshme, që përkrah ndonjë pretendent për autorësinë e kësaj letre, përveç Pavlit.»c
5. Si provon përmbajtja e letrës drejtuar Hebrenjve se ajo është e frymëzuar?
5 Përveç faktit që libri ishte i pranuar nga të krishterët e hershëm, edhe përmbajtja tregon se letra drejtuar Hebrenjve është ‘e frymëzuar nga Perëndia’. Ajo e drejton vazhdimisht vëmendjen e lexuesve te profecitë e Shkrimeve Hebraike, u referohet shumë herë shkrimeve të mëparshme dhe tregon si u përmbushën të gjitha këto te Krishti Jezu. Vetëm në kapitullin e parë, teksa trajtohet argumenti se Biri është tani më i lartë se engjëjt, përdoren jo më pak se shtatë citime nga Shkrimet Hebraike. Libri ngre lart vazhdimisht Fjalën e Jehovait dhe emrin e tij, duke treguar se Jezui është Kryepërfaqësuesi i jetës dhe se Mbretëria e Perëndisë nën drejtimin e Krishtit është e vetmja shpresë për njerëzimin.
6. Ç’tregojnë dëshmitë për vendin dhe kohën kur u shkrua libri i Hebrenjve?
6 Sa për kohën kur u shkrua, tashmë kemi parë se Pavli e shkroi letrën ndërkohë që ishte në Itali. Në përfundim të letrës, ai thotë: «Dijeni se vëllai ynë Timote u lirua dhe, nëse ai vjen shpejt, do të vijmë bashkë t’ju shohim.» (13:23) Me sa duket, kjo tregon që Pavli priste të lirohej nga burgu së shpejti dhe shpresonte të shoqëronte Timoteun, i cili kishte qenë i burgosur, por tashmë kishte dalë. Kështu, si datë e shkrimit të letrës është sugjeruar viti i fundit i burgosjes së parë të Pavlit në Romë, domethënë viti 61 i e.s.
7. Me ç’lloj kundërshtimi përballeshin të krishterët hebrenj në Jerusalem dhe për çfarë kishin nevojë?
7 Gjatë ditëve të fundit të sistemit judaik, të krishterët hebrenj në Jude, e sidomos ata në Jerusalem, u përballën me një periudhë vendimtare plot sprova. Shtimi dhe përhapja e lajmit të mirë, i kishte zemëruar së tepërmi judenjtë dhe i kishte bërë tejet fanatikë në kundërshtimin e tyre ndaj të krishterëve. Pak vite më parë, vetëm shfaqja e Pavlit në Jerusalem kishte ndezur një trazirë të dhunshme, ku judenjtë fetarë bërtitnin me sa u hante zëri: «Zhduke nga faqja e dheut këtë njeri, se nuk e meriton të jetojë!» Më shumë se 40 judenj kishin zënë be me një mallkim se as do të hanin, as do të pinin, pa e hequr qafe Pavlin; kjo situatë bëri të nevojshme që ta çonin natën në Cezare, të shoqëruar me një eskortë të fortë me trupa të armatosura rëndë. (Vep. 22:22; 23:12-15, 23, 24) Në këtë atmosferë fanatizmi fetar dhe urrejtjeje ndaj të krishterëve, pjesëtarëve të kongregacionit u duhej të jetonin, të predikonin e të qëndronin të vendosur në besim. U duhej një njohuri dhe kuptueshmëri e saktë se si e përmbushi Krishti Ligjin, që ata të mos i ktheheshin judaizmit dhe zbatimit të Ligjit të Moisiut, duke paraqitur flijime në kafshë, pasi të gjitha tani s’ishin gjë tjetër veç rite boshe.
8. Pse Pavli ishte veçanërisht i përgatitur për t’u shkruar hebrenjve këtë letër dhe ç’argumente paraqiti njëri pas tjetrit?
8 Askush më mirë se apostulli Pavël s’mund ta kuptonte presionin dhe përndjekjen që duhej të përballonin të krishterët hebrenj. Askush më mirë se ai, një ish-farise, nuk ishte i përgatitur t’u jepte argumente të fuqishme dhe prova për të hedhur poshtë traditat judaike. Duke shfrytëzuar njohurinë e gjerë për Ligjin e Moisiut, që kishte marrë në këmbët e Gamalielit, Pavli paraqiti prova të pakundërshtueshme se Krishti është përmbushja e Ligjit, e urdhëresave dhe e flijimeve të tij. Ai tregoi se këto gjëra tani ishin zëvendësuar nga realitete shumë më të lavdishme, që sillnin dobi jashtëzakonisht më të mëdha nën një besëlidhje të re e më të mirë. Mendja e tij e mprehtë i renditi provat njëra pas tjetrës sipas një radhe të qartë e bindëse. Fundi i besëlidhjes së Ligjit dhe themelimi i një besëlidhjeje të re, epërsia e priftërisë së Krishtit ndaj priftërisë aaronike, vlera e vërtetë e flijimit të Krishtit në krahasim me flijimet e demave dhe të cjepve, hyrja dhe paraqitja e Krishtit në qiej para vetë Jehovait në vend se në një tendë të thjeshtë tokësore, ishin të gjitha mësime të reja të spikatshme që judenjtë jobesimtarë i urrenin pa masë, por që të krishterëve hebrenj në këtë letër iu paraqitën me dëshmi aq të bollshme nga Shkrimet Hebraike, sa asnjë jude i arsyeshëm s’mund të mos bindej.
9. Pse letra e Hebrenjve ishte një armë e fuqishme dhe si dëshmonte për dashurinë e Pavlit?
9 Për të krishterët hebrenj, kjo letër ishte një armë e re e fuqishme për t’ua mbyllur gojën judenjve që i përndiqnin, si dhe një argument i fortë për të bindur judenjtë e sinqertë që kërkonin të vërtetën e për t’i ndihmuar të përqafonin besimin e ri. Letra dëshmon dashurinë e thellë të Pavlit për të krishterët hebrenj dhe dëshirën e tij të zjarrtë për t’i ndihmuar në mënyrë praktike atëherë kur kishin shumë nevojë.
PËRMBAJTJA E HEBRENJVE
10. Çfarë tregojnë fjalët hapëse të Hebrenjve në lidhje me pozitën e Krishtit?
10 Pozita e lartësuar e Krishtit (1:1–3:6). Fjalët hapëse na e tërheqin vëmendjen te Krishti: «Perëndia, që kohë më parë u foli në shumë raste dhe në shumë mënyra paraardhësve tanë me anë të profetëve, në fund të këtyre ditëve na ka folur neve me anë të një Biri.» Ky Bir është emëruar trashëgimtari i të gjitha gjërave dhe është pasqyrimi i lavdisë së Atit të vet. Pasi bëri një pastrim për mëkatet tona, tani ai është ulur «në të djathtën e Madhërisë në vendet shumë të larta». (1:1-3) Pavli citon shkrime njëri pas tjetrit për të treguar se Jezui është më i lartë në krahasim me engjëjt.
11. (a) Pse Pavli këshillon që t’u kushtohet më shumë vëmendje se zakonisht gjërave të dëgjuara? (b) Çfarë është në gjendje të bëjë Jezui falë përvojës dhe pozitës së tij të lartësuar?
11 Pavli shkruan se ‘e kemi të nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që kemi dëgjuar’. Pse? Sepse, siç arsyeton Pavli, nëse shpaguhet rëndë mosbindja ndaj ‘fjalës së thënë nëpërmjet engjëjve, . . . si do të shpëtojmë nëse kemi lënë pas dore një shpëtim kaq të madh, që nisi të shpallej nëpërmjet Zotërisë tonë?’ Perëndia e bëri ‘birin e njeriut’ pak më të ulët se engjëjt, por tani e shohim Jezuin ‘të kurorëzuar me lavdi dhe nderim, sepse pësoi vdekjen, që me anë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë të shijonte vdekjen për çdo njeri’. (2:1-3, 6, 9) Duke sjellë shumë bij në lavdi, në fillim Perëndia e bëri Kryepërfaqësuesin e shpëtimit të tyre «të përsosur me anë të vuajtjeve». Pikërisht ai asgjëson Djallin dhe çliron «të gjithë ata, që nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar skllavërisë gjatë gjithë jetës së tyre». Kështu, Jezui bëhet «një kryeprift i mëshirshëm dhe i besueshëm». Meqë vuajti vetë kur u vu në provë, në mënyrë të mrekullueshme «ai është në gjendje t’u vijë në ndihmë atyre që po vihen në provë». (2:10, 15, 17, 18) Ndaj Jezui konsiderohet i denjë për më shumë lavdi se Moisiu.
12. Çfarë duhet të shmangin të krishterët nëse duan të hyjnë në pushimin e Perëndisë?
12 Hyrja në pushimin e Perëndisë me anë të besimit dhe bindjes (3:7–4:13). Të krishterët në veçanti duhet të nxjerrin mësim nga shembulli i jobesnikërisë së izraelitëve, që të mos zhvillojnë ‘një zemër të ligë, që i mungon besimi, duke u larguar nga Perëndia’. (Hebr. 3:12; Psal. 95:7-11) Nga mosbindja dhe mungesa e besimit, izraelitët që dolën nga Egjipti, nuk hynë në pushimin, ose sabatin e Perëndisë, që filloi kur ai e pushoi veprimtarinë e tij krijuese në tokë. Megjithatë, Pavli shpjegon: «Mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë. Sepse kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia nga të vetat.» Mosbindja e vazhdueshme që tregoi Izraeli, nuk duhet imituar. «Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe . . . dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.»—Hebr. 4:9, 10, 12.
13. (a) Si u bë Krishti «prift përgjithmonë» dhe shkak për shpëtimin e përhershëm? (b) Pse i nxit Pavli hebrenjtë të sulen drejt pjekurisë?
13 Pikëpamja e pjekur në lidhje me epërsinë e priftërisë së Krishtit (4:14–7:28). Pavli i nxit hebrenjtë ta mbajnë fort rrëfimin për Jezuin, Kryepriftin e madh që ka përshkuar qiejt, që t’u jepet mëshirë. Krishti nuk i dha lavdi vetes, por ishte Ati që tha: «Ti do të jesh prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut.» (Hebr. 5:6; Psal. 110:4) Së pari, Krishti u bë i përsosur për pozitën e kryepriftit duke mësuar bindjen nga ato që vuajti, që të bëhej shkak për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden. Pavli ka «shumë gjëra për të thënë dhe që janë të vështira për t’u shpjeguar», por hebrenjtë janë ende si foshnjat që kanë nevojë për qumësht, kur, faktikisht, duhet të jenë mësues. «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.» Apostulli i nxit ‘të sulen drejt pjekurisë’.—Hebr. 5:11, 14; 6:1.
14. Si mund ta trashëgojnë premtimin besimtarët dhe si është përforcuar shpresa e tyre?
14 Është e pamundur që, ata që e kanë njohur fjalën e Perëndisë, por janë larguar, të vijnë sërish në vete e të pendohen, «sepse ata vetë e vënë sërish në shtyllë Birin e Perëndisë dhe e turpërojnë publikisht». Vetëm nëpërmjet besimit dhe durimit, besimtarët mund të trashëgojnë premtimin që iu bë Abrahamit—një premtim i sigurt e i patundur falë dy gjërave të pandryshueshme: fjalës së Perëndisë dhe besë që ka bërë. Shpresa e tyre, që është si ‘një spirancë për shpirtin, e sigurt dhe e patundur njëkohësisht’, është përforcuar nga hyrja e Jezuit «në brendësi të perdes» si Pararendës dhe Kryeprift sipas mënyrës së Melkisedekut.—6:6, 19.
15. Ç’gjë tregon se priftëria e Jezuit, duke qenë sipas mënyrës së Melkisedekut, do të kishte epërsi ndaj asaj të Levit?
15 Ky Melkisedek ishte «mbret i Salemit» dhe «prift i Perëndisë Më të Lartë». Edhe patriarku Abraham i pagoi atij të dhjetat, e nëpërmjet tij i pagoi edhe Levi, që ishte ende në ijët e Abrahamit. Kështu, bekimi që i dha Melkisedeku Abrahamit u shtri deri te Levi që s’kish lindur ende, dhe kjo tregon se priftëria e Melkisedekut kishte epërsi mbi priftërinë levitike. Veç kësaj, nëse përsosmëria ka ardhur nëpërmjet priftërisë levitike të Aaronit, ç’nevojë ka për një prift tjetër «sipas mënyrës së Melkisedekut»? Kështu, përderisa priftëria po ndryshohet, «bëhet i nevojshëm edhe ndryshimi i ligjit».—7:1, 11, 12.
16. Pse priftëria e Jezuit ka epërsi mbi priftërinë që vepronte nën Ligj?
16 Faktikisht, Ligji nuk bëri të përsosur asgjë, përkundrazi ishte i dobët dhe i pafrytshëm. Ngaqë vdisnin, priftërinjtë që shërbenin nën Ligj ishin shumë, kurse Jezui, meqenëse «mbetet i gjallë përgjithmonë, e ka priftërinë e tij pa asnjë pasues. Prandaj, ai është në gjendje t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta». Ky Kryeprift, Jezui, është «besnik, i patëkeq, i pandotur, i ndarë nga mëkatarët», kurse kryepriftërinjtë e emëruar nga Ligji janë të dobët, sepse, para se të ndërmjetësojnë për të tjerët, duhet të bëjnë flijime për mëkatet e veta. Kështu, fjala e përbetimit të Perëndisë «emëron një Bir, që është i përsosur përgjithmonë».—7:24-26, 28.
17. Në ç’drejtim ka epërsi besëlidhja e re?
17 Epërsia e besëlidhjes së re (8:1–10:31). Këtu tregohet se Jezui është «ndërmjetësi i një besëlidhjeje përkatëse më të mirë, e cila është themeluar ligjërisht mbi premtime më të mira». (8:6) Pavli citon të plotë Jereminë 31:31-34, për të treguar se ata që bëjnë pjesë në besëlidhjen e re i kanë ligjet e Perëndisë të shkruara në mendje e në zemër, se të gjithë do ta njohin Jehovain dhe se Jehovai ‘kurrsesi nuk do t’i sjellë më ndër mend mëkatet e tyre’. Kjo «besëlidhje e re» e ka vjetëruar të parën (besëlidhjen e Ligjit), e cila është «pranë zhdukjes».—Hebr. 8:12, 13.
18. Si i krahason Pavli dy besëlidhjet duke marrë shkas nga flijimet?
18 Pavli i quan flijimet vjetore në tendën e besëlidhjes së mëparshme «kërkesa ligjore që . . . ishin vënë derisa të vinte koha e caktuar për t’i ndrequr gjërat». Mirëpo kur erdhi Krishti si Kryeprift, erdhi me gjakun e vet të çmuar dhe jo me atë të cjepve e të demave të rinj. Spërkatja me gjakun e kafshëve që bënte Moisiu, kishte bërë të vlefshme besëlidhjen e mëparshme dhe kishte pastruar tendën paraardhëse tokësore, por për realitetet qiellore që kanë të bëjnë me besëlidhjen e re, nevojiteshin flijime më të mira. «Sepse Krishti nuk hyri në një vend të shenjtë të bërë me duar, i cili është kopje e realitetit, por në vetë qiellin, që të paraqitet tani për ne përpara personit të Perëndisë.» Krishtit nuk i duhet të bëjë flijime çdo vit, siç bënte kryeprifti në Izrael, sepse «tani, ai është shfaqur një herë të vetme në përfundim të sistemit, që të heqë mëkatin me anë të flijimit të vetes».—9:10, 24, 26.
19. (a) Çfarë nuk ka mundur të bëjë Ligji dhe pse? (b) Cili është vullneti i Perëndisë në lidhje me shenjtërimin?
19 Duke bërë një përmbledhje, Pavli thotë se «meqë Ligji është një hije e gjërave të mira që do të vijnë», flijimet e tij të përsëritura nuk kanë mundur të heqin ‘vetëdijen për mëkatet’. Megjithatë, Jezui erdhi në botë për të bërë vullnetin e Perëndisë. «Falë këtij ‘vullneti’,—thotë Pavli,—jemi shenjtëruar nëpërmjet blatimit të trupit të Jezu Krishtit një herë e mirë.» Prandaj, hebrenjtë duhet ta mbajnë fort mundësinë për të shpallur publikisht besimin e tyre pa u lëkundur dhe ‘të interesohen për njëri-tjetrin, që të nxiten për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’, pa i braktisur mbledhjet. Nëse vazhdojnë të mëkatojnë me dashje pasi kanë marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, «nuk ka më asnjë flijim për mëkatet».—10:1, 2, 10, 24, 26.
20. (a) Çfarë është besimi? (b) Cilët shembuj të shkëlqyer besimi përshkruan Pavli?
20 Shpjegon dhe ilustron çfarë është besimi (10:32–12:3). Tani Pavli u thotë hebrenjve: «Vazhdoni të kujtoni ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, duruat një betejë të madhe nën vuajtje.» Ai i nxit të mos e flakin tej lirshmërinë në të folur, e cila sjell një shpërblim të madh, por të tregohen të qëndrueshëm që të marrin përmbushjen e premtimit dhe ‘të kenë besim për ruajtjen gjallë të shpirtit’. Po, duhet pikërisht besim! Në fillim, Pavli e përkufizon atë: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.» Më pas, në një kapitull të vetëm që të ngre peshë, ai përshkruan shpejt e me pak fjalë njerëz të lashtësisë që jetuan, luftuan, qëndruan dhe u bënë trashëgimtarë të drejtësisë nëpërmjet besimit. «Me anë të besimit» Abrahami që banonte në tenda me Isakun e Jakobin, priste «qytetin që ka themele të vërteta», Ndërtuesi i të cilit është Perëndia. «Me anë të besimit» Moisiu qëndroi i palëkundur «si të shihte Atë që është i padukshëm». «E ç’të them më?—pyet Pavli.—Sepse nuk do të më dilte koha, po të vazhdoja të tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jefteun, Davidin, si dhe për Samuelin e profetët e tjerë, që nëpërmjet besimit mundën mbretëri, vunë në veprim drejtësinë, morën premtimet.» Të tjerë akoma u sprovuan me përqeshje e fshikullime, me vargonj e tortura, e megjithatë nuk pranuan të çliroheshin «që të fitonin një ringjallje më të mirë». Vërtet, «bota nuk ishte e denjë për ta». Të gjithë ata morën dëshmi falë besimit të tyre, megjithatë nuk e kanë marrë ende përmbushjen e premtimit. «Prandaj,—vazhdon Pavli,—meqenëse na rrethon një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht, e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara, ndërsa e mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui.»—10:32, 39; 11:1, 8, 10, 27, 32, 33, 35, 38; 12:1, 2.
21. (a) Si mund të tregojnë qëndrueshmëri të krishterët në betejën e besimit? (b) Ç’arsye më të fortë dha Pavli për të dëgjuar paralajmërimin hyjnor?
21 Qëndrueshmëria në betejën e besimit (12:4-29). Pavli i nxit të krishterët hebrenj të tregojnë qëndrueshmëri në betejën e besimit, sepse Jehovai po i disiplinon si bij. Tani është koha të forcojnë duart dhe gjunjët e këputur dhe të vazhdojnë të bëjnë shtigje të drejta për këmbët e tyre. Duhet të kenë shumë kujdes që të mos hyjë asnjë rrënjë helmuese ose ndotje që mund ta bëjë Perëndinë t’i hedhë poshtë, si në rastin e Esaut, që nuk i vlerësoi gjërat e shenjta. Kur ishte afër malit, Moisiu tha: «Jam i frikësuar dhe po dridhem», për shkak të pamjes së frikshme që kishte krijuar zjarri flakërues, reja dhe zëri. Mirëpo ata i janë afruar diçkaje që të bën akoma më shumë përshtypje—malit Sion dhe Jerusalemit qiellor, mijëra e mijëra engjëjve, kongregacionit të të Parëlindurve, Perëndisë, Gjykatësit të të gjithëve, dhe Jezuit, Ndërmjetësit të një besëlidhjeje të re e më të mirë. Tani ka edhe më shumë arsye që të dëgjojnë paralajmërimin hyjnor! Në kohën e Moisiut, zëri i Perëndisë tronditi tokën, por tani Ai ka premtuar se do të tronditë jo vetëm tokën, por edhe qiellin. Pavli nxjerr përfundimin: «Prandaj, meqë do të marrim një mbretëri që nuk mund të tronditet, le . . . t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë në mënyrë të pranueshme, me frikë Perëndie dhe nderim të thellë. Sepse Perëndia ynë është edhe një zjarr që përpin.»—12:21, 28, 29.
22. Me cilat këshilla ndërtuese e përfundon Pavli letrën e tij drejtuar Hebrenjve?
22 Nxitje të ndryshme në lidhje me adhurimin (13:1-25). Pavli e përfundon letrën me këto këshilla ndërtuese: dashuria juaj vëllazërore le të vazhdojë, mos harroni mikpritjen, martesa të nderohet nga të gjithë, mos u bëni robër të dashurisë për para, jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe mos u rrëmbeni nga mësime të huaja. Në fund, «nëpërmjet tij [Jezuit], le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij».—13:15.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
23. Çfarë shpjegon Pavli në lidhje me Ligjin dhe si e mbështet argumentin e tij?
23 Si argument ligjor në mbështetje të Krishtit, letra drejtuar Hebrenjve është një kryevepër e paarritshme, e ndërtuar në mënyrë të përkryer dhe me prova të bollshme nga Shkrimet Hebraike. Ajo trajton aspekte të ndryshme të Ligjit të Moisiut, si besëlidhjen, gjakun, ndërmjetësin, tendën e adhurimit, priftërinë dhe flijimet, si dhe tregon se ato nuk ishin asgjë më tepër se një model i dhënë nga Perëndia, që e drejtonin vëmendjen në gjëra shumë më të mëdha që do të vinin e që të gjitha do të arrinin kulmin te Krishti Jezu dhe flijimi i tij, që ishin përmbushja e Ligjit. Siç tha Pavli, Ligji ‘që është vjetëruar e plakur, është pranë zhdukjes’. Por «Jezu Krishti është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë». (8:13; 13:8; 10:1) Sa duhet të jenë gëzuar ata hebrenj, kur e kanë lexuar këtë letër!
24. Cili rregullim me dobi të pallogaritshme për ne sot, shpjegohet në letrën e Hebrenjve?
24 Por ç’vlerë ka kjo letër sot për ne, meqë jetojmë në rrethana të tjera? A mund të na vlejë argumenti i Pavlit, meqenëse ne nuk jemi nën Ligj? Sigurisht që po. Në këtë letër gjejmë një skemë të rregullimit të besëlidhjes së re të bazuar në premtimin që iu bë Abrahamit se, me anë të Farës së tij, do të bekoheshin të gjitha kombet e tokës. Shpresa jonë për jetë, si shpresa jonë e vetme, është përmbushja e premtimit të hershëm të Jehovait për të sjellë bekime me anë të Farës së Abrahamit, Jezu Krishtit. Megjithëse nuk jemi nën Ligj, si pasardhës të Abrahamit, ne kemi lindur në mëkat dhe kemi nevojë për një kryeprift të mëshirshëm me një blatim të vlefshëm për mëkatin, që mund të hyjë drejt e tek Jehovai në qiell dhe të ndërmjetësojë për ne. Këtu gjejmë Kryepriftin që mund të na prijë drejt jetës në botën e re të Jehovait, që mund të bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi, pasi «është sprovuar në çdo aspekt si ne», dhe që na fton «t’i afrohemi me lirshmëri në të folur fronit të dashamirësisë së pamerituar, që të marrim mëshirë e të gjejmë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur».—4:15, 16.
25. Si dritësohemi nga zbatimet që u bën Pavli Shkrimeve Hebraike?
25 Veç kësaj, në letrën e Pavlit drejtuar Hebrenjve, gjejmë dëshmi prekëse që profecitë e dokumentuara kohë më parë në Shkrimet Hebraike u përmbushën më vonë në mënyrë të mrekullueshme. E gjithë kjo sot na shërben për të mësuar e për t’u ngushëlluar. Për shembull, te Hebrenjve, Pavli ia zbaton pesë herë fjalët e profecisë për Mbretërinë që gjejmë te Psalmi 110:1 Jezu Krishtit si Fara e Mbretërisë, i cili «është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë» për të pritur «derisa armiqtë e tij të vihen si stol për këmbët e tij». (Hebr. 12:2; 10:12, 13; 1:3, 13; 8:1) Gjithashtu, Pavli citon Psalmin 110:4 për të shpjeguar detyrën e rëndësishme që mbulon Biri i Perëndisë si «prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut». Njësoj si Melkisedeku në lashtësi, i cili sipas tregimit biblik është «pa baba, pa nënë, pa gjenealogji, duke mos pasur as fillim ditësh, as fund jete», Jezui është Mbret dhe «prift në amshim» për t’u falur dobitë e përhershme të flijimit të tij shpërblyes të gjithë atyre që i nënshtrohen me gatishmëri sundimit të tij. (Hebr. 5:6, 10; 6:20; 7:1-21) Për këtë Mbret-Prift e ka fjalën Pavli kur citon Psalmin 45:6, 7: «Perëndia është në jetë të jetëve froni yt, dhe skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie. Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë. Ja pse Perëndia, Perëndia yt, të mirosi me vajin e ngazëllimit më shumë se shokët e tu.» (Hebr. 1:8, 9) Ndërsa Pavli citon nga Shkrimet Hebraike dhe tregon përmbushjen e tyre te Krishti Jezu, ne dritësohemi duke parë se si copëza të modelit hyjnor zënë vendin e tyre në tablonë e përgjithshme.
26. Si na inkurajon letra e Hebrenjve të vrapojmë në garë me besim e qëndrueshmëri?
26 Siç e tregon qartë letra drejtuar Hebrenjve, Abrahami priste Mbretërinë, «qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia», qytetin «që i përket qiellit». «Me anë të besimit» ai synonte ta arrinte këtë Mbretëri dhe bëri sakrifica të mëdha për të marrë bekimet e saj përmes ‘një ringjalljeje më të mirë’. Ç’shembull i jashtëzakonshëm janë për ne Abrahami dhe të gjithë burrat e gratë e tjera me besim, një «re kaq e madhe dëshmitarësh» që përshkruan Pavli në kapitullin 11 të Hebrenjve! Tek e lexojmë këtë tregim, zemra na rreh fort nga gëzimi me mirënjohje për privilegjin dhe shpresën që kemi bashkë me këta besnikë që mbajtën integritetin. Kjo na inkurajon «të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara».—11:8, 10, 16, 35; 12:1.
27. Cilat perspektiva të lavdishme në lidhje me Mbretërinë nxjerr në pah letra e Hebrenjve?
27 Duke cituar profecinë e Hageut, Pavli e tërheq vëmendjen te premtimi i Perëndisë: «Edhe një herë do të trondit jo vetëm dheun, por edhe qiellin.» (Hebr. 12:26; Hag. 2:6) Megjithatë, Mbretëria e Perëndisë e drejtuar nga Krishti Jezu, Fara, do të qëndrojë përgjithmonë. «Prandaj, meqë do të marrim një mbretëri që nuk mund të tronditet, le të vazhdojmë të kemi dashamirësi të pamerituar, nëpërmjet së cilës t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë në mënyrë të pranueshme, me frikë Perëndie dhe nderim të thellë.» Kjo letër prekëse na siguron se Krishti shfaqet për herë të dytë «veçmas mëkatit dhe për ata që e kërkojnë me ngulm për shpëtimin e tyre». Ndaj nëpërmjet tij, «le t’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij». U shenjtëroftë përgjithmonë emri i madhërishëm i Perëndisë Jehova nëpërmjet Mbretit-Prift të tij, Jezu Krishtit!—Hebr. 12:28; 9:28; 13:15.
[Shënimet]
a Commentary, nga Klark vëll. VI, faqja 681.
b The Story of the Bible, 1964, faqja 91.
c Cyclopedia, nga autorët Meklintok dhe Strong, ribotim i vitit 1981, vëll. IV, faqja 147.