-
«Asnjë nga ju nuk do të vdes뻑Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
-
-
KAPITULLI 26
«Asnjë nga ju nuk do të vdesë»
Ndërsa anija shkallmohej, Pavli shfaqi besim të fortë dhe dashuri për njerëzit
Bazuar te Veprat 27:1–28:10
1, 2. Ç’lloj udhëtimi e priste Pavlin dhe cilat mund të ishin disa nga meraqet e tij?
«TE CEZARI do të shkosh!»—i kishte thënë guvernatori Fest. Pavli i bluajti në mendje këto fjalë, sepse do të ndikonin fuqimisht në të ardhmen e tij. Kishte kaluar dy vjet i mbyllur në burg, prandaj me këtë udhëtim të gjatë deri në Romë të paktën do të ndryshonte ambient. (Vep. 25:12) Gjithsesi, kujtimet e shumta të gjalla nga udhëtimet në det, nuk përfshinin vetëm flladet freskuese dhe hapësirën e paanë. Në pritje të udhëtimit që të dilte para Cezarit, Pavlit mund t’i kenë ardhur në mendje edhe disa pyetje të rëndësishme.
2 Ai kishte qenë shumë herë «në rrezik në det», tri herë kishte mbijetuar kur i ishte shkallmuar anija dhe madje kishte kaluar një natë e një ditë në ujëra të thella. (2 Kor. 11:25, 26) Për më tepër, ky udhëtim nuk do të ishte si udhëtimet misionare që kishte bërë kur ishte i lirë. Pavli do të udhëtonte si i burgosur dhe do të përshkonte një largësi të madhe: mbi 3.000 kilometra nga Cezarea në Romë. A do t’i mbijetonte këtij udhëtimi? Edhe sikur të mbijetonte, a po lundronte drejt vdekjes? Të mos harrojmë se priste të gjykohej nga fuqia më e madhe e botës së Satanait në atë kohë.
3. Për çfarë ishte i vendosur Pavli dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
3 Pas gjithë asaj që ke lexuar për Pavlin, a mendon se do të jetë ndier i pafuqishëm dhe i dëshpëruar për atë që mund t’i ndodhte? Aspak! E dinte se do të haste vështirësi, por s’dinte të ç’lloji do të ishin. Pse ta zinte ankthi për gjëra që s’i kishte në dorë dhe të humbiste gëzimin e shërbimit të tij? (Mat. 6:27, 34) Pavli e dinte se vullneti i Jehovait për të ishte që të përdorte çdo mundësi për t’i predikuar kujtdo lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, edhe sundimtarëve të botës. (Vep. 9:15) Ishte i vendosur ta përmbushte caktimin e tij, të ndodhte ç’të ndodhte. A nuk jemi edhe ne po kaq të vendosur? Atëherë, le të shoqërojmë Pavlin në këtë udhëtim historik e ndërkohë të shohim vlerën praktike të shembullit të tij.
«Erërat . . . i kishim kundër» (Veprat 27:1-7a)
4. Me ç’lloj anijeje e nisi udhëtimin Pavli dhe cilët kishte si shokë udhëtimi?
4 Pavlin dhe disa të burgosur të tjerë ia besuan një centurioni romak që quhej Jul, i cili vendosi të hipnin në një anije tregtare që kishte mbërritur në Cezare. Anija kishte ardhur nga Adramitia, një port në bregun perëndimor të Azisë së Vogël, përballë qytetit të Mitilenës, në ishullin e Lesbosit. Kjo anije do të lundronte në veri e pastaj drejt perëndimit, duke bërë disa ndalesa që të shkarkonte e të ngarkonte mallra. Anije të tilla nuk ishin projektuar për pasagjerë, aq më tepër për të burgosur. (Shih kutinë «Udhëtimi në det dhe rrugët tregtare».) Sa mirë që Pavli nuk do të ishte i vetmi i krishterë mes një grupi kriminelësh! E shoqëronin të paktën dy bashkëbesimtarë: Aristarku dhe Luka. Luka ishte ai që hodhi me shkrim tregimin. Nuk e dimë nëse këta dy shokë besnikë e paguan vetë udhëtimin apo shkuan si shërbëtorë të Pavlit.—Vep. 27:1, 2.
5. Shoqërinë e kujt mundi të gëzonte Pavli në Sidon, dhe ç’mësojmë nga kjo?
5 Pasi kaloi një ditë në det dhe përshkoi rreth 110 kilometra në veri, anija ndaloi në Sidon, në bregdetin sirian. Me sa duket, Juli nuk e trajtoi Pavlin si kriminel ordiner, ndoshta sepse ishte qytetar romak dhe ende s’ishte shpallur fajtor. (Vep. 22:27, 28; 26:31, 32) E lejoi të zbriste në breg e të takonte të bashkëkrishterët. Sa duhet të jenë kënaqur vëllezërit e motrat që iu dha mundësia të kujdeseshin për apostullin pas atij burgimi të gjatë! A të vijnë në mendje raste kur mund të tregosh një mikpritje të tillë të dashur dhe të inkurajohesh falë saj?—Vep. 27:3.
6-8. Si vazhdoi udhëtimi i Pavlit nga Sidoni në Knid dhe ç’mundësi duhet të ketë shfrytëzuar Pavli për të predikuar?
6 Pasi doli nga porti i Sidonit dhe nisi udhëtimin, anija vazhdoi më në veri dhe kaloi pranë Kilikisë, ku ndodhej qyteti i Tarsit, vendlindja e Pavlit. Luka nuk përmend ndalesa të tjera, por përfshin hollësinë ogurzezë se ‘erërat i kishin kundër’. (Vep. 27:4, 5) Gjithsesi, mund ta përfytyrojmë Pavlin tek shfrytëzonte çdo rast për të folur për lajmin e mirë. Me siguri u dëshmoi të burgosurve të tjerë dhe atyre që ishin në anije, duke përfshirë ekuipazhin dhe ushtarët, si dhe njerëzve nëpër portet ku ndalonte anija. A i shfrytëzojmë edhe ne rastet që na dalin për të predikuar?
7 Pas njëfarë kohe anija mbërriti në Mirë, një port në bregun jugor të Azisë së Vogël. Atje, Pavlit dhe të tjerëve iu desh të merrnin një anije tjetër, e cila do t’i çonte në destinacion, në Romë. (Vep. 27:6) Në ato ditë, Egjipti ishte hambari i Romës, dhe në Mirë ndalonin anije egjiptiane që transportonin grurë. Juli gjeti një anije të tillë dhe hipi në të ushtarët dhe të burgosurit. Kjo anije duhet të ketë qenë shumë më e madhe se e para. Kishte një ngarkesë gruri mjaft të madhe, si dhe 276 veta, ku përfshiheshin ekuipazhi, ushtarët, të burgosurit e ndoshta edhe të tjerë që shkonin në Romë. Është e qartë se, me këtë ndryshim anijesh, territori i Pavlit u zgjerua, dhe pa dyshim ai përfitoi nga kjo situatë për të predikuar.
8 Ndalesa tjetër ishte Knidi, në cepin jugperëndimor të Azisë së Vogël. Kur erërat frynin në drejtimin e duhur, anija mund ta përshkonte këtë largësi thuajse për një ditë. Por Luka raporton: «Lundruam ngadalë për shumë ditë dhe arritëm me vështirësi në Knid.» (Vep. 27:7a) Kushtet e lundrimit ishin përkeqësuar. (Shih kutinë «Erërat e kundërta të Mesdheut».) Mendo si duhet të jenë ndier njerëzit ndërsa anija çante përmes erërave të forta dhe ujërave të egërsuara.
«Furtuna po na përplaste me forcë» (Veprat 27:7b-26)
9, 10. Çfarë vështirësish lindën në afërsi të Kretës?
9 Kapiteni i anijes mendonte të vazhdonte nga Knidi drejt perëndimit, por Luka si dëshmitar okular thotë se ‘era nuk i linte të çanin përpara’. (Vep. 27:7b) Ndërsa anija largohej nga toka, humbi rrymën bregdetare, dhe pastaj një erë e fuqishme nga veriperëndimi e shtyu drejt jugut, ndoshta me shpejtësi të madhe. Ashtu si ishulli i Qipros e kishte mbrojtur më parë nga erërat e kundërta anijen që lundronte pranë brigjeve, po kështu ndodhi edhe kësaj radhe me ishullin e Kretës. Pasi kaluan kepin e lartë të Salmones, në skajin lindor të Kretës, situata u përmirësua disi. Përse? Anija mbërriti në anën jugore të ishullit, ku era nuk ishte aq e fortë. Përfytyro lehtësimin që duhet të kenë ndier pasagjerët, të paktën për momentin! Por, përderisa anija ishte ende në det, ekuipazhi nuk mund ta shpërfillte dimrin që po afrohej. Kishin të drejtë të shqetësoheshin.
10 Luka thotë me saktësi: «Tek lundronim me vështirësi përgjatë bregut [Kretës], arritëm në një vend që quhej Limanet e Mira.» Ndonëse e mbrojtur nga ishulli, anija mezi kontrollohej. Më në fund gjetën vend ku të ankoroheshin, në një gji të vogël që mendohet se gjendet pak para se bregu të marrë për nga veriu. Sa ndenjën atje? Luka thotë «mjaft kohë». Por sa më shumë të rrinin aq më i rrezikshëm bëhej lundrimi, meqë po afrohej periudha shtator-tetor.—Vep. 27:8, 9.
11. Ç’këshillë u dha Pavli të tjerëve në anije, por çfarë vendimi u mor?
11 Disa pasagjerë mund të jenë këshilluar me Pavlin, meqë kishte përvojë me udhëtimet në Mesdhe. Ai rekomandoi që anija të mos vazhdonte lundrimin. Po të vazhdonte, ‘do të dëmtoheshin e do të humbitnin shumë’, madje edhe jetën. Mirëpo, timonieri dhe pronari i anijes donin të vazhdonin udhëtimin, mbase me mendimin se duhej të gjenin sa më shpejt një vend më të sigurt. Ata e bindën Julin, dhe pjesa më e madhe menduan se duhej të përpiqeshin të arrinin në Feniks, një port më tutje, përgjatë bregut. Ndoshta aty mund të ketë pasur një liman më të madh e më të mirë ku të kalonin dimrin. Prandaj, kur fryu lehtë juga, u mashtruan nga kjo, dhe anija u nis.—Vep. 27:10-13.
12. Çfarë rreziqesh hasi anija pasi u largua nga Kreta dhe si u përpoq ekuipazhi t’i shpëtonte katastrofës?
12 S’kaloi shumë dhe filluan problemet, pasi nisi të frynte «një erë e stuhishme» nga verilindja. Për njëfarë kohe u fshehën pas «një ishulli të vogël, të quajtur Kaudë», rreth 65 kilometra larg Limaneve të Mira. Gjithsesi, anija rrezikonte të shtyhej drejt jugut derisa të përplasej në brigjet ranore të Afrikës. Nga paniku se mos pësonin atë fund, marinarët ngjitën lart varkën e vogël që tërhiqte anija. Mezi e ngjitën, sepse varka duhej të ishte plot me ujë. Pastaj u munduan që ta forconin anijen e madhe nga poshtë me litarë e zinxhirë, që të mos shkallmohej. Gjithashtu, ulën velin kryesor bashkë me direkun e litarët e tij dhe u përpoqën ta mbanin anijen në drejtim të erës, që të përballonte stuhinë. Mendo sa e tmerrshme duhet të ketë qenë ajo eksperiencë! As këto masa nuk bënë punë, pasi ‘furtuna po e përplaste me forcë’ anijen. Ditën e tretë flakën pajisjet e saj, ndoshta për ta lehtësuar që të qëndronte mbi ujë.—Vep. 27:14-19.
13. Si duhet të ketë qenë gjendja në anije gjatë stuhisë?
13 Me siguri anijen e kishte pushtuar tmerri. Por Pavli dhe shokët e tij nuk i humbën shpresat. Më parë, Zotëria e kishte siguruar Pavlin se do të jepte dëshmi në Romë dhe më vonë një engjëll e konfirmoi këtë premtim. (Vep. 19:21; 23:11) Gjithsesi, stuhia vazhdoi me furi ditë e natë për dy javë. Për shkak të shiut që binte pa pushim dhe të një shtrese të trashë me re që bllokonte diellin e yjet, timonieri nuk e përcaktonte dot vendndodhjen e anijes ose për ku ishin drejtuar. As për të ngrënë s’bëhej fjalë. E kush e kishte mendjen tek ushqimi ndërkohë që bënte ftohtë, binte shi, i kishte zënë deti dhe i kishte kapluar frika?!
14, 15. (a) Pse Pavli u përmendi pasagjerëve paralajmërimin që u kishte dhënë më parë? (b) Ç’mund të mësojmë nga mesazhi shpresëdhënës që u dha Pavli?
14 Pavli u çua në këmbë. Përmendi paralajmërimin që u kishte dhënë në fillim, por jo për të thënë: «E patë! Doli siç ju thashë unë.» Përkundrazi, ashtu si kishin rrjedhur ngjarjet, kishin treguar se duhej t’ua vinin veshin fjalëve të tij. Pastaj u tha: «Tani merrni zemër, sepse asnjë nga ju nuk do të vdesë, vetëm anija do të shkatërrohet.» (Vep. 27:21, 22) Sa duhet t’ua kenë ngrohur zemrën dëgjuesve ato fjalë! Edhe Pavli duhet të ketë ndier kënaqësi të madhe që Jehovai e kishte caktuar të shpallte një mesazh kaq shpresëdhënës. Është jetësore të mbajmë në mend se Jehovai kujdeset për çdo jetë njerëzore. Për të ka rëndësi çdo njeri. Apostulli Pjetër shkroi: «Jehovai . . . nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të pendohen.» (2 Pjet. 3:9) Prandaj, sa urgjente është të përpiqemi t’u japim mesazhin e shpresës nga Jehovai sa më shumë njerëzve të mundemi! Janë në lojë jetë të çmuara.
15 Me siguri, Pavli u kishte treguar shumë vetave në anije se ‘shpresonte te premtimi që kishte bërë Perëndia’. (Vep. 26:6; Kolos. 1:5) Tani që dukej se anija ishte gati për t’u shkallmuar, Pavli mund t’u jepte një arsye të fortë për të shpresuar se do të mbijetonin. U tregoi: «Këtë natë një engjëll i Perëndisë që i përkas . . . , më qëndroi pranë e më tha: ‘Mos ki frikë, Pavël! Ti duhet të dalësh para Cezarit, dhe Perëndia do t’ua kursejë jetën të gjithë atyre që lundrojnë me ty.’» Pastaj, i nxiti: «Prandaj, burra, merrni zemër, pasi kam besim te Perëndia se do të ndodhë pikërisht siç m’u tha. Megjithatë duhet të ngecim në bregun e një ishulli.»—Vep. 27:23-26.
«Të gjithë mbërritën në tokë shëndoshë e mirë» (Veprat 27:27-44)
16, 17. (a) Në cilën situatë u lut Pavli dhe me çfarë rezultati? (b) Si u plotësua paralajmërimi i Pavlit?
16 Pas dy javësh të frikshme, gjatë të cilave anija kishte devijuar nga kursi rreth 870 kilometra, detarët menduan se ishin afër tokës, ndoshta ngaqë dëgjuan dallgët të përplaseshin në breg. Hodhën nga kiçi spirancat, që të mos devijonin dhe ta drejtonin bashin drejt tokës në rast se mund ta çonin në breg. Në atë pikë, u orvatën të iknin nga anija, por ushtarët nuk i lanë sepse Pavli i tha centurionit dhe ushtarëve: «Nëse këta burra nuk rrinë në anije, nuk shpëtoni dot.» Tani që anija ishte pak më e qëndrueshme, Pavli i nxiti të gjithë të hanin diçka, duke i siguruar përsëri se do të shpëtonin. Pastaj «falënderoi Perëndinë para të gjithëve». (Vep. 27:31, 35) Me këtë lutje të përzemërt, la një shembull të mirë për Lukën, Aristarkun dhe për të krishterët sot. A inkurajohen dhe ngushëllohen të tjerët nga lutjet e tua në publik?
17 Pasi Pavli bëri lutjen, «të gjithë morën zemër dhe filluan të hanin». (Vep. 27:36) E lehtësuan më tej anijen duke hedhur gjithë grurin, që ajo të qëndronte më në sipërfaqe të ujit dhe t’i afrohej bregut. Kur zbardhi dita, ekuipazhi preu litarët e spirancave, zgjidhi litarët shtrëngues të timonëve në kiç dhe ngriti një vel të përparmë të vogël që të mund të manovronin sadopak ndërsa e nxirrnin anijen në breg. Në atë kohë bashi i anijes ngeci në rërë, dhe kiçi nisi të shkallmohej me forcë nga dallgët që përplaseshin në të. Disa ushtarë donin t’i vritnin të burgosurit që të mos iknin, por Juli ndërhyri dhe i pengoi. Ai i nxiti të gjithë të notonin dhe të dilnin në breg. Ndodhi ajo që kishte parathënë Pavli, të 276 personat mbijetuan. Po, «të gjithë mbërritën në tokë shëndoshë e mirë». Por, ku ndodheshin?—Vep. 27:44.
«Shumë zemërmirë» (Veprat 28:1-10)
18-20. Si u treguan «shumë zemërmirë» banorët e Maltës dhe ç’mrekulli kreu Perëndia nëpërmjet Pavlit?
18 Doli që të mbijetuarit ndodheshin në ishullin e Maltës, në jug të Sicilisë. (Shih kutinë «Ku ndodhej Malta?».) Banorët e ishullit, që flitnin një gjuhë të huaj, u treguan «shumë zemërmirë». (Vep. 28:2) Ndezën një zjarr për këta të huaj që kishin mbërritur në brigjet e tyre të lagur gjer në palcë e duke u dridhur. Zjarri i ndihmoi të ngroheshin, pavarësisht nga të ftohtët dhe shiu. Pas pak do të ndodhte edhe një mrekulli.
19 Pavli donte të bënte diçka për të ndihmuar, prandaj mblodhi ca shkarpa dhe i vuri mbi zjarr. Në këtë moment, nga shkarpat doli një nepërkë që iu kap pas dorës dhe e kafshoi. Banorët e ishullit menduan se ky ishte ndonjë ndëshkim hyjnor.a
20 Banorët vendas që panë se Pavlin e kafshoi nepërka, pritnin që ai «të ënjtej». Sipas një vepre referimi, fjala origjinale që gjendet këtu, është «një term mjekësor». S’është për t’u çuditur që «Luka, mjeku i dashur», të përdorte një shprehje e tillë. (Vep. 28:6; Kolos. 4:14) Sidoqoftë, Pavli e shkundi në zjarr gjarprin helmues dhe nuk pësoi gjë.
21. (a) Cilat pohime dhe përshkrime të sakta gjejmë në këtë pjesë të tregimit të Lukës? (b) Cilat mrekulli kreu Pavli dhe si ndikuan te banorët maltezë?
21 Në atë zonë jetonte Publi, një pronar i pasur tokash. Mund të ketë qenë zyrtari romak më i lartë i Maltës. Luka e përshkroi si ‘të parin e ishullit’, duke përdorur të njëjtin titull që është gjetur në dy mbishkrime malteze. Ai i priti derëhapur Pavlin dhe shokët e tij për tri ditë. Por, i ati i Publit ishte sëmurë. Përsëri Luka përshkroi me saktësi një gjendje shëndetësore. Duke përmendur natyrën e saktë të sëmundjes, shkroi se burri «dergjej në shtrat nga ethet dhe dizenteria». Pavli u lut, vuri duart mbi të dhe e shëroi. Kjo mrekulli u la mbresa të thella banorëve vendas, të cilët sollën të sëmurë të tjerë që t’i shëronte. Gjithashtu u dhanë dhurata Pavlit e shokëve të tij, si dhe gjithçka që u nevojitej për pjesën tjetër të udhëtimit.—Vep. 28:7-10.
22. (a) Si e ka vlerësuar një profesor tregimin e Lukës për udhëtimin drejt Romës? (b) Ç’do të shqyrtojmë në kapitullin vijues?
22 Pjesa e udhëtimit të Pavlit që kemi shqyrtuar deri tani, është shumë e saktë dhe e vërtetë. Një profesor tha se «tregimi i Lukës . . . bie në sy si një nga përshkrimet më të gjalla të të gjithë Biblës. Hollësitë e tij për detarinë e shekullit të parë dhe portretizimi i kushteve në lindje të Mesdheut janë kaq të sakta», saqë duhet të jenë bazuar në një ditar. Luka mund t’i ketë marrë këto shënime ndërsa udhëtonte me apostullin. Nëse është kështu, edhe pjesa tjetër e udhëtimit i ka dhënë shumë material për të shkruar. Ç’do t’i ndodhte Pavlit kur ai dhe shokët e tij të mbërrinin më në fund në Romë? Le të shohim.
a Fakti që njerëzit i njihnin këta gjarpërinj, tregon se në atë kohë në ishull kishte nepërka. Në kohët e sotme, në Maltë nuk ka nepërka. Kjo mund të ketë ndodhur si pasojë e ndryshimeve të mjedisit gjatë shekujve ose shtimit të popullsisë.