Mbrohet lajmi i mirë para funksionarëve të lartë
«AI NJERI është për mua një enë e zgjedhur, që t’ua çojë emrin tim kombeve [dhe] mbretërve.» (Vep. 9:15) Zotëria Jezu i tha këto fjalë për një jude që sapo kishte përqafuar krishterimin. Më vonë, ky burrë u bë i njohur si apostulli Pavël.
Një nga ata ‘mbretër’ ishte perandori romak Neron. Si do të ndiheshe sikur të të duhej të mbroje besimin para një sundimtari si ai? Sidoqoftë, Bibla na nxit që, si të krishterë, të imitojmë Pavlin. (1 Kor. 11:1) Një mënyrë si mund ta bëjmë këtë lidhet me përvojat që pati Pavli me sistemet ligjore të kohës së tij.
Ligji i Moisiut ishte ligji i kombit të Izraelit dhe shërbente si kodi moral për judenjtë e devotshëm kudo që jetonin. Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., adhuruesit e vërtetë nuk ishin të detyruar të zbatonin Ligjin e Moisiut. (Vep. 15:28, 29; Gal. 4:9-11) Prapëseprapë, Pavli dhe të krishterët e tjerë nuk flisnin pa respekt për Ligjin; ata patën mundësi të dëshmonin në shumë komunitete judeje pa kundërshtime. (1 Kor. 9:20) Në fakt, në shumë raste Pavli shkonte në sinagoga, ku mund t’u dëshmonte atyre që e njihnin Perëndinë e Abrahamit dhe me të cilët mund të arsyetonte në bazë të Shkrimeve Hebraike.—Vep. 9:19, 20; 13:5, 14-16; 14:1; 17:1, 2.
Apostujt zgjodhën Jerusalemin si qendrën e parë nga ku do të drejtohej vepra e predikimit. Ata mësonin rregullisht në tempull. (Vep. 1:4; 2:46; 5:20) Hera-herës Pavli udhëtonte për në Jerusalem, ku më pas e mbajtën në arrest. Kështu nisi një proces ligjor që, si përfundim, e çoi në Romë.
PAVLI DHE LIGJI ROMAK
Si mund t’i kenë parë autoritetet romake bindjet që predikonte Pavli? Për të ditur përgjigjen, ia vlen të mendojmë si i konsideronin romakët fetë në përgjithësi. Ata nuk i detyronin grupet e ndryshme etnike në perandori që të hiqnin dorë nga fetë e tyre, përveç rastit kur dukej se kjo përbënte rrezik për shtetin ose për moralin.
Roma u jepte judenjve goxha të drejta në perandori. Një libër thotë: «Judaizmi gëzonte pozitë të privilegjuar në perandorinë romake. . . . Judenjtë ishin të lirë ta praktikonin fenë e tyre dhe përjashtoheshin nga adhurimi i hyjnive të shtetit romak. Ata mund të jetonin sipas ligjit të tyre brenda komuniteteve judeje.» (Backgrounds of Early Christianity) Veç kësaj, nuk ishin të detyruar të bënin shërbim ushtarak.a Mbrojtjen që i siguronte ligji romak besimit jude, Pavli do ta përdorte kur të mbronte krishterimin para autoriteteve romake.
Kundërshtarët e apostullit Pavël u orvatën në lloj-lloj mënyrash që të kthenin kundër tij popullin dhe autoritetet. (Vep. 13:50; 14:2, 19; 18:12, 13) Të shohim një rast. Pleqtë e kongregacionit të Jerusalemit kishin dëgjuar se mes judenjve ishin përhapur llafe që Pavli po predikonte «apostazi kundër Moisiut». Këto histori mund t’i shtynin disa judenj që sapo ishin bërë të krishterë të mendonin se Pavli nuk i respektonte masat e Perëndisë. Gjithashtu, Sinedri mund ta shpallte krishterimin një apostazi ose devijim nga judaizmi. Po të ndodhte kjo, ata që ishin judenj mes të krishterëve mund të ndëshkoheshin. Do të përjashtoheshin nga shoqëria dhe do të ndaloheshin të predikonin në tempull ose në sinagoga. Ja pse pleqtë e kongregacionit e këshilluan Pavlin të vërtetonte se ato fjalë nuk ishin të vërteta. Si? Duke shkuar në tempull e duke bërë diçka që Perëndia nuk e kërkonte, por që s’kishte ndonjë të keqe ta bënte.—Vep. 21:18-27.
Pavli bëri siç i thanë, dhe kjo krijoi mundësi që ‘të mbronte dhe të themelonte ligjërisht lajmin e mirë’. (Filip. 1:7) Në tempull, judenjtë shkaktuan një trazirë dhe donin ta vritnin Pavlin. Kështu, komandanti i ushtrisë romake e mbajti në arrest. Kur e shtrinë për ta rrahur me kamxhik, Pavli u tregoi se ishte qytetar romak. Si rrjedhojë e çuan në Cezare, qyteti prej nga romakët administronin Judenë. Atje pati mundësi të jashtëzakonshme që të jepte dëshmi me guxim para autoriteteve. Ka shumë të ngjarë që falë kësaj, krishterimi u bë më i njohur për njerëzit që mbase nuk dinin shumë për të.
Kapitulli 24 i Veprave përshkruan gjyqin e Pavlit para Feliksit, guvernatorit romak të Judesë, që dinte tashmë diçka për bindjet e të krishterëve. Judenjtë e akuzonin Pavlin se e kishte shkelur ligjin romak në të paktën tri mënyra. Ata thoshin se nxiste kryengritje mes judenjve anembanë perandorisë, se drejtonte një sekt të rrezikshëm dhe se ishte orvatur të përdhoste tempullin, që atëherë ishte nën mbrojtjen e romakëve. (Vep. 24:5, 6) Këto akuza mund të bënin që Pavli të dënohej me vdekje.
Ia vlen që të krishterët e sotëm të shqyrtojnë si i përballoi Pavli akuzat. Ai ruajti qetësinë dhe tregoi respekt. Pavli përmendi Ligjin dhe Profetët, si edhe pohoi se i takonte e drejta të adhuronte ‘Perëndinë e paraardhësve të tij’. Nën ligjin romak, këtë të drejtë e gëzonin edhe judenjtë e tjerë. (Vep. 24:14) Me kohë, Pavli pati mundësi të mbronte dhe të deklaronte besimin e tij para guvernatorit tjetër, Porc Festit, si edhe para mbretit Herod Agripa.
Në fund, që t’i bëhej një seancë gjyqësore e drejtë, Pavli tha: «Unë i apelohem Cezarit!»—sundimtarit më të fuqishëm të asaj kohe.—Vep. 25:11.
PAVLI NË GJYKATËN E CEZARIT
Më vonë, një engjëll i tha Pavlit: «Ti duhet të dalësh para Cezarit.» (Vep. 27:24) Në fillim të mbretërimit të tij, perandori romak Neron kishte thënë se nuk do t’i gjykonte vetë të gjitha çështjet. Gjatë tetë viteve të para të mbretërimit, në përgjithësi ai ua delegonte këtë detyrë të tjerëve. Në një libër (The Life and Epistles of Saint Paul) thuhet se kur Neroni pranonte të gjykonte vetë një çështje, seanca zhvillohej në pallatin e tij, ku e ndihmonin një grup këshilltarësh me shumë përvojë dhe influencë.
Bibla nuk thotë gjë nëse Neroni e dëgjoi dhe e gjykoi Pavlin vetë apo nëse caktoi dikë tjetër që ta dëgjonte apelimin e tij dhe t’i raportonte. Sido të ketë qenë, ka shumë të ngjarë që Pavli të ketë shpjeguar se adhuronte Perëndinë e judenjve dhe se i nxiste gjithë njerëzit të tregonin nderimin e duhur për qeverinë. (Rom. 13:1-7; Titit 3:1, 2) Duket se mbrojtja që i bëri Pavli lajmit të mirë para funksionarëve të lartë pati sukses: gjykata e Cezarit e liroi Pavlin.—Filip. 2:24; Fil. 22.
DETYRA JONË QË TË MBROJMË LAJMIN E MIRË
Jezui u tha dishepujve: «Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.» (Mat. 10:18) Është privilegj të përfaqësojmë Jezuin në këtë mënyrë. Përpjekjet tona për të mbrojtur lajmin e mirë mund të sjellin fitore ligjore. Sigurisht, vendimet që japin njerëzit e papërsosur nuk e ‘themelojnë ligjërisht’ lajmin e mirë në kuptimin e plotë. Vetëm Mbretëria e Perëndisë do të sjellë lehtësim të përhershëm nga shtypja dhe nga padrejtësitë.—Ekl. 8:9; Jer. 10:23.
Megjithatë, edhe sot emri i Jehovait mund të lëvdohet kur të krishterët mbrojnë besimin e tyre. Ashtu si Pavli, edhe ne duhet të përpiqemi të rrimë të qetë, të jemi të sinqertë dhe bindës. Jezui u tha dishepujve të tij se nuk do t’u duhej ‘të bënin parapërgatitje për mbrojtjen e tyre, sepse ai do t’u jepte gojë dhe mençuri, aq sa gjithë kundërshtarët e tyre së bashku nuk do të ishin në gjendje të kundërviheshin ose të kundërpërgjigjeshin’.—Luka 21:14, 15; 2 Tim. 3:12; 1 Pjet. 3:15.
Kur të krishterët mbrojnë besimin e tyre para mbretërve, guvernatorëve a funksionarëve të tjerë, mund t’u dëshmojnë njerëzve që zor se do ta dëgjonin mesazhin e krishterë në ndonjë mënyrë tjetër. Disa vendime të favorshme gjyqësore kanë përmirësuar kodet ligjore, duke mbrojtur kështu të drejtën e fjalës dhe të adhurimit. Por, sido që të përfundojnë këto çështje, guximi që shfaqin shërbëtorët e tij në gjyq ia gëzon zemrën Perëndisë.
a Shkrimtari Xhejms Parks komenton: «Judenjtë . . . kishin të drejtë të vazhdonin të ndiqnin praktikat e tyre fetare. Fakti që u jepeshin këto privilegje, nuk ishte një gjë e jashtëzakonshme. Romakët thjesht po vepronin sipas traditës së tyre që t’u jepnin autonominë më të madhe të mundshme pjesëve të ndryshme të perandorisë.»