A e dini?
Ç’rrugë përshkroi apostulli Pavël gjatë udhëtimit të tij të parë për në Romë?
▪ Te Veprat 28:13-16 thuhet se anija me të cilën Pavli shkoi në Itali arriti në Puteoli (Pocuoli i sotëm), në Gjirin e Napolit. Pastaj ai shkoi në Romë nga Via Appia, rruga kryesore për në qytet.
Rruga Apia e mori emrin nga Apia Klaud Kaeku, një burrë shteti romak i cili filloi ndërtimin e saj në vitin 312 p.e.s. Kjo rrugë, rreth 5 deri 6 metra e gjerë dhe e shtruar me blloqe të mëdha vullkanike, si përfundim u shtri 583 kilometra në jug të Romës. Ajo lidhte Romën me portin e Brundisiumit (Brindizi i sotëm), që ishte porta drejt Lindjes. Gjatë rrugës udhëtarët ndalonin në disa pika të cilat ishin rreth 24 kilometra larg njëra-tjetrës. Aty blinin gjërat e nevojshme, flinin ose ndryshonin kuajt a mjetet e udhëtimit.
Megjithatë, ka shumë të ngjarë që Pavli ta ketë bërë rrugën në këmbë. Pjesa e Rrugës Apia që përshkoi ai ishte 212 kilometra e gjatë. Një pjesë e kësaj rruge kalonte përmes Kënetave Pontine, një zonë moçalore që e bëri një shkrimtar romak të ankohej për mushkonjat dhe erën e keqe. Në veri të këtyre kënetave ishte Pazari Apia—rreth 70 kilometra nga Roma—dhe Tri Tavernat, një pikë ndalese rreth 50 kilometra nga qyteti. Të krishterët nga Roma po pritnin Pavlin në këto dy pika ndalese. Kur i pa, «Pavli falënderoi Perëndinë dhe mori zemër».—Veprat 28:15.
Si ishte pllaka e shkrimit që përmendet te Luka 1:63?
▪ Në Ungjillin e Lukës thuhet se miqtë e pyetën Zakarinë se si donte ta quante të birin. Zakaria «kërkoi një pllakë shkrimi dhe shkroi: ‘Emri i tij është Gjon.’» (Luka 1:63) Sipas një vepre studimi, termi grek që këtu përkthehet «pllakë shkrimi» i referohet «një pllake të vogël shkrimi që zakonisht ishte prej druri dhe kishte një shtresë dylli». Ristela druri mbërtheheshin bashkë dhe sipërfaqja vishej me një shtresë dylli bletësh. Me anë të një kunji, mund të shkruhej mbi këtë sipërfaqe. Ajo që ishte shkruar mund të fshihej dhe sipërfaqja e sapolëmuar mund të përdorej përsëri.
Libri Leximi dhe shkrimi në kohën e Jezuit (anglisht) thotë: «Piktura nga Pompei, skulptura nga vise të ndryshme të Perandorisë Romake dhe pllaka të gjetura gjatë gërmimeve në shumë vende, që nga Egjipti e deri në Murin e Adrianit [Britania Veriore], dëshmojnë për përdorimin e gjerë të pllakave të shkrimit.» Këto lloj pllakash mund t’i kenë përdorur njerëz të ndryshëm: tregtarë, zyrtarë qeveritarë e ndoshta edhe disa të krishterë të shekullit të parë.
[Figura në faqen 11]
Rruga Apia
[Figura në faqen 11]
Pllakë shkrimi me dyll e një nxënësi, shekulli i 2-të i e.s.
[Burimi]
Me lejen e Bibliotekës Britanike