Afrojuni Perëndisë
A ka ndonjë gjë që mund ‘të na ndajë nga dashuria e Perëndisë’?
KUSH prej nesh nuk ka nevojë që ta duan? Në të vërtetë ne lumturohemi shumë kur ndiejmë se familja dhe miqtë na duan. Por, mjerisht, marrëdhëniet njerëzore mund të jenë shumë të brishta e të paqëndrueshme. Ata që na duan mund të na lëndojnë, mund të na braktisin, e madje mund të na mohojnë. Megjithatë, është dikush, dashuria e të cilit nuk ndryshon kurrë. Dashuria që Perëndia Jehova ka për adhuruesit e tij përshkruhet bukur te Romakëve 8:38, 39.
«Jam i bindur»,—thotë apostulli Pavël. Për çfarë është i bindur? Se asgjë nuk mund ‘të na ndajë dot nga dashuria e Perëndisë’. Pavli nuk flet vetëm për veten, por edhe për «ne»—domethënë, për të gjithë ata që i shërbejnë Perëndisë me besnikëri. Për të theksuar këtë pikë, Pavli rendit disa gjëra që nuk mund ta pengojnë Jehovain t’i dojë shërbëtorët e tij të përkushtuar.
«As vdekja, as jeta.» Dashuria e Jehovait për shërbëtorët e tij nuk shuhet kur ata vdesin. Për të treguar se i do, Perëndia i ruan në kujtesën e tij dhe do t’i risjellë në jetë në botën e re e të drejtë. (Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:3, 4) Ndërkohë, dashuria e Perëndisë për adhuruesit e tij besnikë mbetet e pandryshueshme, pavarësisht se çfarë mund t’u sjellë jeta në këtë botë.
«As engjëjt, as qeveritë.» Njerëzit mund të ndikohen lehtë nga individë me pushtet ose nga autoritetet, por kjo nuk ndodh me Jehovain. Krijesa frymore të fuqishme, të tilla si engjëlli që u bë Satana, nuk mund ta bindin Perëndinë që të mos i dojë më adhuruesit e Tij. (Zbulesa 12:10) As qeveritë, të cilat mund t’u kundërvihen të krishterëve të vërtetë, nuk mund t’ia ndryshojnë Perëndisë mendimin që ka për shërbëtorët e tij.—1 Korintasve 4:13.
«As gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë.» Dashuria e Perëndisë nuk venitet me kalimin e kohës. Asnjë gjë që mund t’u ndodhë shërbëtorëve të tij tani ose në të ardhmen, nuk mund ta bëjë Perëndinë që të mos i dojë më.
«As fuqitë.» Pavli përmendi forcat qiellore dhe tokësore—«engjëjt» dhe «qeveritë»—por tani ai përmend «fuqitë». Fjala greke që është përdorur këtu ka disa kuptime. Cilido qoftë kuptimi i saktë, një gjë është e sigurt: asnjë fuqi në qiell ose në tokë nuk mund ta pengojë Perëndinë që ta dojë popullin e tij.
«As lartësia, as thellësia.» Jehovai i do shërbëtorët e tij, pavarësisht nga rrethanat në të cilat gjenden—të mira ose të këqija.
«As ndonjë krijim tjetër.» Me këto fjalë që i referohen të gjithë krijimit, Pavli po thotë se absolutisht asgjë nuk mund t’i ndajë adhuruesit besnikë nga dashuria e Jehovait.
Ndryshe nga dashuria e një njeriu, e cila mund të ndryshojë ose të venitet, dashuria e Perëndisë për të gjithë ata që shpresojnë tek ai me besim, është e pandryshueshme; ajo është e përhershme. Sigurisht, kjo na nxit t’i afrohemi më shumë Jehovait dhe të bëjmë çmos t’i tregojmë dashurinë tonë.