Kapitulli njëzetë
Dora e Jehovait nuk është bërë e shkurtër
1. Cila është gjendja në Judë dhe për çfarë e pyesin veten shumë veta?
KOMBI i Judës pretendon se gëzon me Jehovain një marrëdhënie të bazuar në një besëlidhje. E megjithatë, kudo ka trazira. Drejtësia mungon, krimi e shtypja janë përhapur shumë dhe shpresat për përmirësim mbeten të paplotësuara. Diçka nuk shkon me të vërtetë. Shumë pyesin veten nëse Jehovai do t’i ndreqë gjërat ndonjëherë. Kjo është gjendja në ditët e Isaisë. Por rrëfimi i Isaisë për këtë periudhë nuk është thjesht histori e lashtë. Fjalët e tij përmbajnë paralajmërime profetike për cilindo që pretendon se adhuron Perëndinë, por shpërfill ligjet e Tij. Gjithashtu, profecia e frymëzuar, e dokumentuar në kapitullin 59 të Isaisë, u jep zemër ngrohtësisht të gjithëve atyre që përpiqen t’i shërbejnë Jehovait megjithëse jetojnë në kohë të vështira e të rrezikshme.
Të ndarë nga Perëndia i vërtetë
2, 3. Pse nuk po e mbron Jehovai Judën?
2 Përfytyroni: pjesëtarët e popullit me të cilin Jehovai ka bërë një besëlidhje kanë rënë në apostazi! Ata i kanë kthyer shpinën Bërësit të tyre, duke bërë kështu që të mos jenë më nën dorën e tij mbrojtëse. Për këtë arsye, po përjetojnë vuajtje të mëdha. Mos vallë fajësojnë Jehovain për vështirësitë që po kalojnë? Isaia u thotë: «Ja, dora e Jehovait nuk është bërë tepër e shkurtër sa nuk mund të shpëtojë, as veshi i tij nuk është bërë tepër i rëndë sa nuk mund të dëgjojë. Jo, por janë gabimet tuaja ato që shkaktojnë ndarje ndërmjet jush e Perëndisë tuaj dhe mëkatet tuaja kanë bërë që ai të fshehë fytyrën nga ju për të mos dëgjuar.»—Isaia 59:1, 2.
3 Këto fjalë janë të thëna hapur, por të vërteta. Jehovai është ende Perëndia i shpëtimit. Si ‘Dëgjuesi i lutjes’, ai i dëgjon lutjet e shërbëtorëve të tij besnikë. (Psalmi 65:2) Megjithatë, nuk i bekon keqbërësit. Vetë njerëzit janë përgjegjës për largimin nga Jehovai. Ligësia e tyre e ka shtyrë atë që ta fshehë fytyrën nga ata.
4. Cilat akuza ngrihen kundër Judës?
4 E vërteta është që Juda ka bërë gjëra jashtëzakonisht të këqija. Profecia e Isaisë rendit disa nga akuzat që ngrihen kundër tyre: «Pëllëmbët tuaja janë ndotur me gjak dhe gishtat tuaj me gabim. Buzët tuaja kanë thënë pavërtetësi. Gjuha juaj ka vazhduar të murmuritë kryekëput padrejtësi.» (Isaia 59:3) Njerëzit gënjejnë dhe thonë gjëra të padrejta. Referimi që u bëhet ‘pëllëmbëve të ndotura me gjak’ tregon se disa, madje, kanë kryer vrasje. Çfarë çnderimi për Perëndinë, Ligji i të cilit jo vetëm që ndalon të vrasësh, por edhe «të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde»! (Levitiku 19:17, Dio) Gjendja mëkatare e banorëve të Judës që kalon çdo kufi dhe pasojat e pashmangshme të saj, duhet t’i kujtojnë gjithsecilit prej nesh sot se duhet t’i mbajmë në kontroll mendimet dhe ndjenjat mëkatare. Përndryshe, mund të arrijmë të kryejmë veprime të liga që do të na ndanin nga Perëndia.—Romakëve 12:9; Galatasve 5:15; Jakovit 1:14, 15.
5. Deri në ç’pikë ka arritur korruptimi i Judës?
5 Sëmundja e mëkatit e ka infektuar të tërë kombin. Profecia thotë: «Nuk ka asnjë që thërret me drejtësi, dhe absolutisht asnjë që ka shkuar në gjykatë me besueshmëri. Kanë besuar diçka joreale dhe kanë folur kotësira. Kanë ngjizur telashe dhe kanë lindur atë që është e dëmshme.» (Isaia 59:4) Askush nuk flet me drejtësi. Edhe nëpër gjykata, rrallë gjen dikë që është i besueshëm. Juda i ka kthyer shpinën Jehovait dhe e ka vënë besimin tek aleancat me kombet, e madje, tek idhujt e pajetë. E gjithë kjo është ‘diçka joreale’, një gjë pa kurrfarë vlere. (Isaia 40:17, 23; 41:29) Për pasojë, flitet shumë, por më kot. Bëhen plane, por ato çojnë në telashe dhe në gjëra të dëmshme.
6. Në ç’mënyrë veprat e të ashtuquajturit krishterim janë të ngjashme me ato të Judës?
6 Padrejtësia dhe dhuna në Judë gjejnë një paralele të spikatshme në të ashtuquajturin krishterim. (Shih “Jerusalemi apostat—Një paralele e të ashtuquajturit krishterim”, në faqen 294.) Në të dyja luftërat e egra botërore janë përfshirë kombe të ashtuquajtura të krishtere. Deri më sot, feja e të ashtuquajturit krishterim është treguar e pafuqishme për të ndaluar spastrimin etnik dhe masakrat ndërfisnore ku janë të përfshirë anëtarët e saj. (2 Timoteut 3:5) Ndonëse Jezui u mësoi ithtarëve të tij të besonin në Mbretërinë e Perëndisë, kombet e të ashtuquajturit krishterim vazhdojnë ta mbështetin sigurinë tek arsenalet ushtarake dhe tek aleancat politike. (Mateu 6:10) Në të vërtetë, shumica e prodhuesve më të mëdhenj të armëve në botë gjenden në kombet e të ashtuquajturit krishterim! Po, kur i ashtuquajturi krishterim e vë besimin te përpjekjet dhe institucionet njerëzore për një të ardhme të sigurt, edhe ai po beson «diçka joreale».
Korrin pasoja të hidhura
7. Pse planet e Judës sjellin si pasojë vetëm gjëra të dëmshme?
7 Idhujtaria dhe pandershmëria nuk mund të prodhojnë një shoqëri të shëndoshë. Për shkak se përdorin këto mjete, tani judenjtë jobesnikë korrin telashet që kanë mbjellë vetë. Lexojmë: «Kanë bërë të çelin vezët e një gjarpri helmues dhe kanë vazhduar të endin rrjetën e një merimange. Cilido që ha pak nga vezët e tyre do të vdesë, dhe nga veza që u shtyp do të dalë një nepërkë.» (Isaia 59:5) Që nga thurja e deri në zbatim, planet e Judës nuk prodhojnë asgjë me vlerë. Mendimet e tyre të gabuara çojnë vetëm në gjëra të dëmshme, ashtu si vezët e një gjarpri helmues prodhojnë vetëm gjarpërinj helmues. Prandaj kombi vuan.
8. Nga se duket që mënyra e të menduarit të Judës çalon?
8 Disa banorë të Judës mund t’i drejtohen dhunës, në përpjekje për të mbrojtur vetveten, por do të dështojnë. Kur bëhet fjalë për t’u mbrojtur, forca fizike nuk mund ta zëvendësojë besimin te Jehovai dhe veprat e drejtësisë, ashtu si rrjeta e merimangës nuk mund ta zëvendësojë pëlhurën e vërtetë kur bëhet fjalë për t’u mbrojtur nga moti i keq. Isaia deklaron: «Rrjeta e tyre e merimangës nuk do të shërbejë si rrobë dhe as do të mbulohen me veprat e tyre. Veprat e tyre janë vepra të dëmshme dhe në pëllëmbët e tyre është veprimtaria e dhunës. Këmbët e tyre vazhdojnë të vrapojnë drejt asaj që është kryekëput e keqe dhe nxitojnë të derdhin gjak të pafajshëm. Mendimet e tyre janë mendime të dëmshme; në rrugët e tyre kryesore gjenden grabitja dhe shkatërrimi.» (Isaia 59:6, 7) Mënyra e të menduarit të Judës çalon. Duke iu drejtuar dhunës në përpjekje për të zgjidhur problemet e saj, ajo shfaq një qëndrim të paperëndishëm. Pak rëndësi ka për të fakti që shumë nga viktimat e saj janë të pafajshme dhe që disa janë shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë.
9. Pse paqja e vërtetë është e paarritshme për udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim?
9 Këto fjalë të frymëzuara na kujtojnë historinë gjakatare të të ashtuquajturit krishterim. Sigurisht, Jehovai do t’i kërkojë llogari atij për keqpërfaqësimin tragjik që i ka bërë krishterimit! Ashtu si judenjtë e kohës së Isaisë, i ashtuquajturi krishterim ka ndjekur një udhë të mbrapshtë nga ana morale, pasi udhëheqësit e tij besojnë se ajo është e vetmja udhë praktike. Ndërkohë që flasin për paqe, veprojnë padrejtësisht. Çfarë dyfytyrësie! Meqenëse udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim vazhdojnë të ndjekin këtë taktikë, nuk kanë për ta arritur kurrë paqen e vërtetë. Është ashtu siç thotë profecia në vazhdim: «Kanë shpërfillur udhën e paqes dhe në shtigjet e tyre nuk ka drejtësi. I kanë bërë të shtrembra rrugët e tyre për veten e tyre. Asnjë që shkel në to nuk do ta njohë në të vërtetë paqen.»—Isaia 59:8.
Ecin kuturu në errësirë frymore
10. Ç’rrëfim bën Isaia në emër të Judës?
10 Jehovai nuk mund t’i bekojë udhët dredharake dhe shkatërrimtare të Judës. (Psalmi 11:5) Prandaj, duke folur në emër të të gjithë kombit, Isaia rrëfen fajin e Judës: «E drejta ka arritur të jetë shumë larg nesh dhe drejtësia nuk na arrin. Vazhdojmë të shpresojmë për dritë, por ja, errësirë; për shndritje, por kemi ecur në errësirë të vazhdueshme. Vazhdojmë të kërkojmë murin me të prekur porsi të verbrit, vazhdojmë të kërkojmë me të prekur si ata që nuk kanë sy. Jemi penguar në mesditë si në errësirën e mbrëmjes; mes të fuqishmëve jemi porsi njerëz të vdekur. Të gjithë ne vazhdojmë të rënkojmë porsi arinj dhe të gugatim si pëllumba, duke vajtuar.» (Isaia 59:9-11a) Judenjtë nuk kanë lejuar që Fjala e Perëndisë të jetë një llambë për këmbët e tyre dhe një dritë për shtegun e tyre. (Psalmi 119:105) Për pasojë, çdo gjë duket e zymtë. Edhe në mesditë ata ecin me të prekur si të ishte natë. Është njësoj sikur të ishin të vdekur. Ndërkohë që dëshirojnë me zjarr të çlirohen nga kjo gjendje, rënkojnë me zë të lartë si arinj të uritur ose të plagosur. Disa gugatin si pëllumba të vetmuar, në një mënyrë që të ngjall keqardhje.
11. Pse shpresat e Judës për drejtësi dhe shpëtim janë të kota?
11 Isaia është plotësisht i vetëdijshëm se shkaku për gjendjen e mjerueshme të Judës është rebelimi ndaj Perëndisë. Ai thotë: «Vazhdonim të shpresonim për drejtësi, por s’kishte aspak; për shpëtim, por ai ka qëndruar shumë larg nesh. Sepse rebelimet tona janë bërë të shumta para teje dhe sa për mëkatet tona, secili prej tyre ka dëshmuar kundër nesh. Sepse rebelimet tona janë me ne dhe sa për gabimet tona, i njohim mirë. Ka pasur shkelje dhe mohim të Jehovait; ka pasur një tërheqje nga Perëndia ynë, është folur për shtypje dhe për rebelim, janë thurur dhe murmuritur fjalë të pavërteta nga zemra.» (Isaia 59:11b-13) Meqenëse banorët e Judës nuk janë penduar, mëkatet e tyre flasin ende kundër tyre. E drejta është larguar nga vendi, sepse populli është larguar nga Jehovai. Ata janë treguar jobesnikë në çdo drejtim, duke shtypur, madje edhe vëllezërit e tyre. Sa shumë ngjan me ta i ashtuquajturi krishterim sot! Shumë njerëz jo vetëm që e shpërfillin të drejtën, por edhe i përndjekin aktivisht Dëshmitarët besnikë të Jehovait që përpiqen të bëjnë vullnetin e Perëndisë.
Jehovai ekzekuton gjykimin
12. Cili është qëndrimi i atyre që janë përgjegjës për administrimin e drejtësisë në Judë?
12 Në Judë duket se nuk ka drejtësi, të drejtë ose vërtetësi. «E drejta u detyrua të sprapset dhe drejtësia vazhdoi të qëndronte thjesht larg. Sepse e vërteta është penguar, madje, në sheshin publik dhe ajo që është e drejtë nuk është në gjendje të hyjë.» (Isaia 59:14) Në Judë, pas portave të qyteteve gjenden sheshe publike ku pleqtë mblidhen për të shqyrtuar çështjet gjyqësore. (Rutha 4:1, 2, 11) Këta burra duhet të gjykojnë me drejtësi e të gjejnë të drejtën dhe nuk duhet të pranojnë ryshfete. (Ligji i përtërirë 16:18-20) Por, në vend që të veprojnë kështu, ata gjykojnë sipas ideve të tyre egoiste. Më keq akoma, i shohin si pre të lehtë të gjithë ata që përpiqen të bëjnë mirë. Lexojmë: «E vërteta del se mungon dhe kushdo që largohet nga e keqja plaçkitet.»—Isaia 59:15a.
13. Çfarë do të bëjë Jehovai meqenëse gjykatësit e Judës e lënë pas dore detyrën e tyre?
13 Ata që nuk flasin hapur kundër korruptimit moral harrojnë që Perëndia nuk është i verbër, në padije ose i pafuqishëm. Isaia shkruan: «Jehovai pa dhe fakti që nuk kishte drejtësi ishte i keq në sytë e tij. Dhe kur pa që nuk kishte asnjë njeri, ai filloi të tregohej i befasuar për faktin që asnjë nuk ndërhynte. Dhe krahu i tij vazhdoi të shpëtonte për të dhe drejtësia e tij ishte ajo që e mbështeti.» (Isaia 59:15b, 16) Meqenëse gjykatësit e caktuar e lënë pas dore detyrën e tyre, Jehovai do të ndërhyjë. Kur ta bëjë këtë, ai do të veprojë me drejtësi dhe fuqi.
14. (a) Ç’qëndrim kanë shumë njerëz sot? (b) Si përgatitet Jehovai për të vepruar?
14 Sot ekziston një gjendje e ngjashme. Jetojmë në një botë ku shumë njerëz ‘nuk kanë më asnjë ndjesi morale’. (Efesianëve 4:19) Pak veta besojnë se Jehovai do të ndërhyjë ndonjëherë për ta zhdukur ligësinë nga toka. Por profecia e Isaisë tregon se Jehovai i vëzhgon nga afër çështjet njerëzore. Ai jep gjykime dhe në kohën e duhur sipas tij, vepron në përputhje me ato gjykime. A janë të drejta gjykimet e tij? Isaia tregon se po. Në rastin e kombit të Judës ai shkruan: «Pastaj [Jehovai] vuri drejtësinë si parzmore dhe përkrenaren e shpëtimit në kokë. Veç kësaj, veshi rrobat e hakmarrjes si një veshje dhe u mbështoll me zell si me një xhybe pa mëngë.» (Isaia 59:17) Këto fjalë profetike e paraqesin Jehovain si një luftëtar që përgatitet për luftë. Ai ka si synim shpëtimin e çështjes së tij. Është i sigurt në drejtësinë e tij absolute dhe të padiskutueshme. Gjithashtu, ai do të tregohet i zellshëm e i patrembur në veprimet e tij gjykuese. S’ka asnjë dyshim që e drejta do të triumfojë.
15. (a) Si do të veprojnë të krishterët e vërtetë kur Jehovai të ekzekutojë gjykimin? (b) Ç’mund të thuhet për gjykimet e Jehovait?
15 Sot, në disa vende, armiqtë e së vërtetës përpiqen ta pengojnë veprën e shërbëtorëve të Jehovait, duke zhvilluar një propagandë të rreme dhe shpifëse. Të krishterët e vërtetë nuk ngurrojnë të dalin në mbrojtje të së vërtetës, por nuk kërkojnë kurrë të hakmerren personalisht. (Romakëve 12:19) Edhe kur Jehovai të lajë hesapet me të ashtuquajturin krishterim apostat, adhuruesit e Tij në tokë nuk do të marrin pjesë në shkatërrimin e saj. Ata e dinë se Jehovai e ka rezervuar hakmarrjen për veten e tij dhe se kur të vijë koha do të ndërmarrë veprimet e duhura. Profecia na siguron: «Ai do t’i shpërblejë në përputhje me mënyrën në të cilën kanë vepruar: kundërshtarëve tërbim, armiqve trajtimin që u takon. Ishujt do t’i shpërblejë me trajtimin që u takon.» (Isaia 59:18) Ashtu si në kohën e Isaisë, gjykimet e Perëndisë do të jenë jo vetëm të drejta, por edhe të plota. Ato do të arrijnë deri në «ishujt», në vende të largëta. Askush nuk do të jetë në një vend kaq të largët ose kaq të veçuar sa t’u shpëtojë veprimeve gjykuese të Jehovait.
16. Cilët do të mbijetojnë nga veprimet gjykuese të Jehovait dhe çfarë do të mësojnë nga mbijetesa e tyre?
16 Ata që përpiqen të bëjnë atë që është e drejtë, gjykohen në mënyrë të drejtë nga Jehovai. Isaia parathotë se nga njëra anë e horizontit në tjetrën, pra, në gjithë tokën, këta njerëz do të mbijetojnë. Gjithashtu, fakti që do të përjetojnë mbrojtjen e Jehovait do ta forcojë tej mase nderimin e thellë dhe respektin që kanë për të. (Malakia 1:11) Lexojmë: «Nga vendi ku perëndon dielli do të fillojnë ta kenë frikë emrin e Jehovait dhe nga vendi ku ngrihet dielli, lavdinë e tij, sepse ai do të vijë si një lumë që shkakton vuajtje, të cilin e ka shtyrë fryma e Jehovait.» (Isaia 59:19) Si një tufan i fuqishëm që shtyn një masë shkatërrimtare uji para tij dhe merr me vete gjithçka që gjen përpara, fryma e Jehovait do të fshijë nga faqja e dheut çdo gjë që përbën pengesë për përmbushjen e qëllimit të tij. Fryma e tij është më e fuqishme se çdo forcë që zotëron njeriu. Kur ta përdorë atë për të ekzekutuar gjykimin mbi njerëzit dhe kombet, suksesi i tij do të jetë i sigurt dhe i plotë.
Shpresë dhe bekim për të penduarit
17. Kush është Riblerësi i Sionit dhe kur e riblen ai Sionin?
17 Nën Ligjin e Moisiut, një riblerës mund ta blinte e ta nxirrte nga skllavëria një izraelit, i cili e kishte shitur veten si skllav. Në një pjesë pararendëse të librit profetik të Isaisë, Jehovai është përshkruar si Riblerësi i individëve të penduar. (Isaia 48:17) Tani, ai përshkruhet përsëri si Riblerësi i të penduarve. Isaia shkruan premtimin e Jehovait: «‘Riblerësi do të vijë, me siguri, në Sion, dhe tek ata në Jakob që largohen nga shkelja’,—është shprehja e Jehovait.» (Isaia 59:20) Ky premtim sigurues përmbushet në vitin 537 p.e.s. Por ai ka edhe një përmbushje tjetër. Apostulli Pavël i citoi këto fjalë nga versioni i Septuagintës dhe i zbatoi për të krishterët. Ai shkroi: «Në këtë mënyrë gjithë Izraeli do të shpëtojë. Ashtu siç është shkruar: ‘Çlirimtari do të vijë nga Sioni dhe do të largojë nga Jakobi praktikat e paperëndishme. Dhe kjo është besëlidhja nga ana ime me ta, kur të heq mëkatet e tyre.’» (Romakëve 11:26, 27) Në të vërtetë, profecia e Isaisë ka një zbatim shumë të gjerë, i cili arrin deri në kohën tonë e më tej. Në ç’mënyrë?
18. Kur dhe si e formoi Jehovai «Izraelin e Perëndisë»?
18 Në shekullin e parë, një mbetje e vogël e kombit të Izraelit e pranoi Jezuin si Mesia. (Romakëve 9:27; 11:5) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jehovai derdhi frymën e tij të shenjtë mbi rreth 120 nga ata besimtarë dhe i bëri pjesëmarrës në besëlidhjen e tij të re të ndërmjetësuar nga Jezu Krishti. (Jeremia 31:31-33; Hebrenjve 9:15) Atë ditë u formua ‘Izraeli i Perëndisë’, një komb i ri pjesëtarët e të cilit nuk kanë si veçori prejardhjen nga Abrahami, por lindjen nga fryma e Perëndisë. (Galatasve 6:16) Duke filluar me Kornelin, kombi i ri përfshiu edhe johebrenj të parrethprerë. (Veprat 10:24-48; Zbulesa 5:9, 10) Kështu, ata u birësuan nga Perëndia Jehova dhe u bënë fëmijët e tij frymorë, bashkëtrashëgimtarë me Jezuin.—Romakëve 8:16, 17.
19. Cilën besëlidhje bën Jehovai me Izraelin e Perëndisë?
19 Tani, Jehovai bën një besëlidhje me Izraelin e Perëndisë. Lexojmë: «‘Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ta’,—ka thënë Jehovai. ‘Fryma ime që është mbi ju dhe fjalët e mia që kam vënë në gojën tuaj, nuk do të hiqen nga goja juaj ose nga goja e pasardhësve tuaj, ose nga goja e pasardhësve të pasardhësve tuaj,—ka thënë Jehovai,—që nga tani e deri në kohë të pacaktuar.’» (Isaia 59:21) Pavarësisht nga fakti nëse këto fjalë janë zbatuar ose jo për Isainë, ato, patjetër, u përmbushën në Jezuin, të cilit iu dha siguria se ‘do të shikonte pasardhësit e tij’. (Isaia 53:10, Dio) Jezui foli fjalët që kishte mësuar nga Jehovai dhe fryma e Jehovait qëndroi mbi të. (Gjoni 1:18; 7:16) Në mënyrë të përshtatshme, edhe vëllezërit e bashkëtrashëgimtarët e tij, pjesëtarë të Izraelit të Perëndisë, marrin frymën e shenjtë të Jehovait dhe predikojnë një mesazh që e kanë mësuar nga Ati i tyre qiellor. Ata janë që të gjithë persona ‘të mësuar nga Zoti’. (Isaia 54:13, Dio; Luka 12:12; Veprat 2:38) Tani, ose nëpërmjet Isaisë, ose nëpërmjet Jezuit, të cilin Isaia përfaqëson në mënyrë profetike, Jehovai premton me anë të një besëlidhjeje se nuk do t’i zëvendësojë kurrë ata, por do t’i përdorë deri në kohë të pacaktuar si dëshmitarët e tij. (Isaia 43:10) Por, cilët janë ‘pasardhësit’ e tyre që, gjithashtu, nxjerrin dobi nga kjo besëlidhje?
20. Si u përmbush në shekullin e parë premtimi që Jehovai i bëri Abrahamit?
20 Në kohët e lashta Jehovai i premtoi Abrahamit: «Tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu.» (Zanafilla 22:18, Dio) Në harmoni me këtë, mbetja e vogël e Izraelit natyror që e pranoi Mesinë shkoi në shumë kombe, duke predikuar lajmin e mirë për Krishtin. Duke filluar me Kornelin, shumë johebrenj të parrethprerë ‘u bekuan’ nëpërmjet Jezuit, Farës së Abrahamit. Ata u bënë pjesë e Izraelit të Perëndisë dhe një pjesë dytësore e farës së Abrahamit. Ata janë pjesë e ‘kombit të shenjtë’ të Jehovait, komb që ka për detyrë ‘të shpallë kudo shkëlqesitë e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’.—1 Pjetrit 2:9; Galatasve 3:7-9, 14, 26-29.
21. (a) Cilët ‘pasardhës’ ka pasur Izraeli i Perëndisë në kohët e sotme? (b) Si ngushëllohen ‘pasardhësit’ nga besëlidhja ose kontrata që Jehovai ka bërë me Izraelin e Perëndisë?
21 Sot, duket se numri i plotë i pjesëtarëve të Izraelit të Perëndisë është mbledhur. Megjithatë, kombet vazhdojnë të bekohen e, madje, në një shkallë të madhe. Si? Po ja, Izraeli i Perëndisë ka pasur ‘pasardhës’—dishepuj të Jezuit, shpresa e të cilëve është jeta e përhershme në një tokë parajsore. (Psalmi 37:11, 29) Edhe këta ‘pasardhës’ janë mësuar nga Jehovai dhe janë udhëzuar në udhët e tij. (Isaia 2:2-4) Ndonëse nuk janë të pagëzuar me frymën e shenjtë dhe nuk konsiderohen pjesëmarrës në besëlidhjen e re, ata forcohen nga fryma e shenjtë e Jehovait për të kapërcyer të gjitha pengesat që Satanai u nxjerr në veprën e tyre të predikimit. (Isaia 40:28-31) Tani ata numërojnë me miliona veta dhe ky numër vazhdon të rritet dora-dorës që edhe ata kanë pasardhësit e tyre. Besëlidhja ose kontrata e Jehovait me të mirosurit u jep këtyre «pasardhësve» siguri se Jehovai do të vazhdojë t’i përdorë edhe ata si zëdhënësit e tij deri në kohë të pacaktuar.—Zbulesa 21:3, 4, 7.
22. Ç’siguri mund të kemi te Jehovai dhe si duhet të ndikojë kjo te ne?
22 Le ta ruajmë, pra, të gjithë ne besimin te Jehovai. Ai është i gatshëm dhe në gjendje që të shpëtojë! Dora e tij nuk do të jetë kurrë e shkurtër; ai do ta çlirojë gjithmonë popullin e tij besnik. Të gjithë ata që besojnë tek ai do të vazhdojnë të kenë në mendje fjalët e tij të mira «që nga tani e deri në kohë të pacaktuar».
[Kutia në faqen 294]
Jerusalemi apostat—Një paralele e të ashtuquajturit krishterim
Jerusalemi, kryeqyteti i kombit të zgjedhur të Perëndisë, përfaqëson organizatën qiellore të Perëndisë, të përbërë nga krijesat frymore, si dhe trupin e të krishterëve të mirosur të ringjallur në qiell si nusja e Krishtit. (Galatasve 4:25, 26; Zbulesa 21:2) Megjithatë, shpesh, banorët e Jerusalemit tregoheshin jobesnikë ndaj Jehovait dhe qyteti përshkruhej si një prostitutë e si një kurorëshkelëse. (Ezekieli 16:3, 15, 30-42) Në atë gjendje, Jerusalemi siguronte një model që i shkon për shtat të ashtuquajturit krishterim apostat.
Jezui e quajti Jerusalemin «vrasës i profetëve dhe që vret me gurë ata që të janë dërguar». (Luka 13:34; Mateu 16:21) Ashtu si Jerusalemi jobesnik, i ashtuquajturi krishterim pretendon se i shërben Perëndisë së vërtetë, por shmanget shumë nga rrugët e Tij të drejta. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do ta gjykojë të ashtuquajturin krishterim në bazë të po atyre normave të drejta që përdori për të gjykuar Jerusalemin apostat.
[Figura në faqen 296]
Një gjykatës duhet të gjykojë me drejtësi, të gjejë të drejtën dhe të mos pranojë ryshfete
[Figura në faqen 298]
Si një lumë i dalë nga shtrati, gjykimet e Jehovait do të fshijnë nga faqja e dheut çdo gjë që përbën pengesë për përmbushjen e qëllimit të tij
[Figura në faqen 302]
Jehovai premton me anë të një besëlidhjeje se populli i tij nuk do ta humbasë kurrë privilegjin për të qenë dëshmitari i tij