«Jini të zjarrtë në frymë»
«Jini të papërtuar në punët tuaja. Jini të zjarrtë në frymë. Shërbejini Jehovait si skllevër.»—ROM. 12:11.
1. Pse izraelitët bënin flijime në kafshë dhe blatime të tjera?
JEHOVAI i çmon sakrificat që bëjnë me gatishmëri shërbëtorët e tij që të shprehin dashurinë për të dhe nënshtrimin ndaj vullnetit të tij. Në kohët e lashta, ai pranonte flijime të ndryshme në kafshë dhe blatime të tjera. Izraelitët i bënin këto në përputhje me Ligjin e Moisiut, për të kërkuar faljen e mëkateve dhe për të falënderuar Perëndinë. Në kongregacionin e krishterë, Jehovai nuk kërkon të paraqitim flijime të tilla materiale e formale. Megjithatë, në kapitullin e 12-të të letrës drejtuar të krishterëve në Romë, apostulli Pavël tregon se prapëseprapë nga ne pritet të paraqitim flijime. Le të shohim se në ç’kuptim.
Një flijim i gjallë
2. (a) Ç’lloj jete bëjmë si të krishterë? (b) Çfarë përfshin kjo?
2 Lexo Romakëve 12:1, 2. Në pjesën e parë të letrës së tij, Pavli tregoi qartë se të krishterët e mirosur, qoftë judenj, qoftë johebrenj, ishin shpallur të drejtë para Perëndisë falë besimit, e jo falë veprave. (Rom. 1:16; 3:20-24) Në kapitullin e 12-të, Pavli shpjegon se të krishterët duhet ta tregojnë mirënjohjen e tyre duke bërë një jetë vetësakrifikuese. Për ta bërë këtë, duhet të përtërijmë mendjen tonë. Nëpërmjet papërsosmërisë së trashëguar i jemi nënshtruar ‘ligjit të mëkatit dhe të vdekjes’. (Rom. 8:2) Prandaj, kemi nevojë të shndërrohemi, ‘të rinohemi në forcën që vë në veprim mendjen tonë’, duke ndryshuar rrënjësisht prirjet tona. (Efes. 4:23) Një ndryshim i tillë i plotë mund të bëhet vetëm me ndihmën e Perëndisë dhe të frymës së tij. Gjithashtu, kërkohen përpjekje serioze nga ne, duke përdorur ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’. Kjo do të thotë të bëjmë çmos që të mos ‘brumosemi sipas kësaj bote’, me normat e saj morale të korruptuara, zbavitjet e degjeneruara dhe mënyrën e fëlliqur të të menduarit.—Efes. 2:1-3.
3. Pse marrim pjesë në aktivitetet e krishtere?
3 Gjithashtu, Pavli na fton të përdorim ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’ që të vërtetojmë se cili është «vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë». Pse lexojmë Biblën çdo ditë, meditojmë për atë që lexojmë, lutemi, ndjekim mbledhjet e krishtere dhe marrim pjesë në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë? A i bëjmë këto ngaqë na nxitin pleqtë e kongregacionit? Natyrisht, jemi mirënjohës për përkujtuesit e dobishëm të pleqve. Por, i bëjmë këto gjëra sepse nxitemi nga fryma e Perëndisë të tregojmë dashurinë tonë të përzemërt për Jehovain. Gjithashtu, jemi të bindur se ky është vullneti i Tij për ne. (Zak. 4:6; Efes. 5:10) Provojmë shumë gëzim e kënaqësi kur kuptojmë se, duke jetuar si të krishterë të vërtetë, mund të jemi të pranuar nga Perëndia.
Dhurata të ndryshme
4, 5. Si duhet t’i përdorin dhuratat pleqtë e krishterë?
4 Lexo Romakëve 12:6-8, 11. Pavli shpjegon se «kemi dhurata që ndryshojnë sipas dashamirësisë së pamerituar që na është dhënë». Disa nga dhuratat që përmend Pavli—nxitja dhe drejtimi—lidhen sidomos me pleqtë e krishterë, të cilët këshillohen të drejtojnë «me shumë përkujdesje».
5 Pavli thotë se e njëjta përkujdesje duhet të shihet në mënyrën se si mbikëqyrësit shërbejnë si mësues dhe përmbushin ‘shërbimin’. Sipas kontekstit, me sa duket këtu Pavli e ka fjalën për ‘shërbimin’ që kryhet brenda kongregacionit ose ‘trupit’. (Rom. 12:4, 5) Ky shërbim është i ngjashëm me ‘mësimin e fjalës së Perëndisë’ që përmendet te Veprat 6:4, ku apostujt deklarojnë: «Ne do t’i kushtohemi lutjes dhe mësimit të fjalës së Perëndisë.» Çfarë do të thotë kjo? Pleqtë e krishterë i përdorin dhuratat e tyre për të ndërtuar pjesëtarët e kongregacionit. Tregojnë se ‘jepen pas këtij shërbimi’ kur me përkujdesje i sigurojnë kongregacionit drejtim dhe udhëzime nga Fjala e Perëndisë nëpërmjet studimit të kujdesshëm, kërkimeve dhe veprës baritore. Mbikëqyrësit duhet t’i përdorin në mënyrë të ndërgjegjshme dhuratat e tyre dhe të kujdesen për delet «me gëzim».—Rom. 12:7, 8; 1 Pjet. 5:1-3.
6. Si mund të ndjekim këshillën e dhënë te Romakëve 12:11, që është shkrimi kryesor i këtij artikulli?
6 Pavli thotë më tej: «Jini të papërtuar në punët tuaja. Jini të zjarrtë në frymë. Shërbejini Jehovait si skllevër.» Nëse vërejmë se kemi prirjen të jemi të plogësht në shërbim, mund të na duhet të rishikojmë zakonet e studimit dhe të lutemi më me zjarr e më shpesh për frymën e Jehovait. Ajo mund të na ndihmojë të luftojmë çdo gjendje të vakët e të përtërijmë zellin. (Luka 11:9, 13; Zbul. 2:4; 3:14, 15, 19) Fryma e shenjtë i fuqizoi të krishterët e hershëm që të flitnin për «gjërat madhështore të Perëndisë». (Vep. 2:4, 11) Po kështu, ajo mund të na nxitë edhe ne që të jemi të zellshëm në shërbim, ‘të jemi të zjarrtë në frymë’.
Përulësi dhe modesti
7. Pse duhet të shërbejmë me përulësi dhe modesti?
7 Lexo Romakëve 12:3, 16. Dhuratat që mund të kemi janë falë «dashamirësisë së pamerituar» të Jehovait. Pavli thotë në një letër tjetër: «Kualifikimi ynë siç duhet vjen nga Perëndia.» (2 Kor. 3:5) Prandaj, nuk duhet t’i japim lavdi vetes. Duhet të pranojmë me përulësi se çdo rezultat që mund të kemi, është falë bekimit të Jehovait, e jo falë aftësive tona. (1 Kor. 3:6, 7) Në përputhje me këtë, Pavli thotë: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë.» Është e nevojshme që të kemi respekt për veten dhe të gjejmë kënaqësi në shërbimin për Mbretërinë. Megjithatë, nëse jemi modestë, pra të vetëdijshëm për kufizimet tona, nuk do të ngulim këmbë tek e jona. Përkundrazi, ‘do të mendojmë në atë mënyrë që të kemi një mendje të shëndoshë’.
8. Ç’mund të bëjmë që ‘të mos e mbajmë veten për të matur’?
8 Do të ishte marrëzi të mburreshim për arritjet tona. Në Bibël thuhet se është ‘Perëndia që rrit’. (1 Kor. 3:7) Pavli thotë se Perëndia i ka ndarë çdo pjesëtari të kongregacionit ‘një masë besimi [aftësi, ECM]’. Në vend që të ndihemi më të lartë se të tjerët, duhet të pranojmë atë që po arrijnë ata sipas aftësive që kanë. Më tej, Pavli shkruan: «Mendoni për të tjerët njësoj si për veten tuaj.» Në një letër tjetër, apostulli thotë që të mos bëjmë «asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten». (Filip. 2:3) Duhet përulësi e vërtetë, si dhe përpjekje të ndërgjegjshme për të pranuar që secili nga vëllezërit dhe motrat tona është më lart se ne në një mënyrë a në një tjetër. Përulësia nuk do të lejojë ‘ta mbajmë veten për të matur’. Edhe pse përgjegjësitë e veçanta mund të tërheqin vëmendjen te disa prej nesh, të gjithë do të provojmë gëzim të madh duke kryer «gjërat e thjeshta», punët e përulura që shpesh nuk vihen re nga njerëzit.—1 Pjet. 5:5.
Uniteti ynë i krishterë
9. Pse Pavli i krahason të krishterët e lindur nga fryma me gjymtyrët e trupit?
9 Lexo Romakëve 12:4, 5, 9, 10. Pavli i krahason të krishterët e mirosur me gjymtyrët e një trupi, të cilët shërbejnë në unitet nën Kreun e tyre, Krishtin. (Kolos. 1:18) Ai u kujton të krishterëve të lindur nga fryma se trupi ka shumë gjymtyrë që kryejnë funksione të ndryshme dhe ata, ‘ndonëse shumë, janë një trup në unitet me Krishtin’. Në mënyrë të ngjashme, Pavli i nxiti të krishterët e mirosur në Efes: «Le të rritemi me anë të dashurisë në të gjitha gjërat, në përputhje me atë që është kreu, Krishti. Nga ai, i gjithë trupi, i lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme dhe i bërë për të bashkëvepruar me anë të të gjitha nyjave që japin atë që është e nevojshme, sipas funksionimit në masën e duhur të çdo gjymtyre përkatëse, vepron për rritjen e trupit, për ndërtimin e vetvetes në dashuri.»—Efes. 4:15, 16.
10. Ç’autoritet duhet të pranojnë ‘delet e tjera’?
10 Megjithëse ‘delet e tjera’ nuk janë pjesë e trupit të përbërë të Krishtit, mund të mësojnë shumë nga ky ilustrim. (Gjoni 10:16) Pavli thotë se Jehovai «i nënshtroi të gjitha gjërat nën këmbët e [Krishtit] dhe e bëri atë krye mbi gjithçka, për të mirën e kongregacionit». (Efes. 1:22) Sot, delet e tjera janë pjesë e ‘të gjitha gjërave’ që Jehovai ka vënë nën kryesinë e Birit të tij. Gjithashtu, janë ndër «zotërimet» që Krishti i ka besuar ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45-47) Prandaj, ata me shpresë tokësore duhet të pranojnë Krishtin si Kreun e tyre dhe të jenë të nënshtruar ndaj skllavit të besueshëm e të matur e Trupit të tij Udhëheqës, si edhe ndaj burrave që janë emëruar si mbikëqyrës në kongregacion. (Hebr. 13:7, 17) Kjo ndihmon unitetin e krishterë.
11. (a) Ku bazohet uniteti ynë? (b) Ç’këshilla të tjera dha Pavli?
11 Ky unitet bazohet te dashuria, e cila është «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolos. 3:14) Te kapitulli i 12-të i Romakëve, Pavli e thekson këtë kur thotë se dashuria jonë duhet të jetë «pa hipokrizi» dhe se duhet ‘të kemi për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore’. Si rezultat do të kemi respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Apostulli thotë: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» Natyrisht, nuk duhet ta ngatërrojmë dashurinë me sentimentalizmin. Duhet të bëjmë çmos për ta mbajtur kongregacionin të pastër. Kur jep këshillat për dashurinë, Pavli shton: «Urreni thellësisht atë që është e ligë, kapuni fort pas asaj që është e mirë.»
Udha e mikpritjes
12. Ç’mund të mësojmë nga të krishterët në Maqedoninë e lashtë për mikpritjen?
12 Lexo Romakëve 12:13. Dashuria për vëllezërit do të na nxitë ‘të ndajmë me të shenjtët sipas nevojave të tyre’ dhe sipas mundësive tona. Edhe nëse kemi pak nga të mirat e kësaj bote, mund të ndajmë me të tjerët atë çka kemi. Duke shkruar për të krishterët në Maqedoni, Pavli tha: «Edhe pse ishin të munduar nga një sprovë e rëndë, ata shfaqën një gëzim dhe një bujari të madhe, pavarësisht nga varfëria e tyre e thellë. Sepse sipas mundësive të tyre reale, madje, unë dëshmoj se kjo ishte përtej mundësive të tyre reale, ata nisën të na luteshin e të na përgjëroheshin me dëshirën e vet, që të kishin privilegjin të jepnin me dashamirësi një dhuratë për të shenjtët [në Jude].» (2 Kor. 8:2-4) Ndonëse vetë ishin të varfër, të krishterët në Maqedoni ishin shumë bujarë. E konsideronin privilegj të ndanin me vëllezërit nevojtarë në Jude atë çka kishin.
13. Çfarë do të thotë ‘të ndjekim udhën e mikpritjes’?
13 Fraza «ndiqni udhën e mikpritjes» është përkthimi i një shprehjeje greke që nënkupton marrjen e iniciativës. Një version e përkthen kështu këtë shprehje: «Kërkoni raste për të qenë mikpritës.» (The New Jerusalem Bible) Ndonjëherë mikpritja tregohet duke ftuar dikë për një vakt, dhe kur kjo bëhet nga dashuria, është për t’u lavdëruar. Por, nëse marrim iniciativën, do të zbulojmë edhe shumë mënyra të tjera për të qenë mikpritës. Për shembull, nëse nuk kemi mundësi ekonomike ose nuk jemi fizikisht në gjendje që të ftojmë të tjerë për të ngrënë një vakt, mund të tregojmë mikpritje edhe thjesht duke ofruar një filxhan kafe, çaji ose ndonjë pije tjetër.
14. (a) Nga cilat fjalë përbëhet termi grek i përkthyer «mikpritje»? (b) Si mund të tregojmë në shërbim interesimin tonë për të huajt?
14 Mikpritja ka lidhje me mënyrën si i shohim të tjerët. Fjala greke e përkthyer «mikpritje» përbëhet nga dy fjalë që kanë kuptimin «dashuri» dhe «i huaj». Ç’qëndrim kemi ndaj të huajve? Për të krishterët që po përpiqen të mësojnë një gjuhë tjetër për t’u predikuar lajmin e mirë të huajve në territorin e kongregacionit të tyre, mund të thuhet vërtet se po ndjekin udhën e mikpritjes. Sigurisht, shumë prej nesh nuk kanë mundësi të mësojnë një gjuhë tjetër. Megjithatë, të gjithë ne mund t’i ndihmojmë të huajt duke përdorur mirë broshurën Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve, e cila përmban një mesazh biblik në shumë gjuhë. A keni pasur rezultate të mira duke përdorur këtë broshurë në shërbim?
Ndjenja të përbashkëta
15. Si e ilustroi Jezui me shembullin e tij këshillën e dhënë te Romakëve 12:15?
15 Lexo Romakëve 12:15. Këshilla e Pavlit në këtë varg mund të përmblidhet me dy fjalë: të tregojmë empati. Duhet të mësojmë të kuptojmë e madje të ndiejmë atë që ndien tjetri, qoftë gëzim, qoftë trishtim. Nëse jemi të zjarrtë në frymë, ndjenjat tona të përbashkëta të gëzimit ose të dhembshurisë do të jenë të dukshme. Kur 70 dishepujt e Krishtit u kthyen me gëzim nga një fushatë predikimi dhe i treguan rezultatet e mira që kishin pasur, Jezui «u mbush me gëzim e me frymë të shenjtë». (Luka 10:17-21) Ai u gëzua bashkë me ta. Nga ana tjetër, Jezui ‘qau me ata që po qanin’ kur kishte vdekur miku i tij, Lazari.—Gjoni 11:32-35.
16. (a) Si mund të tregojmë ndjenja të përbashkëta? (b) Cilët në veçanti është mirë të veprojnë kështu?
16 Duhet të ndjekim shembullin e Jezuit për të treguar empati. Kur një i krishterë gëzon, të gëzojmë me të. Po kështu, duhet të jemi të ndjeshëm ndaj dhembjeve e brengave të vëllezërve dhe motrave. Shpesh, mund t’i ngushëllojmë shumë bashkëbesimtarët që po vuajnë emocionalisht nëse lëmë kohë për t’i dëgjuar me empati. Dhe, ndonjëherë mund të ndodhë që të prekemi kaq shumë në zemër, sa ta shprehim me lot empatinë tonë të sinqertë. (1 Pjet. 1:22) Pleqtë, në veçanti, duhet të ndjekin këshillën që jep Pavli për të treguar empati.
17. (a) Çfarë kemi mësuar deri tani nga kapitulli i 12-të i Romakëve? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
17 Nga vargjet që kemi shqyrtuar deri tani në kapitullin e 12-të të Romakëve, kemi marrë këshilla që mund të zbatohen për jetën tonë si të krishterë dhe për marrëdhënien tonë me njëri-tjetrin. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë vargjet e tjera të këtij kapitulli, të cilat tregojnë se si duhet t’i shohim e të sillemi me njerëzit jashtë kongregacionit të krishterë, përfshirë edhe kundërshtarët e përndjekësit.
Pyetje për rishikim
• Si tregojmë se jemi «të zjarrtë në frymë»?
• Pse duhet t’i shërbejmë Perëndisë me përulësi dhe modesti?
• Në cilat mënyra mund të tregojmë empati dhe dhembshuri ndaj bashkëbesimtarëve?
[Figurat në faqen 4]
Pse i bëjmë këto gjëra?
[Figura në faqen 6]
Si mund t’i ndihmojmë të huajt që të mësojnë për Mbretërinë?