Ata bënë vullnetin e Jehovait
Një grua e matur largon shkatërrimin
NJË grua e arsyeshme, e martuar me një burrë që s’vlente një hiç. Kjo ishte situata e Abigailës dhe e Nabalit. Abigaila ishte «e mirë në maturi dhe e bukur në formë». Në kontrast me të, Nabali ishte «i ashpër dhe i keq në praktikat e tij». (1. Samuelit 25:3, BR) Situata që u shpalos, duke përfshirë këtë çift që s’përputhej me njëri-tjetrin, i la emrat e tyre të skalitur në mënyrë të pashlyeshme në historinë biblike. Le të shohim se si.
Një favor i nënvlerësuar
Ishte shekulli i 11-të p.e.s. Davidi ishte mirosur si mbret i ardhshëm i Izraelit, por në vend se të sundonte, ai ishte duke vrapuar me sa i hanin këmbët. Mbreti që mbretëronte, Sauli, ishte i vendosur që t’i merrte jetën. Si rezultat, Davidi ishte i detyruar që të jetonte si një ikanak. Ai dhe rreth 600 shokë të tij gjetën përfundimisht strehim në shkretëtirën e Paranit, në jug të Judës dhe drejt shkretëtirës së Sinait.—1. Samuelit 23:13; 25:1.
Ndërsa ishin atje, ata u takuan me barinjtë e punësuar tek një njeri i quajtur Nabal. Ky pasardhës i pasur i Kalebit zotëronte 3.000 dele e 1.000 dhi dhe i qethte delet e tij në Karmel, një qytet në jug të Hebronit e ndoshta vetëm rreth 40 km larg nga Parani.a Davidi dhe burrat e tij i ndihmuan barinjtë e Nabalit të ruanin kopetë e tyre nga hajdutët, që endeshin nëpër shkretëtirë.—1. Samuelit 25:14-16.
Ndërkaq, në Karmel kishte filluar qethja. Ky ishte një rast festiv, ngjashëm me kohën e korrjeve për bujkun. Ishte, gjithashtu, një kohë bujarie dorëgjerë, kur pronarët e deleve shpërblenin ata që kishin punuar për ta. Prandaj, Davidi nuk u tregua i pacipë, kur dërgoi dhjetë burra në qytetin e Karmelit për t’i kërkuar Nabalit ushqim si shpërblim për shërbimin që u kishin bërë kopeve të tij.—1. Samuelit 25:4-9.
Përgjigjja e Nabalit nuk ishte aspak bujare. «Kush është Davidi»,—u ngërdhesh ai. Atëherë, duke lënë të kuptohet se Davidi dhe burrat e tij nuk ishin gjë tjetër veçse shërbëtorë të arratisur, ai pyeti: «A duhet të marr bukën time, ujin tim dhe mishin tim copa-copa që e kam therur për qethësit e mi dhe t’ua jap atë njerëzve, për të cilët nuk di as se nga janë?» Kur dëgjoi për këtë, Davidi u tha burrave të tij: «Ngjishni secili shpatën e tij!» Afër 400 burra u gatitën për betejë.—1. Samuelit 25:10-13, BR.
Maturia e Abigailës
Fjalët abuzive të Nabalit arritën në vëmendjen e Abigailës, gruas së tij. Ndoshta, nuk ishte kjo hera e parë që asaj i ishte dashur të ndërhynte dhe të vepronte si pajtuese për Nabalin. Megjithatë, Abigaila veproi pa humbur kohë. Pa i thënë gjë Nabalit, ajo mblodhi furnizime, duke përfshirë pesë dele e ushqim me bollëk dhe vajti për të takuar Davidin në shkretëtirë.—1. Samuelit 25:18-20.
Kur Abigailës i zunë sytë Davidin, ajo ra menjëherë përmbys përpara tij. «Mos e ktheftë zotëria im zemrën e tij mbi Nabalin, këtë njëri që s’vlen një hiç»,—i lutej ajo atij. «Sa për këtë dhuratë bekimi që shërbëtorja jote i ka sjellë zotërisë tim, duhet t’u jepet të rinjve që ecin në gjurmët e zotërisë tim.» Ajo shtoi: «Kjo [situata në lidhje me Nabalin] mos u bëftë për ty një shkak lëkundjeje apo një gur pengese në zemrën e zotërisë tim.» Fjala hebraike e përkthyer këtu «lëkundje» nënkupton brejtje ndërgjegjeje. Në këtë mënyrë, Abigaila paralajmëroi Davidin kundër ndërmarrjes së një veprimi të nxituar, për të cilin më vonë do t’i vinte keq.—1. Samuelit 25:23-31, BR.
Davidi e dëgjoi Abigailën. «E bekuar qoftë arsyeja jote dhe e bekuar qofsh ti që më përmbajte këtë ditë të hyja në faj gjaku»,—i tha ai asaj. «Po të mos kishe nxituar për të më takuar, Nabalit me siguri nuk do t’i kishte mbetur askush që urinon pas murit deri në dritën e mëngjesit.»b—1. Samuelit 25:32-34, BR.
Mësime për ne
Ky tregim biblik tregon se nuk është aspak e gabuar që një grua e perëndishme të marrë iniciativën e përshtatshme, nëse është e nevojshme. Abigaila veproi kundër dëshirave të burrit të saj, Nabalit, por Bibla nuk e gjykon atë për këtë. Përkundrazi, ajo e lavdëron atë si një grua të matur dhe të arsyeshme. Duke marrë iniciativën në këtë situatë kritike, Abigaila shpëtoi shumë jetë.
Megjithëse në përgjithësi një grua duhet të shfaqë një frymë nënshtrimi hyjnor, ajo mund të mos pajtohet siç duhet me të shoqin, kur parimet e drejta janë në rrezik. Natyrisht, ajo duhet të përpiqet për të mbajtur një «frymë të qetë e të butë» dhe nuk duhet të veprojë në mënyrë të pavarur thjesht nga inati, krenaria apo qëndrimi rebel. (1. Pjetrit 3:4, BR) Megjithatë, një grua e perëndishme nuk duhet të ndihet e shtypur për të bërë gjithçka që ajo e di se është shumë e pamençur apo që dhunon parimet biblike. Vërtet, tregimi i Abigailës ofron një argument bindës, kundër atyre që këmbëngulin se Bibla i përshkruan gratë thjesht si skllave.
Ky tregim na mëson, gjithashtu, për vetëkontrollin. Nganjëherë, Davidi e ka shfaqur në mënyrë të plotë këtë cilësi. Për shembull, ai nuk pranoi t’i merrte jetën mbretit hakmarrës, Saulit, ndonëse kishte mjaft mundësi për ta bërë këtë dhe vdekja e Saulit do të kishte sjellë paqen për Davidin. (1. Samuelit 24:2-7) Në kontrast me të, kur Nabali e përbuzi atë me përçmim duke e fyer, Davidi u gjet i papërgatitur dhe u betua se do të hakmerrej. Ky është një paralajmërim i qartë për të krishterët, të cilët përpiqen «të mos ia kthejnë të keqen me të keqe askujt». Në të gjitha rrethanat, ata duhet të ndjekin këshillën e Pavlit: «Nëse është e mundur, aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni, o të dashur, por bëjini vend zemërimit.»—Romakëve 12:17-19, BR.
[Shënimet]
a Mendohet se shkretëtira e Paranit shtrihej në veri deri në Beer-Sheba. Kjo pjesë toke përfshinte kullota të konsiderueshme.
b Fraza «askush që urinon pas murit» ishte një idiomë hebraike për meshkujt, me sa duket një shprehje përçmimi.—Krahaso 1. Mbretërve 14:10.
[Figura në faqen 15]
Abigaila i sjell dhurata Davidit