«Atij që ju kërkon taksa, paguajini taksat»
«NË KËTË botë asgjë nuk është e sigurt, përveç vdekjes dhe taksave.» Kështu tha një burrë shteti dhe shpikës amerikan i shekullit të 18-të, Benjamin Franklin. Fjalët e tij të cituara shpesh, të bëjnë të mendosh jo vetëm për pashmangshmërinë e taksave, por edhe për tmerrin që ato ngjallin. Për shumë njerëz, pagimi i taksave është pak a shumë sikur të vdesësh.
Sado i pakëndshëm të jetë pagimi i taksave, ai është një detyrim që të krishterët e sinqertë e marrin shumë seriozisht. Apostulli Pavël i shkroi kongregacionit të krishterë në Romë: «I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim.» (Romakëve 13:7) Edhe Jezu Krishti iu referua veçanërisht taksave kur tha: «I jepni Çezarit atë që është e Çezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.»—Marku 12:14, 17.
Jehovai ka lejuar ekzistencën e «autoriteteve më të larta» qeveritare dhe kërkon që shërbëtorët e tij të jenë relativisht të nënshtruar ndaj tyre. Përse atëherë Perëndia këmbëngul që adhuruesit e tij të paguajnë taksat? Pavli përmendi tri arsye themelore: (1) «zemërimin» e «autoriteteve më të larta» në ndëshkimin e atyre që thyejnë ligjin; (2) ndërgjegjen e krishterë, e cila nuk do të jetë e pastër nëse mashtron në pagimin e taksave; (3) nevojën për t’i paguar këta «shërbëtorë publikë» për sigurimin e shërbimeve dhe për mbajtjen e njëfarë rregulli. (Romakëve 13:1-7) Shumë njerëzve nuk u pëlqen të paguajnë taksat. Pa dyshim, që as të jetonin në një vend pa forcat e rendit apo mbrojtjen nga zjarri, pa mirëmbajtjen e rrugëve, pa shkolla dhe pa shërbim postar nuk do t’u pëlqente. Juristi amerikan Oliver Wendell Holmes njëherë tha: «Taksat janë ato që paguajmë për shoqërinë e civilizuar.»
Pagimi i taksave nuk është aspak diçka e re për shërbëtorët e Perëndisë. Banorët e Izraelit të lashtë paguanin një formë takse për të mbajtur mbretërit e tyre si dhe disa nga ata sundimtarë që e ngarkonin me barra të rënda popullin përmes taksave të paarsyeshme. Hebrenjtë paguanin haraçe dhe taksa edhe për fuqitë e huaja që sundonin mbi ta, si Egjipti, Persia dhe Roma. Prandaj, të krishterët në ditët e Pavlit e dinin mirë se ku e kishte fjalën ai, kur përmendi pagimin e taksave. Ata e dinin se sido që të ishin taksat, të arsyeshme apo jo dhe pavarësisht se si i harxhonte qeveria ato para, ata duhej të paguanin çdo lloj takse që u kërkohej. E njëjta gjë vlen edhe për të krishterët sot. Por, cilat parime mund të na drejtojnë në pagimin e taksave në këtë kohë të ndërlikuar?
Pesë parime drejtuese
Ji i rregullt. Ne i shërbejmë dhe imitojmë Jehovain, i cili është «një Perëndi jo i çrregullit, por i paqes». (1. Korintasve 14:33, BR; Efesianëve 5:1) Të qenët i rregullt, është themelore kur bëhet fjalë për pagimin e taksave. A i ke të plota, të sakta dhe të rregullta dokumentet? Zakonisht nuk nevojitet një sistem i kushtueshëm arkivimi. Mund të mbash një dosje me etiketë për çdo lloj regjistrimi (si dëftesa pagese ku janë shënuar harxhimet e ndryshme). Mjafton t’i gruposh ato në një dosje më të madhe për çdo vit. Në shumë vende është e nevojshme që këto dokumente të mbahen për disa vjet me radhë, për raste kur qeveria vendos të kontrollojë regjistrimet e kaluara. Prandaj, mos hidh asgjë, derisa të jesh i sigurt se nuk nevojiten më.
Ji i ndershëm. Pavli shkroi: «Lutuni për ne, sepse ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë duke dashur të sillemi mirë në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Dëshira e sinqertë për të qenë të ndershëm, duhet të drejtojë çdo vendim që merr kur paguan taksat. Së pari, shqyrto të ardhurat që i duhen raportuar qeverisë. Në shumë vende, të ardhurat shtesë nga bakshishet, puna e tepërt dhe shitjet janë objekt tatimi, për aq sa e kalojnë sasinë e caktuar. Një i krishterë me «ndërgjegje të ndershme» informohet se çfarë lloji dhe sasie të ardhurash është i detyruar të paguajë si taksa aty ku jeton dhe paguan shumën e duhur të taksave.
Së dyti, është edhe çështja e zbritjes. Zakonisht, qeveritë lejojnë që paguesit e taksave të zbresin njëfarë shpenzimi nga të ardhurat e tyre për taksat. Në këtë botë të pandershme, shumë njerëz nuk shohin asgjë të keqe në të qenët «krijues», për të përdorur fantazinë kur raportojnë këto zbritje. Një burrë në Shtetet e Bashkuara, i bleu të shoqes një peliçe të kushtueshme dhe e vari në zyrën e tij për një ditë të tërë, që të mund t’ia zbriste çmimin si një lloj «dekorimi» për vendin e punës! Një tjetër, u mundua t’i zbriste çmimet e dasmës së vajzës, duke i përfshirë në shpenzimet e firmës. Ndërsa një tjetër akoma, u përpoq të zbriste shpenzimet që do të bënte për të marrë me vete të shoqen në Lindjen e Largët për disa muaj, kur në fakt ajo ishte me të thjesht për shoqëri dhe për t’u argëtuar. Duket se raste të tilla nuk kanë fund. Me pak fjalë, të zbresësh si harxhime në punë gjëra që në fakt nuk janë të tilla, është një lloj gënjeshtre, diçka që Perëndia ynë, Jehovai, e urren plotësisht.—Proverbat 6:16-19.
Ji i kujdesshëm. Jezui i nxiti ithtarët e tij të ishin «të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe të pafajshëm si pëllumbat». (Mateu 10:16, BR) Kjo këshillë vlen edhe në fushën e pagimit të taksave. Veçanërisht në vendet e zhvilluara, në këto ditë gjithnjë e më shumë njerëz paguajnë një firmë llogaritjeje ose ndonjë profesionist për të përcaktuar sasinë e taksave që duhet të paguajnë. Kështu, ata thjesht firmosin modularët dhe dërgojnë çekun. Ky do të ishte një rast i mirë për të vërejtur paralajmërimin që gjendet tek Proverbat 14:15: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.»
Shumë taksapagues kanë pasur telashe me qeverinë, sepse ‘i kanë besuar çdo fjale’ të llogaritarëve të paskrupullt apo pa përvojë. Është shumë më mirë të jemi mendjemprehtë! Ji i kujdesshëm dhe lexo me vëmendje çdo dokument para se ta firmosësh. Nëse ndonjë regjistrim, mangësi apo zbritje nuk e ke të qartë, kërko shpjegime—nëse është e nevojshme edhe disa herë—derisa të bindesh se çështja është e ndershme dhe ligjore. Është e vërtetë se në shumë vende ligjet mbi taksat janë bërë jashtëzakonisht të komplikuara, por aq sa është e mundur, është e mençur të dimë gjithçka mbi atë që firmosim. Në disa raste, ndoshta një shok i krishterë, ekspert në fushën e taksave, mund të të ndihmojë të kuptosh se si qëndrojnë çështjet. Një plak i krishterë, i cili si avokat interesohet mbi çështjet fiskale tha me pak fjalë: «Nëse llogaria të parashtron diçka që duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë, ka mundësi që ashtu të jetë!»
Ji përgjegjës. «Secili do të mbajë barrën e vet»,—shkroi apostulli Pavël. (Galatasve 6:5) Kur bëhet fjalë për të paguar taksa, çdo i krishterë duhet të marrë përgjegjësinë për të qenë i ndershëm dhe për t’iu përmbajtur ligjit. Nuk është një çështje, në të cilën pleqtë e kongregacionit mbikëqyrin kopenë që është nën kujdesin e tyre. (Krahaso 2. Korintasve 1:24.) Ata përfshihen në çështjet lidhur me taksat, vetëm në qoftë se informohen për ndonjë rast të rëndë shkeljeje, që ndoshta ka krijuar skandal në zonë. Në përgjithësi, është një fushë në të cilën individi i krishterë ka përgjegjësinë për ta përdorur ndërgjegjen e stërvitur në mënyrë të përshtashme në zbatimin e parimeve nga Shkrimet. (Hebrenjve 5:14) Kjo përfshin të qenët të vetëdijshëm se firmosja e një dokumenti fiskal—pavarësisht se nga kush është përpiluar—mund të përbëjë fare mirë një deklaratë ligjore se e ke lexuar dokumentin dhe beson që përmbajtja është e vërtetë.a
Ji i paqortueshëm. Për të përmbushur detyrën e tyre, mbikëqyrësit e krishterë duhet të jenë «të paqortueshëm». Ngjashëm, i gjithë kongregacioni duhet të jetë i paqortueshëm në sy të Perëndisë. (1. Timoteut 3:2, BR; krahaso Efesianëve 5:27.) Prandaj, ata përpiqen të kenë një reputacion të mirë në zonë, edhe kur bëhet fjalë për pagimin e taksave. Jezu Krishti vetë dha një shembull lidhur me këtë. Dishepullin e tij, Pjetrin, e pyetën nëse Jezui i paguante apo jo taksat në tempull, që ishte një shumë e vogël prej dy dhrahmish. Në të vërtetë, Jezui bënte përjashtim nga kjo taksë, pasi tempulli ishte shtëpia e Atit të tij dhe asnjë mbret nuk i vë taksa birit të vet. Kështu tha Jezui, por prapëseprapë e pagoi taksën. Në fakt, ai bëri edhe një mrekulli për të formuar paratë e nevojshme! Përse të paguante një taksë nga e cila me të drejtë ishte përjashtuar? Siç tha vetë Jezui, për «të mos i skandalizuar».—Mateu 17:24-27.b
Kini një reputacion që e nderon Perëndinë
Ngjashëm, Dëshmitarët e Jehovait sot kujdesen për të mos penguar të tjerët. Nuk është për t’u habitur, pra, se si grup, ata gëzojnë një reputacion të mirë në mbarë botën si të ndershëm dhe qytetarë që i paguajnë taksat. Për shembull, gazeta spanjolle, El Diario Vasco, duke folur mbi përhapjen e dredhimit të pagimit të taksave në Spanjë, shkroi: «Bëjnë përjashtim vetëm Dëshmitarët e Jehovait. Kur blejnë apo shesin, vlera e [pronës] që paraqesin është absolutisht e vërtetë.» Ngjashëm, disa vjet më parë gazeta e Sh.B. San Francisco Examiner, shënoi: «Mund të merrni [Dëshmitarët e Jehovait] si qytetarë shembullorë. Ata i paguajnë taksat me kujdes, kurojnë të sëmurët, luftojnë analfabetizmin.»
Asnjë i krishterë i vërtetë nuk do të bënte diçka që do të mund të rrënonte këtë reputacion të fituar me shumë mundim. Nëse do të të duhej të zgjidhje, a do të rrezikoje të njiheshe si dredharak në pagimin e taksave vetëm për të kursyer paratë? Jo. Me siguri do të preferoje më mirë të humbje paratë, sesa të fëlliqje emrin e mirë dhe të krijoje përshtypje të pafavorshme mbi vlerat dhe adhurimin e Jehovait.
Është e vërtetë se mbajtja e një reputacioni si njerëz të drejtë dhe të ndershëm, mund të të kushtojë paratë ndonjëherë. Siç vërejti filozofi i lashtë grek, Platoni, 24 shekuj më parë, «kur ka haraçe për të paguar, për të njëjtën shumë të ardhurash njeriu i drejtë do të paguajë më shumë, kurse njeriu i padrejtë do të paguajë më pak.» Do të kishte shtuar se njeriu i drejtë nuk pendohet kurrë se ka paguar një çmim për të qenë i drejtë. Ky çmim ia vlen vetëm për të pasur një reputacion të tillë. Kjo patjetër vlen edhe për të krishterët e vërtetë. Reputacioni i tyre i mirë është i çmuar për ta, sepse ai nderon Atin e tyre qiellor dhe mund t’i ndihmojë të tërheqin të tjerët drejt mënyrës së tyre të jetës dhe drejt Perëndisë së tyre, Jehovait.—Proverbat 11:30; 1. Pjetrit 3:1.
Megjithatë, para së gjithash të krishterët e vërtetë vlerësojnë marrëdhënien e tyre me Jehovain. Perëndia sheh çdo gjë që ata bëjnë, ndërsa ata nga ana e tyre dëshirojnë t’i pëlqejnë atij. (Hebrenjve 4:13) Prandaj, hedhin poshtë tundimin për t’u munduar që të mashtrojnë qeverinë. Ata kuptojnë se Perëndia kënaqet me sjelljen e ndershme dhe të drejtë. (Psalmi 15:1-3) Dhe meqenëse ata duan të gëzojnë zemrën e Jehovait, i paguajnë të gjitha taksat që u kërkohen.—Proverbat 27:11; Romakëve 13:7.
[Shënimet]
a Kjo mund të jetë një sfidë për të krishterët që paraqesin një deklaratë të përbashkët me një bashkëshort jobesimtar. Bashkëshortja e krishterë duhet të bëjë një përpjekje të vetëdijshme për të ekuilibruar parimin e autoritetit me nevojën për t’iu bindur ligjeve të Çesarit mbi taksat. Megjithatë, ajo duhet të jetë e ndërgjegjshme për pasojat e mundshme ligjore të firmosjes me vetëdije të një dokumenti të falsifikuar.—Krahaso Romakëve 13:1; 1. Korintasve 11:3.
b Është interesante të vërejmë se vetëm Ungjilli i Mateut tregon këtë episod të jetës tokësore të Jezuit. Si ish-mbledhës taksash, Mateu u mahnit nga qëndrimi i Jezuit lidhur me këtë çështje.