Çfarë do të japësh për të fituar jetën e përhershme?
«Çfarë do të japë një njeri në këmbim të shpirtit?»—MAT. 16:26.
1. Pse Jezui e hodhi poshtë qortimin e Pjetrit?
APOSTULLI Pjetër nuk mund t’u besonte veshëve. Udhëheqësi i tij i dashur, Jezu Krishti, po thoshte «hapur» se së shpejti Ai do të vuante e do të vdiste. Në përgjigje të kësaj, Pjetri, sigurisht duke u nisur nga qëllime të mira, e qortoi Jezuin: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Jezui i ktheu shpinën Pjetrit dhe pa nga dishepujt e tjerë. Ka mundësi që edhe ata të kishin të njëjtin mendim të gabuar. Pastaj ai i tha Pjetrit: «Largohu nga unë, Satana! Ti je pengesë për mua, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»—Mar. 8:32, 33; Mat. 16:21-23.
2. Si e përcaktoi Jezui se çfarë pritet nga një dishepull i vërtetë?
2 Fjalët vijuese të Jezuit mund ta kenë ndihmuar Pjetrin të kuptonte arsyen pse Jezui reagoi kaq fort ndaj qortimit të tij. Jezui «thirri pranë turmën bashkë me dishepujt e tij» dhe tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht. Sepse, kushdo që dëshiron ta shpëtojë shpirtin e vet, do ta humbasë, por kushdo që e humbet shpirtin e vet për hirin tim dhe të lajmit të mirë, do ta shpëtojë.» (Mar. 8:34, 35) Jezui këtu përdori fjalën «shpirt» që do të thotë «jetë». Qartë, ai jo vetëm që do të jepte jetën, por edhe priste që dishepujt e tij të ishin të gatshëm të sakrifikonin në shërbim të Perëndisë. Po të vepronin kështu, do të merrnin një shpërblim të madh.—Lexo Mateun 16:27.
3. (a) Cilat pyetje u bëri Jezui atyre që po e dëgjonin? (b) Çfarë mund t’u ketë sjellë ndër mend pyetja e dytë e Jezuit?
3 Po në atë rast, Jezui bëri dy pyetje që të futin në mendime: «Ç’dobi ka njeriu po të fitojë gjithë botën, por të humbasë shpirtin e vet?» Pastaj pyeti përsëri: «Çfarë do të jepte një njeri në këmbim të shpirtit?» (Mar. 8:36, 37) Përgjigjja e pyetjes së parë është e qartë nga pikëpamja njerëzore. Njeriu s’ka asnjë dobi po të fitojë gjithë botën, nëse humbet jetën, domethënë shpirtin. Pasuria vlen vetëm nëse jeton dhe e gëzon. Pyetja e dytë e Jezuit se «çfarë do të jepte një njeri në këmbim të shpirtit», mund t’u ketë sjellë ndër mend dëgjuesve akuzën e Satanait në ditët e Jobit: «Njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» (Jobi 2:4) Për disa që nuk e adhurojnë Jehovain, fjalët e Satanait mund të jenë të vërteta. Shumë do të bënin gjithçka, pra, do të shkelnin çdo parim, vetëm e vetëm për të mos humbur jetën. Por të krishterët i shohin gjërat ndryshe.
4. Pse pyetjet e Jezuit kanë domethënie më të thellë për të krishterët?
4 E dimë se Jezui nuk erdhi në tokë për të na dhënë shëndet, pasuri dhe jetë të gjatë në këtë sistem. Ai erdhi për të na dhënë mundësinë që të jetojmë përgjithmonë në botën e re, dhe këtë shpresë ne e çmojmë jashtë mase. (Gjoni 3:16) Një i krishterë do ta kuptonte kështu pyetjen e parë të Jezuit: «Ç’dobi ka njeriu po të fitojë gjithë botën, por të humbasë shpresën e jetës së përhershme?» Përgjigjja do të ishte: asnjë. (1 Gjon. 2:15-17) Për t’i dhënë përgjigje pyetjes së dytë të Jezuit, mund të pyesim veten: «Sa i gatshëm jam të sakrifikoj tani, që shpresa ime për të jetuar në botën e re të bëhet realitet?» Përgjigjja jonë ndaj kësaj pyetjeje, e cila shihet në mënyrën si jetojmë, zbulon sa të fortë e kemi këtë shpresë në zemër.—Krahaso Gjonin 12:25.
5. Si mund ta marrim dhuratën e jetës së përhershme?
5 Sigurisht, Jezui nuk po thoshte se jeta e përhershme mund të fitohet. Jeta, madje edhe jeta jonë disi e shkurtër në këtë sistem, është një dhuratë. Nuk mund ta blejmë dhe as mund të bëjmë diçka për ta merituar. E vetmja mënyrë se si mund të marrim jetën e përhershme është ‘të tregojmë besim te Krishti Jezu’ dhe te Jehovai, «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Gal. 2:16; Hebr. 11:6) Megjithatë, besimi duhet treguar me vepra, meqë «besimi pa vepra është i vdekur». (Jak. 2:26) Kështu, kur meditojmë më tej rreth pyetjes së Jezuit, bëjmë mirë të shqyrtojmë seriozisht se sa jemi të gatshëm të heqim dorë nga gjërat e këtij sistemi dhe çfarë jemi të gatshëm të bëjmë në shërbim të Jehovait për të treguar se besimi ynë është vërtet i gjallë.
«Krishti nuk kënaqi veten»
6. Ç’gjë kishte përparësi për Jezuin?
6 Në vend që të jepej pas gjërave që ofronte bota e asaj kohe, Jezui u përqendrua te gjërat e rëndësishme dhe hodhi poshtë tundimin për t’u dhënë pas të mirave materiale. E gjitha jeta e tij ishte sakrificë dhe bindje ndaj Perëndisë. Në vend që të kënaqte veten, ai tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë [Perëndisë].» (Gjoni 8:29) Deri në ç’pikë ishte gati të sakrifikonte Jezui për të kënaqur Perëndinë?
7, 8. (a) Çfarë sakrifice bëri Jezui dhe si u shpërblye? (b) Ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
7 Në një rast, Jezui u tha dishepujve: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mat. 20:28) Më parë, kur Jezui filloi t’i paralajmëronte dishepujt se së shpejti do t’i duhej ‘të jepte shpirtin e vet’, Pjetri e këshilloi të ishte i mirë me veten. Sidoqoftë, Jezui nuk u lëkund. Me vullnet dha për njerëzimin shpirtin, pra, jetën e tij njerëzore të përsosur. Si rezultat i jetës së tij altruiste, vetë e ardhmja e Jezuit ishte e sigurt. Ai u ringjall dhe «u lartësua në të djathtën e Perëndisë». (Vep. 2:32, 33) Kështu, u bë një shembull i mrekullueshëm për ne.
8 Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët në Romë që ‘të mos kënaqnin veten’ dhe u kujtoi që «edhe Krishti nuk kënaqi veten». (Rom. 15:1-3) Atëherë, deri në ç’masë do ta zbatojmë këtë këshillë të apostullit dhe do të jemi të gatshëm të bëjmë sakrifica ashtu si Krishti?
Jehovai dëshiron më të mirën për ne
9. Çfarë bën faktikisht një i krishterë kur i kushtohet Perëndisë?
9 Në Izraelin e lashtë, sipas Ligjit të Moisiut, skllevërit hebrenj duheshin liruar ose në vitin e shtatë të shërbimit, ose gjatë vitit të Jubileut. Megjithatë, kishin edhe një mundësi tjetër. Nëse një skllav e donte pronarin, mund të zgjidhte që të qëndronte skllav në atë shtëpi për tërë jetën. (Lexo Ligjin e përtërirë 15:12, 16, 17.) Edhe ne bëjmë një zgjedhje të ngjashme kur i kushtohemi Perëndisë. Me dëshirë pranojmë të bëjmë vullnetin e Perëndisë e të mos rendim pas dëshirave tona. Duke bërë kështu, tregojmë dashurinë tonë të thellë për Jehovain dhe dëshirën për t’i shërbyer përgjithmonë.
10. Në ç’kuptim jemi pronë e Perëndisë dhe si duhet të ndikojë ky fakt te mendimet dhe veprimet tona?
10 Nëse po studion Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, merr pjesë në predikimin e lajmit të mirë dhe ndjek mbledhjet e krishtere, je për t’u lavdëruar. Shpresojmë që shumë shpejt të ndjesh dëshirën për t’iu kushtuar Jehovait dhe të bësh pyetjen që etiopasi i bëri Filipit: «Çfarë më pengon të pagëzohem?» (Vep. 8:35, 36) Atëherë do të kesh me Perëndinë një marrëdhënie si ajo e të krishterëve të cilëve Pavli u shkroi: «Ju nuk i përkitni vetes, sepse u bletë me një çmim.» (1 Kor. 6:19, 20) Pavarësisht nga shpresa që kemi, qiellore ose tokësore, nëse i jemi kushtuar Jehovait, ai është Pronari ynë. Prandaj, sa e rëndësishme është që t’i mbytim dëshirat egoiste dhe ‘të mos bëhemi më skllevër të njerëzve’! (1 Kor. 7:23) Ç’privilegj të jesh një shërbëtor besnik që Jehovai e përdor siç dëshiron!
11. Çfarë flijimesh nxiten të paraqitin të krishterët dhe çfarë do të thotë kjo në të vërtetë, siç ilustrohet nga flijimet nën Ligjin e Moisiut?
11 Pavli i këshilloi bashkëbesimtarët: ‘Paraqitini trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që të bëni një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.’ (Rom. 12:1) Këto fjalë mund t’u kenë sjellë në mendje të krishterëve judenj flijimet, që ishin një veçori e adhurimit të tyre para se të bëheshin dishepuj të Jezuit. Ata duhej ta kishin ditur se nën Ligjin e Moisiut kafshët që paraqiteshin mbi altarin e Jehovait, duhej të ishin më të mirat që kishin. Çdo gjë jocilësore ishte e papranueshme. (Mal. 1:8, 13) E njëjta gjë vlen edhe kur i paraqitim trupat tanë si «një flijim të gjallë». Ne i japim Jehovait më të mirën, jo thjesht atë që mbetet pasi kemi kënaqur të gjitha dëshirat tona. Kur i kushtohemi Perëndisë, i japim atij pa rezerva «shpirtin» ose jetën tonë, përfshirë forcën, pasuritë dhe aftësitë tona. (Kolos. 3:23) Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Përdore kohën me mençuri
12, 13. Cila është një mënyrë se si mund t’i japim më të mirën Jehovait?
12 Një mënyrë për t’i dhënë Jehovait më të mirën është duke përdorur kohën me mençuri. (Lexo Efesianëve 5:15, 16.) Kjo kërkon vetëkontroll. Ndikimet e botës dhe papërsosmëria e trashëguar na shtyjnë ta përdorim kohën vetëm për kënaqësinë ose dobinë tonë. Patjetër, «për çdo gjë ka një kohë të caktuar», përfshirë edhe për zbavitjen e këndshme dhe punën për të plotësuar detyrimet tona të krishtere. (Ekl. 3:1) Por, një i krishterë i kushtuar duhet të ruajë ekuilibrin dhe ta përdorë kohën me mençuri.
13 Kur Pavli vizitoi Athinën, vuri re se «të gjithë athinasit dhe të huajt që banonin përkohësisht atje, e kalonin kohën e lirë veç duke treguar a duke dëgjuar ndonjë gjë të re». (Vep. 17:21) Po kështu edhe sot, shumë e harxhojnë kohën kot. Ndër shpërqendrimet e sotme janë televizori, lojërat elektronike dhe Interneti. Ka shumë e shumë shpërqendrime që kërkojnë kohë. Nëse jepemi pas tyre, mund të lëmë pas dore nevojat frymore. Madje mund të arrijmë deri aty sa të besojmë se jemi tepër të zënë për t’u marrë me «gjërat më të rëndësishme», domethënë me gjërat që lidhen me shërbimin ndaj Jehovait.—Filip. 1:9, 10.
14. Cilat pyetje meritojnë t’i shqyrtojmë seriozisht?
14 Prandaj, si një shërbëtor i kushtuar i Jehovait, pyet veten: «A lë kohë në programin tim të përditshëm për të lexuar Biblën, për të medituar dhe për t’u lutur?» (Psal. 77:12; 119:97; 1 Sel. 5:17) «A lë kohë për t’u përgatitur për mbledhjet e krishtere? A i inkurajoj të tjerët duke dhënë komente gjatë mbledhjeve?» (Psal. 122:1; Hebr. 2:12) Fjala e Perëndisë thotë se Pavli dhe Barnaba ndenjën «një kohë të gjatë dhe folën me guxim me anë të autoritetit që u kishte dhënë Jehovai». (Vep. 14:3) A mund t’i përshtatësh rrethanat që të kalosh më shumë kohë, madje «një kohë të gjatë», në veprën e predikimit, ndoshta duke shërbyer si pionier?—Lexo Hebrenjve 13:15.
15. Si e përdorin pleqtë kohën me mençuri?
15 Kur apostulli Pavël dhe Barnaba vizituan kongregacionin e krishterë në Antioki, «kaluan mjaft kohë me dishepujt» për t’u dhënë zemër. (Vep. 14:28) Po kështu edhe sot, pleqtë e dashur e përdorin shumicën e kohës së tyre për të forcuar të tjerët. Përveçse dalin në shërbim, pleqtë punojnë fort për të kullotur kopenë, kërkojnë delet e humbura, ndihmojnë të sëmurët dhe kujdesen për shumë përgjegjësi të tjera brenda kongregacionit. Nëse je një vëlla i pagëzuar, a të lejojnë rrethanat që të synosh këto privilegje të tjera shërbimi?
16. Cilat janë disa mënyra se si mund «të bëjmë atë që është e mirë ndaj . . . atyre që janë të lidhur me ne në besim»?
16 Shumë kanë gjetur gëzim duke ndihmuar ata që kanë pësuar humbje nga katastrofat natyrore ose të shkaktuara nga njeriu. Për shembull, një motër rreth 65 vjeçe që shërben në Bethel, bëri disa herë rrugë të gjata për të shërbyer si vullnetare për dhënien e ndihmave në raste katastrofash. Pse e përdori kohën e pushimeve në këtë mënyrë? Ajo thotë: «Megjithëse nuk kam ndonjë aftësi të veçantë, ishte privilegj për mua të bëja çfarëdo gjëje që nevojitej. U inkurajova shumë nga besimi i fortë i vëllezërve dhe motrave që kishin pësuar humbje të mëdha materiale.» Për më tepër, mijëra veta anembanë botës ndihmojnë për të ndërtuar Salla Mbretërie dhe Salla Asamblesh. Kur marrim pjesë në veprimtari të tilla, me altruizëm «bëjmë atë që është e mirë ndaj . . . atyre që janë të lidhur me ne në besim».—Gal. 6:10.
«Unë jam me ju gjithë ditët»
17. Çfarë do të jepnit personalisht në këmbim të jetës së përhershme?
17 Shoqëria njerëzore e larguar nga Perëndia, së shpejti do të marrë fund. Nuk e dimë tamam se kur do të ndodhë kjo. Por, dimë se «koha që mbetet është shkurtuar» dhe «skena e kësaj bote po ndryshon» (Lexo 1 Korintasve 7:29-31.) Kjo i jep më shumë domethënie pyetjes së Jezuit: «Çfarë do të jepte një njeri në këmbim të shpirtit?» Natyrisht, do të bëjmë çfarëdo sakrifice që kërkon Jehovai për të marrë «jetën e vërtetë». (1 Tim. 6:19) Po, duhet t’ia vëmë veshin këshillës së Jezuit që ‘ta ndjekim vazhdimisht’ dhe ‘të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’.—Mat. 6:31-33; 24:13.
18. Çfarë besimi mund të kemi dhe pse?
18 Patjetër, të ndjekësh Jezuin nuk është gjithnjë e lehtë dhe, siç paralajmëroi ai, kjo u ka kushtuar jetën disave në këtë sistem. Prapëseprapë, ashtu si Jezui, ne shmangim tundimin ‘për të qenë të mirë me veten’. Kemi besim te siguria që ai u dha dishepujve të mirosur të shekullit të parë: «Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:20) Prandaj, le t’i përdorim sa më shumë kohën dhe aftësitë tona në shërbimin e shenjtë. Duke bërë kështu, tregojmë besimin tonë se Jehovai do të na ruajë gjatë shtrëngimit të madh ose do të na ringjallë në botën e re. (Hebr. 6:10) Në këtë mënyrë do të kemi treguar se sa shumë e vlerësojmë dhuratën e jetës.
Si do të përgjigjeshe?
• Si tregoi Jezui gatishmëri të jashtëzakonshme për t’i shërbyer Perëndisë dhe njerëzve?
• Pse duhet ta mohojmë veten dhe si bëhet kjo?
• Ç’lloj flijimesh ishin të pranueshme për Jehovain në Izraelin e lashtë dhe çfarë mësojmë prej kësaj ne sot?
• Në cilat mënyra mund ta përdorim me mençuri kohën?
[Figurat në faqen 26]
Jezui bënte gjithnjë gjërat që kënaqnin Perëndinë
[Figura në faqen 28]
Izraelitët mirënjohës jepnin më të mirën për të mbështetur adhurimin e vërtetë
[Figurat në faqen 29]
E kënaqim Perëndinë kur e përdorim kohën me mençuri