Drejtohu tek Jehovai për ngushëllim
«Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim, ju dhëntë që të keni mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu.»—ROMAKËVE 15:5, BR.
1. Përse çdo ditë sjell një nevojë më të madhe për ngushëllim?
ÇDO ditë që kalon, sjell me vete një nevojë në rritje për ngushëllim. Siç vuri re mbi 1.900 vjet më parë një shkrimtar i Biblës, «deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim [dhimbje, BR]». (Romakëve 8:22) Në kohën tonë, «rënkimi» dhe «dhimbja» kanë qenë më të mëdha se kurrë. Që nga Lufta I Botërore, njerëzimi ka vuajtur njërën krizë pas tjetrës në formën e luftërave, krimit dhe shkatërrimeve natyrore, që shpesh janë të lidhura me keqpërdorimin e tokës nga ana e njeriut.—Zbulesa 11:18.
2. (a) Kush meriton të fajësohet për vuajtjet e tanishme të njerëzimit? (b) Cili fakt na jep një bazë për ngushëllim?
2 Përse, pra, ka pasur kaq shumë vuajtje në kohën tonë? Duke përshkruar hedhjen e Satanait nga qiejt, gjë që pasoi lindjen e Mbretërisë në vitin 1914, Bibla përgjigjet: «Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.» (Zbulesa 12:12) Dëshmia e qartë e përmbushjes së kësaj profecie, do të thotë se ne gati kemi arritur fundin e sundimit të lig të Satanait. Sa ngushëlluese është të dish, se së shpejti jeta në tokë do të kthehet në gjendjen paqësore që ekzistonte përpara se Satanai t’i çonte në rebelim prindërit tanë të parë!
3. Kur nuk kishin nevojë për ngushëllim njerëzit?
3 Në fillim, Krijuesi i njeriut siguroi një kopsht të bukur si shtëpi për çiftin e parë njerëzor. Ai ndodhej në një zonë të quajtur Eden, që do të thotë «kënaqësi» ose «ëndje». (Zanafilla 2:8, shënimi, BR) Përveç kësaj, Adami dhe Eva gëzonin shëndet të përsosur, me perspektivën për të mos vdekur kurrë. Vetëm mendo për fushat e shumta, në të cilat ata mund të kenë zhvilluar aftësitë e tyre: kopshtarinë, artin, ndërtimin, muzikën. Mendo, gjithashtu, për të gjitha veprat e krijimit që ata mund të kenë studiuar, ndërsa përmbushnin detyrën e tyre për të nënshtruar tokën dhe për ta bërë atë një parajsë. (Zanafilla 1:28) Me të vërtetë që jeta e Adamit dhe e Evës do të kishte qenë e mbushur, jo me rënkim e dhimbje, por me kënaqësi e ëndje. Është e qartë se ata nuk do të kenë pasur nevojë për ngushëllim.
4, 5. (a) Përse Adami dhe Eva dështuan në provën e bindjes? (b) Si arriti njerëzimi që të ketë nevojë për ngushëllim?
4 Megjithatë, ajo për të cilën kishte nevojë Adami dhe Eva, ishte kultivimi i një dashurie të thellë dhe çmueshmërie për Atin e tyre dashamirës qiellor. Një dashuri e tillë do t’i kishte nxitur për t’iu bindur Perëndisë në çdo rrethanë. (Krahaso Gjonin 14:31.) Mjerisht, të dy prindërit tanë të parë dështuan në bindjen ndaj Sovranit të tyre të drejtë, Jehovait. Në vend të kësaj, ata i lejuan vetes që të viheshin nën sundimin e lig të një engjëlli të rënë, Satana Djallit. Ishte Satanai, ai që e tundoi Evën për të mëkatuar dhe për të ngrënë nga fruti i ndaluar. Më pas, mëkatoi Adami, kur edhe ai hëngri nga fruti i pemës, lidhur me të cilën Perëndia kishte paralajmëruar qartësisht: «Ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri.»—Zanafilla 2:17.
5 Në këtë mënyrë, çifti mëkatar filloi të vdiste. Kur shpalli dënimin me vdekje, Perëndia i tha, gjithashtu, Adamit: «Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore dhe ti do të hash barin e fushave.» (Zanafilla 3:17, 18) Kështu, Adami dhe Eva humbën perspektivën e kthimit të tokës së pakultivuar në një parajsë. Të përjashtuar nga Edeni, ata duhej të përqendronin energjitë e tyre në marrjen me vështirësi të ushqimit, nga një tokë që ishte mallkuar. Pasardhësit e tyre, duke qenë se trashëguan këtë gjendje mëkatare të vdekshme, arritën të kishin një nevojë të madhe për ngushëllim.—Romakëve 5:12.
Një premtim ngushëllues i përmbushur
6. (a) Çfarë premtimi bëri Perëndia pas rënies së njerëzimit në mëkat? (b) Çfarë profecie lidhur me ngushëllimin shqiptoi Lameku?
6 Kur shpalli dënimin për nxitësin e rebelimit të njeriut, Jehovai provoi se ishte ‘Perëndia që jep ngushëllim’. (Romakëve 15:5, BR) Ai e bëri këtë, nëpërmjet premtimit për të dërguar një «farë», e cila do ta çlironte përfundimisht pasardhjen e Adamit nga pasojat shkatërrimtare të rebelimit të Adamit. (Zanafilla 3:15) Me kalimin e kohës, Perëndia siguroi, gjithashtu, shkëndija të këtij çlirimi. Për shembull, ai frymëzoi Lamekun, një pasardhës i largët i Adamit nëpërmjet birit të tij, Sethit, që të profetizonte lidhur me atë që biri i Lamekut do të bënte: «Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar.» (Zanafilla 5:29) Në përputhje me këtë premtim, djali u quajt Noe, emër i cili do të thotë «prehje» ose «ngushëllim».
7, 8. (a) Cila situatë e bëri Jehovain të ndjente keqardhje lidhur me faktin që kishte krijuar njeriun dhe çfarë qëllimi vuri Ai në përgjigje të kësaj? (b) Si jetoi Noeja në lartësinë e domethënies së emrit të tij?
7 Ndërkohë, Satanai po fitonte ithtarë mes disa prej engjëjve qiellorë. Këta u materializuan si njerëz dhe morën si gra femra tërheqëse, pasardhëse të Adamit. Bashkime të tilla të panatyrshme, korruptuan akoma më shumë shoqërinë njerëzore dhe prodhuan racën e paperëndishme të nefilimëve, «rrëzuesit», të cilët e mbushën tokën me dhunë. (Zanafilla 6:1, 2, 4, 11; Juda 6) «Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë . . . Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet.»—Zanafilla 6:5, 6.
8 Jehovai vuri si qëllim që ta shkatërronte këtë botë të ligë nëpërmjet një përmbytjeje globale, por më parë ai urdhëroi Noen që të ndërtonte një arkë, për të ruajtur jetën. Kështu, raca njerëzore dhe llojet e kafshëve u shpëtuan. Sa të çliruar duhet të jenë ndier Noeja dhe familja e tij pas Përmbytjes, ndërsa dilnin nga arka në një tokë të pastruar! Sa ngushëlluese ishte të gjeje një tokë prej së cilës ishte larguar mallkimi, gjë që e bënte veprimtarinë bujqësore shumë më të lehtë! Në të vërtetë, profecia e Lamekut u provua si e vërtetë dhe Noeja jetoi në lartësinë e domethënies së emrit të tij. (Zanafilla 8:21) Si një shërbëtor i besueshëm i Perëndisë, Noeja ishte si një mjet në sjelljen e njëfarë «ngushëllimi» për njerëzimin. Megjithatë, ndikimi i lig i Satanait dhe i engjëjve të tij demonë, nuk mori fund me Përmbytjen dhe njerëzimi vazhdoi të rënkonte nën barrën e mëkatit, sëmundjeve dhe vdekjes.
Dikush më i madh se Noeja
9. Si ka provuar Jezu Krishti se është një ndihmues dhe ngushëllues për njerëzimin e penduar?
9 Përfundimisht, nga fundi i pothuajse 4.000 vjetëve të historisë njerëzore, erdhi Fara e premtuar. I nxitur nga dashuria e madhe për njerëzimin, Perëndia Jehova dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në tokë, që të vdiste si një shpërblim për njerëzimin mëkatar. (Gjoni 3:16) Jezu Krishti sjell lehtësim të madh për mëkatarët e penduar, të cilët ushtrojnë besim në vdekjen e tij sakrifikuese. Të gjithë ata që ia dedikojnë jetën e tyre Jehovait dhe bëhen dishepuj të pagëzuar të Birit të tij, përjetojnë freskim dhe ngushëllim të qëndrueshëm. (Mateu 11:28-30; 16:24) Pavarësisht nga papërsosmëria e tyre, ata gjejnë gëzim të thellë në shërbimin e Perëndisë me një ndërgjegje të pastër. Sa ngushëlluese është për ta të dinë se nëse vazhdojnë të ushtrojnë besim tek Jezui, do të shpërblehen me jetën e përhershme! (Gjoni 3:36; Hebrenjve 5:9) Nëse për shkak të dobësisë ata kryejnë një mëkat serioz, kanë një ndihmues apo një ngushëllues në Zotërinë e ringjallur Jezu Krisht. (1. Gjonit 2:1, 2) Duke e rrëfyer një mëkat të tillë dhe duke ndërmarrë hapat biblikë për shmangien e praktikimit të mëkatit, ata fitojnë lehtësim, duke ditur se ‘Perëndia është besnik dhe i drejtë që të falë mëkatet e tyre’.—1. Gjonit 1:9; 3:6; Proverbat 28:13.
10. Çfarë mësojmë nga mrekullitë që kreu Jezui kur ishte në tokë?
10 Kur ishte në tokë, Jezui solli, gjithashtu, freskim nëpërmjet lirimit të atyre që ishin të zotëruar nga demonët, nëpërmjet shërimit të çdo lloj sëmundjeje dhe nëpërmjet kthimit në jetë të njerëzve të dashur të vdekur. Është e vërtetë që mrekulli të tilla ishin vetëm me dobi të përkohshme, përderisa ata që ishin bekuar në këtë mënyrë, më pas u plakën dhe vdiqën. Megjithatë, nëpërmjet kësaj, Jezui nxorri në pah bekimet e përhershme të së ardhmes, që ai do të derdhë mbi gjithë njerëzimin. Tani që është një Mbret i fuqishëm qiellor, së shpejti do të bëjë shumë më tepër se sa thjesht nxjerrjen jashtë të demonëve. Ai do t’i hedhë ata në humnerë, bashkë me udhëheqësin e tyre, Satanain, në një gjendje joaktiviteti. Atëherë do të fillojë Mbretërimi i lavdishëm Mijëvjeçar i Krishtit.—Luka 8:30, 31; Zbulesa 20:1, 2, 6.
11. Përse Jezui e quajti veten «Zotëri të së shtunës»?
11 Jezui tha se ai ishte «Zoti i së shtunës» dhe shumë nga shërimet e tij u kryen ditën e shtunë. (Mateu 12:8-13; Luka 13:14-17; Gjoni 5:15, 16; 9:14) Po përse? E pra, e shtuna ishte pjesë e Ligjit të Perëndisë për Izraelin dhe prandaj shërbeu si «hije e gjërave të mira që kishin për të ardhur». (Hebrenjve 10:1) Gjashtë ditë pune të javës na kujtojnë 6.000 vitet që ka kaluar njeriu nën skllavërinë e sundimit shtypës të Satanait. Dita e shtunë në fund të javës, na sjell ndër mend prehjen ngushëlluese që njerëzimi do të përjetojë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Noes më të Madh, Jezu Krishtit.—Krahaso 2. Pjetrit 3:8.
12. Cilat përjetime ngushëlluese mund të presim me padurim?
12 Çfarë lehtësimi do të ndiejnë nënshtetasit tokësorë të sundimit të Krishtit kur, më së fundi, do të jenë plotësisht të lirë nga ndikimi i lig i Satanait! Një ngushëllim i mëtejshëm do të vijë, ndërsa përjetojnë shërimin e lëngatave të tyre fizike, emocionale dhe mendore. (Isaia 65:17) Më pas, mendo ekstazën e tyre të madhe kur të fillojnë të mirëpresin të dashurit e tyre që kthehen nga vdekja! Në këto mënyra, Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre». (Zbulesa 21:4) Ndërsa zbatohen në mënyrë progresive të gjitha dobitë e sakrificës shpërblerëse të Jezuit, nënshtetasit e bindur të Mbretërisë së Perëndisë do të rriten drejt përsosmërisë, duke u bërë kështu krejtësisht të lirë prej të gjitha pasojave të këqija të mëkatit të Adamit. (Zbulesa 22:1-5) Më pas, Satanai do të lirohet «për pak kohë». (Zbulesa 20:3, 7) Të gjithë njerëzit, që me besim të plotë mbështetin sovranitetin e drejtë të Jehovait, do të shpërblehen me jetën e përhershme. Përfytyro gëzimin e patregueshëm dhe lehtësimin duke qënë krejtësisht «të çliruar nga skllavëria e prishjes»! Kështu, njerëzimi i bindur do të gëzojë «lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë».—Romakëve 8:21.
13. Përse të gjithë të krishterët e vërtetë kanë nevojë për ngushëllimin që jep Perëndia?
13 Ndërkaq, ne vazhdojmë t’i nënshtrohemi rënkimeve dhe dhimbjeve të zakonshme për të gjithë ata që jetojnë mes sistemit të lig të Satanait. Rritja e sëmundjeve fizike dhe e çrregullimeve emocionale, prek të gjitha llojet e njerëzve, duke përfshirë edhe të krishterët me besim. (Filipianëve 2:25-27; 1. Selanikasve 5:14) Veç kësaj, si të krishterë ne vuajmë shpesh talljen dhe persekutimin e padrejtë që Satanai grumbullon mbi ne, sepse ‘i bindemi më shumë Perëndisë sesa njerëzve’. (Veprat 5:29) Prandaj, në qoftë se duam të qëndrojmë në bërjen e vullnetit të Perëndisë deri në fund të botës së Satanait, kemi nevojë për ngushëllimin, ndihmën dhe forcën që na jep Ai.
Ku të gjejmë ngushëllim
14. (a) Çfarë premtimi bëri Jezui natën para vdekjes së tij? (b) Ç’gjë është e domosdoshme nëse duam të nxjerrim plotësisht dobi nga ngushëllimi i frymës së shenjtë të Perëndisë?
14 Natën përpara vdekjes së tij, Jezui ua bëri të qartë apostujve besimplotë se së shpejti do t’i linte dhe do të kthehej tek Ati i tij. Kjo gjë i shqetësoi dhe i hidhëroi ata. (Gjoni 13:33, 36; 14:27-31) Duke e njohur nevojën e tyre për ngushëllim të vazhdueshëm, Jezui premtoi: «Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë pëgjithmonë me ju.» (Gjoni 14:16, shënimi, BR) Këtu Jezui iu referua frymës së shenjtë të Perëndisë, e cila u derdh mbi dishepujt 50 ditë pas ringjalljes së tij.a Mes të tjerash, fryma e Perëndisë i ngushëlloi ata gjatë sprovave dhe i forcoi për të vazhduar në bërjen e vullnetit të Perëndisë. (Veprat 4:31) Megjithatë, një ndihmë e tillë nuk duhet parë si diçka automatike. Për të nxjerrë dobi të plotë prej saj, çdo i krishterë duhet të vazhdojë të lutet për ndihmën ngushëlluese që Perëndia siguron nëpërmjet frymës së tij të shenjtë.—Luka 11:13.
15. Cilat janë disa nga mënyrat, nëpërmjet të cilave Jehovai na jep ngushëllim?
15 Një tjetër mënyrë me anë të së cilës Perëndia siguron ngushëllim është Fjala e tij, Bibla. Pavli shkroi: «Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) Kjo tregon nevojën që kemi për të studiuar rregullisht dhe për të medituar mbi gjërat e shkruara në Bibël dhe në botimet e bazuara në të. Ne kemi, gjithashtu, nevojë për një pjesëmarrje të rregullt në mbledhjet e krishtere, ku ndajmë me njëri-tjetrin mendime ngushëlluese nga Fjala e Perëndisë. Një nga qëllimet kryesore të grumbullimeve të tilla është të inkurajojmë njëri-tjetrin.—Hebrenjve 10:25.
16. Ç’gjë duhet të na nxitin të bëjmë sigurimet ngushëlluese të Perëndisë?
16 Letra e Pavlit drejtuar romakëve vazhdon duke treguar për rezultatet e mira që marrim nga përdorimi i sigurimeve ngushëlluese të Perëndisë. «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim,—shkroi Pavli,—ju dhëntë që të keni mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu, që me një pëlqim të mund të lavdëroni me një gojë Perëndinë dhe Atin e Zotërisë tonë Jezu Krisht.» (Romakëve 15:5, 6, BR) Po, duke nxjerrë dobi të plotë nga sigurimet ngushëlluese të Perëndisë, ne do të bëhemi më të ngjashëm me Udhëheqësin tonë guximtar, Jezu Krishtin. Kjo do të na nxitë që të vazhdojmë të përdorim gojën tonë për lavdërimin e Perëndisë në veprën e dëshmisë, në mbledhje, në bisedat personale me bashkëbesimtarët dhe në lutjet tona.
Në kohë sprove të ashpër
17. Si e ngushëlloi Jehovai Birin e tij dhe me çfarë rezultati?
17 Jezui u «shqetësua jashtëzakonisht» dhe u «hidhërua thellësisht» natën përpara vdekjes së tij agonike. (Mateu 26:37, 38, BR) Kështu, ai u tërhoq pak nga dishepujt e tij dhe iu lut për ndihmë Atit të tij. «Ai u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.» (Hebrenjve 5:7) Bibla tregon se «[Jezuit] iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë». (Luka 22:43) Mënyra e guximshme dhe burrërore me të cilën Jezui shkoi për të përballuar kundërshtarët e tij, është një dëshmi e asaj që mënyra e Perëndisë për ngushëllimin e Birit të tij ishte shumë e efektshme.—Gjoni 18:3-8, 33-38.
18. (a) Cila periudhë në jetën e apostullit Pavël ishte veçanërisht periudhë sprove? (b) Si mund të jemi ngushëllues për pleqtë, të cilët punojnë shumë e janë të dhembshur?
18 Edhe apostulli Pavël kaloi periudha sprovash të ashpra. Për shembull, shërbimi i tij në Efes u karakterizua nga «lot e prova që iu bënë [atij] nga tinëzitë e judenjve». (Veprat 20:17-20) Më së fundi, Pavli u largua nga Efesi, pasi përkrahësit e perëndeshës Artemis kishin krijuar në qytet rrëmujë lidhur me aktivitetin e tij të predikimit. (Veprat 19:23-29; 20:1) Ndërsa Pavli ishte drejtuar në veri për në qytetin e Troas, diçka tjetër rëndonte në mendjen e tij. Disa kohë para rrëmujës në Efes, ai kishte marrë një raport shqetësues. Kongregacioni i ri në Korint ishte prekur nga përçarja dhe atje po tolerohej kurvëria. Kështu, që nga Efesi ai kishte shkruar një letër me qortime të rënda, me shpresën se situata do të korrigjohej. Për të, kjo gjë nuk ishte e lehtë për t’u bërë. Më vonë, në një letër të dytë, ai u zbuloi se «ju shkrova, në fakt me shumë lot dhe me pikëllim të madh dhe ankth në zemër». (2. Korintasve 2:4) Ashtu si Pavli, pleqtë e dhembshur nuk e kanë të lehtë të japin këshilla për korrigjim dhe qortime, pjesërisht sepse janë shumë të vetëdijshëm për dobësinë e tyre. (Galatasve 6:1) Le të jemi, pra, ngushëllues për ata që marrin drejtimin mes nesh, duke iu përgjigjur me gatishmëri këshillës së dashur, të bazuar në Bibël.—Hebrenjve 13:17.
19. Përse Pavli lëvizi nga Troasi në Maqedoni dhe si u lehtësua më së fundi?
19 Ndërsa ishte në Efes, Pavli jo vetëm që u shkroi vëllezërve në Korint, por dërgoi edhe Titin për t’i ndihmuar, duke e porositur atë që t’i jepte një raport mbi përgjigjen e tyre ndaj letrës. Pavli shpresonte ta kapte Titin në Troas. Atje, Pavli u bekua me mundësi të shkëlqyera për të bërë dishepuj, por kjo gjë nuk e lehtësoi nga ankthi i tij, pasi Titi nuk kishte ardhur ende. (2. Korintasve 2:12, 13) Kështu, ai vazhdoi udhëtimin për në Maqedoni, me shpresën se do ta takonte atje Titin. Gjendja e ankthshme e Pavlit u rëndua edhe nga kundërshtimi i dendur ndaj shërbimit të tij. «Sepse, kur erdhëm në Maqedoni,—shpjegon ai,—mishi ynë nuk pati fare prehje, por u shtrënguam në të gjitha mënyrat: jashtë betejë, përbrenda frikë. Por Perëndia që ngushëllon të pikëlluarit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit.» (2. Korintasve 7:5, 6) Çfarë lehtësimi, kur më në fund Titi arriti për t’i treguar Pavlit lidhur me përgjigjen pozitive të korintasve ndaj letrës së tij!
20. (a) Si në rastin e Pavlit, cila është një mënyrë tjetër e rëndësishme në të cilën Jehovai jep ngushëllim? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?
20 Përvoja e Pavlit është ngushëlluese për shërbëtorët e Perëndisë sot, shumë prej të cilëve përballojnë, gjithashtu, sprova, të cilat i bëjnë të ndihen «të pikëlluar» apo «të përvuajtur». (DSF) Po, ‘Perëndia që jep ngushëllim’ i njeh nevojat tona individuale dhe mund të na përdorë për të qenë ngushëllues me njëri-tjetrin, ashtu si Pavli mori ngushëllim nga raporti i Titit mbi qëndrimin e penduar të korintasve. (2. Korintasve 7:11-13) Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë përgjigjen e ngrohtë të Pavlit ndaj korintasve dhe se si mund të na ndihmojë kjo për të qenë pjesëmarrës më të efektshëm në ngushëllimin e Perëndisë sot.
[Shënimet]
a Një nga veprimet kryesore të frymës së Perëndisë mbi të krishterët e shekullit të parë, ishte mirosja e tyre si bij frymorë të Perëndisë dhe vëllezër të Jezuit. (2. Korintasve 1:21, 22) Kjo është e rezervuar vetëm për 144.000 dishepujt e Krishtit. (Zbulesa 14:1, 3) Sot, pjesës më të madhe të të krishterëve i është dhënë me dashamirësi shpresa e jetës së përhershme në një parajsë tokësore. Megjithëse jo të mirosur, edhe ata marrin ndihmën dhe ngushëllimin e frymës së shenjtë të Perëndisë.
A mund të përgjigjesh?
◻ Si arriti njerëzimi të kishte nevojë për ngushëllim?
◻ Si ka provuar Jezui se është më i madh se Noeja?
◻ Përse Jezui e quajti veten «Zotëri të së shtunës»?
◻ Si jep ngushëllim Perëndia sot?
[Harta dhe figura në faqen 10]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Pavli përjetoi ngushëllim të madh nëpërmjet raportit të Titit lidhur me korintasit
MAQEDONI
Filipi
GREQI
Korint
AZI
Troas
Efes