A je një i krishterë ‘tërësisht i rritur’?
«KUR isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë.» Kështu shkroi apostulli Pavël. Në fakt, të gjithë ne dikur kemi qenë fëmijë të pambrojtur. Megjithatë, nuk mbetëm të tillë përgjithmonë. Pavli vërejti: «Tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.»—1 Korintasve 13:11.
Në një mënyrë të ngjashme, të gjithë të krishterët e fillojnë rrugën si fëmijë frymorë. Por, me kalimin e kohës, të gjithë mund të ‘arrijnë njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit’. (Efesianëve 4:13) Te 1 Korintasve 14:20, na bëhet thirrja: «Vëllezër, mos u bëni fëmijë të vegjël në aftësitë për të kuptuar . . . Bëhuni tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar.»
Prania e të krishterëve të pjekur, tërësisht të rritur, është një bekim për popullin e Perëndisë sot, veçanërisht sepse aty ka shumë të rinj në të vërtetën. Të krishterët tërësisht të rritur i shtojnë stabilitetin një kongregacioni. Ata kanë ndikim pozitiv në prirjen ose në qëndrimin mbizotërues të cilitdo kongregacioni ku janë.
Ndërkohë që rritja fizike është pak a shumë e vetvetishme, rritja frymore vjen vetëm me kohë e përpjekje nga ana jonë. S’është për t’u habitur që, në ditët e Pavlit, disa të krishterë nuk arritën të ‘suleshin drejt pjekurisë’, megjithëse i kishin shërbyer Perëndisë për shumë vjet. (Hebrenjve 5:12; 6:1) Po ti? Qoftë që i ke shërbyer Perëndisë për shumë vjet, qoftë vetëm për një periudhë relativisht të shkurtër kohe, do të ishte e përshtatshme që ta shqyrtoje veten me ndershmëri. (2 Korintasve 13:5) A je mes atyre që mund të quhen vërtet të krishterë të pjekur ose tërësisht të rritur? Nëse jo, si mund të bëhesh i tillë?
«Tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar»
Një fëmijë frymor mund të jetë me lehtësi i «lëkundur nga dallgët e i çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi, prej dredhisë së njerëzve, prej dinakërisë në sajimin e mashtrimeve». Prandaj, Pavli nxiti: «Me anë të dashurisë le të rritemi në të gjitha gjërat në atë që është kreu, Krishti.» (Efesianëve 4:14, 15) Si e bëjmë këtë? Te Hebrenjve 5:14 thuhet: «Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.»
Vër re se njerëzit e pjekur i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura nëpërmjet përdorimit ose përvojës në zbatimin e parimeve biblike. Qartë, pra, një person nuk bëhet i pjekur brenda një nate. Duhet kohë për t’u rritur frymësisht. Gjithsesi, mund të bësh shumë për ta lehtësuar rritjen frymore nëpërmjet studimit personal, veçanërisht për gjërat më të thella të Fjalës së Perëndisë. Kohët e fundit, Kulla e Rojës ka trajtuar shumë tema të thella. Personat e pjekur nuk i shmangin këta artikuj meqë përmbajnë «disa gjëra të vështira për t’u kuptuar». (2 Pjetrit 3:16) Përkundrazi, e përpijnë me zell këtë ushqim të fortë.
Predikues dhe mësues të zellshëm
Jezui i udhëzoi dishepujt e tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Edhe pjesëmarrja e zellshme në veprën e predikimit mund të ta nxitë rritjen frymore. Përse të mos përpiqesh të marrësh pjesë në këtë vepër sa më plotësisht që ta lejojnë rrethanat?—Mateu 13:23.
Disa herë, presionet e jetës mund ta bëjnë një sfidë të gjesh kohën për të predikuar. Megjithatë, duke u ‘përpjekur fuqimisht’ si predikues, ti tregon rëndësinë që i jep ‘lajmit të mirë’. (Luka 13:24; Romakëve 1:16) Në këtë mënyrë, të tjerët mund të të shohin si «një shembull për të besueshmit».—1 Timoteut 4:12.
Mbajtës të integritetit
Rritja drejt pjekurisë përfshin, gjithashtu, të bësh përpjekje për të mbajtur integritetin tënd. Siç është dokumentuar te Psalmi 26:1, Davidi deklaroi: «Më gjyko, o Jehova, sepse unë vetë kam ecur në integritetin tim.» (BR) Integriteti është ekuilibër dhe plotësi morale. Megjithatë, nuk do të thotë përsosmëri. Vetë Davidi kreu disa mëkate të rënda. Por, meqenëse e pranoi qortimin dhe e korrigjoi jetën e tij, tregoi se në zemër kishte ende dashuri të sinqertë për Perëndinë Jehova. (Psalmi 26:2, 3, 6, 8, 11) Integriteti përfshin tërësi ose plotësi të devocionit të zemrës. Davidi i tha birit të tij Solomon: «Njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër.»—1 Kronikave 28:9.
Të mbajmë integritetin përfshin të mos jemi «pjesë e botës», duke qëndruar jashtë politikës së kombeve dhe luftërave të tyre. (Gjoni 17:16) Gjithashtu, duhet të përmbahemi nga praktikat e korruptuara, si kurvëria, tradhtia bashkëshortore dhe abuzimi me drogën. (Galatasve 5:19-21) Gjithsesi, të mbajmë integritetin do të thotë më shumë se të shmangim këto gjëra. Solomoni paralajmëroi: «Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; kështu pak marrëzi prish vlerën e diturisë dhe të lavdisë.» (Predikuesi 10:1) Po, edhe «pak marrëzi», si, për shembull, gjestet e papërshtatshme ose sjellja flirtuese me seksin e kundërt, mund ta shkatërrojnë reputacionin e një personi ‘të ditur’. (Jobi 31:1) Prandaj, tregoje pjekurinë tënde duke u përpjekur të jesh shembullor në çdo sjellje, duke shmangur edhe «dukjen e ligë».—1 Selanikasve 5:22, King James Version.
Besnikë
Një i krishterë tërësisht i rritur është, gjithashtu, besnik. Siç e lexojmë tek Efesianëve 4:24, apostulli Pavël u bën thirrje të krishterëve: «Vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» Në Shkrimet Greke, fjala e gjuhës origjinale për «besnikëri» përmban mendimin e shenjtërisë, drejtësisë dhe nderimit të thellë. Një person besnik është i devotshëm, i bindur; zbaton me kujdes të gjitha detyrat ndaj Perëndisë.
Cilat janë disa mënyra se si mund ta zhvillosh këtë besnikëri? Një mënyrë do të ishte duke bashkëpunuar me pleqtë e kongregacionit tënd. (Hebrenjve 13:17) Duke pranuar që Krishti është Kreu i emëruar i kongregacionit të krishterë, të krishterët e pjekur janë besnikë ndaj atyre që janë emëruar «për të kullotur kongregacionin e Perëndisë». (Veprat 20:28) Sa e papërshtatshme do të ishte të vije në dyshim ose të minoje autoritetin e pleqve të emëruar! Gjithashtu, duhet të kesh një ndjenjë besnikërie ndaj ‘skllavit të besueshëm e të matur’ dhe ndaj mjeteve të përdorura për të shpërndarë «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mateu 24:45) Ji i shpejtë për të lexuar dhe për të zbatuar informacionin që gjendet në Kullën e Rojës dhe në botimet e saj shoqëruese.
Tregoje dashurinë me veprimet e tua
Pavli u shkroi të krishterëve në Selanik: «Dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po shtohet.» (2 Selanikasve 1:3) Të rritësh dashurinë është një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i rritjes frymore. Jezui tha, siç është dokumentuar te Gjoni 13:35: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» Një dashuri e tillë vëllazërore nuk karakterizohet thjesht nga emocioni ose nga ndjenjat. Në fjalorin Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words shpjegohet: «Dashuria mund të njihet vetëm nga veprimet që nxit.» Pikërisht, ti sulesh drejt pjekurisë në këtë aspekt, duke e vënë dashurinë në veprim!
Për shembull, te Romakëve 15:7 lexojmë: «Mirëpritni njëri-tjetrin.» Një mënyrë për të treguar dashurinë është duke përshëndetur bashkëbesimtarët dhe ata që vijnë për herë të parë në mbledhjet e kongregacionit dhe duke e bërë këtë me ngrohtësi dhe me entuziazëm. Përpiqu t’i njohësh personalisht ata. Trego «interes personal» për të tjerët. (Filipianëve 2:4) Ndoshta mund të tregosh edhe mikpritje dhe të ftosh disa prej tyre në shtëpinë tënde. (Veprat 16:14, 15) Disa herë, papërsosmëritë e të tjerëve mund ta vënë në provë thellësinë e dashurisë sate, por ndërsa mëson t’i ‘durosh ata me dashuri’, tregon se po bëhesh tërësisht i rritur.—Efesianëve 4:2.
Përdori pasuritë për të përkrahur adhurimin e pastër
Në kohët e lashta, jo i gjithë populli i Perëndisë e përmbushi përgjegjësinë për të mbështetur tempullin e Jehovait. Prandaj, Perëndia dërgoi profetë, si Hageu, dhe Malakia, për ta nxitur popullin e Tij në këtë aspekt. (Hagai 1:2-6; Malakia 3:10) Sot të krishterët e pjekur i përdorin me gëzim pasuritë e tyre për të mbështetur adhurimin e Jehovait. Imitoji këta persona duke ndjekur parimin te 1 Korintasve 16:1, 2, ‘duke vënë diçka mënjanë’ rregullisht si kontribut për kongregacionin dhe për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Në Fjalën e Perëndisë premtohet: «Ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur.»—2 Korintasve 9:6.
Mos i lër pas dore pasuritë e tjera që ke në dispozicion, siç janë koha dhe energjitë e tua. Përpiqu të ‘blesh kohën’ nga aktivitetet më pak të rëndësishme. (Efesianëve 5:15, 16; Filipianëve 1:10) Mëso të jesh më i efektshëm në mënyrën si e përdor kohën. Kjo mund të të lejojë të marrësh pjesë në projekte për mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë dhe në aktivitete të tjera të ngjashme, që përkrahin adhurimin e Jehovait. Duke i përdorur pasuritë në këtë mënyrë, do të japësh dëshmi të mëtejshme se po bëhesh një i krishterë tërësisht i rritur.
Sulu drejt pjekurisë!
Burrat dhe gratë që janë të dhënë pas studimit dhe që kanë njohuri, që janë predikues të zellshëm, që janë pa të meta në integritetin e tyre, që janë besnikë e të dashur, dhe që janë të gatshëm t’i japin mbështetje fizike e materiale veprës së Mbretërisë, janë vërtet një bekim i madh. Nuk habitemi, pra, që apostulli Pavël bëri thirrje: «Tani që kemi lënë doktrinën fillestare lidhur me Krishtin, le të sulemi drejt pjekurisë!»—Hebrenjve 6:1.
A je një i krishterë tërësisht i rritur, i pjekur? Apo, në disa aspekte, je ende si një foshnjë frymore? (Hebrenjve 5:13) Cilido qoftë rasti, ji i vendosur për t’u ushtruar në studimin personal, në predikim dhe duke treguar dashuri për vëllezërit e tu. Mirëprit çfarëdo këshille dhe disipline që të ofrohet nga personat e pjekur. (Fjalët e urta 8:33) Merr përsipër të gjithë ngarkesën e përgjegjësive të krishtere. Me kohë dhe me përpjekje, edhe ti mund të ‘arrish njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit sipas plotësisë së Krishtit’.—Efesianëve 4:13.
[Diçitura në faqen 27]
Të krishterët tërësisht të rritur i shtojnë stabilitetin një kongregacioni. Ata kanë ndikim pozitiv në prirjen ose qëndrimin mbizotërues aty.
[Figurat në faqen 29]
Personat e pjekur i kontribuojnë frymës së kongregacionit, duke u interesuar për të tjerët