Ta çmojmë si thesar privilegjin e shërbimit
1. Si e shohin shumë njerëz në botë veprën tonë të predikimit?
1 Shumë njerëz në botën e Satanait e konsiderojnë veprën tonë të predikimit si «marrëzi». (1 Kor. 1:18-21) Nëse nuk tregojmë kujdes, kjo pikëpamje e shtrembëruar mund të na shkurajojë dhe të na ulë zellin. (Prov. 24:10; Isa. 5:20) Ç’arsye kemi për ta çmuar si thesar privilegjin si Dëshmitarë të Jehovait?—Isa. 43:10.
2. Pse mund të quhet një ‘vepër e shenjtë’ shërbimi ynë?
2 Një ‘vepër e shenjtë’: Apostulli Pavël e quajti shërbimin ‘vepër të shenjtë’. (Rom. 15:15, 16) Në ç’kuptim është një ‘vepër e shenjtë’? Kur marrim pjesë në të, bëhemi «bashkëpunëtorë» me «të Shenjtin», Jehovain, dhe kontribuojmë për shenjtërimin e emrit të tij. (1 Kor. 3:9; 1 Pjet. 1:15) Jehovai e konsideron predikimin tonë si «një flijim lëvdimi», kështu që shërbimi është një aspekt shumë i rëndësishëm i adhurimit tonë.—Hebr. 13:15.
3. Çfarë e bën predikimin e lajmit të mirë një nder të madh?
3 Predikimi i lajmit të mirë është një nder i madh që pak e kanë. Vetë engjëjt do ta kryenin me kënaqësi një caktim të tillë dhe pa dyshim do ta bënin mjaft mirë. (1 Pjet. 1:12) Megjithatë, Jehovai na ka zgjedhur ne njerëzit e papërsosur, që jemi «enë balte», për këtë privilegj të mrekullueshëm.—2 Kor. 4:7.
4. Si mund ta tregojmë se e çmojmë si thesar shërbimin?
4 Një përparësi: Ngaqë e çmojmë vërtet si thesar këtë privilegj, e shohim shërbimin si një nga «gjërat më të rëndësishme» në jetë. (Filip. 1:10) Prandaj, lëmë kohë çdo javë që të marrim pjesë në të. Një muzikant që e çmon privilegjin si pjesëmarrës në një orkestër me famë botërore, përgatitet për çdo shfaqje dhe praktikohet për t’u bërë më i aftë. Po kështu, edhe neve na duhet të përgatitemi para se të dalim në shërbim që ‘ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’ dhe duhet të punojmë për të përmirësuar ‘artin e mësimdhënies’.—2 Tim. 2:15; 4:2.
5. Kush e vlerëson shërbimin tonë?
5 Nuk duhet të lejojmë që pikëpamja e shumë njerëzve të na shkurajojë. Të mos harrojmë se ka ende mjaft njerëz në territor që i vlerësojnë vizitat tona. Megjithatë, ne nuk kërkojmë miratimin e njerëzve. Më e rëndësishmja është si ndihet Jehovai, dhe ai i vlerëson jashtë mase përpjekjet tona të zellshme.—Isa. 52:7.