Kapitulli 40
Gjarprit i shtypet koka
Vegimi 14—Zbulesa 20:1-10
Subjekti: Hedhja e Satanait në humnerë, Mbretërimi Mijëvjeçar, sprova e fundit për njerëzimin dhe shkatërrimi i Satanait
Koha e përmbushjes: Që nga fundi i shtrëngimit të madh deri në shkatërrimin e Satanait
1. Si është zhvilluar përmbushja e profecisë së parë të Biblës?
TË KUJTOHET profecia e parë e Biblës? E tha Perëndia Jehova kur iu drejtua Gjarprit me këto fjalë: «Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zanafilla 3:15) Tani plotësimi i kësaj profecie është afër. Kemi parë deri tani historinë e luftës që ka bërë Satanai kundër organizatës qiellore të Jehovait që krahasohet me një grua. (Zbulesa 12:1, 9) Fara tokësore e Satanait—me fenë, politikën dhe bizneset e saj të mëdha—ka lëshuar një mal me përndjekje mizore kundër farës së gruas, Jezu Krishtit dhe 144.000 ithtarëve të mirosur të tij këtu në tokë. (Gjoni 8:37, 44; Galatasve 3:16, 29) Satanai i shkaktoi Jezuit një vdekje plot dhembje. Mirëpo kjo ishte si një plagë në thembër, sepse Perëndia e ringjalli Birin e vet besnik ditën e tretë.—Veprat 10:38-40.
2. Si do të shtypet Gjarpri dhe ç’do të ndodhë me pjesën tokësore të farës së Gjarprit?
2 Ç’të themi për Gjarprin dhe farën e tij? Rreth vitit 56 të e.s. apostulli Pavël u shkroi një letër të gjatë të krishterëve në Romë. Në përfundim të saj, ai u dha zemër me këto fjalë: «Nga ana e tij, Perëndia që jep paqe, do ta dërrmojë së shpejti Satanain nën këmbët tuaja.» (Romakëve 16:20) Kjo shkon përtej një plagosjeje sipërfaqësore. Satanai ka për t’u dërrmuar! Pavli përdori këtu fjalën greke sintríbo që do të thotë ta shtypësh sa ta bësh pelte, ta shkelësh, ta shkatërrosh në kuptimin e mirëfilltë duke e dërrmuar. Pjesën njerëzore të farës së Satanait e pret një mundim i vërtetë në ditën e Zotërisë, që do të arrijë kulmin në shtrëngimin e madh, kur të shkatërrohet plotësisht Babilonia e Madhe dhe sistemi politik i kësaj bote, bashkë me larot e vet financiarë e ushtarakë. (Zbulesa, kapituj 18 dhe 19) Kështu Jehovai do ta çojë deri në fund armiqësinë mes dy farave. Fara e gruas së Perëndisë do të triumfojë mbi pjesën tokësore të farës së Gjarprit, e cila nuk do të ekzistojë më!
Satanai hidhet në humnerë
3. Ç’do t’i ndodhë Satanait, sipas fjalëve të Gjonit?
3 Po pastaj, ç’e pret Satanain dhe demonët e tij? Gjoni tha: «Pashë një engjëll që zbriste nga qielli me çelësin e humnerës dhe me një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Pastaj e hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi humnerën mbi të, që të mos i mashtronte më kombet, derisa të mbaronin një mijë vjetët. Pas këtyre gjërave, ai do të zgjidhet për pak kohë.»—Zbulesa 20:1-3.
4. Kush është engjëlli që ka çelësin e humnerës dhe si e dimë?
4 Kush është ky engjëll? Ai duhet të ketë një fuqi të jashtëzakonshme përderisa do të heqë qafe kryearmikun e Jehovait. Ai ka «çelësin e humnerës dhe një zinxhir të madh». A s’na sjell kjo ndër mend një vegim tjetër? Po, mbreti i karkalecave quhet «engjëlli i humnerës»! (Zbulesa 9:11) Këtu, pra, vërejmë përsëri në veprim Shfajësuesin kryesor të Jehovait, Jezu Krishtin e ngritur në lavdi. Ky kryeengjëll që hedh poshtë nga qielli Satanain, që gjykon Babiloninë e Madhe e që shkatërron «mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre» në Harmagedon, patjetër që nuk do t’ia lërë vendin ndonjë engjëlli të një shkalle më të ulët që t’i japë Satanait goditjen përfundimtare, duke e hedhur në humnerë!—Zbulesa 12:7-9; 18:1, 2; 19:11-21.
5. Ç’do t’i bëjë engjëlli i humnerës Satana Djallit dhe përse?
5 Kur dragoi i madh me ngjyrë të kuqe zjarr u hodh poshtë nga qielli, u quajt «gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:3, 9) Kurse kur kapet dhe hidhet në humnerë, përshkruhet përsëri me termin e plotë ‘gjarpri i hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai’. Ky gllabërues famëkeq, mashtrues, shpifës e kundërshtar, do të lidhet me zinxhirë dhe do të hidhet «në humnerë». Më pas, ajo do të mbyllet dhe do të vuloset hermetikisht që ai ‘të mos i mashtrojë më kombet’. Satanai do të lihet në humnerë për një mijë vjet dhe gjatë kësaj kohe ai do të ndikojë mbi njerëzimin aq sa mund të ndikojë një i burgosur nga një birucë e thellë. Engjëlli i humnerës do t’i heqë plotësisht Satanait çdo lloj kontakti me Mbretërinë e drejtësisë. Ç’lehtësim për njerëzimin!
6. (a) Ç’dëshmi kemi se edhe demonët do të hidhen në humnerë? (b) Ç’mund të fillojë atëherë dhe përse?
6 Po me demonët ç’do të ndodhë? Edhe ata «ruhen për gjykimin». (2 Pjetrit 2:4) Satanai është quajtur ‘Belzebubi, sundimtari i demonëve’. (Luka 11:15, 18; Mateu 10:25) A nuk do të gjykohen edhe ata po njësoj, për shkak të bashkëpunimit të tyre të gjatë me Satanain? Nga shumë kohë humnera ka qenë tmerri i demonëve; në një rast, kur Jezui u përball me ta, ‘ata iu përgjëruan që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë’. (Luka 8:31) Mirëpo kur Satanai të hidhet në humnerë, patjetër edhe engjëjt e tij do të hidhen bashkë me të. (Krahaso Isainë 24:21, 22.) Pasi të jenë hedhur në humnerë Satanai dhe demonët e tij, Mbretëria Mijëvjeçare e Jezu Krishtit mund të fillojë të sundojë.
7. (a) Në ç’gjendje do të jenë Satanai dhe demonët e tij kur të hidhen në humnerë, dhe si e dimë? (b) A janë e njëjta gjë Hadesi dhe humnera? (Shih shënimin.)
7 A do të jenë aktivë Satanai dhe demonët e tij gjatë kohës që do të jenë në humnerë? Sill ndër mend bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur e me shtatë koka, e cila «ishte, por nuk është, e megjithatë është gati të ngjitet nga humnera». (Zbulesa 17:8) Kur gjendej në humnerë, ajo ‘nuk ishte’. Si të thuash, nuk funksiononte më, ishte e palëvizshme, e vdekur në çdo kuptim. Në mënyrë të ngjashme, apostulli Pavël tha për Jezuin: «Kush do të zbresë në humnerë? Domethënë, që ta ngrejë Krishtin lart nga të vdekurit.» (Romakëve 10:7) Kur gjendej në atë humnerë, Krishti ishte i vdekur.a Prandaj, është e arsyeshme të themi se gjatë atij mijëvjeçari që do të hidhen në humnerë, Satanai dhe demonët e tij do të jenë në një gjendje joaktiviteti ngjashëm vdekjes. Ç’sihariq për ata që duan drejtësinë!
Gjykatës për një mijë vjet
8, 9. Ç’tha Gjoni për ata që do të ulen në frone dhe cilët janë këta?
8 Pasi të kalojnë një mijë vjet, Satanai do të lirohet nga humnera për pak kohë. Përse? Para se të na përgjigjej, Gjoni solli sërish në vëmendjen tonë fillimet e asaj periudhe, duke thënë: «Pashë frone dhe ata që u ulën në to, të cilëve iu dha pushtet për të gjykuar.» (Zbulesa 20:4a) Cilët janë këta që ulen në frone dhe sundojnë në qiell bashkë me Jezuin e ngritur në lavdi?
9 Janë «të shenjtët» që Danieli i përshkroi tek sundonin në Mbretëri bashkë me «dikë si një bir njeriu». (Danieli 7:13, 14, 18) Janë po ata që janë përshkruar si 24 pleqtë që ulen në fronet qiellore në prani të Jehovait. (Zbulesa 4:4) Përfshijnë 12 apostujt, të cilëve Jezui u bëri këtë premtim: «Në përtëritjen e krijimit, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që më keni ndjekur, do të uleni edhe vetë në dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» (Mateu 19:28) Aty futet edhe Pavli, si dhe të krishterët korintas që mbetën besnikë. (1 Korintasve 4:8; 6:2, 3) Përfshihen edhe pjesëtarë të kongregacionit të Laodicesë që dolën fitimtarë.—Zbulesa 3:21.
10. (a) Si i përshkroi këtë herë Gjoni 144.000 mbretërit? (b) Nga ato që na ka thënë Gjoni më parë, cilët përfshihen te 144.000 mbretërit?
10 Janë bërë gati frone—saktësisht 144.000—për këta fitimtarë të mirosur që «janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin». (Zbulesa 14:1, 4) «Po,—vazhdoi Gjoni,—pashë shpirtrat e atyre që ishin ekzekutuar me sëpatë, ngaqë kishin dhënë dëshmi për Jezuin dhe kishin folur për Perëndinë. Pashë ata që nuk kishin adhuruar as bishën, as shëmbëlltyrën e saj dhe që nuk kishin marrë damkën mbi ballë ose mbi dorë.» (Zbulesa 20:4b) Prandaj, mes këtyre mbretërve janë edhe martirët e krishterë të mirosur, të cilët më parë, kur u hap vula e pestë, e pyetën Jehovain se deri kur do të priste që të merrte hak për gjakun e tyre. Në atë kohë, atyre iu dha një petk i gjatë e i bardhë e iu tha të prisnin edhe pak. Mirëpo tani haku i tyre do të jetë marrë: nëpërmjet shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, shkatërrimit të kombeve nga Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve dhe nëpërmjet hedhjes në humnerë të Satanait.—Zbulesa 6:9-11; 17:16; 19:15, 16.
11. (a) Si duhet ta kuptojmë shprehjen «ishin ekzekutuar me sëpatë»? (b) Përse mund të themi se të gjithë 144.000 të mirosurit patën një vdekje flijuese?
11 A ‘u ekzekutuan me sëpatë’ të gjithë këta 144.000 gjykatës besnikë? Me sa duket, vetëm pak prej tyre u vranë përnjëmend në këtë mënyrë. Megjithatë, kjo shprehje përfshin pa dyshim të gjithë ata të krishterë të mirosur që u martirizuan në një mënyrë ose në një tjetër.b (Mateu 10:22, 28) Qartë, Satanai do të kishte dashur t’i ekzekutonte të gjithë me sëpatë, por faktikisht vëllezërit e mirosur të Jezuit nuk vdiqën të gjithë si martirë. Shumë prej tyre vdiqën për shkak të sëmundjeve ose moshës së shkuar. Sidoqoftë, edhe këta bëjnë pjesë në grupin që pa Gjoni. Në njëfarë kuptimi vdekja e të gjithë atyre është flijuese. (Romakëve 6:3-5) Veç kësaj, askush prej tyre nuk ishte pjesë e botës. Prandaj të gjithë ata kanë qenë të urryer dhe të vdekur në sy të botës. (Gjoni 15:19; 1 Korintasve 4:13) Asnjë prej tyre nuk adhuroi bishën apo shëmbëlltyrën e saj dhe, kur vdiqën, askush prej tyre nuk mbante shenjën e bishës. Të gjithë ata vdiqën si fitimtarë.—1 Gjonit 5:4; Zbulesa 2:7; 3:12; 12:11.
12. Ç’tha Gjoni për 144.000 mbretërit dhe kur ndodh rikthimi i tyre në jetë?
12 Tani këta fitimtarë jetojnë përsëri! Gjoni tha: «Ata u kthyen në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.» (Zbulesa 20:4c) A do të thotë kjo se këta gjykatës do të ringjallen vetëm pasi të jenë shkatërruar kombet dhe Satanai e demonët e tij të jenë hedhur në humnerë? Jo. Shumica janë tashmë të gjallë e mjaft aktivë, përderisa kalërojnë bashkë me Jezuin kundër kombeve në Harmagedon. (Zbulesa 2:26, 27; 19:14) Faktikisht, Pavli tregoi se ringjallja e tyre nisi menjëherë pas fillimit të pranisë së Jezuit në vitin 1914 dhe se disa janë ringjallur para të tjerëve. (1 Korintasve 15:51-54; 1 Selanikasve 4:15-17) Prandaj, rikthimi i tyre në jetë ndodh përgjatë një periudhe kohe, teksa ata marrin individualisht dhuratën e jetës së pavdekshme në qiell.—2 Selanikasve 1:7; 2 Pjetrit 3:11-14.
13. (a) Si duhet t’i shohim një mijë vjetët e sundimit të 144.000 të mirosurve dhe përse? (b) Si i konsideronte një mijë vjetët Papiasi i Hierapolit? (Shih shënimin.)
13 Ata do të mbretërojnë e do të gjykojnë për një mijë vjet. A janë këta një mijë vjet në kuptimin e mirëfilltë apo duhet t’i shohim si një periudhë kohe simbolike e të papërcaktuar? Fjala «mijëra» mund të nënkuptojë një numër të madh e të papërcaktuar, si për shembull te 1 Samuelit 21:11. Kurse shprehja «një mijë» këtu është në kuptimin e mirëfilltë, përderisa në gjuhën origjinale shfaqet tri herë te Zbulesa 20:5-7 në trajtën e shquar «një mijë vjetët». Pavli e quajti këtë kohë të gjykimit «një ditë» dhe tha: «Ai [Perëndia] ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar.» (Veprat 17:31) Meqë Pjetri na thotë se për Jehovain një ditë është si një mijë vjet, është me vend të themi se kjo Ditë e Gjykimit është në kuptimin e mirëfilltë një mijë vjet.c—2 Pjetrit 3:8.
Pjesa tjetër e të vdekurve
14. (a) Cilin pohim shtoi Gjoni për ‘pjesën tjetër të të vdekurve’? (b) Si hedhin dritë mbi shprehjen «u kthyen në jetë» fjalët e thëna nga apostulli Pavël?
14 Mirëpo, cilët do të gjykojnë këta mbretër, meqë apostulli Gjon shtoi në kllapa frazën: «Pjesa tjetër e të vdekurve nuk u kthyen në jetë derisa mbaruan një mijë vjetët.» (Zbulesa 20:5a) Përsëri, shprehja «u kthyen në jetë» duhet kuptuar sipas kontekstit. Kjo shprehje mund të ketë domethënie të ndryshme në rrethana të ndryshme. Për shembull, Pavli tha për të krishterët e tjerë të mirosur: «Perëndia ju dha jetë, ndonëse ishit të vdekur për shkak të shkeljeve dhe mëkateve tuaja.» (Efesianëve 2:1) Po, që në shekullin e parë Perëndia ‘u dha jetë’ të krishterëve të mirosur me frymë, në kuptimin që u shpallën të drejtë në bazë të besimit të tyre te flijimi i Jezuit.—Romakëve 3:23, 24.
15. (a) Ç’qëndrim gëzonin para Perëndisë dëshmitarët e Jehovait të kohëve para krishterimit? (b) Në ç’kuptim ‘kthehen në jetë’ delet e tjera dhe kur do ta trashëgojnë tokën në kuptimin më të plotë?
15 Në mënyrë të ngjashme, dëshmitarë të Jehovait të kohëve para krishterimit u shpallën të drejtë si miq të Perëndisë; kurse për Abrahamin, Isakun dhe Jakobin u tha se ishin ‘të gjallë’, edhe pse fizikisht ishin të vdekur. (Mateu 22:31, 32; Jakovi 2:21, 23) Megjithatë, ata dhe gjithë të tjerët që do të ringjallen, si dhe shumica e madhe besnike e deleve të tjera që do të mbijetojnë në Harmagedon dhe fëmijët që mund t’u lindin këtyre në botën e re, duhet të presin akoma që të arrijnë përsosmërinë njerëzore. Këtë do ta bëjnë Jezui dhe bashkëmbretërit e bashkëpriftërinjtë e tij gjatë Ditës mijëvjeçare të Gjykimit, në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Në fund të asaj dite, «pjesa tjetër e të vdekurve» do të jetë ‘kthyer në jetë’, në kuptimin që do të jenë njerëz të përsosur. Siç do të shohim, më pas ata do të kalojnë një sprovë përfundimtare, por do ta përballojnë këtë si njerëz të përsosur. Kur ta kalojnë sprovën, Perëndia do t’i shpallë të denjë për të jetuar përgjithmonë, të drejtë në kuptimin më të plotë. Do të përjetojnë përmbushjen e plotë të premtimit: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Ç’e ardhme e këndshme e pret njerëzimin e bindur!
Ringjallja e parë
16. Si e përshkroi Gjoni ringjalljen që përjetojnë ata që sundojnë si mbretër me Krishtin dhe përse?
16 Më pas, Gjoni u ndal sërish tek ata që «u kthyen në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet» dhe shkroi: «Kjo është ringjallja e parë.» (Zbulesa 20:5b) Në ç’kuptim është e para? Ajo është «ringjallja e parë» për sa i përket kohës, pasi ata që përjetojnë këtë ringjallje janë «fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin». (Zbulesa 14:4) Është e para edhe për nga rëndësia, pasi ata që përfitojnë prej saj bëhen bashkësundimtarë me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore dhe gjykojnë pjesën tjetër të njerëzimit. Së fundi, është e para për nga cilësia. Përveç Jezu Krishtit, ata që ngrihen në ringjalljen e parë janë krijesat e vetme për të cilat Bibla thotë se marrin pavdekësinë.—1 Korintasve 15:53; 1 Timoteut 6:16.
17. (a) Si e përshkroi Gjoni perspektivën e bekuar që kanë të krishterët e mirosur? (b) Ç’është «vdekja e dytë» dhe përse «nuk ka aspak autoritet» mbi 144.000 fitimtarët?
17 Ç’perspektivë e bekuar për këta të mirosur! Sikurse shpalli Gjoni: «I lum dhe i shenjtë është kushdo që ka pjesë në ringjalljen e parë. Vdekja e dytë nuk ka aspak autoritet mbi ta.» (Zbulesa 20:6a) Siç u premtoi Jezui të krishterëve në Smirnë, ata që dalin fitimtarë dhe që kanë pjesë në ‘ringjalljen e parë’, s’do të kenë më asnjë rrezik që të dëmtohen nga «vdekja e dytë», që do të thotë shfarosje, shkatërrim, pa shpresë për t’u ringjallur. (Zbulesa 2:11; 20:14) Vdekja e dytë «nuk ka aspak autoritet» mbi këta fitimtarë, sepse do të kenë veshur paprishjen dhe pavdekësinë.—1 Korintasve 15:53.
18. Ç’tha Gjoni për sundimtarët e rinj të tokës dhe ç’do të kryejnë ata?
18 Sa ndryshe nga mbretërit e kohës kur në tokë kishte pushtet Satanai! Tek e shumta ata kanë sunduar për 50 a 60 vjet dhe pjesa më e madhe vetëm për pak vjet. Shumë prej tyre e kanë shtypur njerëzimin. Sidoqoftë, ç’dobi mund të kenë kombet nga sundimtarë dhe politika që ndryshojnë vazhdimisht? Në kontrast me ta, Gjoni tha për sundimtarët e rinj të tokës: «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.» (Zbulesa 20:6b) Bashkë me Jezuin ata do të formojnë për një mijë vjet të vetmen qeveri që do të ekzistojë. Shërbimi i tyre priftëror, që do të zbatojë vlerën e flijimit të përsosur njerëzor të Jezuit, do ta çojë njerëzimin e bindur në përsosmëri frymore, morale dhe fizike. Me anë të shërbimit të tyre si mbretër do të ndërtohet një shoqëri njerëzore globale që do të pasqyrojë drejtësinë dhe shenjtërinë e Jehovait. Gjatë një mijë vjetëve që do të shërbejnë si gjykatës bashkë me Jezuin, ata do t’i drejtojnë me dashuri njerëzit që do të përgjigjen pozitivisht, drejt synimit të jetës së përhershme.—Gjoni 3:16.
Sprova e fundit
19. Në ç’gjendje do të jetë toka dhe njerëzimi në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar, dhe ç’do të bëjë Jezui në atë kohë?
19 Në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar e gjithë toka do të jetë bërë si Edeni në fillim. Do të jetë bërë një parajsë e vërtetë. Njerëzit e përsosur nuk do të kenë më nevojë për një kryeprift që të ndërmjetësojë për ta para Perëndisë, pasi çdo gjurmë e mëkatit adamik do të jetë hequr dhe armiku i fundit, vdekja, do të jetë asgjësuar. Mbretëria e Krishtit do të ketë përmbushur qëllimin e Perëndisë për të krijuar një botë me një qeveri të vetme. Në këtë kohë, Jezui «do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij».—1 Korintasve 15:22-26; Romakëve 15:12.
20. Ç’do të ndodhë, sipas fjalëve të Gjonit, kur të vijë koha për sprovën e fundit?
20 Pas gjithë kësaj, do të jetë koha për një sprovë të fundit. Ndryshe nga njerëzit e parë në Eden, a do të qëndrojë me integritet të palëkundur kjo botë e përsosur e njerëzimit? Gjoni na tha se ç’do të ndodhë: «Sapo të mbarojnë një mijë vjetër, Satanai do të zgjidhet e do të lirohet nga burgu i tij dhe do të dalë për të mashtruar kombet në të katër cepat e dheut, Gog dhe Magog, që t’i mbledhë së bashku për luftë. Numri i tyre është si rëra e detit. Ata shkuan përpara mbi gjerësinë e tokës dhe rrethuan kampin e të shenjtëve dhe qytetin e dashur.»—Zbulesa 20:7-9a.
21. Ç’do të bëjë Satanai si përpjekje të fundit dhe përse nuk duhet të habitemi që disa do të shkojnë pas tij edhe pas Mbretërimit Mijëvjeçar?
21 Si do të shkojë kjo përpjekje e fundit e Satanait? Ai do të mashtrojë «kombet në të katër cepat e dheut, Gog dhe Magog» dhe do t’i udhëheqë «për luftë». Kush, vallë, do të bashkohet me Satanain pas një sundimi teokratik mijëvjeçar të gëzuar e ndërtues? E pra, mos harro se Satanai ishte në gjendje të mashtronte Adamin dhe Evën që ishin të dy të përsosur dhe gëzonin jetën në Parajsën në Eden. Ai ishte në gjendje të merrte me vete në rrugë të shtrembër disa engjëj në qiell, të cilët i kishin parë pasojat e këqija të rebelimit të parë. (2 Pjetrit 2:4; Juda 6) Prandaj, nuk duhet të habitemi që disa njerëzve të përsosur do t’u mbushet mendja të shkojnë pas Satanait, edhe pas atyre një mijë vjetëve të këndshëm të sundimit të Mbretërisë së Perëndisë.
22. (a) Ç’tregon shprehja «kombet në të katër cepat e dheut»? (b) Përse rebelët quhen «Gog dhe Magog»?
22 Bibla i quan këta rebelë «kombet në të katër cepat e dheut». Kjo s’do të thotë se njerëzimi do të ndahet përsëri në kombe të veçuara nga njëra-tjetra. Kjo shprehje tregon thjesht se ata do të ndahen nga njerëzit e drejtë e besnikë të Jehovait dhe do të shfaqin të njëjtën frymë të keqe që tregojnë kombet sot. Ata ‘do të kurdisin një plan të keq’, siç bëri edhe Gogu i Magogut në profecinë e Ezekielit, me synimin që të shkatërrojnë qeverinë teokratike në tokë. (Ezekieli 38:3, 10-12) Prandaj janë quajtur «Gog dhe Magog».
23. Ç’tregon fakti se numri i rebelëve do të jetë «si rëra e detit»?
23 Numri i atyre që do të bashkohen me Satanain në këtë rebelim, do të jetë «si rëra e detit». Sa do të jetë kjo? S’ka ndonjë numër të paravendosur. (Krahaso Josiun 11:4; Gjykatësit 7:12.) Në fund numri i përgjithshëm i rebelëve do të varet nga mënyra se si do të reagojë secili individ ndaj intrigave mashtruese të Satanait. Gjithsesi, do të jetë pa dyshim një numër i konsiderueshëm, përderisa do ta ndiejnë veten aq të fortë, sa të mposhtin «kampin e të shenjtëve dhe qytetin e dashur».
24. (a) Ç’është ‘qyteti i dashur’ dhe si mund të rrethohet ai? (b) Ç’përfaqëson ‘kampi i të shenjtëve’?
24 ‘Qyteti i dashur’ duhet të jetë qyteti për të cilin Jezu Krishti i ngritur në lavdi foli me dishepujt e tij te Zbulesa 3:12 dhe që ai e quajti ‘qyteti i Perëndisë tim—Jerusalemi i ri, i cili zbret nga qielli prej Perëndisë tim’. Por, meqë kjo është një organizatë qiellore, si ka mundësi që ta ‘rrethojnë’ këto forca tokësore? Në kuptimin që ato rrethojnë «kampin e të shenjtëve». Kampi ngrihet jashtë qytetit; prandaj, ‘kampi i të shenjtëve’ duhet të paraqitë ata që ndodhen në tokë, jashtë vendndodhjes qiellore të Jerusalemit të Ri, dhe që mbështetin besnikërisht qeverinë e Jehovait. Kur rebelët e drejtuar nga Satanai të sulmojnë këta besnikë, për Zotërinë Jezu do të jetë njësoj si të kenë sulmuar atë vetë. (Mateu 25:40, 45) «Kombet» do të përpiqen të shkatërrojnë gjithçka që Jerusalemi i Ri qiellor ka bërë për ta kthyer tokën në parajsë. Prandaj, duke sulmuar «kampin e të shenjtëve», ato do të kenë sulmuar edhe «qytetin e dashur».
Liqeni i zjarrit e i squfurit
25. Si e përshkroi Gjoni fundin e sulmit të rebelëve kundër ‘kampit të të shenjtëve’ dhe ç’do të thotë kjo për Satanain?
25 A do të ketë sukses kjo përpjekje e fundit e Satanait? Sigurisht që jo—ashtu sikurse nuk do të ketë sukses edhe sulmi që Gogu i Magogut do të ndërmarrë në kohën tonë kundër Izraelit frymor! (Ezekieli 38:18-23) Ja përshkrimi i gjallë që i bëri Gjoni fundit të tyre: «Por nga qielli zbriti zjarr dhe i përpiu. Kurse Djalli që i mashtronte, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku gjendeshin tashmë edhe bisha me profetin e rremë.» (Zbulesa 20:9b-10a) Kësaj radhe, në vend që thjesht të hidhet në humnerë, Satanai, gjarpri i hershëm, do të shtypet, do të zhduket për fare, do të bëhet pluhur e hi, do të shfaroset plotësisht, si të ishte djegur në zjarr.
26. Përse ‘liqeni i zjarrit e i squfurit’ nuk mund të jetë një vend i mirëfilltë mundimi?
26 Kemi parë tashmë se ‘liqeni i zjarrit e i squfurit’ nuk mund të jetë një vend i mirëfilltë mundimi. (Zbulesa 19:20) Që Satanai të vuante këtë mundim të tejskajshëm për gjithë përjetësinë, Jehovait do t’i duhej ta mbante të gjallë. Mirëpo, jeta është dhuratë, jo ndëshkim. Ndëshkimi për mëkatin është vdekja dhe sipas Biblës krijesat e vdekura nuk ndiejnë asnjë dhembje. (Romakëve 6:23; Eklisiastiu 9:5, 10) Për më tepër, më pas lexojmë se vetë vdekja, bashkë me Hadesin, hidhen në po këtë liqen të zjarrit e të squfurit. Sigurisht që vdekja dhe Hadesi nuk mund të kenë dhembje!—Zbulesa 20:14.
27. Si na ndihmon ajo që ndodhi me Sodomën dhe Gomorrën të kuptojmë termin ‘liqeni i zjarrit e i squfurit’?
27 Të gjitha këto përforcojnë mendimin se liqeni i zjarrit e i squfurit është simbolik. Veç kësaj, përmendja e zjarrit dhe e squfurit të sjellin ndër mend fundin e Sodomës e të Gomorrës së lashtë, të cilat u shkatërruan nga Perëndia për shkak të ligësisë së tyre të madhe. Kur erdhi koha që Jehovai t’i ndëshkonte, «Jehovai bëri që mbi Sodomën dhe Gomorrën të binte squfur e zjarr nga Jehovai, prej qiejve». (Zanafilla 19:24) Ajo që u ndodhi atyre dy qyteteve është quajtur ‘ndëshkimi gjyqësor i zjarrit të përhershëm’. (Juda 7) Gjithsesi, ato dy qytete nuk vuajtën mundime të përhershme. Përkundrazi, ato u shfarosën, u zhdukën përgjithnjë, bashkë me banorët e tyre të zvetënuar. Sot ato qytete nuk ekzistojnë më dhe askush s’mund të thotë me siguri se ku ndodheshin.
28. Ç’është liqeni i zjarrit e i squfurit, dhe si ndryshon ai nga vdekja, Hadesi dhe humnera?
28 Në përputhje me këtë, vetë Bibla shpjegon domethënien e liqenit të zjarrit e të squfurit: «Kjo do të thotë vdekja e dytë, liqeni i zjarrit.» (Zbulesa 20:14) Është qartësisht e njëjta gjë si me Gehenën për të cilën foli Jezui, një vend ku të ligjtë gjenden të shkatërruar, por jo se mundohen përgjithnjë. (Mateu 10:28) Është një shkatërrim i plotë, absolut dhe pa asnjë shpresë për ringjallje. Ja pse për vdekjen, Hadesin dhe humnerën thuhet se kanë çelësa, kurse për liqenin e zjarrit e të squfurit nuk përmendet asnjë lloj çelësi që mund ta hapë. (Zbulesa 1:18; 20:1) Ata që gjenden atje, s’do të dalin kurrë.—Krahaso Markun 9:43-47.
Mundohen ditë e natë përgjithmonë
29, 30. Ç’tha Gjoni për Djallin, bishën dhe profetin e rremë, dhe si duhen kuptuar këto fjalë?
29 Gjoni tha për Djallin, bishën dhe profetin e rremë: «Ata do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.» (Zbulesa 20:10b) Ç’do të thotë vallë kjo? Siç është përmendur edhe më parë, nuk është e logjikshme të themi se simbolet, si bisha dhe profeti i rremë, por edhe vdekja dhe Hadesi, mund të vuajnë në kuptimin e vërtetë. Prandaj, s’kemi asnjë arsye të besojmë se Satanai do të vuajë në përjetësi. Ai ka për t’u shfarosur.
30 Fjala greke e përdorur këtu për «mundohen», basanízo, së pari do të thotë «të provosh (metalet) me një gur prove». Domethënia «të marrësh dikë në pyetje duke e torturuar» është kuptimi i dytë i fjalës. (The New Thayer’s Greek-English Lexicon of the New Testament) Në këtë kontekst, përdorimi i kësaj fjale greke tregon se ajo që do t’i ndodhë Satanait, do të shërbejë në përjetësi si një gur prove ose si kriter për sa i përket sundimit të drejtë e të ligjshëm të Jehovait. Çështja e sovranitetit do të mbyllet një herë e mirë. Në rast se ndodh që sovraniteti i Jehovait të sfidohet përsëri, s’do të ketë më kurrë nevojë të kalohet një sprovë e gjatë për të treguar se ishte e gabuar.—Krahaso Psalmin 92:1, 15.
31. Si na ndihmojnë dy fjalë greke që kanë lidhje me fjalën «mundohem», të kuptojmë ndëshkimin që do të marrë Satana Djalli?
31 Një fjalë tjetër që ka lidhje me këtë, basanistés, «torturues», është përdorur në Bibël me kuptimin «roje burgu». (Mateu 18:34, Kingdom Interlinear) Në harmoni me këtë, Satanai do të burgoset në liqenin e zjarrit përgjithmonë; s’do të dalë kurrë që andej. Së fundi, në Septuagintën greke, të cilën Gjoni e njihte shumë mirë, fjala básanos është përdorur për të përshkruar poshtërimin që çon në vdekje. (Ezekieli 32:24, 30) Kjo na ndihmon të kuptojmë se ndëshkimi që do të marrë Satanai është një poshtërim, vdekje e përhershme në liqenin e zjarrit e të squfurit. Veprat e tij do të vdesin bashkë me të.—1 Gjonit 3:8.
32. Ç’ndëshkim i pret demonët dhe si e dimë?
32 Në këtë varg nuk përmenden demonët. A do lirohen ata bashkë me Satanain në fund të një mijë vjetëve dhe a do të marrin bashkë me të ndëshkimin e vdekjes së përhershme? Provat tregojnë se po. Në ilustrimin e deleve dhe të cjepve Jezui tha se cjeptë do të përfundojnë në «zjarrin e përhershëm të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij». (Mateu 25:41) Shprehja «zjarrin e përhershëm» duhet t’i referohet liqenit të zjarrit e të squfurit ku do të hidhet Satanai. Engjëjt e Djallit u hodhën poshtë nga qielli bashkë me të. Me sa duket, ata do të hidhen bashkë me të në humnerë në fillim të Mbretërimit Mijëvjeçar. Prandaj, është e logjikshme se ata do të shkatërrohen bashkë me të në liqenin e zjarrit e të squfurit.—Mateu 8:29.
33. Cila hollësi e fundit e profecisë së Zanafillës 3:15 do të përmbushet në atë kohë, dhe te cila çështje e përqendroi më pas vëmendjen e Gjonit fryma e Jehovait?
33 Në këtë mënyrë, përmbushet edhe hollësia e fundit e profecisë së Zanafillës 3:15. Kur të hidhet në liqenin e zjarrit, Satanai do të vdesë si një gjarpër që i dërrmohet koka me një thembër të hekurt. Ai dhe demonët e tij do të zhduken një herë e përgjithmonë. Libri i Zbulesës nuk i përmend më. Tani që në mënyrë profetike i ka hequr qafe këta, fryma e Jehovait e përqendron vëmendjen te një çështje tjetër me rëndësi për ata që kanë shpresë tokësore: Ç’rezultate do të sjellë për njerëzimin mbretëria qiellore e ‘Mbretit të mbretërve’ dhe e ‘të thirrurve, të zgjedhurve dhe të besueshmëve që janë me të’? (Zbulesa 17:14) Për të na dhënë përgjigje, Gjoni na çoi përsëri prapa në fillim të Mbretërimit Mijëvjeçar.
[Shënimet]
a Shkrime të tjera thonë se Jezui ishte në Hades kur ishte i vdekur. (Veprat 2:31) Gjithsesi, nuk duhet të arrijmë në përfundimin se Hadesi dhe humnera janë gjithnjë e njëjta gjë. Edhe pse bisha dhe Satanai përfundojnë në humnerë, vetëm për njerëzit thuhet se shkojnë në Hades, ku flenë në gjumin e vdekjes derisa të ringjallen.—Jobi 14:13; Zbulesa 20:13.
b Nga sa duket, sëpata (greqisht, pélekus) ishte mjeti i zakonshëm i ekzekutimit në Romë, edhe pse në kohën e Gjonit përdorej më shpesh shpata. (Veprat 12:2) Për këtë arsye, fjala greke e përdorur këtu, pepelekisménon (ekzekutuar me sëpatë), do të thotë thjesht «të ekzekutuar».
c Në mënyrë interesante, historiani i shekullit të katërt Eusebi raporton se Papiasi i Hierapolit, për të cilin dihet se e ka marrë një pjesë të njohurisë së vet biblike nga nxënësit e Gjonit, shkrimtarit të Zbulesës, besonte te një Mbretërim Mijëvjeçar i Krishtit në kuptimin e mirëfilltë (edhe pse Eusebi iu kundërvu fuqimisht).—Historia e Kishës, nga Eusebi, III, 39.
[Figura në faqen 293]
Deti i Vdekur. Vendndodhja e mundshme e Sodomës dhe e Gomorrës
[Figurat në faqen 294]
«Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër»