Një sekret që të krishterët nuk guxojnë ta mbajnë!
«I kam folur botës publikisht. . . . Nuk thashë asgjë në sekret.»—GJONI 18:20, BR.
1, 2. Cila është domethënia e fjalës greke my·steʹri·on sipas përdorimit në Shkrime?
FJALA greke my·steʹri·on është përkthyer 25 herë «sekret i shenjtë» dhe 3 herë «mister» në Përkthimin Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta. Një sekret i quajtur i shenjtë duhet të jetë vërtet i rëndësishëm! Kushdo që ka privilegjin për të fituar njohurinë e një sekreti të tillë, duhet të ndihet shumë i nderuar, pasi është llogaritur i denjë për të ndarë një sekret me Perëndinë Suprem të universit.
2 Një fjalor i Vain (Expository Dictionary of Old and New Testament Words) pohon se në të shumtën e rasteve «sekret i shenjtë» është një përkthim më i përshtatshëm sesa «mister». Për fjalën my·steʹri·on në të thuhet: «Në [Shkrimet e Krishtere Greke] ai nuk tregon misterin (si fjala në ang[lisht]), por atë mister, i cili duke qenë jashtë rrezes së aftësisë së natyrshme të kuptueshmërisë njerëzore, mund të bëhet i njohur vetëm nga zbulimi Hyjnor dhe bëhet i tillë në mënyrën e në kohën e caktuar nga Perëndia dhe vetëm atyre që janë të ndriçuar nga Fryma e Tij. Në kuptimin e zakonshëm, një mister nënkupton njohurinë e fshehtë; kur përdoret në Bibël, nënkupton të vërtetën e zbuluar. Prandaj, termat që shoqërohen në mënyrë të veçantë me subjektin e misterit janë ‘i bërë i njohur’, ‘i shfaqur’, ‘i zbuluar’, ‘i predikuar’, ‘i kuptuar’, ‘shpërndarje’.»
3. Si ndryshonte kongregacioni i krishterë i shekullit të parë nga disa grupe të mistershme fetare?
3 Ky shpjegim thekson një ndryshim më të madh ndërmjet grupeve të mistershme fetare që lulëzuan në shekullin e parë dhe kongregacionit të krishterë të sapoformuar. Ndërsa ata që pranoheshin në kultet sekrete, shpeshherë ishin të lidhur nga një betim heshtjeje, për të ruajtur mësimet fetare, të krishterët nuk ishin vënë asnjëherë nën një kufizim të tillë. Është e vërtetë që apostulli Pavël foli për «mençurinë e Perëndisë në një sekret të shenjtë», duke e quajtur atë «mençuri e fshehur», d.m.th., e fshehur nga «sundimtarët e këtij sistemi gjërash». Ajo nuk është e fshehur për të krishterët, të cilëve ai u ishte zbuluar nëpërmjet frymës së Perëndisë, me qëllim që të mund ta bënin publike.—1. Korintasve 2:7-12, BR; krahaso Proverbat 1:20.
«Sekreti i shenjtë» i identifikuar
4. Mbi kë përqendrohet «sekreti i shenjtë» dhe si?
4 «Sekreti i shenjtë» i Jehovait përqendrohet në Jezu Krishtin. Pavli shkroi: «[Jehovai] na bëri të njohur ne sekretin e shenjtë të vullnetit të tij. Është sipas pëlqimit të tij që kishte vënë si qëllim në vetvete, për një administrim në kufirin e plotë të kohëve të caktuara, d.m.th., që të mbledhë çdo gjë përsëri së bashku në Krishtin, gjërat në qiej dhe gjërat mbi tokë. Po, në të.» (Efesianëve 1:9, 10, BR) Pavli ishte edhe më specifik lidhur me natyrën e «sekretit të shenjtë», kur vuri në dukje nevojën për «një njohuri të saktë të sekretit të shenjtë të Perëndisë, d.m.th., të Krishtit».—Kolosianëve 2:2, BR.
5. Çfarë përfshihet në «sekretin e shenjtë»?
5 Por jo vetëm kaq, sepse «sekreti i shenjtë» është një sekret me shumë aspekte. Nuk është thjesht identifikimi i Jezuit si ai që është Fara e premtuar apo Mesia; ai përfshin rolin që i është caktuar atij të luajë në qëllimin e Perëndisë. Ai përfshin një qeveri qiellore, Mbretërinë Mesianike të Perëndisë, siç e shpjegoi qartë Jezui, kur u tha dishepujve të tij: «Juve ju është dhënë të kuptoni sekretet e shenjta të mbretërisë së qiejve, kurse atyre njerëzve nuk u është dhënë.»—Mateu 13:11, BR.
6. (a) Përse është korrekte të themi se «sekreti i shenjtë» ishte «mbajtur në heshtje për një kohë mjaft të gjatë»? (b) Si u zbulua ai në mënyrë progresive?
6 Duhej të kalonte një periudhë e gjatë kohe që nga përmendja për herë të parë e qëllimit të Perëndisë për të siguruar një bazë për Mbretërinë Mesianike, deri në çuarjen e «sekretit të shenjtë . . . në një përfundim». (Zbulesa 10:7, BR; Zanafilla 3:15) Çuarja e tij në një përfundim do të ndodhte me vendosjen e Mbretërisë, siç vërteton një krahasim i Zbulesës 10:7 dhe 11:15. Në fakt, kaluan rreth 4.000 vjet që nga premtimi i parë i Mbretërisë në Eden, deri në shfaqjen e Mbretit të Caktuar në vitin 29 të e.s. 1.885 vjet të tjerë kaluan derisa Mbretëria u vendos në qiej në 1914-n. Në këtë mënyrë, «sekreti i shenjtë» u zbulua në mënyrë progresive gjatë një periudhe prej gati 6.000 vjetësh. (Shiko faqen 16.) Ç’është e vërteta, Pavli kishte folur saktësisht lidhur me «zbulimin e sekretit të shenjtë, i cili ishte mbajtur në heshtje për një kohë mjaft të gjatë, por që tani ishte shfaqur dhe ishte bërë i njohur».—Romakëve 16:25-27, BR; Efesianëve 3:4-11.
7. Përse mund të kemi besimin më të madh në klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur?
7 Në kontrast me njerëzit, të cilët kanë një jetëgjatësi të kufizuar, e në këtë mënyrë ndihen të shtypur nga koha, Jehovai nuk e provon kurrë këtë ndjenjë, për t’i zbuluar sekretet e tij para kohe. Ky fakt, nuk duhet të na lejojë që të bëhemi të padurueshëm, kur disa pyetje biblike nuk mund të shpjegohen për momentin siç do të donim. Modestia nga ana e klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur, e ngarkuar për t’u siguruar shtëpiakëve të krishterë ushqimin në kohën e duhur, nuk e lejon atë të vrapojë përpara me vetëbesim dhe të spekulojë si e marrë lidhur me gjëra që janë ende të paqarta. Klasa e skllavit përpiqet të mos jetë dogmatike. Ajo nuk është kaq krenare, sa të mos pranojë se tani për tani nuk mund t’i përgjigjet çdo pyetjeje, duke i mbajtur të qarta në mendje Proverbat 4:18. Por, sa rrëqethëse është të dimë se në kohën e duhur dhe në mënyrën e tij, Jehovai do të vazhdojë të zbulojë sekretet e tij, për sa u përket qëllimeve të veta! Nuk duhet të bëhemi kurrë të paduruar me rregullimin e Jehovait, duke bërë përçapje të pamatura për t’u ngutur përpara Zbuluesit të sekreteve. Sa siguruese është të dimë se kanali që Jehovai po përdor sot, nuk vepron kështu! Ai është si i besueshëm, ashtu edhe i matur.—Mateu 24:45; 1. Korintasve 4:6.
Sekreti që është zbuluar duhet treguar!
8. Si e dimë se «sekreti i shenjtë» duhet bërë i njohur?
8 Jehovai nuk ua ka zbuluar të krishterëve «sekretin e shenjtë» të tij, që ta mbajnë atë të fshehur. Në harmoni me parimin që Jezui vuri për të gjithë ithtarët e tij, e jo vetëm për një pakicë klerikësh, ai duhet bërë i njohur: «Ju jeni drita e botës. Një qytet nuk mund të fshihet, kur gjendet mbi një mal. Njerëzit ndezin një llampë dhe e vënë atë jo nën shportë, por mbi shandan dhe ai ndriçon mbi të gjithë ata që janë në shtëpi. Po ashtu, le të shndritë drita juaj para njerëzve, që ata të mund të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:14-16, BR; Mt 28:19, 20.
9. Çfarë tregon se Jezui nuk ishte revolucionar, siç thonë disa?
9 Jezui nuk kishte asnjë qëllim revolucionar që të formonte një organizatë të fshehtë ithtarësh, për të ndjekur qëllime sekrete. Në një libër të tij, Robert M. Grant shkroi lidhur me mbrojtjen e bërë për të krishterët e hershëm nga apologjeti i shekullit të dytë, Justin Martiri: «Nëse të krishterët do të ishin revolucionistë, ata do të kishin qëndruar në fshehtësi, për të arritur synimin e tyre.» (Early Christianity and Society) Por, si mund të ‘qëndronin të fshehur’ të krishterët e në të njëjtën kohë të ishin si «një qytet . . . [që] gjendet mbi një mal»? Ata nuk guxonin ta fshihnin dritën e tyre nën një shportë. Prandaj, qeveria nuk kishte pse të frikësohej aspak nga aktiviteti i tyre. Ky shkrimtar vazhdoi t’i përshkruante ata si «aleatët më të mirë të perandorit në çështjen e paqes dhe të rregullit të mirë».
10. Përse të krishterët nuk duhet ta mbajnë sekret identitetin e tyre?
10 Jezui nuk donte që dishepujt e tij ta mbanin sekret identitetin e tyre si anëtarë të një të ashtuquajturi sekt fetar. (Veprat 24:14; 28:22) Moslejimi i dritës që të shkëlqejë sot, do të zemëronte si Krishtin, ashtu edhe Atin e tij, Zbuluesin e sekreteve, dhe nuk do të na bënte ne të lumtur.
11, 12. (a) Përse Jehovai dëshiron që krishterimi të bëhet i njohur? (b) Në ç’mënyrë Jezui la shembullin e duhur?
11 Jehovai «nuk dëshiron askënd që të shkatërrohet, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2. Pjetrit 3:9, BR; Ezekieli 18:23; 33:11; Veprat 17:30) Baza për faljen e mëkateve të njerëzve të penduar, është besimi në sakrificën shpërblerëse të Jezu Krishtit, i cili dha veten si shpërblerje për të gjithë e jo vetëm për pak, kështu që «kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme». (Gjoni 3:16, BR) Është jetike që njerëzit të ndihmohen, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm që do t’i kualifikonin ata për t’u gjykuar si dele e jo si cjep, gjatë gjykimit të ardhshëm.—Mateu 25:31-46.
12 Krishterimi i vërtetë nuk duhet fshehur; ai duhet bërë i njohur në çdo mënyrë të përshtatshme që është e mundur. Vetë Jezui la shembullin e duhur. Kur kryeprifti e pyeti lidhur me dishepujt dhe me mësimin e tij, ai tha: «I kam folur botës publikisht. Kam mësuar gjithmonë në sinagogë dhe në tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë; dhe nuk thashë asgjë në sekret.» (Gjoni 18:19, 20, BR) Duke mbajtur parasysh këtë precedent, cili do të qe ai person me frikë Perëndie që do të merrte guximin për të mbajtur sekret mesazhin, për të cilin Perëndia ka shpallur se duhet të bëhet publik? Kush do të guxonte të fshihte «çelësin e njohurisë» që të çon në jetën e përhershme? Kjo gjë do ta bënte atë si hipokritët fetarë të shekullit të parë.—Luka 11:52; Gjoni 17:3.
13. Përse duhet të predikojmë në çdo rast?
13 Mos qoftë askush që të thotë se ne si Dëshmitarë të Jehovait kemi mbajtur sekret mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë! Qoftë i pranuar apo i hedhur poshtë mesazhi, njerëzit duhet ta dinë se ai është predikuar. (Krahaso Ezekielin 2:5; 33:33.) Le të përfitojmë, pra, nga çdo mundësi për t’u thënë të tjerëve mesazhin e së vërtetës, kurdoherë që na ndodh t’i takojmë.
Të vëmë çengela në nofullat e Satanait
14. Përse nuk duhet të ngurrojmë që të jemi të hapur në adhurimin tonë?
14 Në shumë vende, Dëshmitarët e Jehovait po bëhen gjithnjë e më shumë qendra e vëmendjes së mjeteve të informacionit. Ngjashëm me çfarë u ndodhi të krishterëve të hershëm, shpeshherë ata janë keqparaqitur dhe vënë në të njëjtën kategori me kultet e dyshimta fetare dhe organizatat sekrete. (Veprat 28:22) A mund të na bëjë një objekt sulmi më të madh, mënyra jonë e hapur në predikim? Kjo gjë sigurisht që nuk do të ishte e mençur dhe në harmoni me këshillën e Jezuit, për të mos u futur në mes të mosmarrëveshjeve kur s’është e nevojshme. (Proverbat 26:17; Mateu 10:16) Megjithatë, puna dobiprurëse e predikimit të Mbretërisë dhe e dhënies së ndihmës të tjerëve, për të përmirësuar jetën e tyre nuk duhet të jetë e fshehtë. Ajo i sjell lavdi Jehovait, duke e lartësuar atë dhe duke drejtuar vëmendjen drejt tij dhe Mbretërisë së tij të vendosur. Reagimi i fundit shpërblyes ndaj së vërtetës biblike në Evropën Lindore dhe në disa pjesë të Afrikës, ka qenë pjesërisht, për shkak të hapjes në rritje, me anë të së cilës tani atje mund të predikohet e vërteta.
15, 16. (a) Cilave qëllime u shërben mënyra jonë e hapur dhe lulëzimi frymor, por, a është ky një shkak për shqetësim? (b) Përse Jehovai vë çengela në nofullat e Satanait?
15 Është e vërtetë se mënyra e hapur me të cilën predikojnë Dëshmitarët e Jehovait, parajsa frymore që ata gëzojnë dhe lulëzimi i tyre, si në burime materiale, ashtu edhe në pasuri njerëzore, nuk kalon pa u vërejtur. Ndërsa tërheqin personat me zemër të ndershme, këta faktorë mund të ngjallin pakënaqësinë e kundërshtarëve. (2. Korintasve 2:14-17) Në fakt, ky lulëzim mund të shërbejë së fundi për të tërhequr forcat e Satanait në sulm kundër popullit të Perëndisë.
16 Mos vallë ky duhet të jetë një shkak për shqetësim? Sipas profecisë së Jehovait që gjejmë në kreun 38 të Ezekielit, jo. Ai parathotë se Gogu i Magogut, përshkrues i Satana Djallit që nga rënia e tij në afërsi të tokës pas vendosjes së Mbretërisë në 1914-n, do të drejtojë një sulm mbi popullin e Perëndisë. (Zbulesa 12:7-9) Jehovai i thotë Gogut: «Ti duhet të thuash: ‘Do të ngjitem kundër vendit të hapur fshatar. Do të shkoj mbi ata që nuk kanë shqetësim, që banojnë në siguri, që banojnë të gjithë pa mure e nuk kanë as lloz e dyer.’ Do të jetë për të marrë plaçkë të madhe dhe për të bërë shumë plaçkitje, me qëllim që të kthesh dorën tënde mbi vende të shkretuara të banuara sërish dhe mbi një popull të mbledhur së bashku nga kombet, një [popull] që grumbullon pasuri dhe zotërime, ata që banojnë në qendër të tokës.» (Ezekieli 38:11, 12, BR) Vargu 4 tregon se gjithsesi populli i Perëndisë nuk ka pse t’i frikësohet këtij sulmi, sepse ai do të kryhet nga Jehovai. Por, përse Perëndia do të lejonte, po, madje të provokonte një sulm tërësor mbi popullin e tij? Në vargun 23 lexojmë përgjigjen e Jehovait: «Sigurisht do të madhështohem e do të shenjtërohem dhe do ta bëj veten të njohur përpara syve të shumë kombeve; dhe ata duhet të njohin që unë jam Jehovai.»—BR.
17. Si duhet ta konsiderojmë sulmin e pashmangshëm të Gogut?
17 Prandaj, në vend se të jetojnë në tmerrin e sulmit të Gogut, populli i Jehovait mezi pret këtë përmbushje të mëtejshme të profecisë biblike. Sa rrëqethëse është të dimë se duke e lulëzuar dhe bekuar organizatën e tij të dukshme, Jehovai fut çengela në nofullat e Satanait dhe e çon atë dhe forcat e tij ushtarake në shpartallim!—Ezekieli 38:4.
Tani më shumë se kurrë!
18. (a) Çfarë po kuptojnë shumë njerëz tani dhe përse? (b) Si shërben reagimi ndaj predikimit të Mbretërisë si një nxitje e fuqishme?
18 Në kohët e sotme, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë shumë të hapur në shprehjen e pikëpamjeve të tyre të bazuara në Bibël, edhe pse kjo nuk ka qenë e njohur. Për dekada të tëra, ata kanë paralajmëruar për rreziqet e pirjes së duhanit dhe të abuzimit të drogës, për dritëshkurtësinë e stërvitjes toleruese të fëmijëve, për ndikimet e këqija të zbavitjes së mbushur me marrëdhënie të paligjshme seksuale e dhunë dhe për rreziqet e transfuzioneve të gjakut. Veç kësaj, ata kanë nxjerrë në pah paqëndrueshmërinë e teorisë së evolucionit. Gjithnjë e më shumë njerëz tani po thonë: «Dëshmitarët e Jehovait në fund të fundit nuk e kanë gabim.» Po të mos kishim qenë kaq të hapur në bërjen publike të pikëpamjeve tona, ata nuk do të mund të reagonin në këtë mënyrë. E të mos kalojmë pa vënë re faktin se duke bërë një pohim të tillë, ata janë duke bërë një hap drejt fjalëve: «Satana, ti je gënjeshtar; në fund të fundit Jehovai ka të drejtë.» Ç’nxitje e fuqishme është për ne që të vazhdojmë të ndjekim shembullin e Jezuit, duke e thënë fjalën e së vërtetës publikisht!—Proverbat 27:11.
19, 20. (a) Cilën vendosmëri shprehu populli i Jehovait në 1922-shin dhe a gjejnë ende zbatim këto fjalë? (b) Si duhet ta konsiderojmë «sekretin e shenjtë» të Jehovait?
19 Populli i Jehovait e ka kuptuar prej kohësh detyrimin e tij në këtë aspekt. Në një kongres të shënuar, në 1922-shin, J. F. Rutherford, president i atëhershëm i Shoqatës Watch Tower, e drithëroi auditorin me fjalët: «Jini të kthjellët, jini vigjilentë, aktivë dhe të guximshëm. Jini Dëshmitarë të besueshëm dhe të vërtetë për Zotërinë. Shkoni përpara në betejë derisa të bëhet e shkretë çdo gjurmë e Babilonisë. Përhapeni mesazhin gjithkund. Bota duhet ta dijë se Jehovai është Perëndia dhe se Jezu Krishti është Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve. Kjo është dita e të gjitha ditëve. Vështroni, Mbreti mbretëron! Ju jeni agjentët e tij të shpalljes. Prandaj, lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij.»
20 Sa të rëndësishme ishin këto fjalë në 1922-shin, aq më shumë janë të tilla 75 vjet më vonë, kur zbulimi i Krishtit si Gjyqtar dhe Hakmarrës është shumë më afër! Mesazhi i Mbretërisë së vendosur të Jehovait dhe i parajsës frymore që gëzon populli i Perëndisë është një «sekret i shenjtë» kaq sublim, sa nuk mund të lihet pa thënë. Siç deklaroi shumë qartë vetë Jezui, ithtarët e tij duhet që me ndihmën e frymës së shenjtë, të jenë Dëshmitarë «deri në pjesët më të largëta të tokës», për sa i përket vendit të tij kyç në qëllimin e përhershëm të Jehovait. (Veprat 1:8, BR; Efesianëve 3:8-12) Në fakt, si shërbëtorë të Jehovait, Perëndisë që zbulon sekretet, ne nuk guxojmë ta mbajmë këtë sekret për vete!
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cili është «sekreti i shenjtë»?
◻ Si e dimë se ai duhet bërë publik?
◻ Ç’gjë sjell sulmin e Gogut mbi popullin e Jehovait dhe si duhet ta shohim këtë gjë?
◻ Për çfarë duhet të jetë i vendosur secili prej nesh?
[Kutia në faqen 16]
Një «sekret i shenjtë» i zbuluar në mënyrë progresive
◻ Pas 4026 p.e.s.: Perëndia premtoi të ngrinte një Farë për të shkatërruar Satanain.—Zanafilla 3:15
◻ Në 1943 p.e.s: U bë e vlefshme besëlidhja abrahamike, që premtonte se Fara do të vinte përmes Abrahamit.—Zanafilla 12:1-7
◻ Në 1918 p.e.s.: Lindja e Isakut si trashëgimtar i besëlidhjes.—Zanafilla 17:19; 21:1-5
◻ Rreth 1761 p.e.s.: Jehovai përforcon se Fara do të vijë përmes birit të Isakut, Jakobit.—Zanafilla 28:10-15
◻ Në 1711 p.e.s.: Jakobi tregon se Fara do të vijë përmes birit të tij, Judës.—Zanafilla 49:10
◻ Në 1070-1038 p.e.s.: Mbreti David mëson se Fara do të jetë pasardhës i tij dhe do të sundojë përgjithmonë si Mbret.—2. Samuelit 7:13-16; Psalmi 89:35, 36
◻ Në 29-33 të e.s.: Jezui identifikohet si Fara, Mesia, gjyqtari i ardhshëm dhe Mbreti i Caktuar.—Gjoni 1:17; 4:25, 26; Veprat 10:42, 43; 2. Korintasve 1:20; 1. Timoteut 3:16
◻ Jezui zbulon se ai do të ketë bashkësundimtarë dhe gjyqtarë, se Mbretëria qiellore do të ketë nënshtetas tokësorë dhe se të gjithë ithtarët e tij duhet të jenë predikues të Mbretërisë.—Mateu 5:3-5; 6:10; 28:19, 20; Luka 10:1-9; 12:32; 22:29, 30; Gjoni 10:16; 14:2, 3
◻ Jezui zbulon se Mbretëria do të vendoset në një kohë të caktuar, siç vërtetohet nga ngjarjet botërore.—Mateu 24:3-22; Luka 21:24
◻ Në 36 të e.s.: Pjetri mëson se edhe jojudenjtë do të jenë bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë.—Veprat 10:30-48
◻ Në 55 të e.s.: Pavli shpjegon se bashkëtrashëgimtarët e Mbretërisë do të ringjallen në pavdekësi dhe pakorruptueshmëri gjatë pranisë së Krishtit.—1. Korintasve 15:51-54
◻ Në 96 të e.s.: Jezui tashmë duke sunduar mbi ithtarët e tij të mirosur, zbulon se numri i tyre përfundimtar do të jetë 144.000.—Efesianëve 5:32; Kolosianëve 1:13-20; Zbulesa 1:1; 14:1-3
◻ Në 1879 të e.s.: Kulla e Rojës e Sionit tregon vitin 1914 si një vit me domethënie të madhe në plotësimin e «sekretit të shenjtë» të Perëndisë
◻ Në 1925 të e.s.: Kulla e Rojës shpjegon se Mbretëria kishte lindur në 1914-n; «sekreti i shenjtë» lidhur me Mbretërinë duhet të bëhet publik.—Zbulesa 12:1-5, 10, 17
[Figurat në faqen 15]
Ashtu si Drejtuesi i tyre, Jezui, Dëshmitarët e Jehovait shpallin publikisht Mbretërinë e Jehovait