«Perëndia na deshi në këtë mënyrë»
«Nëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne kemi detyrimin për të dashur njëri-tjetrin.»—1. GJONIT 4:11, BR.
1. Përse në të katër anët e globit, më 13 mars, pas perëndimit të diellit do të mblidhen miliona njerëz nëpër Sallat e Mbretërisë dhe nëpër vende të tjera mbledhjeje?
TË DIELËN, më 23 mars 1997, pas perëndimit të diellit, në të katër anët e botës do të mblidhen pa dyshim mbi 13.000.000 njerëz nëpër Sallat e Mbretërisë dhe nëpër vende të tjera mbledhjeje, që përdoren nga Dëshmitarët e Jehovait. Përse? Sepse zemra e tyre është prekur nga shprehja më e madhe e dashurisë së Perëndisë karshi njerëzimit. Jezu Krishti e përqendroi vëmendjen mbi atë dëshmi të madhërishme të dashurisë së Perëndisë, duke thënë: «Perëndia e deshi botën aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, në mënyrë që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme.»—Gjoni 3:16, BR.
2. Cilat pyetje mund t’i drejtojë vetes secili prej nesh, në lidhje me përgjigjen tonë ndaj dashurisë së Perëndisë?
2 Ndërsa shqyrtojmë dashurinë që ka treguar Perëndia, bëjmë mirë të pyesim veten: «A e çmoj vërtet atë që ka bërë Perëndia? A dëshmon mbi këtë çmueshmëri mënyra se si po e përdor jetën time?»
«Perëndia është dashuri»
3. (a) Përse shfaqja e dashurisë nuk është e pazakontë për Perëndinë? (b) Si shfaqen fuqia dhe mençuria në veprat e tij të krijimit?
3 Shfaqja e dashurisë nuk është në vetvete një gjë e jashtëzakonshme nga ana e Perëndisë, pasi «Perëndia është dashuri». (1. Gjonit 4:8) Dashuria është karakteristika e tij mbizotëruese. Ngritja e maleve dhe grumbullimi i ujit nëpër liqene dhe oqeane, kur ai ishte duke përgatitur tokën si strehim për njerëzit, ishte një shfaqje befasuese e fuqisë. (Zanafilla 1:9, 10) Kur Perëndia vuri në veprim ciklin e ujit dhe atë të oksigjenit, kur projektoi mikroorganizma të panumërt dhe varietetet e vegjetacionit për t’i kthyer elementet kimike të tokës në ushqim, që njerëzit të mund t’i asimilonin për t’u mbajtur gjallë, kur vendosi orët tona biologjike që të korrespondonin me gjatësinë e ditëve dhe të muajve në planetin Tokë, tregoi mençuri të madhe. (Psalmi 104:24; Jeremia 10:12) Megjithatë, ajo që është edhe më e spikatshme në krijimin fizik, është dëshmia e dashurisë së Perëndisë.
4. Cilën dëshmi të dashurisë së Perëndisë duhet të shohë dhe të çmojë secili prej nesh në krijimin fizik?
4 Shqisa e të shijuarit na tregon dashurinë e Perëndisë, kur kafshojmë një frutë të pjekur e të lëngshëm, që në mënyrë të qartë nuk është bërë vetëm për të na mbajtur gjallë, por edhe për të na dhënë kënaqësi. Sytë tanë shohin dëshminë e pagabueshme të saj në perëndimet mahnitëse, në qiellin plot yje në një natë të kthjellët, në format e ndryshme dhe në ngjyrat e gjalla të luleve, në sjelljet qesharake të këlyshëve të kafshëve dhe në buzëqeshjen e ngrohtë të miqve. Hunda na bën të vetëdijshëm për të, kur thithim aromën e këndshme të luleve të pranverës. Veshët tanë e ndiejnë, kur dëgjojmë zhurmën e ujëvarës, këngën e zogjve dhe zërin e njerëzve të dashur. E ndiejmë kur një person i dashur na jep një përqafim të ngrohtë. Disa kafshë kanë aftësi për të parë, për të dëgjuar apo për të nuhatur gjëra që njerëzit e kanë të pamundur. Por njerëzimi, i bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ka aftësi ta ndiejë dashurinë e Perëndisë në një mënyrë të tillë, që s’mund ta bëjë asnjë kafshë.—Zanafilla 1:27.
5. Si tregoi Jehovai dashuri me bollëk ndaj Adamit dhe Evës?
5 Kur krijoi njerëzit e parë, Adamin dhe Evën, Perëndia Jehova i rrethoi ata me dëshminë e dashurisë së tij. Ai kishte mbjellë një kopsht, një parajsë, dhe bëri që të rriteshin në të pemë të të gjitha llojeve. Ai kishte siguruar një lumë që ta ujiste dhe e mbushi këtë kopsht me zogj dhe kafshë magjepsëse. Të gjitha këto ia dha Adamit dhe Evës si shtëpinë e tyre. (Zanafilla 2:8-10, 19) Jehovai i trajtoi ata si fëmijët e tij, si pjesë e familjes së tij universale. (Luka 3:38) Duke dhënë Edenin si model, Ati qiellor i këtij çifti të parë njerëzor vuri përpara tyre caktimin e këndshëm për ta shtrirë parajsën, derisa të mbulonte globin. Pasardhësit e tyre duhej të popullonin të gjithë tokën.—Zanafilla 1:28.
6. (a) Çfarë ndien për rrugën rebele që ndërmori Adami dhe Eva? (b) Ç’gjë mund të tregojë se kemi nxjerrë mësim nga ajo që ndodhi në Eden dhe se kemi nxjerrë dobi nga ajo njohuri?
6 Megjithatë, pak kohë më pas, Adami dhe Eva përballuan një sprovë bindjeje, një sprovë besnikërie. Në fillim njëri dhe pastaj tjetri nuk treguan çmueshmëri për dashurinë që u ishte dhuruar. Ajo që bënë ishte tronditëse. Ishte e pafalshme! Si rezultat, ata humbën marrëdhënien e tyre me Perëndinë, u përjashtuan nga familja e tij dhe u zbuan nga Edeni. Akoma sot ne ndiejmë pasojat e mëkatit të tyre. (Zanafilla 2:16, 17; 3:1-6, 16-19, 24; Romakëve 5:12) Por, a kemi nxjerrë mësim nga ajo që ndodhi? Si po i përgjigjemi ne dashurisë së Perëndisë? A tregojnë vendimet që marrim çdo ditë se e çmojmë dashurinë e tij?—1. Gjonit 5:3.
7. Pavarësisht nga ajo që bënë Adami dhe Eva, në ç’mënyrë tregoi Jehovai dashuri për pasardhësit e tyre?
7 Edhe mungesa e plotë e çmueshmërisë, që treguan prindërit tanë të parë njerëzorë, për gjithçka që Perëndia kishte bërë për ta, nuk i la shkas Perëndisë që të ndrydhte dashurinë e tij. Nga dhembshuria për njerëzit që s’kishin lindur atëherë, duke përfshirë edhe neve që sot jemi në jetë, Perëndia i lejoi Adamit dhe Evës që para se të vdisnin, të ngrinin një familje. (Zanafilla 5:1-5; Mateu 5:44, 45) Po të mos e kishte bërë këtë, asnjëri prej nesh nuk do të kish lindur. Me anë të zbulimit progresiv të vullnetit të tij, Jehovai siguroi, gjithashtu, një bazë për shpresë për të gjithë ata pasardhës të Adamit që do të ushtronin besim. (Zanafilla 3:15; 22:18; Isaia 9:6, 7) Rregullimi i tij përfshinte mjetet, me anë të të cilave njerëz nga të gjitha kombet do të mund të rifitonin atë që kishte humbur Adami, pra, jetën e përsosur si anëtarë të miratuar të familjes universale të Perëndisë. Ai e bëri këtë, duke siguruar një shpërblerje.
Përse një shpërblerje?
8. Përse Perëndia nuk mund të dekretonte thjesht se ndonëse Adami dhe Eva duhej të vdisnin, asnjëri prej pasardhësve të tyre të bindur nuk do të vdisnin?
8 A ishte vërtet i nevojshëm pagimi i një çmimi shpërblerës në formën e jetës njerëzore? A nuk mund të dekretonte thjesht Perëndia se ndonëse Adami dhe Eva duhej të vdisnin për rebelimin që kishin treguar, të gjithë pasardhësit e tyre që do t’i bindeshin Perëndisë mund të jetonin përgjithmonë? Nga një këndvështrim njerëzor dritëshkurtër, kjo mund të tingëllonte e arsyeshme. Megjithatë, Jehovai është «dashurues i së drejtës dhe i drejtësisë». (Psalmi 33:5, BR) Adami dhe Eva bënë fëmijë vetëm pasi ishin bërë mëkatarë, kështu që asnjëri nga këta fëmijë nuk kishte lindur i përsosur. (Psalmi 51:5) Të gjithë ata kishin trashëguar mëkatin dhe dënimi për mëkatin është vdekja. Po ta kishte shpërfillur Jehovai këtë, çfarë shembulli do të kishte lënë për anëtarët e familjes së tij universale? Ai nuk mund të shpërfillte vetë normat e tij të drejta. Ai i respektoi kërkesat për drejtësi. Asnjë nuk do të mund të gjente në mënyrë ligjore të meta në mënyrën, në të cilën i trajtoi Perëndia çështjet që përfshiheshin në të.—Romakëve 3:21-23.
9. Çfarë lloj shpërblerjeje nevojitej sipas normës hyjnore të drejtësisë?
9 Si mund të sigurohej, atëherë, një bazë e përshtatshme për lirimin e atyre pasardhësve të Adamit, të cilët do të shfaqnin bindje të dashur ndaj Jehovait? Nëse një njeri i përsosur do të vdiste si sakrificë, sipas drejtësisë, ajo jetë e përsosur do të siguronte mbulimin e mëkateve të atyre, që do ta besonin dhe do ta pranonin shpërblerjen. Duke qenë se mëkati i një njeriu të vetëm, Adamit, ishte përgjegjës për faktin se shkaktoi që të gjithë në familjen njerëzore të ishin mëkatarë, gjaku i derdhur nga një tjetër njeri i përsosur, duke qenë me të njëjtën vlerë, mund të barazonte anët e peshores së drejtësisë. (1. Timoteut 2:5, 6) Por, ku mund të gjendej një person i tillë?
Sa i madh ishte çmimi?
10. Përse pasardhësit e Adamit nuk ishin në gjendje të siguronin shpërblerjen e duhur?
10 Mes pasardhësve të Adamit mëkatar, nuk kishte asnjë që mund të siguronte atë që nevojitej, për të riblerë perspektivat e jetës që kishte humbur Adami. «Asnjë prej tyre nuk mund të shpengojë në asnjë mënyrë, madje edhe një vëlla, as t’i japë Perëndisë një shpërblesë për të; (dhe çmimi për shpengimin e shpirtrave të tyre është kaq i çmuar, saqë ka marrë fund për kohë të pafundme) që ai të jetojë ende përgjithmonë dhe të mos shohë gropën.» (Psalmi 49:7-9, BR) Në vend se ta linte njerëzimin pa asnjë shpresë, vetë Jehovai plot mëshirë bëri sigurimin.
11. Përmes cilit mjet e siguroi Jehovai jetën e përsosur njerëzore, që nevojitej për një shpërblerje të përshtatshme?
11 Jehovai nuk dërgoi në tokë një engjëll, që të hiqej sikur kishte vdekur, duke dhënë një trup të mishëruar, ndërkohë që ai vazhdonte të jetonte si një frymë. Përkundrazi, duke bërë një mrekulli që vetëm Perëndia, Krijuesi, mund ta kishte shpikur, ai transferoi forcën jetësore dhe modelin e personalitetit të një biri qiellor në barkun e një gruaje, Marisë, bijës së Elit, nga fisi i Judës. Forca aktive e Perëndisë, fryma e tij e shenjtë, ruajti zhvillimin e fëmijës në barkun e nënës së tij dhe lindi një njeri i përsosur. (Luka 1:35; 1. Pjetrit 2:22) Ky kishte atëherë në dispozicion të tij çmimin që duhej për të siguruar një shpërblerje, e cila do të plotësonte në mënyrë të plotë kërkesat e drejtësisë hyjnore.—Hebrenjve 10:5.
12. (a) Në ç’kuptim është Jezui «Biri i vetëmlindur» i Perëndisë? (b) Si e thekson dashurinë e Perëndisë për ne, fakti që Ai dërgoi atë për të siguruar shpërblerjen?
12 Kujt prej miriada bijve të tij qiellorë ia dha Jehovai këtë caktim? Atij që në Shkrime përshkruhet si «Biri i vetëmlindur» i tij. (1. Gjonit 4:9, BR) Kjo shprehje është përdorur jo për të përshkruar se çfarë u bë ai kur lindi si njeri, por çfarë ishte ai në qiell përpara se të lindte si i tillë. Ai ishte i vetmi, të cilin Jehovai e krijoi drejtpërdrejt pa bashkëpunimin e askujt tjetër. Ai është i Parëlinduri i gjithë krijimit. Është ai, të cilin Perëndia e përdori për të sjellë në ekzistencë të gjitha krijesat e tjera. Engjëjt janë bij të Perëndisë, ashtu siç ishte Adami një bir i Perëndisë. Por Jezui është përshkruar si ai që ka «një lavdi të tillë siç i takon një biri të vetëmlindur nga ati». Është thënë se ai qëndron «në gji pranë Atit». (Gjoni 1:14, 18, BR) Marrëdhënia e tij me Atin është një marrëdhënie e ngushtë, e besuar dhe e përzemërt. Ai ndan dashurinë e Atit të tij për njerëzimin. Proverbat 8:30, 31 shpreh se si ndihet Ati i tij për këtë Bir dhe se si Biri ndihet për njerëzimin: «Unë isha ai, të cilin ai [Jehovai] e donte veçanërisht me gjithë zemër ditë për ditë, unë që kënaqesha para tij në çdo kohë, . . . dhe gjërat, të cilat unë [Jezui, Kryemjeshtri i Jehovait, personifikimi i mençurisë] doja me gjithë zemër, ishin me bijtë e njerëzve.» (BR) Ishte ky Bir më i çmuar, që Perëndia dërgoi në tokë për të siguruar shpërblerjen. Prandaj, sa domethënës është pohimi i Jezuit: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij, të vetëmlindurin.»—Gjoni 3:16.
13, 14. Çfarë duhet të na ndihmojë të kuptojmë për atë që ka bërë Jehovai, ajo që është shkruar në Bibël mbi përpjekjen e Abrahamit për të ofruar Isakun? (1. Gjonit 4:10)
13 Për të na ndihmuar të kuptonim disi se çfarë do të thoshte kjo, shumë kohë përpara se Jezui të vinte në tokë, rreth 3.890 vjet më parë, Perëndia e udhëzoi Abrahamin: «Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje [si ofertë të djegur, BR] në një nga malet që do të të tregoj.» (Zanafilla 22:1, 2) Me besim, Abrahami iu bind. Vëre veten në vend të Abrahamit. Po sikur të ishte biri yt, biri yt i vetëm, të cilin e do shumë? Çfarë do të ndieje, tek prisje dru për ofertën e djegur, tek udhëtoje disa ditë për në vendin e Moriahve dhe tek vendosje birin tënd mbi altar?
14 Përse një prind i dhembshur ka këto ndjenja? Zanafilla 1:27 thotë se Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ndjenjat tona të dashurisë dhe të dhembshurisë pasqyrojnë në një mënyrë shumë të kufizuar dashurinë dhe dhembshurinë e vetë Jehovait. Në rastin e Abrahamit, Perëndia ndërhyri, e kështu Isaku nuk u sakrifikua vërtet. (Zanafilla 22:12, 13; Hebrenjve 11:17-19) Por, në rastin e vet, Jehovai nuk u spraps në momentin e fundit që të siguronte shpërblerjen, sadoqë kjo gjë i kushtoi shtrenjt atij dhe Birit të tij. Ajo që u bë, nuk u bë për shkak të ndonjë detyrimi nga ana e Perëndisë, por përkundrazi, u bë si një shprehje e jashtëzakonshme e dashamirësisë së pamerituar. A e çmojmë atë në mënyrë të plotë?—Hebrenjve 2:9.
Çfarë bën të mundur shpërblerja
15. Si ka ndikuar shpërblerja mbi jetën edhe në këtë sistem të tanishëm gjërash?
15 Kjo masë e dashur e marrë nga Perëndia ka një ndikim të thellë në jetën e atyre, që e pranojnë atë me besim. Më parë, ata ishin të larguar nga Perëndia si pasojë e mëkatit. Ata ishin siç thotë Fjala e tij, «armiq për shkak se mendjet e tyre ishin mbi vepra të liga». (Kolosianëve 1:21-23, BR) Por ata ‘u pajtuan me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij’. (Romakëve 5:8-10) Pasi kanë ndryshuar mënyrën e tyre të jetesës dhe pasi kanë pranuar faljen që bën të mundur Perëndia, për ata që ushtrojnë besim në sakrificën e Krishtit, ata janë të favorizuar me një ndërgjegje të pastër.—Hebrenjve 9:14; 1. Pjetrit 3:21.
16. Cilat bekime i janë dhënë kopesë së vogël, për shkak të besimit të tyre në shpërblerjen?
16 Një numri të kufizuar prej këtyre njerëzve, një kopeje të vogël, Jehovai i ka ofruar favorin e pamerituar për t’u shoqëruar me Birin e tij në Mbretërinë qiellore, që të plotësojnë qëllimin origjinal të Perëndisë për tokën. (Luka 12:32) Këta janë marrë «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb . . . për të qenë një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë dhe ata do të sundojnë si mbretër mbi tokën». (Zbulesa 5:9, 10, BR) Këtyre, apostulli Pavël u shkroi: «Keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Aba, o Atë!’ Vetë fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit.» (Romakëve 8:15-17) Duke qenë të adoptuar nga Perëndia si bij të tij, atyre u është dhuruar marrëdhënia e çmuar që humbi Adami; por këtyre bijve do t’u jepen privilegje të tjera të shërbimit në qiell: një gjë që Adami nuk e pati kurrë. S’është çudi që apostulli Gjon tha: «Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë.» (1. Gjonit 3:1) Ndaj këtyre, Perëndia nuk tregon vetëm dashuri në parim (a·gaʹpe), por edhe dashuri të përzemërt e të butë (phi·liʹa), e cila është karakteristikë e lidhjes që ekziston mes miqve të vërtetë.—Gjoni 16:27.
17. (a) Çfarë mundësie u jepet të gjithë atyre që ushtrojnë besim në shpërblerjen? (b) Çfarë nënkupton për ta «liria e lavdishme e bijve të Perëndisë»?
17 Edhe ndaj të tjerëve, ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë besim në masën bujare të Perëndisë për jetë nëpërmjet Jezu Krishtit, Jehovai u jep mundësinë për të fituar marrëdhënien e çmuar që humbi Adami. Apostulli Pavël shpjegoi: «Shpresa e ethshme e krijimit [krijimi njerëzor që rrodhi prej Adamit] po pret zbulimin e bijve të Perëndisë [d.m.th., ata po presin kohën, kur të duket qartë se bijtë e Perëndisë, të cilët bashkë me Krishtin janë trashëgimtarë të Mbretërisë qiellore, po ndërmarrin hapa pozitivë në dobi të njerëzimit]. Sepse krijimi i ishte nënshtruar kotësisë [ata kishin lindur në mëkat me perspektivën e vdekjes dhe nuk ekzistonte asnjë mënyrë se si ata të mund të liroheshin], jo me vullnetin e vet, por nëpërmjet atij që e nënshtroi, në bazë të shpresës [së dhënë nga Perëndia] se edhe vetë krijimi do të lirohet nga skllavëria e korruptimit dhe do të ketë lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë.» (Romakëve 8:19-21, BR) Çfarë nënkupton kjo liri? Se ata janë liruar nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Ata do të kenë përsosmëri mendjeje dhe trupi, do të kenë parajsën si shtëpi të tyre dhe jetën e përhershme, në të cilën do të gëzojnë përsosmërinë e tyre dhe do të shprehin çmueshmërinë që kanë për Jehovain, Perëndinë e vetëm të vërtetë. Si u bë e mundur e gjithë kjo? Nëpërmjet sakrificës shpërblerëse të Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
18. Çfarë do të bëjmë ne më 23 mars pas perëndimit të diellit dhe përse?
18 Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., në një dhomë të sipërme të një shtëpie në Jerusalem, Jezui themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij. Kremtimi vjetor i vdekjes së tij është bërë një ngjarje e rëndësishme në jetën e të gjithë të krishterëve të vërtetë. Vetë Jezui urdhëroi: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19, BR) Në vitin 1997, Përkujtimi do të mbahet më 23 mars pas perëndimit të diellit (ditë e cila përkon me datën, kur fillon 14 nisani). Asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme atë ditë, sesa të qenët i pranishëm për këtë rast Përkujtimor.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Në cilat mënyra Perëndia ka treguar dashuri me bollëk për njerëzimin?
◻ Përse nevojitej një jetë e përsosur njerëzore për të liruar me shpërblesë pasardhësit e Adamit?
◻ Sa shtrenjt i kushtoi Jehovait sigurimi i shpërblerjes?
◻ Çfarë bën të mundur shpërblerja?
[Figura në faqen 10]
Perëndia dha Birin e tij të vetëmlindur