Kapitulli 24
Qëllimi i Jehovait kryhet me sukses të lavdishëm
1, 2. (a) Cili është qëllimi i Jehovait në lidhje me krijesat e tij inteligjente? (b) Cilët përfshiheshin në familjen e bashkuar të adhuruesve të Jehovait? (c) Në lidhje me këtë, cila pyetje personale meriton shqyrtim?
I GJITHË krijimi inteligjent i bashkuar në adhu- rim të vërtetë dhe të gjithë të gëzojnë lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë: ky është qëllimi i mençur dhe i dashur i Jehovait. Kjo është edhe dëshira e sinqertë e të gjithë atyre që e duan drejtësinë.
2 Jehovai filloi ta përmbushë këtë qëllim të madh, kur nisi veprat e tij të krijimit. Krijesa e tij e parë ishte një Bir, ai që doli si «shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij». (Hebr. 1:1-3, Dio) Ky ishte unik, pasi u krijua nga vetë Perëndia. Me anë të tij erdhën në jetë edhe bij të tjerë—së pari, engjëjt në qiej dhe pastaj njeriu mbi tokë. (Jobi 38:7; Luka 3:38) Të gjithë këta bij krijuan një familje universale. Për të gjithë ata Jehovai ishte Perëndi, i vetmi që duhej adhuruar. Ai ishte Sovrani Universal. Ai ishte, gjithashtu, Ati i tyre i dashur. A është ai edhe Ati yt dhe a je ti një nga fëmijët e tij? Sa marrëdhënie e çmuar mund të jetë kjo!
3. (a) Përse askush nga ne nuk ka qenë në lindje bir i Perëndisë? (b) Por çfarë mase të dashur mori Jehovai për pasardhësit e Adamit?
3 Megjithatë, duhet të pranojmë faktin se kur prindërit tanë të parë njerëzorë u dënuan me vdekje si mëkatarë të vullnetshëm, ata u dëbuan nga Edeni dhe nuk u pranuan më nga Perëndia. Ata nuk qenë më pjesë e familjes universale të Perëndisë. (Zan. 3:22-24; krahaso Ligjin e përtërirë 32:4, 5.) Të gjithë ne, pasi jemi pasardhës të Adamit mëkatar, kemi lindur me prirje mëkatare. Duke qenë se vijmë nga prindër të përjashtuar nga familja e Perëndisë, nuk mund të themi se jemi bij të Perëndisë vetëm në bazë të lindjes njerëzore. Por Jehovai e dinte se disa veta nga pasardhësit e Adamit do ta donin drejtësinë, prandaj me dashuri Ai mori masat që këta të mund të merrnin lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë.—Rom. 8:20, 21.
Pozita e privilegjuar e Izraelit
4. (a) Mbi çfarë baze izraelitët ishin «bij» të Perëndisë? (b) Çfarë nuk nënkuptonte kjo?
4 Më se 2.500 vjet pas krijimit të Adamit, Jehovai u ofroi përsëri disa njerëzve privilegjin për të pasur një marrëdhënie si bij të tij. Në përputhje me besëlidhjen që bëri me Abrahamin, Jehovai zgjodhi Izraelin për të qenë populli i tij. Prandaj, faraonit të Egjiptit ai i foli për Izraelin si «biri im». (Të Dal. 4:22, 23; Zan. 12:1, 2) Më vonë, ai i dha Izraelit Ligjin e tij, në malin Sinai, duke bërë me atë popull një komb dhe e përdori në lidhje me qëllimin e tij. Nga një pikëpamje kombëtare, pasi ishin një pronë e veçantë e Jehovait, për ta u fol si për «bij» të Perëndisë. (Li. përt. 14:1, 2; Isa. 43:1) Gjithashtu, për shkak të trajtimit të veçantë që u bëri disa individëve brenda atij kombi, Jehovai iu drejtua atyre si bijve. (1. Kron. 22:9, 10) Ky qëndrim bazohej në marrëdhënien e besëlidhjes me Perëndinë. Megjithatë, ai nuk do të thoshte se ata gëzonin lirinë e lavdishme që kishte pasur Adami si bir i Perëndisë. Ata ishin ende në robërinë e mëkatit dhe të vdekjes.
5. Si e humbi Izraeli pozitën e tij të veçantë në sy të Perëndisë?
5 Sidoqoftë, si bij ata kishin një pozitë të favorizuar pranë Perëndisë. Ata kishin edhe përgjegjësinë për të respektuar Atin e tyre dhe të vepronin në harmoni me qëllimin e tij. Jezui e theksoi rëndësinë e përmbushjes nga ana e tyre të këtij detyrimi—jo vetëm duke e quajtur Perëndinë si Atin e tyre, por «duke provuar» se ishin bij të tij. (Mat. 5:43-48; Mal. 1:6) Megjithatë, hebrenjtë si komb dështuan në këtë pikë. Kështu, gjatë vitit të fundit të shërbimit të Jezuit mbi tokë, kur hebrenjtë që kërkonin ta vritnin Jezuin deklaruan: «Ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë», Jezui me vendosmëri theksoi se veprimet dhe fryma e tyre e nxirnin të gënjeshtërt një pohim të tillë. (Gjoni 8:41, 44, 47, Dio) Në vitin 33 të e.s. besëlidhja e Ligjit u përmbush nga Perëndia dhe baza për marrëdhënien e veçantë që gëzonte Izraeli mori fund. Megjithatë, Jehovai kishte akoma midis njerëzimit njerëz që i pranonte si bij.
Jehovai bashkon popullin e tij
6. Çfarë «administrate» përshkroi Pavli në Efesianëve 1:9, 10 dhe cili ishte synimi i saj?
6 Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të Efesit mbi programin e Jehovait për të bashkuar popullin e tij—për rregullimin e Perëndisë që ata të cilët do të ushtronin besim të mund të bëheshin pjesëtarë të dashur të familjes së Tij, duke thënë: «[Perëndia] na e bëri të njohur sekretin e shenjtë të vullnetit të tij. Ai është sipas pëlqimit të tij, që ai e kishte si qëllim në vetvete për një administratë [drejtim i familjes] në kufirin e plotë të kohëve të caktuara, d.m.th., për të mbledhur përsëri së bashku gjithçka në Krishtin, gjërat në qiej dhe gjërat mbi tokë.» (Efes. 1:9, 10) Kjo «administratë» përqendrohet rreth Jezu Krishtit. Nëpërmjet saj, njerëzit janë sjellë në një gjendje të miratuar para Perëndisë—disa me perspektivën për t’u marrë në qiell; të tjerët mbi tokë—që të shërbejnë në unitet me bijtë engjëllorë të Perëndisë që kanë dalë besnikë ndaj Jehovait.
7. Çfarë janë «gjërat në qiej» dhe çfarë domethënie ka për ta mbledhja së bashku?
7 Së pari, duke filluar me Rrëshajët e vitit 33 e.s., iu kushtua vëmendje «gjërave në qiej», d.m.th., atyre që do të ishin bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë qiellore. Në bazë të besimit të tyre në vlerën e sakrificës së Jezuit, ata u shpallën të drejtë nga Perëndia. (Rom. 5:1, 2) Pra, ata «lindën sërish» apo u bënë si bij të Perëndisë me perspektivën e jetës së përhershme. (Gjoni 3:3; 1:12, 13) Me këta, si një komb frymor, Perëndia bëri një besëlidhje të re. Me kohë, në të do të përfshiheshin hebrenj dhe paganë që do të ishin gjithsej 144.000.—Gal. 3:26-29; Zbul. 14:1.
8. Në ç’mënyrë marrëdhënia e trashëgimtarëve të Mbretërisë me Atin krahasohet me atë të hebrenjve nën Ligjin e Moisiut?
8 Edhe pse ende të papërsosur në trup, mbetja e këtyre trashëgimtarëve të Mbretërisë qiellore gëzon një marrëdhënie të çmuar dhe të afërt me Atin. Në lidhje me këtë, Pavli shkroi: «Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: ‘Abba, Atë!’ Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.» (Gal. 4:6, 7, Dio) Kjo shprehje aramaike, «Abba», do të thotë «atë», por është një formë e ngrohtë thirrjeje, si ajo që përdor një fëmijë i vogël për babain e tij. Për shkak të madhësisë së sakrificës së Jezuit dhe të vetë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, këta të krishterë të mirosur me frymë gëzojnë një marrëdhënie të tillë me Perëndinë që është shumë më intime, sesa çdo marrëdhënie e mundshme për njerëzit e papërsosur nën Ligj. Megjithatë, ajo që shtrihet akoma përpara tyre është shumë më e mrekullueshme.
9. Çfarë do të thotë realizimi i plotë i gjendjes së tyre si bij?
9 Nëse mbeten besnikë deri në vdekje, ata marrin realizimin e plotë të gjendjes së tyre si bij, duke u ringjallur në një jetë të pavdekshme në qiell. Atje, do të kenë privilegjin të shërbejnë të bashkuar në vetë praninë e Perëndisë Jehova. Vetëm një numër relativisht i vogël i këtyre bijve të Perëndisë ndodhet ende mbi tokë.—Rom. 8:14, 23; 1. Gjonit 3:1, 2.
Mbledhja e «gjërave mbi tokë»
10. (a) Çfarë janë «gjërat mbi tokë» dhe që kur janë mbledhur ata në unitet adhurimi? (b) Cila është marrëdhënia e tyre me Jehovain?
10 E njëjta «administratë» që bën të mundur mbledhjen e njerëzve në familjen e Perëndisë me perspektivën e jetës së përhershme, e drejton vëmendjen edhe mbi «gjërat mbi tokë». Veçanërisht që prej 1935-ës, njerëzit me besim në sakrificën e Jezuit janë mbledhur me perspektivën që të jetojnë përgjithmonë mbi tokë. Krah për krah me mbetjen e klasës së të mirosurve, ata lavdërojnë emrin e Jehovait dhe lartësojnë adhurimin e tij. (Sof. 3:9; Isa. 2:2, 3) Me respekt të thellë, edhe ata i drejtohen Jehovait si «Atë», duke e pranuar si Burimin e jetës dhe përpiqen sinqerisht që të pasqyrojnë cilësitë e tij, ashtu siç ai pret nga bijtë e vet. Ata gëzojnë një vend të miratuar para tij në bazë të besimit të tyre në gjakun e derdhur të Jezuit. (Mat. 6:9; Zbul. 7:9, 14) Por ata e dinë se gëzimi për t’u pranuar plotësisht si bij të Perëndisë, për ta është ende në të ardhmen.
11. (a) Çfarë premtimi për njerëzimin gjendet në Romakëve 8:19-21? (b) Çfarë është «shfaqja e bijve të Perëndisë» që ata e presin me padurim?
11 Siç tregohet në Romakëve 8:19-21, ata presin me padurim «shfaqjen e bijve të Perëndisë», sepse atëherë do të vijë koha për krijesat njerëzore që «të çlirohen nga skllavëria e prishjes». (Dio) Kjo «shfaqje» do të ndodhë kur njerëzit këtu në tokë të shohin dëshminë se bijtë e Perëndisë të mirosur me frymë, që kanë pritur shpërblimin e tyre qiellor, janë hedhur në veprim në përkrahje të Zotërisë së tyre të lavdëruar, Jezu Krishtit. Kjo do të bëhet e dukshme në shkatërrimin e të gjithë sistemit të lig të gjërave, që do të pasohet nga bekimet e Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit, në të cilën këta «bij të Perëndisë» do të marrin pjesë bashkë me të si mbretër dhe priftërinj.—Zbul. 2:26, 27; 20:6.
12. Pas mjerimit të madh, në cilën këngë lavdie do të bashkohen bijtë e Perëndisë të mirosur me frymë dhe çfarë do të thotë kjo?
12 Sa gëzim do të jetë kur të ketë kaluar mjerimi i madh dhe këta bij të Perëndisë, që janë bashkuar me Krishtin, t’i bashkojnë zërat e tyre në lavdi të Perëndisë, duke shpallur me gëzim: «Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, Jehova, Perëndi i Plotfuqishëm. Të drejta dhe të vërteta janë rrugët e tua, Mbret i përjetësisë. Me të vërtetë, kush nuk do të frikësohet ty, Jehova dhe nuk do të lavdërojë emrin tënd, sepse vetëm ti je besnik? Sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë para teje, sepse dekretet e tua të drejta u shfaqën!» (Zbul. 15:3, 4) Po, i gjithë njerëzimi, i përbërë nga njerëz të dalë nga kombet e mëparshme, do të bashkohet në adhurim të Perëndisë së vërtetë. Edhe ata që gjenden në varret përkujtimore do të ringjallen dhe do t’u jepet mundësia për të bashkuar zërat e tyre në lavdi të Jehovait.
13. Çfarë lirie të mrekullueshme do të gëzojnë menjëherë ata që do të mbijetojnë mjerimin e madh?
13 Satana Djalli nuk do të jetë më «perëndi i këtij sistemi gjërash». Adhuruesit e Jehovait këtu mbi tokë nuk do të mundohen më nga ky ndikim i lig. (2. Kor. 4:4; Zbul. 20:1-3) Feja e rreme nuk do ta përfaqësojë më në mënyrë të gabuar Perëndinë tonë të dashur dhe nuk do të shërbejë më si një ndikim përçarës në shoqërinë njerëzore. Shërbëtorët e Perëndisë së vërtetë nuk do të vuajnë më padrejtësi dhe nuk do të shfrytëzohen më nga njerëz që kanë përgjegjësi qeveritare. Sa liri e mrekullueshme do të jetë kjo për ata që do ta mbijetojnë mjerimin e madh!
14. Në ç’mënyrë do të lirohen ata nga mëkati dhe gjithë pasojat e tij?
14 Si «Qengj i Perëndisë, që heq mëkatin e botës», Jezu Krishti do të vërë në zbatim vlerën e sakrificës së tij për të fshirë të gjitha mëkatet e kaluara të njerëzimit. (Gjoni 1:29, Dio) Kur ishte mbi tokë, Jezui e shpalli një person të lirë nga mëkatet dhe e shëroi atë si provë të këtij fakti. (Mat. 9:1-7) Në mënyrë të ngjashme, prej qiellit ai do të shërojë në mënyrë të mrekullueshme të verbërit, të shurdhërit, memecët, njerëzit me të meta fizike, të sëmurët mendor dhe të gjithë ata që kanë lloje të tjera sëmundjesh. Pak nga pak, duke e formuar vetveten me besnikëri në rrugët e drejta të Jehovait, të gjithë ata që kanë dëshirë dhe janë të bindur do të lirohen plotësisht në vetvete nga «ligji i mëkatit», në mënyrë që të gjitha veprimet, mendimet dhe dëshirat e zemrës së tyre të jenë të pëlqyeshme për ta, si dhe për Perëndinë. (Rom. 7:21-23; krahaso Isaia 25:7, 8 dhe Zbulesa 21:3, 4.) Përpara fundit të Mijëvjeçarit, ata do të kenë mbërritur përsosmërinë e plotë njerëzore. Ata do të jenë plotësisht të lirë nga mëkati dhe të gjitha pasojat e tij të dhimbshme. Do të pasqyrojnë me të vërtetë «shëmbëlltyrën dhe ngjasimin e Perëndisë» në mes të një parajse tokësore që do të shtrihet në mbarë globin.—Zan. 1:26.
15. Në fund të Mijëvjeçarit, çfarë aksioni do të ndërmarrë Krishti dhe me çfarë qëllimi?
15 Kur Krishti ta ketë sjellë njerëzimin në përsosmëri, ai do t’ia kthejë atëherë Atit autoritetin që i ishte dhënë për këtë punë. Siç ishte parathënë në 1. Korintasve 15:28: «Kur t’i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.» (Dio)
16. Kujt do t’i nënshtrohen tani të gjithë njerëzit e përsosur dhe përse?
16 Tani, njerëzimit të përsosur do t’i jepet mundësia për të treguar se zgjedhja e tyre e pandryshueshme është që t’i shërbejnë përgjithmonë të vetmit Perëndi të gjallë dhe të vërtetë. Prandaj, përpara se t’i adoptojë si bij të vet nëpërmjet Jezu Krishtit, Jehovai do t’i vërë të gjithë këta njerëz të përsosur në një provë vendimtare dhe përfundimtare. Satanai dhe demonët e tij do të lirohen nga humnera. Rezultat i kësaj do të jetë një dëmtim jo i gjatë i atyre që e duan me të vërtetë Jehovain. Por secili që pabesisht do ta lërë veten të udhëhiqet në mosbindje ndaj Jehovait, do të shkatërrohet përgjithmonë, bashkë me rebelin e parë dhe demonët e tij.—Zbul. 20:7-10.
17. Në përmbushje të qëllimit të Jehovait, cila situatë do të ekzistojë përsëri midis gjithë krijimit të tij inteligjent?
17 Në këtë kohë, me anë të Krishtit, Jehovai do t’i adoptojë me dashuri si bijtë e tij të gjithë njerëzit e përsosur që i bënë ballë asaj prove të fundit vendimtare. Atëherë ata do të marrin plotësisht «lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Më në fund, ata do të jenë pjesë e familjes së bashkuar universale të Perëndisë, për të cilën Perëndia i vetëm, Sovrani Universal dhe Ati i dashur do të jetë përgjithmonë Jehovai. Atëherë, i gjithë krijimi inteligjent i Jehovait, në qiell dhe mbi tokë, do të jetë përsëri i bashkuar në adhurim të Perëndisë së vetëm të vërtetë.
Pyetje për përsëritje
● Përpara rebelimit në Eden, çfarë marrëdhënie ekzistonte midis Jehovait dhe adhuruesve të tij?
● Çfarë përgjegjësie mbetet mbi ata që janë bij të Perëndisë?
● Cilët janë sot bij të Perëndisë? Cilët do të jenë tjetër bij të Perëndisë dhe si lidhet kjo me qëllimin e Jehovait në lidhje me adhurimin e bashkuar?