Mos u bëni dëgjues harraqë
«Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, duke gënjyer veten me arsyetime të rreme.»—JAKOVIT 1:22.
1. Cilat mrekulli pati privilegjin të shikonte populli i Izraelit të lashtë?
«TË PAHARRUESHME» do të ishte një fjalë e përshtatshme për të përshkruar mrekullitë që kreu Jehovai në Egjiptin e lashtë. Secila nga dhjetë plagët ishte, pa dyshim, mahnitëse. Ato goditje u pasuan nga çlirimi i mrekullueshëm i popullit të Izraelit, i cili kaloi mes për mes ujërave të ndara të Detit të Kuq. (Ligji i përtërirë 34:10-12) Po t’i kishit parë me sytë tuaj ato ngjarje, ndoshta nuk do ta kishit harruar kurrë Atë që i shkaktoi ato. Gjithsesi, psalmisti shkroi: «[Izraelitët e] harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.»—Psalmi 106:21, 22.
2. Nga duket se çmueshmëria e Izraelit për veprat e fuqishme të Perëndisë ishte jetëshkurtër?
2 Pasi kaluan Detin e Kuq, izraelitët ‘patën frikë nga Zoti dhe besuan te Zoti’. (Eksodi [Dalja] 14:31) Burrat izraelitë u bashkuan me Moisiun duke i kënduar një këngë fitoreje Jehovait, kurse Miriami dhe gratë u përgjigjën duke u rënë dajreve dhe duke kërcyer. (Eksodi 15:1, 20) Po, popullit të Perëndisë i lanë mbresa veprat e fuqishme të Jehovait. Por, çmueshmëria e tyre për Atë që kreu këto vepra ishte jetëshkurtër. Pak kohë më pas, shumë prej tyre u sollën sikur të kishin pësuar ndonjë humbje kujtese. Filluan të murmuritnin dhe të ankoheshin kundër Jehovait. Disa u përfshinë në idhujtari dhe në imoralitet seksual.—Numrat 14:27; 25:1-9.
Çfarë mund të na bëjë të harrojmë?
3. Për shkak të natyrës sonë të papërsosur, çfarë mund të harrojmë?
3 Mungesa e çmueshmërisë nga ana e Izraelit vërtet të huton. Por, e njëjta gjë mund të na ndodhë edhe neve. Vërtet, nuk kemi parë me sytë tanë mrekulli të tilla nga Perëndia. Megjithatë, në marrëdhënien tonë me Perëndinë ka pasur, me siguri, raste që kanë qenë të paharrueshme. Disa prej nesh mund të kujtojnë kohën kur pranuan të vërtetën nga Bibla. Çaste të tjera të gëzueshme mund të kenë qenë lutja e dedikimit që i kemi bërë Jehovait dhe pagëzimi në ujë si të krishterë të vërtetë. Shumë nga ne kanë provuar ndihmën e Jehovait në periudha të tjera të jetës. (Psalmi 118:15) Mbi të gjitha, nëpërmjet vdekjes flijuese të vetë Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, kemi marrë shpresën e shpëtimit. (Gjoni 3:16) Mirëpo, për shkak të natyrës së papërsosur, kur ndeshemi me dëshira të gabuara dhe me ankthet e jetës, mund t’i harrojmë fare lehtë gjërat e mira që ka bërë Jehovai për ne.
4, 5. (a) Si paralajmëron Jakovi për rrezikun se mos bëhemi dëgjues harraqë? (b) Si mund ta zbatojmë ilustrimin e Jakovit për njeriun dhe pasqyrën?
4 Në letrën që u shkroi të bashkëkrishterëve, Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, paralajmëroi për rrezikun se mos bëhemi dëgjues harraqë. Ai shkroi: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, duke gënjyer veten me arsyetime të rreme. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo zbatues, ky është si një njeri që shikon në pasqyrë fytyrën me të cilën ka lindur. Sepse ai shihet e ikën dhe harron menjëherë se ç’lloj njeriu është.» (Jakovit 1:22-24) Çfarë donte të thoshte Jakovi me këto fjalë?
5 Kur zgjohemi në mëngjes, zakonisht ne shihemi në pasqyrë për të parë çfarë rregullimesh duhet të bëjmë në pamjen tonë të jashtme. Pastaj, ndërsa merremi me punë të ndryshme dhe mendja përqendrohet në gjëra të tjera, nuk mendojmë më për atë që kemi parë në pasqyrë. Kjo gjë mund të ndodhë edhe në kuptimin frymor. Kur shohim në Fjalën e Perëndisë, mund të krahasojmë personin që jemi me atë që Jehovai pret të jemi. Në këtë mënyrë, vihemi përballë dobësive tona. Kjo njohuri duhet të na nxitë që të bëjmë rregullime në personalitetin tonë. Por, pastaj, ndërsa vazhdojmë me punët e përditshme dhe luftojmë me problemet tona, mund të na ndodhë me lehtësi që të mos mendojmë më për gjërat frymore. (Mateu 5:3; Luka 21:34) Është sikur të harrojmë veprat e dashura që ka bërë Perëndia për ne. Nëse na ndodh kjo, mund të na sulmojnë me lehtësi prirjet mëkatare.
6. Cili shqyrtim biblik mund të na ndihmojë që të mos e harrojmë fjalën e Jehovait?
6 Në letrën e tij të parë të frymëzuar drejtuar korintasve, apostulli Pavël flet për izraelitët harraqë që ishin në shkretëtirë. Ashtu si të krishterët e shekullit të parë nxorën dobi nga fjalët e Pavlit, rishikimi i asaj që shkroi ai mund të na ndihmojë që të mos e harrojmë fjalën e Jehovait. Pra, le të shqyrtojmë 1 Korintasve 10:1-12.
T’i hedhim poshtë dëshirat e botës
7. Çfarë dëshmie të pamohueshme të dashurisë së Jehovait morën izraelitët?
7 Ajo që thotë Pavli për izraelitët shërben si paralajmërim për të krishterët. Pjesërisht, Pavli shkruan: «Vëllezër, nuk dua që ju të jeni në padije se paraardhësit tanë ishin të gjithë nën renë dhe të gjithë kaluan përmes detit dhe të gjithë u pagëzuan në Moisiun me anë të resë dhe detit.» (1 Korintasve 10:1-4) Populli i Izraelit në ditët e Moisiut kishte parë shfaqje madhështore të fuqisë së Perëndisë. Këtu përfshihej shtylla e mrekullueshme e resë nga Perëndia që i udhëhiqte ditën dhe që i ndihmoi të iknin përmes Detit të Kuq. (Eksodi 13:21; 14:21, 22) Po, ata izraelitë morën dëshmi të pamohueshme të dashurisë që Jehovai kishte për ta.
8. Çfarë pasojash patën izraelitët ngaqë u bënë harraqë nga ana frymore?
8 «Sidoqoftë,—vazhdon Pavli,—për shumicën prej tyre Perëndia nuk e shprehu miratimin e tij, sepse ranë të vdekur në shkretëtirë.» (1 Korintasve 10:5) Sa e trishtueshme! Shumica e izraelitëve që u larguan nga Egjipti e bënë veten të papërshtatshëm për të hyrë në Tokën e Premtuar. Duke mos pasur miratimin e Perëndisë për shkak të mungesës së besimit, ata vdiqën në shkretëtirë. (Hebrenjve 3:16-19) Çfarë mund të mësojmë nga kjo? Pavli thotë: «Këto gjëra u bënë shembuj për ne, që të mos jemi njerëz që dëshirojnë gjëra të dëmshme, sikurse i dëshiruan ata.»—1 Korintasve 10:6.
9. Si kishte marrë masa Jehovai për popullin e tij dhe si reagoi Izraeli?
9 Izraelitët kishin shumë gjëra të cilat mund t’i mbanin të përqendruar frymësisht kur ishin në shkretëtirë. Ata hynë në një besëlidhje me Jehovain dhe u bënë një komb i dedikuar ndaj tij. Për më tepër, iu dha një priftëri, një tabernakull si qendër adhurimi dhe një rregullim për t’i bërë flijime Jehovait. Por, në vend që të gëzonin për këto dhurata frymore, ata ia lejuan vetes që të bëheshin të pakënaqur me sigurimet materiale nga Perëndia.—Numrat 11:4-6.
10. Përse duhet ta mbajmë gjithnjë në mendimet tona Perëndinë?
10 Ndryshe nga izraelitët në shkretëtirë, populli i Jehovait sot gëzon miratimin e Perëndisë. Por, si individë, është jetësore që ta mbajmë Perëndinë në mendimet tona. Kjo do të na ndihmojë që t’i hedhim poshtë dëshirat e forta egoiste, të cilat mund të na e errësojnë pamjen frymore. Duhet të jemi të vendosur që të «hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe devocion hyjnor mes këtij sistemi të tanishëm». (Titit 2:12) Ata prej nesh, të cilët që nga fëmijëria e hershme janë shoqëruar me kongregacionin e krishterë, nuk duhet të mendojnë kurrë se po humbasin ndonjë gjë të mirë, duke mos qenë në botë. Sikur të na kalojnë qoftë edhe nëpër mend mendime të tilla, bëjmë mirë të kujtojmë Jehovain dhe bekimet e mrekullueshme që ai ka përgatitur për ne.—Hebrenjve 12:2, 3.
Bindje e plotë ndaj Jehovait
11, 12. Si mund të bëhet një person fajtor për idhujtari, ndonëse nuk përfshihet në adhurimin e shëmbëlltyrave?
11 Pavli na jep një paralajmërim tjetër kur shkruan: «As të mos bëhemi idhujtarë, si disa prej tyre; sikurse është shkruar: ‘Populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe u ngritën për të lodruar.’» (1 Korintasve 10:7) Pavli po flet për rastin kur izraelitët ia mbushën mendjen Aaronit që të bënte një viç të artë. (Eksodi 32:1-4) Ndonëse ka shumë pak mundësi t’i kthehemi adhurimit të drejtpërdrejtë të idhujve, mund të bëhemi idhujtarë duke lejuar që dëshirat egoiste të na shpërqendrojnë që të mos e adhurojmë me gjithë shpirt Jehovain.—Kolosianëve 3:5.
12 Në një rast tjetër, Pavli shkroi për disa që interesoheshin kryesisht për gjërat materiale dhe jo për gjërat frymore. Lidhur me ata që «ecin si armiq të shtyllës së torturës së Krishtit», ai shkroi: «Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku.» (Filipianëve 3:18, 19) Objekti i idhujtarisë së tyre nuk ishte ndonjë shëmbëlltyrë e gdhendur, por dëshira për gjëra materiale. Sigurisht, jo të gjitha dëshirat janë të gabuara. Jehovai na krijoi me nevoja njerëzore dhe me aftësinë për të provuar kënaqësi të ndryshme. Por ata që e vënë rendjen pas kënaqësisë mbi marrëdhënien me Perëndinë, në të vërtetë bëhen idhujtarë.—2 Timoteut 3:1-5.
13. Çfarë mund të mësojmë nga tregimi për viçin e artë?
13 Pasi u larguan nga Egjipti, izraelitët bënë një viç të artë për ta adhuruar. Përveç paralajmërimit kundër idhujtarisë, në këtë tregim ka edhe një mësim tjetër të rëndësishëm. Izraelitët nuk iu bindën drejtimit të qartë që kishte dhënë Jehovai. (Eksodi 20:4-6) Gjithsesi, ata nuk kishin ndër mend ta hidhnin poshtë Jehovain si Perëndinë e tyre. I bënë flijime viçit prej metali të derdhur dhe e quajtën atë rast një «festë për nder të Zotit». Në njëfarë mënyre, e mashtruan veten duke menduar se Perëndia do ta kalonte pa e vënë re mosbindjen e tyre. Kjo ishte fyerje ndaj Jehovait dhe e zemëroi shumë atë.—Eksodi 32:5, 7-10; Psalmi 106:19, 20.
14, 15. (a) Përse izraelitët nuk kishin asnjë justifikim për t’u bërë dëgjues harraqë? (b) Nëse jemi të vendosur të mos bëhemi dëgjues harraqë, çfarë do të bëjmë lidhur me urdhërimet e Jehovait?
14 Do të ishte shumë e pazakontë që një Dëshmitar i Jehovait të lidhej me një fe të rreme. Megjithatë, ndonëse qëndrojnë ende në kongregacion, disa mund ta hedhin poshtë drejtimin e Jehovait në mënyra të tjera. Izraelitët nuk kishin asnjë justifikim për t’u bërë dëgjues harraqë. Ata i dëgjuan Dhjetë Urdhërimet dhe ishin të pranishëm kur Moisiu u dha urdhrin e Perëndisë: «Nuk do të bëni perëndi të tjera afër meje; nuk do të bëni perëndi prej argjendi ose prej ari.» (Eksodi 20:18, 19, 22, 23) Prapëseprapë, izraelitët adhuruan viçin e artë.
15 Edhe ne nuk do të kishim asnjë justifikim të vlefshëm nëse do të bëheshim dëgjues harraqë. Në Shkrime kemi drejtimin nga Perëndia për shumë fusha të jetës. Për shembull, Fjala e Jehovait e dënon qartësisht praktikën e marrjes borxh duke mos e kthyer atë. (Psalmi 37:21) Fëmijët urdhërohen që të jenë të bindur ndaj prindërve dhe nga etërit pritet që t’i rritin fëmijët në «normën mendore të Jehovait». (Efesianëve 6:1-4) Të krishterët beqarë udhëzohen që të martohen «vetëm në Zotërinë» dhe shërbëtorëve të martuar të Perëndisë u thuhet: «Martesa le të jetë e nderuar ndër të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (1 Korintasve 7:39; Hebrenjve 13:4) Nëse jemi të vendosur të mos bëhemi dëgjues harraqë, do t’i marrim shumë seriozisht këto dhe direktiva të tjera nga Perëndia e do të veprojmë në përputhje me to.
16. Cilat ishin pasojat e adhurimit të viçit të artë?
16 Jehovai nuk e pranoi përpjekjen e izraelitëve për ta adhuruar sipas kushteve që kishin vënë ata. Përkundrazi, 3.000 veta vdiqën, ndoshta për rolin kryesor që luajtën në veprimin rebel, pra, në adhurimin e viçit të artë. Keqbërësit e tjerë u goditën me një plagë nga Jehovai. (Eksodi 32:28, 35) Çfarë mësimi është ky për ata që e lexojnë Fjalën e Perëndisë, por që e zgjedhin vetë se cilave gjëra duan t’u binden!
«Ikni nga kurvëria»
17. Për cilën ngjarje bën fjalë 1 Korintasve 10:8?
17 Një nga fushat ku dëshirat e mishit mund të shkaktojnë harresën frymore e tregon Pavli kur thotë: «As të mos praktikojmë kurvërinë, sikurse kryen kurvëri disa nga ata, vetëm për të rënë njëzet e tre mijë prej tyre në një ditë.» (1 Korintasve 10:8) Këtu Pavli flet për një ngjarje që ndodhi në Rrafshinën e Moabit, në fund të udhëtimit 40-vjeçar të Izraelit nëpër shkretëtirë. Para pak kohësh Jehovai i kishte ndihmuar izraelitët që të pushtonin vendet në lindje të Jordanit, por shumë nga ata treguan se ishin harraqë dhe mosmirënjohës. Në kufirin e Tokës së Premtuar, ata u joshën dhe ranë në imoralitet seksual dhe në adhurimin e papastër të Baalit të Peorit. Vdiqën 24.000 veta, 1.000 nga të cilët ishin udhëheqësit e rebelimit.—Numrat 25:9.
18. Cila lloj sjelljeje mund të çojë në imoralitet seksual?
18 Sot, populli i Jehovait është shumë i njohur për normat e larta morale që ka. Por, kur janë tunduar për të rënë në imoralitet seksual, disa të krishterë kanë pushuar së menduari për Perëndinë dhe për parimet e tij. Janë bërë dëgjues harraqë. Fillimisht, tundimi mund të mos përfshijë një akt kurvërie. Mund të jetë prirja për të parë me kureshtje pornografi, për t’u zbavitur me shaka të papërshtatshme a flirtime ose për të pasur shoqëri të ngushtë me individë të dobët moralisht. Të gjitha këto gjëra i kanë çuar disa të krishterë në sjellje mëkatare.—1 Korintasve 15:33; Jakovit 4:4.
19. Cila këshillë biblike na ndihmon të ‘ikim nga kurvëria’?
19 Nëse tundohemi për t’u përfshirë në sjellje imorale, nuk duhet të pushojmë së menduari për Jehovain. Më tepër, duhet të zbatojmë përkujtuesit që janë në Fjalën e tij. (Psalmi 119:1, 2) Si të krishterë, shumica prej nesh bëjnë çmos për të qëndruar të pastër moralisht, por duhen përpjekje të vazhdueshme për të bërë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë. (1 Korintasve 9:27) Të krishterëve në Romë, Pavli u shkroi: «Bindja juaj është marrë vesh nga të gjithë. Prandaj, gëzoj për ju. Por dua të jeni të mençur në lidhje me atë që është e mirë, por të pafaj në lidhje me atë që është e ligë.» (Romakëve 16:19) Ashtu si 24.000 izraelitët që u ekzekutuan për mëkatet e tyre, së shpejti kurvarët dhe keqbërësit e tjerë do të marrin gjykimin e pafavorshëm të Jehovait. (Efesianëve 5:3-6) Pra, në vend që të bëhemi dëgjues harraqë, duhet të vazhdojmë të ‘ikim nga kurvëria’.—1 Korintasve 6:18.
T’i vlerësojmë gjithnjë masat e Jehovait
20. Si e vunë në provë izraelitët Jehovain dhe cilat ishin pasojat?
20 Shumica dërrmuese e të krishterëve nuk bie asnjëherë në imoralitet seksual. Megjithatë, duhet të tregojmë kujdes që të mos e lëmë veten të ndjekim një drejtim i cili na çon në murmuritje të vazhdueshme. Kjo mund të sjellë si pasojë humbjen e miratimit hyjnor. Pavli na këshillon: «As të mos e vëmë Jehovain në provë, sikurse e vunë në provë disa [izraelitë], vetëm për të marrë fund prej gjarpërinjve. As mos jini murmuritës, siç murmuritën disa prej tyre, vetëm për të marrë fund nga shkatërruesi.» (1 Korintasve 10:9, 10) Izraelitët murmuritën kundër Moisiut dhe Aaronit—po, madje edhe kundër vetë Perëndisë—duke u ankuar për manën e siguruar me anë të një mrekullie. (Numrat 16:41; 21:5) A u ofendua më pak Jehovai nga murmuritja e tyre, sesa nga kurvëria që kryen? Tregimi biblik thotë se shumë murmuritës u vranë nga gjarpërinjtë. (Numrat 21:6) Në një rast më përpara, vdiqën më shumë se 14.700 murmuritës rebelë. (Numrat 16:49) Prandaj, le të mos e vëmë në provë durimin e Jehovait, duke treguar nënvlerësim për masat që ka marrë ai.
21. (a) Cilën nxitje u frymëzua të shkruante Pavli? (b) Sipas Jakovit 1:25, si mund të jemi vërtet të lumtur?
21 Duke u shkruar të bashkëkrishterëve, Pavli e përfundon listën e paralajmërimeve me nxitjen: «Tani, këto gjëra vazhdonin të binin mbi ta si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve. Prandaj, ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» (1 Korintasve 10:11, 12) Ngjashëm izraelitëve, ne kemi marrë shumë bekime nga Jehovai. Por, ndryshe nga ata, le të mos harrojmë kurrë e të mos dështojmë të vlerësojmë gjërat e mira që po bën Perëndia për ne. Kur ankthet e jetës na rëndojnë, le të meditojmë për premtimet e mrekullueshme që gjejmë në Fjalën e tij. Le të kujtojmë marrëdhënien tonë të çmuar me Jehovain dhe të vazhdojmë të bëjmë veprën që na është besuar, predikimin e Mbretërisë! (Mateu 24:14; 28:19, 20) Një drejtim i tillë do të na sjellë me siguri lumturi të vërtetë, sepse Shkrimet premtojnë: «Ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që i përket lirisë dhe ngulmon në të, ky njeri, meqenëse është bërë jo dëgjues harraq, por bërës i veprës, duke e bërë atë do të jetë i lumtur.»—Jakovit 1:25.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë gjëje mund të na bëjë dëgjues harraqë?
• Përse është thelbësore t’i bindemi plotësisht Perëndisë?
• Si mund të ‘ikim nga kurvëria’?
• Cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj masave të Jehovait?
[Figura në faqen 15]
Izraelitët i harruan veprat e fuqishme që kishte bërë Jehovai për ta
[Figura në faqen 16]
Populli i Jehovait është i vendosur të mbajë norma të larta morale