Në cilën tryezë po ushqehesh?
«Ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve.»—1. KORINTASVE 10:21.
1. Cilat tryeza janë shtruar përpara nesh dhe çfarë paralajmërimi na dha apostulli Pavël në lidhje me to?
KËTO fjalë të frymëzuara të apostullit Pavël tregojnë se përpara njerëzimit janë të shtruara dy tryeza simbolike. Çdo tryezë dallohet nga lloji i ushqimit simbolik të vendosur mbi të, ku secili prej nesh është duke ngrënë ose në njërën ose në tjetrën. Megjithatë, nëse dëshirojmë t’i pëlqejmë Perëndisë, nuk mund të ushqehemi në tryezën e tij dhe në të njëjtën kohë të ngjyejmë kafshatën në tryezën e demonëve. Apostulli Pavël paralajmëroi: «Gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët. Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve.»—1. Korintasve 10:20, 21.
2. (a) Cila tryezë e Jehovait ekzistonte në ditët e Izraelit të lashtë dhe kush merrte pjesë në flijimet në bashkësi? (b) Çfarë do të thotë sot të marrësh pjesë në tryezën e Jehovait?
2 Fjalët e Pavlit të sjellin ndër mend sakrificat që izraelitët e lashtë ofronin në bashkësi nën Ligjin e Jehovait. Altari i Perëndisë konsiderohej si një tryezë dhe ai që sillte kafshën si sakrificë, ishte lidhur me Jehovain dhe priftërinjtë. Në ç’mënyrë? Së pari, Jehovai merrte pjesë në sakrificë, sepse gjaku kishte spërkatur altarin e tij dhe dhjami shkrihej nga flakët nën të. Së dyti, prifti merrte pjesë, pasi ai (dhe familja e tij) hanin të skuqur kraharorin dhe këmbën e djathtë të kafshës së flijuar. Dhe së treti, në të merrte pjesë edhe ofruesi, duke ngrënë pjesën e mbetur. (Levitiku 7:11-36) Sot, të jesh në tryezën e Jehovait do të thotë që t’i japësh atij atë adhurim që ai kërkon, si shembulli i dhënë nga Jezui dhe apostujt e tij. Për ta bërë këtë, duhet të ushqehemi frymësisht me atë që Jehovai na siguron përmes Fjalës dhe organizatës së tij. Izraelitëve që kishin një lidhje të veçantë me Jehovain në tryezën e tij, u ishte ndaluar t’u ofronin flijime demonëve në tryezën e tyre. I njëjti ndalim vlen edhe për izraelitët frymorë dhe për shokët e tyre, «delet e tjera».—Gjoni 10:16.
3. Si mund të fajësohet dikush sot për pjesëmarrje në tryezën e demonëve?
3 Si mund të bëhet fajtor dikush sot, për pjesëmarrje në tryezën e demonëve? Duke u shërbyer interesave të çdo gjëje që është kundër Jehovait. Tryeza e demonëve përfshin gjithë propagandën demonike, e cila ka për qëllim të na shpjerë në rrugë të shtrembër dhe të na largojë nga Jehovai. Kush do të donte ta ushqente zemrën dhe mendjen e tij me helm të tillë? Të krishterët e vërtetë nuk pranojnë të marrin pjesë në flijimet që shumë njerëz u ofrojnë sot perëndive të luftës dhe pasurisë.—Mateu 6:24.
Të shmangim «tryezën e demonëve»
4. Cilën pyetje duhet t’i bëjë vetes secili prej nesh dhe përse nuk do të donim të merrnim pjesë me vetëdije në tryezën e demonëve?
4 Pyetja që secili prej nesh duhet t’i bëjë vetes është: Në cilën tryezë po ushqehem? Nuk mund t’i bëhet bisht faktit se jemi të detyruar të hamë në njërën tryezë apo në tjetrën. (Krahaso Mateu 12:30.) Nuk do të donim të merrnim pjesë me vetëdije në tryezën e demonëve. Në qoftë se do ta bënim, kjo gjë do të shkaktonte humbjen e favorit të të vetmit Perëndi të gjallë e të vërtetë, Jehovait. Nga ana tjetër, të ushqehesh vetëm në tryezën e Jehovait sjell jetën e përhershme në lumturi! (Gjoni 17:3) Një shprehje thotë se ndihemi ashtu siç hamë. Prandaj, kushdo që dëshiron të ketë një shëndet të mirë fizik e mendor, duhet të mbajë dietë. Ashtu si ushqimi pa vlera ushqimore dhe me yndyrshmëri të lartë, që megjithëse i shijshëm dhe i përgatitur me erëza, nuk na ndihmon që të kemi vazhdimisht shëndet të mirë fizik, edhe propaganda e kësaj bote të ndrequr me mendime demonike, është në mënyrë simbolike ushqim i skaduar që na korrupton mendjen.
5. Si mund ta shmangim sot marrjen e mësimeve të demonëve?
5 Apostulli Pavël paratha se gjatë ditëve të fundit, njerëzit do të çoheshin në rrugë të shtrembër nga «mësimet e demonëve». (1. Timoteut 4:1) Këto mësime demonike nuk gjenden vetëm në besimet e rreme fetare, por janë gjerësisht të përhapura edhe në mënyra të tjera. Për shembull, duhet të analizojmë dhe vlerësojmë se çfarë librash e revistash lexojmë ne dhe fëmijët tanë, çfarë programesh televizive shikojmë dhe çfarë spektaklesh teatrale e kinematografike ndjekim. (Proverbat 14:15) Nëse lexojmë romane për qëllime zbavitjeje, mos vallë përshkruajnë dhunë të pashpirt, seks të paligjshëm apo praktika të mbinatyrshme? Nëse lexojmë libra të tjerë për të fituar njohuri, a paraqesin ndonjë filozofi apo mënyrë jetese «jo sipas Krishtit»? (Kolosianëve 2:8) A paraqiten hamendje të kota dhe a përkrahet ndonjë lëvizje sociale botërore? A nxit vendosmërinë për t’u pasuruar? (1. Timoteut 6:9) A është ndonjë botim që paraqet me dinakëri mësime përçarëse jo të krishtere? Nëse përgjigjja është «po» dhe vazhdojmë të lexojmë apo të shikojmë gjëra të tilla, rrezik se ushqehemi në tryezën e demonëve. Sot, ka qindra mijëra botime që përkrahin filozofitë botërore në dukje shumë të shkëlqyera dhe aktuale. (Eklisiastiu 12:12) Por asgjë e kësaj propagande nuk është në të vërtetë e re dhe as nuk çon në dobi dhe përmirësim të individit, ashtu si nuk përmirësoi asgjë ajo që Satanai i tha Evës me dinakëri.—2. Korintasve 11:3.
6. Si duhet të përgjigjemi, kur Satanai na fton të shijojmë ushqimin e tij të skaduar demonik?
6 Prandaj, si duhet të përgjigjemi kur Satanai na fton të shijojmë ushqimin e tij të skaduar demonik? Ashtu siç bëri Jezui kur u tundua nga Satanai për t’i kthyer gurët në bukë. Ai iu përgjigj: «Është shkruar: ‘Njeriu nuk duhet të jetojë vetëm nga buka, por nga çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.’» Edhe kur Djalli i ofroi Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre» vetëm që të përkulej dhe të bënte një akt adhurimi ndaj Satanait, Jezui iu përgjigj: «Ik, Satana! Sepse është shkruar: ‘Vetëm Jehovain, Perëndinë tënd, duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i japësh shërbim të shenjtë.’»—Mateu 4:3, 4, 8-10, BR.
7. Përse gënjejmë veten nëse mendojmë se fare mirë mund të ushqehemi njëkohësisht në tryezën e Jehovait dhe në atë të demonëve?
7 Tryeza e Jehovait dhe tryeza e shtruar nga armiqtë e tij demonikë nuk mund të pajtohen kurrë! Në të vërtetë, më parë janë bërë përpjekje për një gjë të tillë. Sill ndër mend izraelitët e lashtë në ditët e profetit Elija. Populli pohonte se adhuronte Jehovain, por ama besonte se perënditë e tjera si Baali mund t’i jepnin bollëk. Elija iu afrua popullit dhe i tha: «Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë.» Nuk mund të mohohet fakti se izraelitët çalonin «së pari në njërën këmbë e pastaj në tjetrën». (1. Mbretërit 18:21) Elija i sfidoi priftërinjtë e Baalit të demonstronin hyjninë e perëndisë së tyre. Perëndia që do të hidhte zjarr nga qielli mbi një flijim, do të tregonte se ishte Perëndia i vërtetë. Pavarësisht nga përpjekjet e shumta, priftërinjtë e Baalit dështuan. Atëherë Elija iu lut Jehovait me thjeshtësi: «Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia.» Befas, Jehovai bëri që nga qielli të zbriste flakë, e cila përpiu kafshën e flijuar qull në ujë. I tronditur nga demonstrimi bindës i hyjnisë së Jehovait, populli iu bind Elisë dhe çoi në vdekje të 450 profetët e Baalit. (1. Mbretërit 18:20-40) Prandaj, sot duhet ta njohim Jehovain si Perëndi të vërtetë dhe me vendosmëri të kthehemi të ushqehemi vetëm në tryezën e tij, nëse nuk e kemi bërë deri tani.
«Skllavi besnik» shërben në tryezën e Jehovait
8. Cilin skllav paratha Jezui se do të përdorte për të ushqyer frymësisht dishepujt e tij gjatë pranisë së vet dhe kush është ky skllav?
8 Zotëria Jezu Krisht paratha se gjatë pranisë së tij një «skllav besnik dhe i matur» do të siguronte ushqim frymor për dishepujt e tij: «Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu. Në të vërtetë po të them se ai do t’ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet.» (Mateu 24:45-47) Ky skllav nuk është një individ i vetëm, por klasa e dedikuar e të krishterëve të mirosur. Kjo klasë ka vënë mbi tryezën e Jehovait ushqimin më të mirë frymor për mbetjen e mirosur dhe «shumicën e madhe». Shumica e madhe që tani numërohet në më shumë se katër milionë persona, është radhitur me mbetjen e mirosur për sovranitetin universal të Perëndisë Jehova dhe për Mbretërinë e tij, me anë të së cilës ai do të shenjtërojë emrin e tij të shenjtë.—Zbulesa 7:9-17.
9. Cilin mjet ka përdorur klasa e skllavit për të siguruar ushqim frymor për Dëshmitarët e Jehovait dhe si ishte përshkruar në mënyrë profetike gostia e tyre frymore?
9 Kjo klasë e skllavit besnik ka përdorur Shoqatën Watch Tower and Tract për të siguruar ushqim frymor për të gjithë Dëshmitarët e Jehovait. Ndërkohë që i ashtuquajturi krishterim dhe mbetja e këtij sistemi gjërash po vdesin nga uria për shkak të mungesës së ushqimit jetëdhënës, populli i Jehovait shtron gosti. (Amosi 8:11) Kjo është në përmbushje të profecisë së Isaisë 25:6: «Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura.» Siç tregojnë vargjet 7 dhe 8, kjo gosti do të vazhdojë përgjithmonë. Çfarë bekimi është për gjithë organizatën e dukshme të Jehovait tani dhe çfarë bekimi do të jetë edhe në të ardhmen!
Ji vigjilent ndaj ushqimit helmues në tryezën e demonëve
10. (a) Çfarë lloj ushqimi është shpërndarë nga klasa e skllavit të lig dhe ç’gjë e nxit? (b) Si i trajton klasa e skllavit të lig ish-shokët e tyre të skllavërisë?
10 Ushqimi në tryezën e demonëve është helmues. Shqyrto, për shembull, ushqimin e shpërndarë nga klasa e skllavit të lig dhe apostatët. Ai nuk të ushqen dhe nuk të ndërton; nuk është i shëndetshëm. Në fakt nuk mund të jetë, sepse apostatët nuk ushqehen më në tryezën e Jehovait. Si rezultat, çfarëdolloj cilësie të personalitetit të ri të kenë zhvilluar, ajo është zhdukur. Ajo që i nxit ata nuk është fryma e shenjtë, por mllefi i verbër. I janë qepur një qëllimi të vetëm—siç paratha Jezui, të godasin ish-shokët e tyre të skllavërisë.—Mateu 24:48, 49.
11. Çfarë shkroi C. T. Russell lidhur me zgjedhjen e ushqimit frymor dhe si i përshkroi ata që braktisin tryezën e Jehovait?
11 Për shembull, në 1909-ën e largët, kryetari i atëhershëm i Shoqatës Watch Tower, C. T. Russell, shkroi për ata që u larguan nga tryeza e Jehovait dhe filluan të keqtrajtonin ish-shokët e tyre të skllavërisë. Kulla e Rojës e 1 tetorit 1909 (angl.) thoshte: «Të gjithë ata që janë veçuar nga Shoqata dhe vepra e saj, në vend që të zhvillohen vetë apo të ndërtojnë të tjerët në besim, falë zhvillimit të fryteve të frymës, me sa duket bëjnë të kundërtën—mundohen të dëmtojnë Arsyen së cilës i shërbenin njëherë e një kohë dhe me shumë apo pak bujë zhyten gradualisht në harresë, duke i bërë dëm vetëm vetes dhe atyre që kanë një frymë të tillë të pavendosur. . . . Në qoftë se disa mendojnë se mund të ushqehen mirë apo më mirë edhe në tryeza të tjera ose se mund t’ia dalin mbarë apo më mbarë edhe vetëm, le ta bëjnë. . . . Por, ndërkohë që dëshirojmë që të tjerët të shkojnë atje ku mendojnë se mund ta gjejnë ushqimin dhe ndriçimin që u shkon për shtat, është për t’u habitur, por ata që bëhen kundërshtarët tanë marrin një drejtim krejt të ndryshëm. Në vend që të thonë me qëndrimin njerëzor të botës ‘Kam gjetur diçka që më pëlqen më shumë dhe tani ku jemi parë!’, ata tregojnë zemërim, shpirtligësi, urrejtje, grindje, ‘vepra të trupit dhe të djallit’ në një masë të tillë që edhe njerëzit e botës nuk i kemi parë të bëjnë kështu. Ata duken të shkalluar, sikur të ishte vaksinuar në ta virusi i hidrofobisë [tërbimit] satanike. Disa prej tyre godasin dhe thonë se ne i goditëm. Janë të gatshëm të thonë e të shkruajnë gënjeshtra të turpshme dhe të poshtërohen, për të kryer gjërat më të ulëta që mund të ekzistojnë.»
12. (a) Si i godasin apostatët shokët e tyre të skllavërisë? (b) Përse është e rrezikshme që për kuriozitet të ushqehemi me shkrimet e apostatëve?
12 Po, apostatët botojnë literaturë që shtrembëron faktet, shkruajnë gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra haptazi. Kanë arritur madje të piketojnë edhe kongreset e Dëshmitarëve, duke u përpjekur të zënë në grackë ata që nuk janë vigjilentë. Prandaj, do të ishte e rrezikshme të lejonim që kurioziteti të na nxiste të ushqeheshim me botime të tilla dhe të dëgjonim fjalimet e tyre poshtëruese! Edhe pse mund të mendojmë se s’rrezikojmë asgjë personalisht, rreziku mbetet. Përse? Para së gjithash, për shkak se disa botime apostate paraqesin gënjeshtra me anë të ndonjë «fjalimi të qetë» dhe «fjalëve të shtrembëruara». (Romakëve 16:17, 18; 2. Pjetrit 2:3) E ç’mund të presësh nga tryeza e demonëve? Megjithëse apostatët mund të paraqesin disa fakte, zakonisht ato janë të marra jashtë kontekstit, me qëllim që t’i largojnë të tjerët nga tryeza e Jehovait. Të gjitha ato që shkruajnë, thjesht kritikojnë dhe rrëzojnë! Nuk ka asgjë ndërtuese.
13, 14. Cilat janë frytet e apostatëve dhe të propagandës së tyre?
13 Jezui tha: «Do t’i njihni nga frytet e tyre.» (Mateu 7:16) Çfarë janë, atëherë, frytet e apostatëve dhe botimeve të tyre? Katër gjëra e karakterizojnë propagandën e tyre. (1) Dinakëri. Efesianëve 4:14 thotë se ata janë «dinakë duke trilluar gabime». (2) Inteligjencë krenare. (3) Mungesë dashurie. (4) Pandershmëri e formave të ndryshme. Këto janë vetë përbërësit e ushqimit në tryezën e demonëve, ku çdo pjatë ka për qëllim të minojë besimin e popullit të Jehovait.
14 Ka edhe një tjetër aspekt për t’u shqyrtuar. Ku janë kthyer përsëri apostatët? Në të shumtën e rasteve, kanë hyrë përsëri në errësirën e të ashtuquajturit krishterim dhe doktrinave të tij, si besimi se të gjithë të krishterët shkojnë në qiell. Për më tepër, nuk mbajnë më një qëndrim të vendosur sipas Shkrimeve lidhur me gjakun, asnjanësinë dhe nevojën për të dëshmuar mbi Mbretërinë e Perëndisë. Megjithatë, ne i kemi shpëtuar errësirës së Babilonisë së Madhe dhe kurrë nuk do të donim që të ktheheshim në të. (Zbulesa 18:2, 4) Si shërbëtorë besnikë të Jehovait, përse themi që as nuk duhet t’ia hedhim sytë propagandës së nxjerrë nga këta refuzues të tryezës së Jehovait, që godasin me fjalë ata që na ndihmojnë të ushqehemi me «fjalët e shëndetshme»?—2. Timoteut 1:13.
15. Cili parim biblik na ndihmon të veprojmë me zgjuarsi kur dëgjojmë akuzat e bëra nga apostatët?
15 Ndonjë mund të jetë kurioz të njohë akuzat që bëjnë apostatët. Por duhet të marrim për zemër parimin e shënuar tek Ligji i përtërirë 12:30, 31. Këtu Jehovai i lajmëroi izraelitët përmes Moisiut se çfarë duhej të shmangnin kur t’i kishin dëbuar banorët paganë nga Toka e Premtuar. «Ruhu të mos biesh në kurthin e ngritur, duke ndjekur shembullin e tyre, pasi ata janë shkatërruar para teje, dhe të informohesh mbi perënditë e tyre, duke thënë: ‘Si u shërbenin këto kombe perëndive të tyre? Edhe unë do të veproj kështu.’ Ti nuk do të veprosh kështu me Zotin, me Perëndinë tënd.» Po, Perëndia Jehova e di se si është kurioziteti njerëzor. Mos harro Evën dhe gruan e Lotit! (Luka 17:32; 1. Timoteut 2:14) Le të mos ua vëmë kurrë veshin asaj që apostatët thonë apo bëjnë. Përkundrazi, le të ndërtojmë njerëzit dhe të ushqehemi besnikërisht në tryezën e Jehovait!
Vetëm tryeza e Jehovait do të qëndrojë
16. (a) Çfarë do t’i ndodhë së shpejti Satanait, demonëve të tij dhe tryezës në të cilën ushqehen kombet e botës? (b) Çfarë do të ndodhë me të gjithë njerëzit që vazhdojnë të ushqehen në tryezën e demonëve?
16 Shpejt, mjerimi i madh do të shpërthejë papritur, duke e çuar drejt një kulmi «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14, 16) Kjo do të arrijë kulmin kur Jehovai të shkatërrojë këtë sistem gjërash dhe tryezën simbolike, në të cilën janë ushqyer kombet e botës. Jehovai do të rrëzojë gjithë organizatën e padukshme të Satana Djallit me hordhitë e tij, demonët. Ata që akoma do të vazhdojnë të ushqehen në tryezën frymore të Satanait, në tryezën e demonëve, do të detyrohen të marrin pjesë në një gosti të vërtetë, jo në rolin e të ftuarve, por në atë më kryesorin që i çon drejt shkatërrimit!—Shiko Ezekieli 39:4; Zbulesa 19:17, 18.
17. Çfarë bekimesh marrin ata që ushqehen vetëm në tryezën e Jehovait?
17 Vetëm tryeza e Jehovait do të qëndrojë. Ata që po ushqehen me mirënjohje në të, do të mbijetojnë dhe do të kenë privilegjin të hanë atje përgjithmonë. Kurrë më nuk do të kërcënohen nga mungesa ushqimi të çdo lloji. (Psalmet 67:6; 72:16) Ata do t’i shërbejnë Jehovait në parajsë me shëndet të përsosur! Më në fund, fjalët emocionuese të Zbulesës 21:4 do të plotësohen në mënyrë të mrekullueshme: «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» Pasi kundërshtimi do t’i takojë së kaluarës, sovraniteti universal i Perëndisë Jehova do të triumfojë kudo përgjithmonë dhe madje favori i pafundëm hyjnor do të derdhet mbi njerëzimin e rifituar që do të zotërojë tokën parajsore. Për të fituar këtë shpërblim, le të jemi të vendosur për të marrë pjesë vetëm në tryezën e Jehovait, e cila është mbushur me ushqimin më të mirë frymor!
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të shmangim marrjen e një rruge të keqe nga mësimet demonike?
◻ Përse nuk mund të ushqehemi njëkohësisht në tryezën e Jehovait dhe në atë të demonëve?
◻ Çfarë lloj ushqimi është përhapur nga apostatët?
◻ Përse është e rrezikshme që të jesh kurioz të njohësh akuzat e bëra nga apostatët?
◻ Cilat janë frytet e apostatëve?
[Figura në faqen 10]
Tryeza e Jehovait është mbushur me ushqimin më të mirë frymor