Ringjallja e Jezuit do të thotë jetë
RINGJALLJA e Jezuit nuk është vetëm një ngjarje e pazakontë dhe e lashtë, pa domethënie për ne sot. Apostulli Pavël nxori në pah rëndësinë e saj kur shkroi: «Krishti është ngritur nga të vdekurit, si fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes. Meqë vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu, edhe ringjallja e të vdekurve erdhi nëpërmjet një njeriu. Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.»—1 Korintasve 15:20-22.
Jezui u ringjall më 16 nisan të vitit 33 të e.s. Atë ditë, në shenjtëroren e tempullit në Jerusalem, judenjtë i paraqitnin Perëndisë Jehova frytet e para të të korrave të para të drithit. Duke e quajtur Jezuin fryti i parë, Pavli nënkuptoi se do të kishte edhe individë të tjerë që do të ngriheshin nga të vdekurit.
Fjalët që shkroi më pas Pavli, shpjegojnë çfarë ka bërë të mundur ringjallja e Jezuit. Pavli tha: «Meqë vdekja erdhi nëpërmjet një njeriu, edhe ringjallja e të vdekurve erdhi nëpërmjet një njeriu.» Të gjithë ne vdesim ngaqë trashëguam nga Adami mëkatin dhe papërsosmërinë. Gjithsesi, duke dhënë jetën e përsosur njerëzore si shpërblesë, Jezui hapi rrugën që njerëzimi të ringjallej e kështu të çlirohej nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Duke e përmbledhur bukur këtë çështje, Pavli shkroi te Romakëve 6:23: «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»
Vetë Jezui e shpjegoi domethënien që ka për ne vdekja dhe ringjallja e tij. Duke folur për veten, ai tha: «Do të ngrihet edhe Biri i njeriut, që kushdo që beson tek ai, të ketë jetë të përhershme. Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:14-16.
Imagjino: jetë e pafund pa dhembje, vuajtje ose brenga! (Zbulesa 21:3, 4) Sa na e mbush zemrën kjo shpresë! Një studiues e shpjegoi kështu: «Ndërkohë që varrezat mund të na sjellin ndër mend sa e shkurtër është jeta, ringjallja na siguron sa e shkurtër është vdekja.» Po, ringjallja e Jezuit do të thotë jetë.