«Vdekja duhet të shkojë në hiç»
«Si armiku i fundit, vdekja duhet të shkojë në hiç.»—1. KORINTASVE 15:26, BR.
1, 2. (a) Cilën shpresë paraqiti Pavli për të vdekurit? (b) Cilën pyetje në lidhje me ringjalljen drejtoi Pavli?
«BESOJ në . . . ringjalljen e trupit dhe në jetën e përhershme.» Kështu thotë Kredoja e Apostujve. Po kështu, katolikët dhe protestantët e recitojnë atë si për detyrë, pa e kuptuar se bindjet e tyre ngjajnë më shumë me filozofinë greke sesa me çfarëdo gjëje që kanë besuar ndonjëherë apostujt. Por, apostulli Pavël e hodhi poshtë filozofinë greke dhe nuk besoi në një shpirt të pavdekshëm. Megjithatë, ai besoi pa u tundur në një jetë të ardhshme dhe nën frymëzim, shkroi: «Si armiku i fundit, vdekja duhet të shkojë në hiç.» (1. Korintasve 15:26, BR) Por, ç’do të thotë kjo për njerëzimin që vdes?
2 Në përgjigje të kësaj, le t’i kthehemi diskutimit të Pavlit mbi ringjalljen, të shkruar në kapitullin 15 të 1. Korintasve. Ti e mban mend se në vargjet hyrëse, Pavli e përcaktoi ringjalljen si pjesë jetësore të doktrinës së krishterë. Tani ai drejton një pyetje specifike: «Megjithatë, dikush do të thotë: ‘Si vallë, do të ngrihen të vdekurit? Po, me ç’lloj trupi vijnë ata?’»—1. Korintasve 15:35, BR.
Ç’lloj trupi?
3. Pse disa e hodhën poshtë ringjalljen?
3 Duke ngritur këtë pyetje, fare mirë Pavli mund të ketë pasur ndër mend t’i kundërvihej influencës së filozofisë së Platonit. Platoni mësoi se njeriu ka një shpirt të pavdekshëm, i cili pas vdekjes së trupit, mbijeton. Atyre që ishin rritur me një ide të tillë, pa dyshim që mësimi i krishterë mbi ringjalljen u dukej i panevojshëm. Nëse pas vdekjes shpirti mbijeton, ç’kuptim ka ringjallja? Për më tepër, ka të ngjarë që ringjallja të dukej e palogjikshme. Pasi trupi është shpërbërë në pluhur, si mund të ketë një ringjallje? Komentuesi i Biblës, Hinrik Mejër, thotë se antagonizmi i disa korintasve bazohej ndoshta «në themelin filozofik se përtëritja e materies së trupit ishte e pamundur».
4, 5. (a) Pse kundërshtimet e atyre pa besim ishin të paarsyeshme? (b) Shpjego ilustrimin e Pavlit mbi «kokrrën e zhveshur». (c) Çfarë lloj trupash u jep Perëndia të mirosurve të ringjallur?
4 Pavli demaskon marrëzinë e arsyetimit të tyre: «I paarsyeshëm! Ajo që mbjell ti, nuk bëhet e gjallë nëse së pari nuk vdes; dhe sa për atë që mbjell, ti mbjell jo trupin që do të zhvillohet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta gruri ose çfarëdo nga [farërat] e tjera, por Perëndia i jep një trup ashtu siç i pëlqen atij dhe secilës prej farërave, trupin e vet.» (1. Korintasve 15:36-38, BR) Perëndia nuk do të ngrinte trupat që kishin njerëzit kur ishin në tokë. Përkundrazi, do të bëhej një shndërrim.
5 Pavli e krahason ringjalljen me mbirjen e një fare. Një farë e vogël gruri nuk ngjan fare me bimën që do të dalë prej saj. The World Book Encyclopedia thotë: «Kur një farë fillon të mbijë, thith sasi të madhe uji. Ky ujë shkakton shumë ndryshime kimike brenda farës. Ai bën edhe që indet e brendshme të farës të bymehen dhe ta çajnë mbulesën e saj.» Në fakt, fara vdes si farë dhe bëhet një bimë që sa vjen e del në dukje. «Perëndia i jep një trup», në kuptimin që përcaktoi ligjet shkencore, të cilat drejtojnë zhvillimin e saj dhe secila farë merr një trup sipas llojit të vet. (Zanafilla 1:11) Ngjashëm, të krishterët e mirosur fillimisht vdesin si njerëz. Pastaj, në kohën e caktuar prej Perëndisë, ai i kthen ata në jetë me trupa krejtësisht të rinj. Siç u tha Pavli filipianëve: «Jezu Krishti . . . do të rimodelojë trupin tonë të poshtëruar, që të konformohet me trupin e tij të lavdishëm.» (Filipianëve 3:20, 21; 2. Korintasve 5:1, 2, BR) Ata ringjallen me trupa prej fryme dhe jetojnë në sferën frymore.—1. Gjonit 3:2.
6. Pse është e arsyeshme të besojmë se Perëndia mund t’i pajisë të ringjallurit me trupa të përshtatshëm prej fryme?
6 A është tepër e vështirë të besohet kjo? Jo. Pavli arsyeton duke thënë se kafshët ekzistojnë në shumë tipe të ndryshme trupash. Veç kësaj, ai vë në kontrast engjëjt qiellorë me njerëzit prej gjaku dhe mishi, duke thënë: «Ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë.» Një shumëllojshmëri e madhe ekziston edhe në krijimin e pajetë. «Ylli ndryshon nga ylli për sa i përket lavdisë»,—tha Pavli, shumë kohë më parë se shkenca të zbulonte trupa të tillë qiellorë, si: yjet blu, gjigantët e kuq dhe xhuxhët e bardhë. Duke pasur parasysh këtë, a nuk është e arsyeshme që Perëndia mund të sigurojë trupa të përshtatshëm prej fryme për të mirosurit e ringjallur?—1. Korintasve 15:39-41.
7. Cila është domethënia e mosprishjes? e pavdekësisë?
7 Më pas, Pavli thotë: «Kështu është edhe ringjallja e të vdekurve. Mbillet në prishje dhe ngrihet në mosprishje.» (1. Korintasve 15:42, BR) Një trup njerëzor, edhe kur është i përsosur, është i prishshëm. Mund të vritet, pra. Për shembull, Pavli tha se Krishti i ringjallur «nuk ishte më i paracaktuar për t’u kthyer në prishje». (Veprat 13:34, BR) Ai nuk do të kthehej kurrë në jetë me një trup njerëzor të prishshëm, edhe pse të përsosur. Trupat që Perëndia u jep të mirosurve të ringjallur janë të paprishshëm, që nuk mund të vdesin ose të kalben. Pavli vazhdon: «Mbillet në çnderim, ngrihet në lavdi. Mbillet në dobësi, ngrihet në fuqi. Mbillet trup fizik, ngrihet trup frymor.» (1. Korintasve 15:43, 44, BR) Më tej, Pavli thotë: «Ky që është i vdekshëm, duhet të veshë pavdekësinë.» Pavdekësi do të thotë jetë e pafundme dhe e pashkatërrueshme. (1. Korintasve 15:53; Hebrenjve 7:16) Në këtë mënyrë, të ringjallurit mbajnë «shëmbëllimin e qiellorit», të Jezuit, i cili bëri të mundshme ringjalljen e tyre.—1. Korintasve 15:45-49, BR.
8. (a) Si e dimë se të ringjallurit janë të njëjtët individë që ishin kur qenë gjallë në tokë? (b) Cilat profeci përmbushen, kur ndodh ringjallja?
8 Pavarësisht nga ky shndërrim, të ringjallurit janë ende të njëjtët individë që ishin përpara se të vdisnin. Ata do të ngrihen me të njëjtat kujtime dhe me të njëjtat cilësi të shkëlqyera të krishtere. (Malakia 3:3; Zbulesa 21:10, 18) Në këtë aspekt, ata i ngjajnë Jezu Krishtit. Ai ndryshoi nga forma prej fryme në atë njerëzore. Më pas, vdiq dhe u ringjall si frymë. Por megjithatë, «Jezu Krishti është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë». (Hebrenjve 13:8, BR) Ç’privilegj të lavdishëm kanë të mirosurit! Pavli thotë: «Por kur ky që është i prishshëm të veshë mosprishjen dhe ky që është i vdekshëm të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet thënia që është shkruar: ‘Vdekja u përpi përgjithmonë.’ ‘Vdekje, ku është fitorja jote? Vdekje, ku është thumbimi yt?’»—1. Korintasve 15:54, 55; Isaia 25:8; Hozea (Osea) 13:14, BR.
Një ringjallje tokësore?
9, 10. (a) Në kontekstin e 1. Korintasve 15:24, cili është «fundi» dhe cilat ngjarje ndodhin në lidhje me të? (b) Çfarë duhet të ndodhë që vdekja të shkojë në hiç?
9 A ka ndonjë të ardhme për milionat që nuk kanë shpresën e jetës së pavdekshme në frymë, në qiell? Në fakt, ka! Pasi shpjegon se ringjallja qiellore ndodh gjatë pranisë së Krishtit, Pavli përmbledh ngjarje vijuese, duke thënë: «Më pas, fundi, kur t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij, kur të ketë çuar në hiç çdo qeveri, çdo autoritet dhe çdo fuqi.»—1. Korintasve 15:23, 24, BR.
10 «Fundi» është fundi i Mijëvjeçarit të Mbretërimit të Krishtit, kur me përulësi dhe besnikëri, Jezui i dorëzon Mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij. (Zbulesa 20:4) Qëllimi i Perëndisë «për t’i mbledhur përsëri të gjitha gjërat së bashku në Krishtin», do të jetë përmbushur. (Efesianëve 1:9, 10, BR) Por fillimisht, Krishti do të ketë shkatërruar «çdo qeveri, çdo autoritet dhe çdo fuqi» që është kundër vullnetit të Perëndisë Sovran. Kjo përfshin më shumë sesa shkatërrimin që ndodh në Harmagedon. (Zbulesa 16:16; 19:11-21) Pavli thotë: «[Krishti] duhet të sundojë si mbret, derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Si armiku i fundit, vdekja duhet të shkojë në hiç.» (1. Korintasve 15:25, 26, BR) Po, të gjitha gjurmët e mëkatit dhe të vdekjes adamike do të jenë hequr. Atëherë, patjetër që Perëndia do t’i ketë boshatisur «varret përkujtimore», duke i kthyer të vdekurit në jetë.—Gjoni 5:28, BR.
11. (a) Si e dimë se Perëndia mund t’i rikrijojë shpirtrat e vdekur? (b) Me çfarë lloj trupash do të pajisen ata që do të ringjallen në tokë?
11 Kjo do të thotë rikrijim i shpirtrave njerëzorë. E pamundur? Jo, sepse Psalmi 104:29, 30 na siguron se Perëndia mund ta bëjë këtë: «Nëse heq frymën e tyre, ata marrin fund dhe në pluhurin e tyre kthehen. Nëse e dërgon frymën tënde, ata krijohen.» (BR) Ndonëse të ringjallurit do të jenë të njëjtët individë që ishin përpara vdekjes, nuk do t’u duhet të kenë të njëjtët trupa. Ashtu si atyre të ngritur në qiell, Perëndia do t’u japë edhe këtyre një trup siç i pëlqen atij. Pa dyshim, trupat e tyre të rinj do të jenë të shëndetshëm fizikisht dhe, në mënyrë të arsyeshme, të ngjashëm me trupat fillestarë, që të njihen nga njerëzit e tyre të dashur.
12. Kur ndodh ringjallja tokësore?
12 Kur do të ndodhë ringjallja tokësore? Për vëllain e saj të vdekur, Lazrin, Marta tha: «E di se do të ngrihet në ringjalljen në ditën e fundit.» (Gjoni 11:24, BR) Si e dinte ajo këtë? Në kohën e saj, ringjallja ishte objekt polemikash, sepse farisenjtë besonin në të, por saducenjtë, jo. (Veprat 23:8) Megjithatë, Marta duhet të ketë pasur dijeni për dëshmitarë para krishterimit, të cilët kishin shpresë te ringjallja. (Hebrenjve 11:35) Gjithashtu, nga Danieli 12:13, ajo mund të ketë arritur të dallojë se ringjallja do të ndodhë ditën e fundit. Këtë mund ta ketë mësuar edhe nga vetë Jezui. (Gjoni 6:39) Kjo «ditë e fundit» përkon me Mijëvjeçarin e Mbretërimit të Krishtit. (Zbulesa 20:6) Imagjino emocionin e fortë gjatë kësaj «dite», kur të fillojë kjo ngjarje e madhe!—Krahaso Lukën 24:41.
Kush kthehet?
13. Cili vizion i ringjalljes është dokumentuar në Zbulesën 20:12-14?
13 Në Zbulesën 20:12-14 është regjistruar vizioni i Gjonit për ringjalljen tokësore: «Pashë të vdekurit, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, tek qëndronin në këmbë para fronit dhe u hapën rrotulla. Por u hap një rrotull tjetër; ajo është rrotulla e jetës. Dhe të vdekurit u gjykuan sipas atyre gjërave të shkruara në rrotullat, sipas veprave të tyre. Dhe deti dha të vdekurit që ishin në të dhe vdekja e Hadesi dhanë të vdekurit që ishin në ta dhe ata u gjykuan individualisht, sipas veprave të tyre. Dhe vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrtë. Ky do të thotë vdekja e dytë, liqeni i zjarrtë.»—BR.
14. Cilët do të jenë mes të ringjallurve?
14 Ringjallja do të përfshijë «të mëdhenjtë dhe të vegjlit», si njerëzit e mirënjohur, ashtu edhe ata të thjeshtë, që kanë jetuar dhe kanë vdekur. Ja sepse mes tyre do të jenë edhe foshnjat! (Jeremia 31:15, 16) Në Veprat 24:15, zbulohet një hollësi tjetër e rëndësishme: «Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, ashtu edhe të të padrejtëve.» (BR) Të mirënjohur mes «të drejtëve» do të jenë burrat dhe gratë me besim të plotë të lashtësisë, të tillë si: Abeli, Enoku, Noeja, Abrahami, Sara dhe Rahaba. (Hebrenjve 11:1-40) Imagjino të kesh mundësinë për të biseduar me persona të tillë dhe të marrësh hollësi nga dëshmitarë okularë, mbi ngjarje biblike të shumë kohëve më parë! «Të drejtët» do të përfshijnë edhe mijëra individë që i janë druajtur Perëndisë, të cilët kanë vdekur në kohë të mëvonshme dhe që nuk kanë shpresë qiellore. A ke ndonjë anëtar të familjes ose një njeri të dashur, që mund të jetë mes këtyre? Sa ngushëlluese është të dish se mund t’i shohësh përsëri! Por, kush janë individët e «padrejtë» që, gjithashtu, do të kthehen? Ata përfshijnë milionat, ndoshta miliardat, që vdiqën pa e pasur rastin të arrinin ta njihnin dhe ta aplikonin të vërtetën biblike.
15. Çfarë do të thotë se të kthyerit do të «gjykohen sipas atyre gjërave të shkruara në rrotullat»?
15 Si do të «gjykohen sipas atyre gjërave të shkruara në rrotullat, sipas veprave të tyre», të kthyerit? Këto rrotulla nuk janë dokumentimi i veprave të tyre të kaluara; kur vdiqën, ata u shfajësuan nga mëkatet që kishin kryer gjatë jetës së tyre. (Romakëve 6:7, 23) Megjithatë, njerëzit e ringjallur do të jenë ende nën mëkatin adamik. Pra duhet që këto rrotulla të paraqesin udhëzime hyjnore, të cilat duhen ndjekur nga të gjithë, në mënyrë që të nxjerrin plotësisht dobi nga flijimi i Jezu Krishtit. Kur të eliminohet gjurma e fundit e mëkatit adamik, ‘vdekja do të shkojë në hiç’ në kuptimin më të plotë. Nga fundi i një mijë vjetëve, Perëndia do të «jetë çdo gjë te kushdo». (1. Korintasve 15:28, BR) Njeriu nuk do të ketë më nevojë për ndërhyrjen e një Kryeprifti ose të një Shpërblerësi. I gjithë njerëzimi do të jetë kthyer në gjendjen e përsosur që gëzonte në fillim Adami.
Një ringjallje me rregullsi
16. (a) Pse është e arsyeshme të supozojmë se ringjallja do të jetë një proces i kryer me rregullsi? (b) Kush ka të ngjarë të jetë mes të parëve që do të kthehen nga të vdekurit?
16 Meqenëse ringjallja qiellore bëhet me rregullsi, «secili në rangun e vet», është e dukshme se edhe ringjallja tokësore nuk do të krijojë një shpërthim kaotik popullimi. (1. Korintasve 15:23, BR) Kuptohet, për të saporingjallurit duhet treguar kujdes. (Krahaso Lukën 8:55.) Ata do të kenë nevojë për mbështetje fizike dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, për ndihmë frymore, që të fitojnë njohurinë jetëdhënëse mbi Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin. (Gjoni 17:3) Nëse të gjithë do të ktheheshin në jetë njëkohësisht, do të ishte e pamundur t’u tregohej kujdesi i mjaftueshëm. Është e arsyeshme të supozojmë se ringjallja do të ndodhë në mënyrë progresive. Të krishterët besimplotë që vdiqën pak përpara fundit të sistemit të Satanait, ka të ngjarë të jenë mes të ngriturve të parë. Mund të presim, gjithashtu, që diku nga fillimi, të ringjallen burrat besimplotë të lashtësisë, të cilët do të shërbejnë si «princër».—Psalmi 45:16.
17. Cilat janë disa çështje për sa i përket ringjalljes, në lidhje me të cilat Bibla hesht dhe pse të krishterët nuk duhet të shqetësohen më kot për gjëra të tilla?
17 Megjithatë, në lidhje me këto gjëra, nuk duhet të jemi dogmatikë. Për shumë çështje Bibla hesht. Ajo nuk flet qartë për hollësitë se si, kur ose në cilat vende do të ndodhë ringjallja e individëve. Nuk na thotë se si do të strehohen, ushqehen dhe vishen këta të kthyer. As nuk mund të deklarojmë me siguri se si do t’i zgjidhë Jehovai çështje të tilla, si rritja dhe kujdesi për fëmijët e ringjallur ose se si do të kujdeset për disa situata që mund të përfshijnë miqtë dhe njerëzit tanë të dashur. Vërtet, është e natyrshme të pyesim veten për gjëra të tilla, por nuk do të ishte e mençur të harxhonim kohë në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjeve, që tani për tani nuk mund të marrin përgjigje. Ne duhet të përqendrohemi te shërbimi besimplotë ndaj Jehovait dhe te fitimi i jetës së përhershme. Të krishterët e mirosur e mbështetin shpresën e tyre në një ringjallje të lavdishme qiellore. (2. Pjetrit 1:10, 11) «Delet e tjera» shpresojnë për një trashëgimi në sferën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë. (Gjoni 10:16; Mateu 25:33, 34) Sa për hollësitë e shumta në lidhje me ringjalljen, të cilat nuk dihen, ne thjesht besojmë te Jehovai. Lumturia jonë e ardhshme është e siguruar në duart e Atij që mund të ‘kënaqë dëshirën e çdo gjëje të gjallë’.—Psalmi 145:16, BR; Jeremia 17:7.
18. (a) Cilën fitore nxjerr në pah Pavli? (b) Pse besojmë të sigurt në shpresën e ringjalljes?
18 Pavli e përfundon argumentimin e tij, duke thënë me forcë: «Faleminderit Perëndisë, sepse ai na jep fitoren nëpërmjet Zotërisë sonë Jezu Krisht!» (1. Korintasve 15:57, BR) Po, fitorja mbi vdekjen adamike është arritur nëpërmjet flijimit shpërblerës të Jezu Krishtit dhe si të mirosurit, ashtu edhe «delet e tjera», marrin pjesë në këtë fitore. Sigurisht, «delet e tjera» që sot janë gjallë, kanë një shpresë, e cila është unike për këtë brez. Si pjesë e një «shumice të madhe» gjithnjë në rritje, ata mund ta mbijetojnë «mjerimin e madh» që po vjen dhe të mos përjetojnë kurrë vdekjen fizike! (Zbulesa 7:9, 14) Megjithatë, edhe ata që vdesin për shkak të «kohës dhe të ngjarjes së paparashikuar» ose në duart e përfaqësuesve të Satanait, mund ta vënë sigurinë e tyre te shpresa e ringjalljes.—Eklisiastiu (Predikuesi) 9:11, BR.
19. Cilës thirrje duhet t’ia vënë veshin sot të gjithë të krishterët?
19 Prandaj, me padurim presim atë ditë të lavdishme, kur vdekja do të shkojë në hiç. Besimi ynë i palëkundur te premtimi i Jehovait për ringjalljen, na jep një pikëpamje realiste mbi çështje të ndryshme. Çfarëdo që të na ndodhë në këtë jetë, edhe sikur të vdesim, asgjë nuk mund të na e grabitë shpërblimin që ka premtuar Jehovai. Pra, thirrja e fundit që u bën Pavli korintasve është sot po aq e përshtatshme sa ishte edhe dy mijë vjet më parë: «Kështu pra, vëllezërit e mi të dashur, bëhuni të patundur, të palëkundur, duke pasur gjithmonë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj nuk është më kot në lidhje me Zotërinë.»—1. Korintasve 15:58, BR.
A mund të shpjegosh?
◻ Si iu përgjigj Pavli pyetjes se çfarë trupash do të kenë të mirosurit kur të ringjallen?
◻ Si dhe kur vdekja do të shkojë më në fund në hiç?
◻ Kush do të përfshihet në ringjalljen tokësore?
◻ Cili duhet të jetë qëndrimi ynë në lidhje me çështjet për të cilat Bibla hesht?
[Figura në faqen 20]
Një farë «vdes», duke pësuar një ndryshim dramatik
[Figurat në faqen 23]
Njerëz besimplotë të lashtësisë, të tillë, si: Noeja, Abrahami, Sara dhe Rahaba, do të jenë mes të ringjallurve
[Figura në faqen 24]
Ringjallja do të jetë një periudhë gëzimi të madh!