Ruhu nga «epikurianët»
«Ai është kaq i këndshëm! Jeton sipas normave të larta të moralit. Nuk pi cigare, nuk drogohet dhe nuk përdor një të folur të ulët. Në fakt, është më i këndshëm se ndonjë që deklaron se është i krishterë!»
A I KE dëgjuar disa persona të përdorin këtë linjë arsyetimi, për të justifikuar miqësitë e papërshtatshme që kultivojnë? A i reziston ajo shqyrtimit biblik? Një shembull nga një kongregacion i hershëm i krishterë, hedh dritë mbi këtë çështje.
Në shekullin e parë, apostulli Pavël e paralajmëroi kongregacionin e krishterë: «Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.» Ndoshta disa të krishterë po shoqëroheshin shumë me individë që ishin të ndikuar nga filozofia greke, duke përfshirë edhe atë të epikurianëve. Cilët ishin epikurianët? Përse do të përbënin një kërcënim frymor për të krishterët në Korint? A ka sot njerëz si ata, nga të cilët duhet të ruhemi?—1. Korintasve 15:33.
Cilët ishin epikurianët?
Epikurianët ishin ithtarë të filozofit grek Epikur, i cili jetoi që prej 341-shit deri në 270-n p.e.s. Ai mësoi se kënaqësia ishte e mira e vetme ose kryesore në jetë. A do të thotë kjo se epikurianët jetonin në mënyrë skandaloze, pa parime, duke iu drejtuar praktikave degraduese, në kërkim të vazhdueshëm të zbavitjeve? Çuditërisht, Epikuri nuk i mësoi ithtarët e tij të jetonin në këtë mënyrë! Përkundrazi, ai mësoi se kënaqësia fitohet më së miri, duke jetuar në përputhje me maturinë, kurajën, vetëkontrollin dhe drejtësinë. Ai mbrojti jo ndjekjen e kënaqësisë së menjëhershme dhe të çastit, por të kënaqësisë që qëndron gjatë gjithë jetës. Pra, epikurianët mund të jenë dukur të virtytshëm në krahasim me ata që praktikonin mëkate të rënda.—Krahaso Titit 1:12.
I ngjashëm me krishterimin?
Nëse do të ishe anëtar i kongregacionit të hershëm të krishterë, a do të të kishin bërë përshtypje epikurianët? Disa mund të kenë arsyetuar se etika në dukje e lartë e epikurianëve, i bënë ata shoqëri të sigurta për të krishterët. Duke arsyetuar më tej, korintasit mund të kenë vënë re paralele në dukje, ndërmjet normave epikuriane dhe atyre të Fjalës së Perëndisë.
Për shembull, epikurianët përdorën përkore në ndjekjen e kënaqësive. Ata i vlerësuan kënaqësitë e mendjes mbi ato fizike. Ajo që hante një person nuk ishte aq e rëndësishme sa marrëdhënia e tij me personin, me të cilin po e hante atë. Epikurianët u përmbajtën madje nga përfshirja në politikë dhe në keqbërjet në fshehtësi. Sa e lehtë mund të ketë qenë të supozohej: «Ata janë shumë të ngjashëm me ne!»
Megjithatë, a ishin me të vërtetë si të krishterët e hershëm epikurianët? Absolutisht jo. Ata që kishin aftësi dalluese të stërvitur në mënyrë të përshtatshme, kishin mundësi të kapnin ndryshime domethënëse. (Hebrenjve 5:14) Po ti a mundesh? Le t’u hedhim një vështrim më nga afër mësimeve të Epikurit.
Ana e errët e epikurianizmit
Për t’i ndihmuar njerëzit të kapërcejnë frikën e hyjnive dhe të vdekjes, Epikuri mësoi se perënditë nuk interesohen për njerëzimin dhe nuk ndërhyjnë në çështjet njerëzore. Sipas Epikurit, perënditë nuk krijuan universin dhe jeta erdhi në ekzistencë rastësisht. A nuk bie qartë në kundërshtim kjo, me mësimin e Biblës se ka «një Perëndi», Krijuesi, dhe se ai kujdeset për krijesat e tij njerëzore?—1. Korintasve 8:6; Efesianëve 4:6; 1. Pjetrit 5:6, 7.
Epikuri mësoi, gjithashtu, se pas vdekjes nuk mund të ketë jetë. Kjo, sigurisht që ishte në kundërshtim me mësimin e Biblës mbi ringjalljen. Në fakt, kur apostulli Pavël foli në Aeropagus, ka të ngjarë që epikurianët të ndodheshin mes atyre që nuk qenë dakord me Pavlin për doktrinën e ringjalljes.—Veprat 17:18, 31, 32; 1. Korintasve 15:12-14.
Ndoshta elementi më i rrezikshëm në filozofinë e Epikurit ishte, gjithashtu, elementi më i hollë. Mohimi nga ana e tij i jetës së mëpasme, e çoi në përfundimin se njeriu duhet të jetojë në mënyrë sa më të lumtur që të jetë e mundur gjatë jetës së tij të shkurtër në tokë. Siç kemi parë, ideja e tij nuk ishte që të jetoje patjetër në mënyrë mëkatare, por, përkundrazi, të shijoje të tashmen, meqenëse e tashmja është gjithçka kemi.
Pra, Epikuri nuk inkurajoi keqbërjet në fshehtësi, për të shmangur frikën se mos zbulohej, një kërcënim i qartë për lumturinë e tanishme. Ai inkurajoi përkoren, që të shmangte pasojat e dhënies së tepërt pas diçkaje, një pengesë tjetër për lumturinë e tanishme. Ai inkurajoi, gjithashtu, marrëdhëniet e mira me të tjerët, për shkak se këtyre marrëdhënieve do t’u përgjigjeshin në mënyrë reciproke. Sigurisht, shmangia e keqbërjeve në fshehtësi, praktikimi i përkores dhe kultivimi i miqësive janë të shkëlqyera në vetvete. Pse, pra, filozofia e Epikurit ishte e rrezikshme për një të krishterë? Sepse këshilla e tij ishte e bazuar në pikëpamjen e tij të pabesë: «Le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.»—1. Korintasve 15:32.
Vërtet që Bibla u tregon njerëzve se si të jetojnë të lumtur tani. Megjithatë, ajo këshillon: «Mbahuni në dashurinë e Perëndisë, ndërsa prisni mëshirën e Zotërisë sonë Jezu Krisht, me sytë nga jeta e përhershme.» (Juda 21, BR) Po, Bibla e vë më shumë theksin tek e ardhmja e përjetshme dhe jo tek e tashmja që ikën fluturimthi. Për një të krishterë, t’i shërbejë Perëndisë është interesimi kryesor dhe ai e sheh se kur vë në vend të parë Perëndinë, është i lumtur dhe i kënaqur. Në mënyrë të ngjashme, Jezui, në vend se të preokupohej për interesat e veta personale, i shpenzoi energjitë në mënyrë joegoiste, duke i shërbyer Jehovait dhe duke ndihmuar njerëzit. Ai i mësoi dishepujt e tij t’u bënin mirë të tjerëve, jo me shpresën se do t’u përgjigjeshin në mënyrë reciproke, por nga dashuria e sinqertë për ta. Qartë, motivimet bazë të epikurianizmit dhe të krishterimit janë krejtësisht të ndryshme.—Marku 12:28-31; Luka 6:32-36; Galatasve 5:14; Filipianëve 2:2-4.
Një rrezik i hollë
Si për ironi, edhe pse epikurianët i vunë të qenët i lumtur një theks të tillë, lumturia e tyre ishte më se e kufizuar. Duke qenë se i mungonte «gëzimi i Jehovait», Epikuri e quajti jetën një «dhuratë të hidhur». (Nehemia 8:10, BR) Sa të lumtur ishin të krishterët e hershëm në krahasim me ta! Jezui nuk po rekomandonte një jetë të palumtur që të na lë mangut. Në fakt, ndjekja e rrugës të tij, është udha drejt lumturisë më të madhe.—Mateu 5:3-12.
Nëse disa anëtarë të kongregacionit të Korintit mendonin se mund të shoqëroheshin me ata që ishin të ndikuar nga mënyra epikuriane e të menduarit, pa rrezikuar besimin e tyre, e kishin gabim. Në kohën që Pavli u shkroi letrën e tij të parë korintasve, disa prej tyre e kishin humbur tashmë besimin tek ringjallja.—1. Korintasve 15:12-19.
Epikurianizëm sot?
Ndonëse epikurianizmi u zhduk në shekullin e katërt të e.s., sot ka nga ata që adoptojnë një pikëpamje të ngjashme me atë që e tashmja është gjithçka kemi. Këta njerëz kanë vënë pak ose aspak besim tek premtimi i Perëndisë për jetën e përhershme. Por megjithatë, disa prej tyre kanë norma sjelljeje relativisht të larta.
Një i krishterë mund të tundohet për të formuar një marrëdhënie të ngushtë me persona të tillë, ndoshta duke arsyetuar se cilësitë e tyre të mira e justifikojnë këtë miqësi. Megjithatë, ndonëse nuk e konsiderojmë veten më lartë se të tjerët, duhet të mbajmë ndër mend se të gjitha «shoqëritë e këqija», përfshirë këtu edhe ato ndikimi i të cilave është më i hollë, «prishin zakonet e mira».
Filozofia ‘e tashmja është gjithçka kemi’, shfaqet papritur edhe në disa seminarë biznesi, libra për të ndihmuar vetveten, novela, filma, programe televizive dhe në muzikë. Edhe pse nuk mbështetin drejtpërdrejt sjelljen mëkatare, a ka mundësi që kjo pikëpamje e pabesë të ndikojë mbi ne në mënyra të holla? Për shembull, a mund të bëhemi kaq të preokupuar për vetëkënaqësinë tonë, sa të humbasim nga sytë çështjen e sovranitetit të Jehovait? A mund të devijojmë drejt një mendimi ‘mos e vrit mendjen’ në vend se ‘të kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’? Apo, a mund të çorientohemi, duke vënë në dyshim drejtësinë dhe dobitë e normave të Jehovait? Ne duhet të ruhemi si nga ekspozimi ndaj imoralitetit, dhunës dhe spiritizmit, që duken hapur, ashtu dhe nga personat e ndikuar nga pikëpamjet e botës!—1. Korintasve 15:58, BR; Kolosianëve 2:8.
Prandaj, le të kultivojmë shoqërinë, kryesisht me ata që po ndjekin me gjithë zemër udhëheqjen e Jehovait. (Isaia 48:17) Si rezultat, zakonet tona të dobishme do të përforcohen. Besimi ynë do të forcohet. Ne do të jetojmë në mënyrë të lumtur jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen, me sytë nga jeta e përhershme.—Psalmi 26:4, 5; Proverbat 13:20.
[Figura në faqen 24]
Epikuri mësoi se perënditë nuk interesohen për njerëzimin
[Burimi]
Me mirësjelljen e Muzeut Britanik