-
«Mençuria është me modestët»Kulla e Rojës—2000 | 1 Gusht
-
-
Pavli—Një ‘vartës’ dhe ‘kujdestar’
4. Cilat privilegje të pashoqe gëzonte Pavli?
4 Pavli ishte një figurë e shquar mes të krishterëve të hershëm dhe kjo është e kuptueshme. Gjatë shërbimit, ai kishte udhëtuar mijëra kilometra në det dhe në tokë, si edhe kishte formuar shumë kongregacione. Përveç kësaj, Jehovai e bekoi Pavlin me vizione dhe me dhuratën për të folur gjuhë të huaja. (1 Korintasve 14:18; 2 Korintasve 12:1-5) Ai, gjithashtu, e frymëzoi Pavlin të shkruante 14 letrat që tani janë pjesë e Shkrimeve të Krishtere Greke. Qartë, mund të thuhet se mundi i Pavlit ia kalonte atij të të gjithë apostujve të tjerë.—1 Korintasve 15:10.
5. Si e tregoi Pavli se kishte pikëpamje modeste për veten?
5 Meqë Pavli ishte në ballë të aktivitetit të krishterë, disa ndoshta pritnin që ta shihnin të kënaqej duke qenë në qendër të vëmendjes, madje, duke vënë në dukje autoritetin e vet. Por nuk ishte kështu, sepse Pavli ishte modest. Ai e quajti veten «i fundit i apostujve», duke shtuar: «Nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e persekutova kongregacionin e Perëndisë.» (1 Korintasve 15:9) Si ish-persekutues i të krishterëve, Pavli nuk harronte asnjëherë se ishte vetëm falë dashamirësisë së pamerituar që ai mund të kishte qoftë edhe një marrëdhënie me Perëndinë, e jo më pastaj të gëzonte privilegje të veçanta shërbimi. (Gjoni 6:44; Efesianëve 2:8) Prandaj, Pavli nuk mendonte se arritjet e jashtëzakonshme në shërbim e bënin më të lartë se të tjerët.—1 Korintasve 9:16.
6. Si tregoi Pavli modesti në marrëdhëniet me korintasit?
6 Modestia e Pavlit ishte veçanërisht e dukshme në marrëdhëniet me korintasit. Me sa duket, disa prej tyre ishin të magjepsur pas atyre për të cilët mendonin se ishin mbikëqyrës të shquar, duke përfshirë Apolin, Kefën dhe vetë Pavlin. (1 Korintasve 1:11-15) Por Pavli as nuk kërkoi lavdërim nga korintasit, as nuk e shfrytëzoi admirimin e tyre. Kur i vizitoi, nuk u paraqit «me epërsi fjalësh ose mençurie». Në vend të kësaj, Pavli tha për veten dhe për bashkëpunëtorët e tij: «Njeriu le të na konsiderojë si vartës të Krishtit dhe kujdestarë të sekretit të shenjtë të Perëndisë.»a—1 Korintasve 2:1-5; 4:1.
7. Si e shfaqi Pavli modestinë, edhe kur jepte këshilla?
7 Pavli shfaqi modesti edhe kur i duhej të jepte këshilla të forta dhe udhëzime. Ai iu lut të bashkëkrishterëve «nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë» dhe «në bazë të dashurisë», në vend që ta bënte këtë me peshën e autoritetit apostolik. (Romakëve 12:1, 2; Filemonit 8, 9) Përse e bënte Pavli këtë? Sepse e konsideronte vërtet veten si një ‘bashkëpunëtor’ të vëllezërve të tij, jo si një ‘zotëri mbi besimin e tyre’. (2 Korintasve 1:24) Pa dyshim, modestia e ndihmoi Pavlin që të bëhej veçanërisht i dashur për kongregacionet e krishtere të shekullit të parë.—Veprat 20:36-38.
-
-
«Mençuria është me modestët»Kulla e Rojës—2000 | 1 Gusht
-
-
a Fjala greke e përkthyer «vartës» mund t’i referohet një skllavi që ulej në radhën e fundit të vozitësve në një anije të madhe. Në kontrast, ‘kujdestarëve’ mund t’u besoheshin më shumë përgjegjësi, ndoshta kujdesi për një pronë. Gjithsesi, për shumë pronarë, kujdestari ishte njësoj në shërbim si edhe skllavi që voziste në anije.
-