Pavarësia
Përkufizimi: Gjendje në të cilën një person nuk është ose pohon se nuk është i varur nga të tjerët, nuk është nën drejtimin ose ndikimin e dikujt tjetër. Meqë janë të pajisur me vullnetin e lirë, njerëzit kanë dëshirën e natyrshme për të pasur një masë pavarësie. Por, nëse teprohet shumë, kjo dëshirë çon në mosbindje, e madje në rebelim.
A bëhen vërtet të lirë njerëzit kur i braktisin normat e Biblës?
Rom. 6:16, 23: «A nuk e dini se po të vazhdoni t’ia paraqitni veten dikujt si skllav që t’i bindeni, jeni skllav i tij ngaqë i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë bindjes për drejtësi? . . . Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»
Gal. 6:7-9: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë, sepse ai që mbjell për mishin, do të korrë nga mishi prishje, por, ai që mbjell për frymën, do të korrë nga fryma jetë të përhershme. Prandaj, të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer.»
Morali seksual: «Ai që praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet.» (1 Kor. 6:18) «Kushdo që kryen kurorëshkelje me një grua . . . e çon shpirtin e vet në rrënim.» (Prov. 6:32) (Në lidhje me homoseksualizmin, shih Romakëve 1:24-27.) (Marrëdhëniet seksuale të paligjshme mund të duken të kënaqshme. Mirëpo ato sjellin si pasojë sëmundje të neveritshme, shtatzëni të padëshiruar, abort, xhelozi, ndërgjegje të trazuar, pështjellim emocional, dhe patjetër, mosmiratimin e Perëndisë, nga i cili varet shpresa jonë për jetën e ardhme.)
Synimet materialiste: «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Tim. 6:9, 10) «Do t’i them shpirtit: ‘Shpirt, ti ke mbledhur shumë të mira që do të të mjaftojnë për shumë vjet. Prandaj rehatohu, ha, pi dhe gëzohu.’ Por Perëndia i tha: ‘Njeri i paarsyeshëm, sonte do të kërkojnë shpirtin tënd. Të kujt do të jenë, atëherë, gjërat që grumbullove?’ Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.» (Luka 12:19-21) (Zotërimet materiale nuk sjellin lumturi të qëndrueshme. Përpjekjet për të fituar pasuri, shpesh sjellin si pasojë familje të palumtura, probleme shëndetësore dhe rrënim frymor.)
Teprimet me alkoolin: «Kush ka mjerime? Kush ka siklete? Kush ka grindje? Kush ka shqetësime? Kush ka plagë pa arsye? Kush ka sy të shuar? Ata që ndalen gjatë pranë verës, ata që vijnë për të kërkuar verë të përzier. Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe nxjerr helm si një nepërkë.» (Prov. 23:29, 30, 32) (Në fillim pijet alkoolike mund të duken sikur e ndihmon një njeri që t’i harrojë problemet, por nuk i zgjidhin ato. Kur njeriu bëhet esëll, problemet janë ende, dhe shpesh janë shtuar edhe të tjera. Kur abuzohet me të, alkooli i rrënon njeriut respektin për veten, shëndetin, jetën familjare dhe marrëdhënien me Perëndinë.)
Abuzimet me drogën: Shih faqet 91-97 te tema «Droga».
Shoqëritë e këqija: Nëse pjesëtarët e një bande do të të thoshin se ata dinë një mënyrë si të fitosh një thes me para pa shumë punë, a do të shkoje me ta? «Mos shko udhës me ta. Mbaje këmbën tënde larg rrugës së tyre. Sepse këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes dhe ata vazhdimisht nxitojnë të derdhin gjak.» (Prov. 1:10-19) Në rast se dikush nuk është adhurues i Jehovait, por duket shumë i këndshëm, a do ta konsideroje një mik të përshtatshëm? Sikemi ishte biri i një kreu kananit dhe Bibla thotë se ishte «më i nderuari në gjithë shtëpinë e atit të tij», por ai «e kapi [Dinën] dhe e përdhunoi». (Zan. 34:1, 2, 19) A duhet të ketë rëndësi për ty nëse të tjerët i besojnë apo jo të vërtetat që ke mësuar nga Fjala e Perëndisë? «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Kor. 15:33) Si do të ndihej Jehovai po të zgjidhje miq ata që nuk e duan atë? Zëdhënësi i Jehovait i tha kështu një mbreti të Judës që veproi në këtë mënyrë: «Jehovai është indinjuar me ty.»—2 Kron. 19:1, 2.
Kush i nxiti njerëzit që të mos ngurronin të merrnin vendime vetë, pa u kushtuar vëmendje urdhërimeve të Perëndisë?
Zan. 3:1-5: «Gjarpri [që u përdor si zëdhënës i Satanait; shih Zbulesën 12:9] . . . nisi t’i thoshte gruas: ‘Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?’ Gruaja i tha gjarprit: ‘Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë. Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: “Mos e hani, madje as mos e prekni, që të mos vdisni.”’ Atëherë gjarpri ia ktheu: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.’»
Nga ç’frymë nxitet një individ kur shpërfill vullnetin e Perëndisë për të kënaqur dëshirat personale?
Efes. 2:1-3: «Perëndia ju dha jetë, ndonëse ishit të vdekur për shkak të shkeljeve dhe mëkateve tuaja, në të cilat ecnit dikur në të njëjtën udhë që ecën edhe sistemi i kësaj bote [sundimtar i së cilës është Satanai], duke vepruar në përputhje me sundimtarin e autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes. Po, mes tyre, të gjithë ne dikur silleshim në harmoni me dëshirat e trupit tonë, bënim vullnetin e trupit e të mendimeve dhe ishim prej natyre fëmijë të zemërimit, si të tjerët.»
Cilat qëndrime të pavarura duhet të shmangin njerëzit që thonë se i shërbejnë Perëndisë?
Prov. 16:18: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.»
Prov. 5:12: «E të mos detyrohesh të thuash: ‘Sa e urreva disiplinën dhe zemra ime e përbuzi qortimin!’» (Siç tregon konteksti, një qëndrim i tillë mund ta çojë një person në probleme serioze.)
Num. 16:3: «Kështu, pra, u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit [që Jehovai po i përdorte si mbikëqyrës të popullit të vet] e u thanë: ‘Mjaft më me ju, sepse tërë asambleja, po, të gjithë janë të shenjtë, dhe Jehovai është mes tyre. Pse u dashka të dilni ju mbi kongregacionin e Jehovait?’»
Jud. 16: «Këta janë njerëz që murmuritin, që ankohen për shortin e tyre në jetë, që vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta dhe goja e tyre thotë fjalë të fryra, ndërsa admirojnë personalitetet që të nxjerrin dobi për vete.»
3 Gjon. 9: «Diotrefi, të cilit i pëlqen të jetë i pari mes tyre, nuk pret asgjë nga ne me respekt.»
Prov. 18:1: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.»
Jak. 4:13-15: «Ejani tani, ju që thoni: ‘Sot ose nesër do të marrim udhën për në këtë qytet. Do të kalojmë atje një vit, do të merremi me tregti e do të nxjerrim fitime’, ndërkohë që nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj. Sepse ju jeni veç mjegull që shfaqet për pak kohë, e pastaj zhduket. Përkundrazi, duhet të thoni: ‘Në dashtë Jehovai, do të jetojmë e do të bëjmë këtë ose atë.’»
Nën kontrollin e kujt vihet një njeri që dëshira për pavarësi e shtyn të imitojë botën jashtë kongregacionit të krishterë? Si e sheh këtë gjë Perëndia?
1 Gjon. 2:15; 5:19: «Mos e doni as botën, as gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të.» «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.»
Jak. 4:4: «Kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.»