Të gjejmë gëzim në martesë
«Me anë të mençurisë do të ndërtohet shtëpia, dhe me anë të aftësisë dalluese do të bëhet e patundur.»—PROV. 24:3.
1. Si tregoi mençuri Perëndia në lidhje me njeriun e parë?
ATI ynë i mençur qiellor e di se ç’është e mirë për ne. Për shembull, Perëndia e dinte se, që të përmbushej qëllimi i Tij, ‘nuk ishte mirë që njeriu të rrinte vetëm’ në kopshtin e Edenit. Një element i rëndësishëm i këtij qëllimi ishte që të martuarit të kishin fëmijë e ‘të mbushnin tokën.’—Zan. 1:28; 2:18.
2. Çfarë bëri Jehovai për dobinë e njerëzimit?
2 Jehovai tha: «Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» Pastaj Perëndia e vuri njeriun e parë në një gjumë të thellë dhe mori një brinjë nga trupi i tij i përsosur. Nga kjo brinjë, ai bëri një grua. Kur Jehovai ia çoi Adamit këtë grua të përsosur, Evën, Adami tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim. Kjo do të quhet Grua, sepse u mor nga burri.» Eva ishte vërtet një plotësim për Adamin. Secili do të shfaqte karakteristika dhe cilësi të veçanta, por që të dy ishin të përsosur e të bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Në këtë mënyrë, Jehovai bëri martesën e parë. Adami dhe Eva e pranuan pa asnjë problem mënyrën se si e themeloi Jehovai martesën, nga e cila do të merrnin ndihmë e mbështetje reciproke.—Zan. 1:27; 2:21-23.
3. Si e trajtojnë shumë veta dhuratën e martesës dhe ç’pyetje lindin?
3 Mjerisht, sot në mbarë botën është përhapur një frymë rebelimi. Problemet që prodhon kjo frymë, s’e kanë zanafillën nga Perëndia. Shumë veta tallen me martesën, këtë dhuratë të Perëndisë, dhe e konsiderojnë si diçka të dalë mode dhe një burim zhgënjimi e konflikti. Divorci është i zakonshëm për shumë nga ata që martohen. Fëmijët nuk gëzojnë përzemërsi të natyrshme, madje prindërit mund t’i përdorin si lodra pazari në grindjet e tyre martesore. Shumë prindër nuk pranojnë të hapin rrugë, qoftë edhe për hir të paqes e unitetit. (2 Tim. 3:3) Si mund të ruhet gëzimi në martesë në këto kohë kritike? Përse është e rëndësishme që të hapim rrugë dhe t’i nënshtrohemi plotësisht drejtimit të Jehovait, për t’i bërë ballë me sukses çdo kërcënimi që mund të prishë martesën? Ç’mund të mësojmë nga shembujt e sotëm të atyre njerëzve që kanë arritur të ruajnë gëzimin në martesë?
T’i nënshtrohemi drejtimit të Jehovait
4. (a) Ç’udhëzim dha Pavli për martesën? (b) Si e ndjekin udhëzimin e Pavlit të krishterët e bindur?
4 Vejushat që dëshironin të martoheshin sërish, apostulli i krishterë Pavël i udhëzoi nën frymëzim se mund të martoheshin «vetëm në Zotërinë». (1 Kor. 7:39) Kjo nuk ishte diçka e re për të krishterët me prejardhje judaike. Ligji që Perëndia i dha Izraelit, urdhëronte në mënyrë të qartë që ata s’duhej ‘të lidhnin krushqi’ me asnjë nga kombet pagane përreth tyre. Jehovai u shpjegoi edhe arsyen, e cila nënvizonte rrezikun që vinte nga shpërfillja e kësaj norme hyjnore. «Sepse [joizraelitët] do t’i largonin bijtë e tu nga unë dhe ata do t’u shërbenin perëndive të tjera. Atëherë Jehovait do t’i ndizej zemërimi kundër jush dhe do t’ju shfaroste menjëherë.» (Ligj. 7:3, 4) Ç’pret Jehovai sot nga shërbëtorët e tij në lidhje me këtë çështje? Qartë, një shërbëtor i Perëndisë duhet të zgjedhë si bashkëshort ose bashkëshorte vetëm dikë që është «në Zotërinë», pra, një adhurues të kushtuar e të pagëzuar. Nënshtrimi i plotë ndaj drejtimit të Jehovait kur bëjmë këtë zgjedhje, është rruga më e mençur.
5. Si i konsiderojnë betimet martesore Jehovai dhe të krishterët e martuar?
5 Betimet martesore janë të shenjta për Perëndinë. Duke folur për martesën e parë, Biri i Perëndisë, Jezui, tha: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mat. 19:6) Psalmisti na kujton se sa serioze janë betimet ose zotimet: «Jepi Perëndisë falënderime si flijim, dhe plotëso zotimet që i ke bërë Më të Lartit.» (Psal. 50:14) Ndonëse çiftet e martuara mund të përjetojnë gëzim të madh, betimet që kanë shkëmbyer ditën e martesës janë serioze dhe sjellin përgjegjësi.—Ligj. 23:21.
6. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Jefteut?
6 Të shqyrtojmë edhe shembullin e Jefteut, i cili shërbeu si gjykatës në Izrael në shekullin e 12-të p.e.s. Ai mori këtë zotim para Jehovait: «Nëse vërtet m’i jep në dorë bijtë e Amonit, atëherë kush të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më takuar kur të kthehem fitimtar nga bijtë e Amonit, do t’i përkasë Jehovait dhe unë do t’ia paraqit si blatim të djegur.» A u përpoq Jefteu ta shkelte këtë zotim, kur pa se e para që doli për ta pritur në Mizpah, ishte e bija, fëmija i tij i vetëm? Jo. Ai tha: «Tani që fola me gojën time para Jehovait, nuk mund ta kthej pas.» (Gjyk. 11:30, 31, 35) Jefteu e mbajti premtimin që i bëri Jehovait, edhe pse kjo nënkuptonte të mos kishte më pasardhës që do të mbanin gjallë emrin e tij. Zotimi i Jefteut ndryshonte nga betimet martesore, por fakti që ai e plotësoi, shërben si një shembull i shkëlqyer që edhe të krishterët e martuar t’i mbajnë betimet e tyre.
Çfarë e bën të suksesshme martesën?
7. Për çfarë përshtatjesh kanë nevojë të sapomartuarit?
7 Shumë çifte të martuara e kujtojnë me mall e dashuri periudhën e njohjes. Ç’kënaqësi ishte të njihnin më nga afër bashkëshortin e ardhshëm! Sa më shumë kohë kalonin së bashku, aq më shumë lidheshin. Mirëpo, pavarësisht nëse martesa e tyre erdhi pas një periudhe shoqërimi apo u bë me mblesëri, kur më në fund u bënë burrë e grua, përshtatjet ishin të domosdoshme. Një burrë pranon: «Problemi më i madh që kishim në fillimet e martesës sonë, ishte të kuptonim se nuk ishim më beqarë. Për njëfarë kohe e patëm të vështirë t’i mbanim në vendin e duhur shoqëritë e mëparshme dhe lidhjet me familjet tona.» Një burrë tjetër, i martuar prej 30 vjetësh, e kuptoi që në fillim të martesës se të jesh i ekuilibruar, do të thotë «të mendosh në shumës». Para se të pranojë ndonjë ftesë apo të marrë përsipër ndonjë angazhim, ai këshillohet me të shoqen e më pas vendos, duke mbajtur parasysh interesat e tyre të përbashkëta. Në këto situata, të hapësh rrugë është një ndihmë e madhe.—Prov. 13:10.
8, 9. (a) Përse është i rëndësishëm komunikimi i mirë? (b) Në ç’fusha është e dobishme të jemi elastikë dhe përse?
8 Hera-herës martesa bashkon dy njerëz që vijnë nga kultura të ndryshme. Sidomos në këto raste, është i nevojshëm një komunikim i hapur. Mënyrat e komunikimit janë të ndryshme. Për ta kuptuar më mirë bashkëshortin, shiko se si flet ai ose ajo me të afërmit. Nganjëherë, mendimet më të thella të njeriut zbulohen jo nga ato që thotë, por nga mënyra se si i thotë. Madje shumë mund të mësohet nga ato që nuk thuhen. (Prov. 16:24; Kolos. 4:6) Aftësia dalluese është jetësore për lumturinë.—Lexo Proverbat 24:3.
9 Kur bëhet fjalë për të zgjedhur zbavitjen dhe pushimin, shumë veta kanë kuptuar sa e rëndësishme është të jenë elastikë. Para se të martohej, bashkëshorti yt mund të jetë marrë me sport apo zbavitje të tjera. A do të ishin të përshtatshme tani disa rregullime? (1 Tim. 4:8) E njëjta pyetje mund të bëhet në lidhje me kohën që kaloni me të afërmit tuaj. Kuptohet që një çift i martuar ka nevojë të kalojë kohë së bashku në aktivitete teokratike e të tjera.—Mat. 6:33.
10. Si ndihmon gatishmëria për të hapur rrugë që mes prindërve dhe fëmijëve të martuar të ketë marrëdhënie të mira?
10 Kur martohet, gruaja lë babanë dhe nënën, dhe në disa raste kjo vlen edhe për burrin. Gjithsesi, urdhri i Perëndisë për të nderuar babanë dhe nënën mbetet i vlefshëm në çdo kohë. Prandaj, edhe pasi të jetë martuar, çifti do të kalojë ca kohë me prindërit dhe krushqit. Megjithatë, a nuk do të ishin me vend disa rregullime në këtë aspekt? (Lexo Zanafillën 2:24.) Një burrë i martuar prej 25 vjetësh thotë: «Ndonjëherë është e vështirë të baraspeshosh dëshirat dhe nevojat e bashkëshortes me ato të prindërve, vëllezërve e motrave, dhe të krushqve. Zanafilla 2:24 më ka ndihmuar të vendos se cila është mënyra më e mirë për të vepruar. Njeriu duhet të jetë besnik ndaj familjarëve të vet dhe ka përgjegjësi kundrejt tyre, mirëpo ky varg më ka mësuar se, para së gjithash, duhet të jem besnik me nusen time.» Në përputhje me këtë, prindërit e krishterë që janë të gatshëm të hapin rrugë, do të respektojnë faktin që fëmijët e tyre të martuar tanimë janë një familje më vete, ku burri ka përgjegjësinë kryesore për të drejtuar.
11, 12. Përse studimi familjar dhe lutja janë të rëndësishme për çiftet e martuara?
11 Një studim i rregullt familjar është thelbësor. Përvoja e shumë familjeve të krishtere e vërteton këtë. Mund të mos jetë e lehtë të kesh apo të mbash një studim të tillë në vazhdimësi. Një kryefamiljar pranon: «Sikur të kishim mundësi të ktheheshim pas e të ndreqnim ndonjë gjë, do të ishte që t’i përmbaheshim një studimi të rregullt familjar që në fillim të martesës sonë.» Pastaj shton: «Është një dhuratë e mrekullueshme të shikoj gëzimin që shpreh gruaja ime, kur zbulojmë ndonjë xhevahir frymor gjatë studimit tonë.»
12 Një ndihmë tjetër është të lutemi së bashku. (Rom. 12:12) Kur burri dhe gruaja janë të bashkuar në adhurimin e Jehovait, marrëdhënia e ngushtë me Perëndinë mund ta forcojë lidhjen e tyre martesore. (Jak. 4:8) Një burrë i krishterë shpjegon: «Kërkojmë menjëherë falje për gabimet dhe i përmendim këto kur lutemi së bashku. Është një mënyrë që tregon se na vjen keq sinqerisht, edhe për gjënë më të vogël që mund të na ketë mërzitur.»—Efes. 6:18.
Të hapim rrugë në martesë
13. Ç’këshillë jep Pavli për marrëdhëniet intime në martesë?
13 Të krishterët e martuar duhet të shmangin praktikat që zvetënojnë lidhjen martesore dhe që janë të zakonshme në botën e sotme të marrosur pas seksit. Pavli këshilloi për këtë argument: «Burri le të plotësojë detyrimin që ka ndaj gruas së vet, por edhe gruaja të bëjë po ashtu ndaj burrit. Gruaja nuk ka autoritet mbi trupin e saj, por burri. Edhe burri nuk ka autoritet mbi trupin e tij, por gruaja.» Pastaj dha këtë udhëzim të qartë: «Mos ia mohoni njëri-tjetrit këtë detyrim, veç nëse jeni marrë vesh për një kohë të caktuar.» Përse? «Që t’i kushtoni kohë lutjes, dhe pastaj bashkohuni përsëri, që Satanai të mos vazhdojë t’ju tundojë, nga mungesa e vetëpërmbajtjes.» (1 Kor. 7:3-5) Meqë përmend lutjen, Pavli po tregon se ç’duhet të ketë përparësi për një të krishterë. Nga ana tjetër, ama, ai e tregon qartë se çdo i krishterë i martuar duhet të jetë i ndjeshëm ndaj nevojave fizike dhe emocionale të bashkëshortit a të bashkëshortes.
14. Si zbatohen parimet biblike në marrëdhëniet intime në martesë?
14 Burri e gruaja duhet të jenë të hapur me njëri-tjetrin e të kuptojnë se mungesa e zemërbutësisë në marrëdhëniet intime, mund të sjellë probleme. (Lexo Filipianëve 2:3, 4; krahaso Mateun 7:12.) Kjo ka dalë e vërtetë në rastin e disa çifteve, ku burri ose gruaja nuk është në të vërtetën. Ndonëse ka mospërputhje, zakonisht i krishteri mund ta përmirësojë situatën me anë të sjelljes së mirë, mirëdashjes dhe bashkëpunimit. (Lexo 1 Pjetrit 3:1, 2.) Dashuria për Jehovain dhe për bashkëshortin a bashkëshorten, bashkë me gatishmërinë për të hapur rrugë, është një ndihmë në këtë aspekt të martesës.
15. Ç’rol luan respekti që një martesë të jetë e lumtur?
15 Një burrë mirëdashës do ta trajtojë me respekt të shoqen edhe në fusha të tjera. Për shembull, do të mbajë parasysh ndjenjat e saj, qoftë edhe në çështje të vogla. Një burrë 47-vjeçar pranon: «Akoma po mësoj në këtë pikë.» Gratë e krishtere këshillohen të kenë respekt të thellë për burrat e tyre. (Efes. 5:33) Fjalët kritike, që nxjerrin në pah para të tjerëve të metat e burrit, zor se janë tregues të respektit. Proverbat 14:1 na kujton: «Gruaja që është vërtet e mençur, e ndërton shtëpinë e saj, kurse e marra e shemb me duart e veta.»
Mos i hapni rrugë Djallit
16. Si mund ta zbatojnë çiftet në martesën e tyre Efesianëve 4:26, 27?
16 «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efes. 4:26, 27) Kur zbatohen, këto fjalë mund të na ndihmojnë të zgjidhin apo të shmangim problemet në martesë. Një motër thotë: «Nuk kujtoj të kemi pasur ndonjëherë ndonjë mosmarrëveshje e të mos kemi folur për të me njëri-tjetrin, edhe kur për të zgjidhur çështjen na janë dashur orë të tëra.» Sapo u martuan, ajo dhe i shoqi vendosën se nuk do të mbyllnin asnjë ditë pa zgjidhur problemet. «Pavarësisht nga problemi, vendosëm të falnim e të harronim, dhe çdo ditë t’ia nisnim nga e para.» Në këtë mënyrë, ata nuk ‘i linin vend Djallit’.
17. Ç’mund t’i ndihmojë bashkëshortët, edhe atëherë kur duket sikur nuk përshtaten mirë?
17 Po sikur të mendojmë se jemi martuar me dikë që nuk përshtatemi mirë? Mbase tani e shohim veten brenda një marrëdhënieje që nuk duket aq romantike sa ajo e të tjerëve. Sidoqoftë, nëse mbajmë ndër mend pikëpamjen e Krijuesit për martesën, kjo do të na ndihmojë. Pavli u dha të krishterëve këtë këshillë të frymëzuar: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebr. 13:4) Nuk duhen shpërfillur as këto fjalë: «Një litar tresh nuk mund të këputet shpejt më dysh.» (Ekl. 4:12) Kur burri dhe gruaja janë thellësisht të interesuar për shenjtërimin e emrit të Jehovait, ata janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë. Duhet të punojnë që martesa e tyre të ketë sukses, të vetëdijshëm se kjo do të nderojë Jehovain, Nismëtarin e martesës.—1 Pjet. 3:11.
18. Për çfarë mund të jemi të sigurt në lidhje me martesën?
18 Patjetër që të krishterët mund të gjejnë gëzim në martesë. Kjo kërkon të përpiqemi dhe të shfaqim cilësi të krishtere, ndër të cilat të hapim rrugë. Sot, në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë globit, plot çifte të martuara vërtetojnë se kjo është e mundur.
Si do të përgjigjeshe?
• Përse është realiste të mendojmë se mund të gjejmë gëzim në martesë?
• Ç’mund ta bëjë të suksesshme martesën?
• Çfarë cilësish duhet të zhvillojnë bashkëshortët?
[Figura në faqen 9]
Në mënyrë të mençur, çiftet e martuara komunikojnë para se të pranojnë ndonjë ftesë a të lënë ndonjë takim
[Figura në faqen 10]
Të përpiqemi t’i zgjidhim mosmarrëveshjet brenda ditës, pa ‘i lënë vend Djallit’