Të krishterët pasqyrojnë lavdinë e Jehovait
«Lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë!»—Mateu 13:16.
1. Cila pyetje na lind kur mendojmë për reagimin e izraelitëve ndaj Moisiut në malin Sinai?
IZRAELITËT që ishin mbledhur në malin Sinai kishin çdo arsye për t’iu afruar Jehovait. Ai i kishte çliruar nga Egjipti me një dorë të fuqishme. Ishte kujdesur për nevojat e tyre, duke u siguruar ujë e ushqim në shkretëtirë. Pastaj u kishte dhënë fitoren, kur i kishte sulmuar ushtria amalekite. (Eksodi [Dalja] 14:26-31; 16:2–17:13) Njerëzit, që kishin fushuar në shkretëtirë përballë malit Sinai, u frikësuan kaq shumë nga vetëtimat e bubullimat, sa filluan të dridheshin. Më vonë, panë Moisiun që po zbriste nga mali Sinai, dhe fytyra i rrezatonte lavdinë e Jehovait. E megjithatë, në vend që të mahniteshin dhe të reagonin me çmueshmëri, u sprapsën. Ata «kishin frikë t’i afroheshin [Moisiut]». (Eksodi 19:10-19; 34:30) Po pse kishin frikë të shihnin pasqyrimin e lavdisë së Jehovait, atij që kishte bërë kaq shumë për ta?
2. Pse izraelitët mund të kenë pasur frikë ta shihnin lavdinë e Perëndisë që pasqyrohej në fytyrën e Moisiut?
2 Ndoshta, frika e izraelitëve në atë rast ishte e lidhur me atë që kishte ndodhur më parë. Kur e kishin shkelur me dashje urdhrin e Jehovait, duke bërë një viç të artë, ai i kishte disiplinuar. (Eksodi 32:4, 35) A kishin mësuar nga disiplina e Jehovait dhe a e kishin vlerësuar? Jo, shumica prej tyre jo. Aty nga fundi i jetës së tij, Moisiu ua rikujtoi izraelitëve ndodhinë me viçin e artë bashkë me rastet e tjera të mosbindjes. Ai i tha popullit: «Ju ngritët krye kundër Zotit, Perëndisë tuaj, nuk i besuat dhe nuk iu bindët zërit të tij. U bëtë rebelë kundër Zotit, qysh nga dita që ju kam njohur.»—Ligji i përtërirë 9:15-24.
3. Çfarë bënte Moisiu me velin që i mbulonte fytyrën?
3 Shikoni se si reagoi Moisiu ndaj frikës që shfaqën izraelitët. Lexojmë: «Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta, vuri një vel mbi fytyrën e tij. Por kur Moisiu hynte [në tabernakull] përpara Zotit për të biseduar me atë, hiqte velin deri sa të dilte jashtë; duke dalë jashtë, u tregonte bijve të Izraelit ato që e kishin urdhëruar të bënte. Bijtë e Izraelit, duke parë fytyrën e Moisiut, shihnin se lëkura e tij rrëzëllente; pastaj Moisiu vinte përsëri velin mbi fytyrën e tij, deri sa hynte të fliste me Zotin.» (Eksodi 34:33-35) Pse disa herë Moisiu e fshihte me vel fytyrën? Ç’mund të mësojmë nga kjo? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na ndihmojnë të shqyrtojmë marrëdhënien tonë me Jehovain.
Nuk përfituan nga mundësitë
4. Sipas fjalëve të apostullit Pavël, ç’kuptim kishte mbulimi me vel i fytyrës së Moisiut?
4 Apostulli Pavël shpjegoi se mbulimi i fytyrës së Moisiut me vel kishte të bënte me mendjen dhe gjendjen e zemrës së izraelitëve. Pavli shkroi: «Bijtë e Izraelit nuk mund ta ngulnin shikimin në fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së fytyrës së tij. . . . Fuqitë e tyre mendore ishin të mpira.» (2 Korintasve 3:7, 14) Sa gjendje e mjeruar! Izraelitët ishin populli i zgjedhur i Jehovait, i cili donte që ata t’i afroheshin. (Eksodi 19:4-6) E megjithatë, nuk donin të shikonin drejtpërdrejt pasqyrimin e lavdisë së Perëndisë. Në vend që ta kthenin mendjen dhe zemrën drejt Jehovait, duke iu përkushtuar atij me dashuri, ata treguan me veprimet e tyre se ishin larguar disi prej tij.
5, 6. (a) Cila gjendje e ngjashme me izraelitët e kohës së Moisiut ekzistonte në shekullin e parë? (b) Çfarë dallimi kishte midis atyre që e dëgjuan Jezuin dhe atyre që s’e dëgjuan?
5 Një gjendje e ngjashme ishte krijuar në shekullin e parë të erës sonë. Në kohën kur u kthye Pavli në krishterim, besëlidhja e Ligjit ishte zëvendësuar me besëlidhjen e re, të ndërmjetësuar nga Jezu Krishti, Moisiu më i Madh. Me fjalë e me vepra, Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur lavdinë e Jehovait. Pavli shkroi për Jezuin e ringjallur: «Ai është pasqyrimi i lavdisë së [Perëndisë] dhe paraqitja e saktë e vetë qenies së tij.» (Hebrenjve 1:3) Sa mundësi e mrekullueshme iu dha judenjve! Mund të dëgjonin fjalë jete të përhershme nga vetë Biri i Perëndisë! Por, mjerisht, shumica e atyre të cilëve u predikoi Jezui, nuk dëgjuan. Ai citoi profecinë që Jehovai kishte thënë për ta me anë të Isaisë: «Zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme dhe me veshët e tyre kanë dëgjuar me indiferencë dhe i kanë mbyllur sytë; që të mos shohin kurrë me sytë e tyre dhe të mos dëgjojnë me veshët e tyre e të mos e kapin kuptimin e saj me zemrën e tyre dhe të kthehen e unë t’i shëroj.»—Mateu 13:15; Isaia 6:9, 10.
6 Gjithsesi, kishte një dallim të madh midis atyre judenjve dhe dishepujve të Jezuit, për të cilët ai tha: «Lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë!» (Mateu 13:16) Të krishterët e vërtetë dëshirojnë me zjarr ta njohin Jehovain dhe t’i shërbejnë. Kënaqen kur bëjnë vullnetin e tij, i cili është zbuluar në faqet e Biblës. Si rrjedhojë, të krishterët e mirosur e pasqyrojnë lavdinë e Jehovait në shërbimin e tyre të besëlidhjes së re, e po kështu bëjnë edhe delet e tjera.—2 Korintasve 3:6, 18.
Pse lajmi i mirë është i mbuluar me vel?
7. Pse nuk habitemi që shumica e njerëzve nuk e pranojnë lajmin e mirë?
7 Siç e kemi parë, edhe në ditët e Jezuit, edhe në ditët e Moisiut, shumica e izraelitëve s’e pranuan mundësinë e pashoqe që iu dha. Njësoj është edhe në kohën tonë. Shumica e njerëzve nuk e pranojnë lajmin e mirë që u predikojmë. Kjo nuk na habit. Pavli shkroi: «Nëse tani lajmi i mirë që ne shpallim është, në fakt, i mbuluar me vel, është i mbuluar ndër ata që po marrin fund, mes të cilëve perëndia i këtij sistemi ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve.» (2 Korintasve 4:3, 4) Përveç përpjekjeve të Satanait për ta fshehur lajmin e mirë, shumë njerëz vënë vetë një vel mbi fytyrat e tyre, sepse nuk duan të shohin.
8. Si janë verbuar shumë veta nga padija dhe si mund të shmangim edhe ne të njëjtin gabim?
8 Shumë njerëz i kanë sytë e figurshëm të verbuar nga padija. Bibla thotë se kombet janë «në errësirë mendërisht dhe të ndarë nga jeta që i përket Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta». (Efesianëve 4:18) Para se të bëhej i krishterë, Pavli ishte shumë i përgatitur sipas Ligjit, por kaq i verbuar nga padija, saqë e përndiqte kongregacionin e Perëndisë. (1 Korintasve 15:9) E megjithatë, Jehovai i zbuloi atij të vërtetën. Vetë Pavli shpjegon: «Arsyeja përse m’u tregua mëshirë ishte që nëpërmjet meje si rasti më i njohur, Krishti Jezu të tregonte gjithë shpirtgjerësinë e tij si një model për ata që do ta mbështetin tek ai besimin e tyre për jetën e përhershme.» (1 Timoteut 1:16) Ashtu si Pavli, edhe shumë njerëz që më parë i ishin kundërvënë të vërtetës së Perëndisë, tani po i shërbejnë Atij. Kjo është një arsye e fortë pse duhet të vazhdojmë t’u japim dëshmi edhe atyre që na kundërshtojnë. Ndërkohë, duke e studiuar rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe duke kapur kuptimin e saj, jemi të mbrojtur, sepse nuk veprojmë me padije, në ndonjë mënyrë që i shkakton pakënaqësi Jehovait.
9, 10. (a) Si treguan judenjtë e shekullit të parë se s’donin të mësonin dhe ishin të ngurtë në pikëpamjet e tyre? (b) A ka kjo ndonjë ngjashmëri në të ashtuquajturin krishterim sot? Shpjegoni.
9 Shumë vetave u pengohet shikimi frymor ngaqë nuk duan të mësojnë dhe janë të ngurtë në pikëpamjet e tyre. Shumë judenj e hodhën poshtë Jezuin dhe mësimet e tij, sepse me kokëfortësi i përmbaheshin Ligjit të Moisiut. Sigurisht, ndër ta kishte edhe përjashtime. Për shembull, pas ringjalljes së Jezuit, «një shumicë e madhe priftërinjsh filluan t’i bindeshin besimit». (Veprat 6:7) Megjithatë, për pjesën më të madhe të judenjve, Pavli shkroi: «Deri më sot, sa herë që lexohet Moisiu, një vel shtrihet mbi zemrat e tyre.» (2 Korintasve 3:15) Me sa duket, Pavli e dinte atë që u kishte thënë më parë Jezui udhëheqësve fetarë judenj: «Ju po shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se me anë të tyre do të keni jetë të përhershme; dhe këto janë pikërisht ato që japin dëshmi për mua.» (Gjoni 5:39) Shkrimet që ata shqyrtonin me kaq imtësi, duhej t’i kishin ndihmuar të kuptonin se Jezui ishte Mesia. Mirëpo, judenjtë kishin idetë e tyre, dhe as Biri i Perëndisë që bënte mrekulli, s’i bindte dot për të menduar ndryshe.
10 E njëjta gjë ndodh sot me shumë veta në të ashtuquajturin krishterim. Ashtu si judenjtë e shekullit të parë, edhe ata «kanë zell për Perëndinë; por jo sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 10:2) Ndonëse disa prej tyre e studiojnë Biblën, nuk duan ta besojnë atë që thotë ajo. Nuk duan ta pranojnë se Jehovai e mëson popullin e tij me anë të klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur, të përbërë nga të krishterët e mirosur. (Mateu 24:45) Kurse ne e kuptojmë se është Jehovai që po e mëson popullin e tij dhe se kuptueshmëria për të vërtetën e tij ka qenë gjithnjë progresive. (Fjalët e urta [Proverbat] 4:18) Duke lejuar që të na mësojë Jehovai, bekohemi me njohurinë për vullnetin e për qëllimin e tij.
11. Si i pengon disa për ta parë të vërtetën, fakti që besojnë vetëm atë që duan?
11 Të tjerë janë verbuar, sepse besojnë vetëm atë që u pëlqen. Ishte parathënë se disa do ta tallnin popullin e Perëndisë dhe mesazhin që shpallin ata për praninë e Jezuit. Apostulli Pjetër shkroi: «Sipas dëshirës së tyre, atyre u shpëton pa vënë re kjo», domethënë që Perëndia solli një përmbytje në ditët e Noesë. (2 Pjetrit 3:3-6) Po kështu, shumë nga ata që thonë se janë të krishterë, e pranojnë pa problem se Jehovai është i mëshirshëm, dashamirës dhe fal, por e shpërfillin ose nuk e pranojnë faktin që ai nuk lë pa ndëshkuar. (Eksodi 34:6, 7) Të krishterët e vërtetë përpiqen sinqerisht të kuptojnë se çfarë mëson vërtet Bibla.
12. Si janë verbuar njerëzit nga traditat?
12 Shumë nga ata që shkojnë në kishë, janë verbuar nga traditat. Jezui u tha udhëheqësve fetarë të kohës së tij: «E keni bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës suaj.» (Mateu 15:6) Pasi u kthyen nga robëria në Babiloni, judenjtë e rivendosën me zell adhurimin e pastër, por vetë priftërinjtë u bënë krenarë dhe iu krijua një ndjenjë e tepruar drejtësie. Festat fetare u bënë thjesht mekanike, pa nderim të thellë për Perëndinë. (Malakia 1:6-8) Në kohën e Jezuit, skribët dhe farisenjtë i kishin shtuar Ligjit të Moisiut tradita të panumërta. Jezui i demaskoi ata si hipokritë, sepse nuk arrinin të dallonin më parimet e drejta në të cilat bazohej Ligji. (Mateu 23:23, 24) Të krishterët e vërtetë duhet të bëjnë kujdes që të mos i lejojnë traditat njerëzore t’i mënjanojnë nga adhurimi i pastër.
«Shihte Atë që është i padukshëm»
13. Cilat ishin dy mënyrat se si e pa Moisiu lavdinë e Perëndisë?
13 Kur ishte lart në mal, Moisiu kërkoi të shihte lavdinë e Perëndisë, dhe në fakt pa shkëlqimin që mbeti pas shfaqjes së lavdisë së Tij. Kur hynte në tabernakull, ai nuk mbante vel. Moisiu ishte njeri me besim të thellë, që dëshironte të bënte vullnetin e Perëndisë. Edhe pse pati bekimin të shihte në vegim një pjesë të lavdisë së Jehovait, në njëfarë kuptimi, ai tashmë e kishte parë Perëndinë, me sytë e besimit. Bibla thotë se Moisiu «qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm». (Hebrenjve 11:27; Eksodi 34:5-7) Për më tepër, e pasqyroi lavdinë e Perëndisë jo vetëm me rrezet që i rrezatonte për ca kohë fytyra, por edhe me përpjekjet për t’i ndihmuar izraelitët të njihnin Jehovain dhe t’i shërbenin.
14 Si e pa Jezui lavdinë e Perëndisë dhe në çfarë gjëje gjente kënaqësi?
14 Në qiell, Jezui e kishte parë drejtpërdrejt lavdinë e Perëndisë për epoka të tëra, madje që më përpara se të krijohej universi. (Fjalët e urta 8:22, 30) Gjatë gjithë asaj kohe, mes tyre u zhvillua një lidhje shumë e përzemërt dhe e dashur. Perëndia Jehova shprehte dashurinë dhe përzemërsinë më të butë për këtë të parëlindur të gjithë krijimit. Edhe Jezui ia kthente duke i shprehur dashurinë e tij të thellë dhe përzemërsinë për Perëndinë, që i kishte dhënë jetën. (Gjoni 14:31; 17:24) Lidhja e tyre ishte një lidhje e përsosur Atë e Bir. Jezui, ashtu si Moisiu, kënaqej duke pasqyruar lavdinë e Jehovait në gjërat që u mësonte të tjerëve.
15. Si e soditin të krishterët lavdinë e Perëndisë?
15 Ashtu si Moisiu e Jezui, edhe Dëshmitarët e sotëm të Perëndisë mezi presin të soditin lavdinë e Jehovait. Ata nuk i kanë kthyer krahët lajmit të mirë të lavdishëm. Apostulli Pavël shkroi: «Kur kthehen te Jehovai [për të bërë vullnetin e tij], veli hiqet.» (2 Korintasve 3:16) Ne i studiojmë Shkrimet sepse duam të bëjmë vullnetin e Perëndisë. E admirojmë lavdinë që pasqyron fytyra e Jezu Krishtit, Biri i Jehovait dhe Mbreti i mirosur, dhe imitojmë shembullin e tij. Ashtu si Moisiu e Jezui, edhe ne jemi bekuar me një shërbim, duke i mësuar të tjerët për Perëndinë e lavdishëm që adhurojmë.
16. Pse jemi të bekuar që njohim të vërtetën?
16 Jezui u lut: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, . . . sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e intelektualëve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» (Mateu 11:25) Jehovai u jep kuptueshmëri për qëllimet dhe për personalitetin e tij atyre që janë të sinqertë dhe me zemër të përulur. (1 Korintasve 1:26-28) Ne jemi strehuar në krahët e tij mbrojtës dhe ai na mëson për dobinë tonë, që të nxjerrim sa më shumë dobi nga jeta. Le të përfitojmë nga çdo mundësi për t’iu afruar Jehovait, duke i vlerësuar masat e shumta që ka marrë për ne, me qëllim që ta njohim sa më shumë!
17. Si arrijmë t’i njohim më plotësisht cilësitë e Jehovait?
17 Pavli u shkroi të krishterëve të mirosur: «Ne . . . me fytyrë të zbuluar pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait, [dhe] transformohemi në të njëjtën shëmbëlltyrë nga lavdia në lavdi.» (2 Korintasve 3:18) Sido që të jetë shpresa jonë, qiellore apo tokësore, sa më shumë që e njohim Jehovain—duke mësuar nga Bibla për cilësitë dhe personalitetin e tij—aq më shumë bëhemi si ai. Nëse meditojmë me çmueshmëri për jetën, shërbimin dhe për mësimet e Jezu Krishtit, do t’i pasqyrojmë edhe më plotësisht cilësitë e Jehovait. Sa gëzim është të dimë se i sjellim nderim Perëndisë tonë, lavdinë e të cilit përpiqemi të pasqyrojmë!
A ju kujtohet?
• Pse izraelitët kishin frikë të shihnin lavdinë e Perëndisë që pasqyronte Moisiu?
• Në cilat mënyra ishte «mbuluar me vel» lajmi i mirë në shekullin e parë? Po në ditët tona?
• Si e pasqyrojmë ne lavdinë e Perëndisë?
[Figura në faqen 19]
Izraelitët nuk e shihnin dot fytyrën e Moisiut
[Figurat në faqen 21]
Ashtu si Pavli, shumë që më parë i ishin kundërvënë së vërtetës, tani po i shërbejnë Jehovait
[Figurat në faqen 23]
Shërbëtorët e Jehovait kënaqen që pasqyrojnë lavdinë e Perëndisë