2
Ankthi—«Të shtrënguar në çdo mënyrë»
«Pas 25 vjetësh martesë, unë dhe im shoq u divorcuam. Fëmijët e lanë të vërtetën. Pata disa probleme të rënda shëndetësore, pastaj rashë në dëshpërim. Ndihesha sikur më ishte kthyer e gjithë bota përmbys dhe s’duroja dot më asgjë. Nuk shkoja më në mbledhje dhe u bëra joaktive.»—Juna.
ANKTHI prek çdokënd, edhe shërbëtorët e Perëndisë. Psalmisti shkroi: «Pata përbrenda shumë mendime turbulluese.» (Psalmi 94:19) Edhe Jezui tha se gjatë ditëve të fundit «ankthet e jetës» do të na e bënin tejet të vështirë t’i shërbenim Jehovait. (Luka 21:34) Po ti? A ndihesh i mbytur nga problemet ekonomike, familjare ose shëndetësore? Si mund të të ndihmojë Jehovai t’i përballosh?
‘Fuqi përtej asaj që është normale’
Nuk mund ta përballojmë vetë ankthin. «Jemi të shtrënguar në çdo mënyrë,—shkroi apostulli Pavël.—Jemi ndërdyshas; . . . jemi të hedhur poshtë.» Por tha edhe se nuk jemi «aq ngushtë sa të mos lëvizim», «fare pa rrugëdalje» dhe «të shkatërruar». Çfarë na ndihmon të qëndrojmë? «Fuqia përtej asaj që është normale», pra fuqia që vjen nga Perëndia ynë i plotfuqishëm, Jehovai.—2 Korintasve 4:7-9.
Mendo si more ‘fuqi përtej asaj që është normale’ në të kaluarën. A të kujtohet ndonjë fjalim inkurajues që ta shtoi çmueshmërinë për dashurinë besnike të Jehovait? A të rritej besimi te premtimet e Jehovait kur u flitje të tjerëve për shpresën e Parajsës? Kur ndjekim mbledhjet e krishtere dhe kur flasim për besimin tonë me të tjerët, marrim forcë për të qëndruar përballë anktheve të jetës dhe fitojmë paqe mendore për t’i shërbyer Jehovait me gëzim.
«Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!»
Me të drejtë, mund të ndihesh nën presionin e shumë gjërave njëherësh. Për shembull, Jehovai pret që të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë dhe të mbajmë një rutinë të mirë me aktivitete frymore. (Mateu 6:33; Luka 13:24) Gjithsesi, po sikur kundërshtimi, shëndeti i dobët apo problemet familjare të të sfilitin? Ose, po sikur puna të të marrë kohën dhe energjitë që do t’i harxhoje me kongregacionin? Mund të ndihesh i mbytur nga tërë këto kërkesa e kaq pak kohë dhe energji për t’i plotësuar. Mbase edhe ke pyetur veten se mos Jehovai pret tepër nga ti.
Jehovai na kupton. Ai kurrë nuk pret nga ne më shumë sesa mund të japim. E di se duhet kohë për ta marrë veten nga stresi fizik dhe emocional.—Psalmi 103:13, 14.
Për shembull, shqyrto si Jehovai u kujdes për profetin Elija. Kur u shkurajua dhe u frikësua aq sa ia mbathi në shkretëtirë, vallë e qortoi Jehovai dhe e urdhëroi të kthehej në caktimin e tij? Jo. Jehovai dërgoi një engjëll dy herë që ta zgjonte ëmbëlsisht Elijan dhe t’i jepte për të ngrënë. Prapëseprapë, 40 ditë më pas, Elija ende kishte ankth dhe frikë. Ç’gjë tjetër bëri Jehovai për ta ndihmuar? Së pari, i tregoi qartë se ishte në gjendje ta mbronte. Së dyti, Jehovai e ngushëlloi Elijan me ‘një zë të qetë e të ulët’. Së fundi, Jehovai i tha se kishte mijëra të tjerë që po e adhuronin me besnikëri. Shpejt Elija u bë sërish një profet i zellshëm dhe aktiv. (1 Mbretërve 19:1-19) Cili është mësimi? Kur Elijan e mbyti ankthi, Jehovai e trajtoi me durim dhe dhembshuri. Jehovai nuk ka ndryshuar. Ai kujdeset po njësoj për ne.
Kur mendon se çfarë mund t’i japësh Jehovait, ji realist. Mos krahaso atë që mund të bësh sot, me atë që bëje dikur. Ta ilustrojmë: një vrapues që nuk stërvitet prej disa muajsh ose vitesh nuk mund ta rifillojë menjëherë rutinën e dikurshme. Përkundrazi, ai e nis me disa synime të vogla që i japin forcë e qëndrueshmëri. Edhe të krishterët janë si vrapuesit. Ata stërviten duke pasur një synim të qartë në mendje. (1 Korintasve 9:24-27) Pse të mos vësh një synim frymor që të duket më i arritshëm për momentin? Për shembull, mund të vësh synim të ndjekësh një mbledhje kongregacioni. Kërkoji Jehovait të të ndihmojë ta arrish këtë synim. Teksa rifiton forcën frymore, ‘do ta provosh dhe do ta shijosh sa i mirë është Jehovai’. (Psalmi 34:8) Mos harro se Jehovai çmon çdo gjë që bën për të treguar dashurinë ndaj tij, s’ka rëndësi se sa e vogël mund të duket.—Luka 21:1-4.
«Nxitja që prisja prej kohësh»
Si i dha forcë Jehovai Junës që të kthehej tek ai? Ajo thotë: «I lutesha vazhdimisht Jehovait të më ndihmonte. Pastaj, nusja e djalit më tregoi për një asamble që do të mbahej në qytetin tim. Vendosa të ndiqja një ditë të asamblesë. Ç’ndjenjë e mrekullueshme të isha përsëri me popullin e Jehovait! Ajo asamble ishte pikërisht nxitja që prisja prej kohësh. Tani po i shërbej përsëri Jehovait me gëzim dhe jeta ime ka shumë më tepër kuptim. Si kurrë më parë, e di se kam nevojë për vëllezërit e motrat dhe se duhet të pranoj ndihmën e tyre. Jam mirënjohëse që isha ende në kohë për t’u kthyer.»