Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga letrat drejtuar Korintasve
APOSTULLI Pavël është shumë i merakosur për mirëqenien frymore të kongregacionit të Korintit. Ai ka dëgjuar se vëllezërit atje kanë fërkime. Imoraliteti tolerohet. Gjithashtu, kongregacioni i ka shkruar Pavlit dhe e ka pyetur për disa çështje. Kështu, rreth vitit 55 të e.s., gjatë udhëtimit të tretë misionar, Pavli shkruan të parën nga dy letrat drejtuar korintasve kur është në Efes.
Letra e dytë, me sa duket e shkruar vetëm pak muaj pas së parës, është vazhdim i saj. Meqë situata brenda dhe jashtë kongregacionit të Korintit në shekullin e parë ngjan në shumë aspekte me kohën tonë, mesazhi i letrave që Pavli u drejtoi korintasve ka shumë vlerë për ne sot.—Hebr. 4:12.
‘RRINI ZGJUAR, QËNDRONI TË PATUNDUR, BËHUNI TË FUQISHËM’
«Flitni të gjithë në harmoni»,—bën thirrje Pavli. (1 Kor. 1:10) Për të ndërtuar cilësitë e krishtere, ‘nuk ka themel tjetër, përveç Jezu Krishtit’. (1 Kor. 3:11-13) Pavli thotë për një kurvar në kongregacion: «Hiqeni të ligun nga mesi juaj.» (1 Kor. 5:13) «Trupi nuk është për kurvëri,—shkruan ai,—por për Zotërinë.»—1 Kor. 6:13.
Në përgjigje të ‘gjërave që i shkruan ata’, Pavli jep këshilla të shëndosha për martesën dhe beqarinë. (1 Kor. 7:1) Pasi flet për parimin e krishterë të kryesisë, për rregullin në mbledhjet e krishtere dhe për sigurinë e plotë të ringjalljes, Pavli nxit: «Rrini zgjuar, qëndroni të patundur në besim, silluni si burrat, bëhuni të fuqishëm.»—1 Kor. 16:13.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:21—A përdor vërtet ‘marrëzinë’ Jehovai për të shpëtuar ata që besojnë? Jo. Gjithsesi, meqë «bota nëpërmjet mençurisë së vet nuk arriti ta njohë Perëndinë», mjeti që ai përdor për të shpëtuar njerëzit, botës i duket marrëzi.—Gjoni 17:25.
5:5—Çfarë do të thotë që ‘t’i dorëzohet [i ligu] Satanait, që të shkatërrohet mishi, por që fryma të shpëtojë’? Kur dikush që praktikon mëkat të rëndë pa u penduar përjashtohet nga kongregacioni, ai bëhet prapë pjesë e botës së ligë të Satanait. (1 Gjon. 5:19) Prandaj, për të thuhet se i dorëzohet Satanait. Përjashtimi i tij sjell si pasojë shkatërrimin ose heqjen nga kongregacioni të elementit ndotës dhe ruajtjen e frymës së kongregacionit ose qëndrimit mbizotërues.—2 Tim. 4:22.
7:33, 34—Ç’nënkuptohet me «gjërat e botës» për të cilat një burrë a grua e martuar është në ankth? Pavli po flet për gjërat e jetës së përditshme, për të cilat merakosen të krishterët e martuar. Këtu përfshihen ushqimi, veshja dhe strehimi, por jo gjërat e këqija të kësaj bote, të cilat të krishterët i shmangin.—1 Gjon. 2:15-17.
11:26—Sa «herë» duhet përkujtuar vdekja e Jezuit dhe ‘deri kur’? Pavli po thoshte se sa herë që të krishterët e mirosur marrin simbolet e Përkujtimit, pra, një herë në vit më 14 nisan, ata ‘shpallin vdekjen e Zotërisë’. Ata e bëjnë këtë «derisa ai të mbërrijë», domethënë, derisa ai t’i marrë në qiell me anë të ringjalljes.—1 Sel. 4:14-17.
13:13—Në ç’kuptim dashuria është më e madhe se besimi dhe shpresa? Kur ‘gjërat e shpresuara’ bëhen realitet dhe ‘pritja e sigurt’ e tyre realizohet, besimi dhe shpresa përfundojnë. (Hebr. 11:1) Dashuria është më e madhe se besimi dhe shpresa, në kuptimin që ajo mbetet përgjithmonë.
15:29—Çfarë do të thotë «pagëzohen, që të jenë të vdekur»? Pavli nuk donte të thoshte se të gjallët pagëzohen për ata që vdiqën pa u pagëzuar, siç mund të nënkuptohet nga mënyra si është përkthyer ky varg në shumë përkthime të Biblës. Pavli këtu po tregon se të krishterët e mirosur «pagëzohen» ose zhyten në një mënyrë jetese ku mbajnë integritetin deri në vdekje, dhe pas kësaj ringjallen në jetën frymore.
Mësime për ne:
1:26-31; 3:3-9; 4:7. Kur me përulësi mburremi në lidhje me Jehovain, jo për veten, nxitim unitetin në kongregacion.
2:3-5. Kur predikonte në Korint, një qendër e mësimit dhe e filozofisë greke, Pavli ndoshta ka qenë në merak nëse do të ishte në gjendje t’u mbushte mendjen dëgjuesve. Prapëseprapë, nuk lejoi që frika ose ndonjë dobësi ta pengonte që të përmbushte shërbimin që i kishte dhënë Perëndia. Edhe ne nuk duhet të lejojmë që rrethanat sfiduese të na stepin e të mos shpallim lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Mund të mbështetemi të sigurt te ndihma e Jehovait, siç bëri Pavli.
2:16. Të kesh «mendjen e Krishtit» do të thotë të dish si mendon ai dhe pse mendon ashtu, të mendosh si ai, t’ia njohësh mirë personalitetin dhe të imitosh shembullin e tij. (1 Pjet. 2:21; 4:1) Sa e rëndësishme është të studiojmë me kujdes jetën dhe shërbimin e Jezuit!
3:10-15; 4:17. Duhet të shqyrtojmë dhe të përmirësojmë aftësinë tonë për të mësuar të tjerët e për të bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Nëse nuk e mësojmë mirë studentin, ai mund të mos i kalojë sprovat e besimit dhe ne mund të pësojmë një humbje kaq të dhembshme, saqë shpëtimi ynë të jetë «si nëpërmjet zjarrit».
6:18. ‘Të ikësh nga kurvëria’ nuk do të thotë vetëm të mos bësh pornéia, por edhe të rrish larg pornografisë, ndyrësisë morale, fantazive seksuale dhe flirtimit, pra, larg gjithçkaje që mund të çojë në kurvëri.—Mat. 5:28; Jak. 3:17.
7:29. Bashkëshortët duhet të kenë kujdes të mos jepen aq shumë pas njëri-tjetrit, saqë interesat e Mbretërisë të kalojnë në vend të dytë në jetën e tyre.
10:8-11. Jehovai u ndie shumë i fyer kur Izraeli murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit. Tregojmë mençuri kur kemi kujdes dhe nuk e bëjmë zakon murmuritjen.
16:2. Kontributet që japim për të çuar përpara interesat e Mbretërisë do të jenë të vazhdueshme po t’i planifikojmë përpara dhe t’i bëjmë rregullisht.
‘VAZHDONI TË NDREQENI’
Pavli u thotë korintasve se duhet ‘ta falin me dashamirësi e ta ngushëllojnë’ një keqbërës të penduar që më parë ishte përjashtuar. Ndonëse letra e tij e parë i ka trishtuar, Pavli është i gëzuar, sepse ata ‘u trishtuan për pendim’.—2 Kor. 2:6, 7; 7:8, 9.
Pavli i nxit korintasit që, ‘ashtu si kanë me bollëk çdo gjë’, edhe ‘të japin me bollëk’. Pasi u përgjigjet kundërshtarëve, në fund ai u jep të gjithëve këtë këshillë: «Vazhdoni të gëzoni, të ndreqeni, të ngushëlloheni, të jeni në një mendje dhe të jetoni në paqe.»—2 Kor. 8:7; 13:11.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:15, 16—Në ç’kuptim jemi «një aromë e këndshme e lajmit për Krishtin»? Është kështu sepse zbatojmë Biblën dhe marrim pjesë në përhapjen e mesazhit të saj. Ndonëse kjo «aromë» mund të jetë e neveritshme për të padrejtët, ajo është erëmirë për Jehovain dhe për njerëzit me zemër të sinqertë.
5:16—Në ç’kuptim të krishterët e mirosur ‘nuk njohin asnjë njeri sipas mishit’? Ata nuk i shohin njerëzit me një pikëpamje mishore, domethënë, nuk mbajnë me hatër për shkak të pasurisë, racës ose prejardhjes etnike a kombëtare. Ajo që ka rëndësi për ta është marrëdhënia frymore me bashkëbesimtarët.
11:1, 16; 12:11—A po tregohej i paarsyeshëm Pavli me korintasit? Jo. Sidoqoftë, disave mund t’u jetë dukur mburracak dhe i paarsyeshëm për shkak të fjalëve që u detyrua të thoshte kur mbrojti pozitën si apostull.
12:1-4—Kush «u rrëmbye në parajsë»? Meqë Bibla nuk flet për ndonjë tjetër që kishte pasur një vegim të tillë dhe meqë këto vargje vijnë fill pas mbrojtjes që i bëri Pavli pozitës së tij si apostull, ai duhet të ketë folur për veten. Ka shumë të ngjarë që çka pa në vegim apostulli, të ketë qenë parajsa frymore që gëzon kongregacioni i krishterë në «kohën e fundit».—Dan. 12:4.
Mësime për ne:
3:5. Në thelb, ky varg na tregon se Jehovai i kualifikon të krishterët aq sa duhet për të kryer shërbimin, dhe e bën këtë me anë të Fjalës së tij, frymës së shenjtë dhe pjesës tokësore të organizatës së tij. (Gjoni 16:7; 2 Tim. 3:16, 17) Bëjmë mirë të studiojmë me zell Biblën dhe botimet biblike, të lutemi me ngulm për frymën e shenjtë, të ndjekim rregullisht mbledhjet e të marrim pjesë në to.—Psal. 1:1-3; Luka 11:10-13; Hebr. 10:24, 25.
4:16. Jehovai na e përtërin ‘njeriun e brendshëm nga dita në ditë’, prandaj duhet të nxjerrim dobi rregullisht nga masat që ka marrë ai, duke mos lënë të kalojë as edhe një ditë pa shqyrtuar gjëra frymore.
4:17, 18. Kur mbajmë parasysh se «shtrëngimi është kalimtar dhe i lehtë», kjo na ndihmon t’i qëndrojmë besnikë Jehovait në vështirësi.
5:1-5. Sa bukur i shpreh Pavli ndjenjat e të krishterëve të mirosur për shpresën e jetës qiellore!
10:13. Në rast se nuk na kanë caktuar të ndihmojmë atje ku ka më shumë nevojë, si rregull, duhet të punojmë vetëm në territorin që i është caktuar kongregacionit tonë.
13:5. Për ‘të vënë në provë veten nëse jemi në besim’, duhet të shqyrtojmë nëse sjellja jonë përputhet me atë që kemi mësuar nga Bibla. Për ‘të provuar çfarë jemi ne vetë’, duhet të shqyrtojmë si është gjendja jonë frymore, sa të zotë jemi për t’i përdorur «aftësitë perceptuese» dhe sa vepra besimi bëjmë. (Hebr. 5:14; Jak. 1:22-25) Duke zbatuar këshillën e shëndoshë të Pavlit, mund të vazhdojmë të ecim në rrugën e së vërtetës.
[Figura në faqet 26, 27]
Ç’kuptim kanë fjalët «sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë»?—1 Kor. 11:26