Ku e gjejnë forcën?
NËSE shikon me vëmendje fluturën në këtë fotografi, do të vëresh se një nga katër krahët e saj s’hyn fare në punë. Prapëseprapë flutura vazhdon të ushqehet dhe të fluturojë. Ky nuk është rasti i vetëm. Është vërejtur se fluturat e kryejnë aktivitetin e tyre të përditshëm, pa përdorur 70 për qind të sipërfaqes së krahëve të tyre.
Në të njëjtën mënyrë, shumë njerëz shfaqin një frymë të vendosur. Pa marrë parasysh vuajtjet nga probleme të rënda emocionale apo fizike, ata nuk dorëzohen.—Krahaso 2. Korintasve 4:16.
Apostulli Pavël kapërceu personalisht vështirësi të mëdha gjatë udhëtimeve të tij misionare. Atë e rrahën, e goditën, e qëlluan me gurë dhe e burgosën. Përveç këtyre, ai vuajti nga disa lloje të paaftësisë, ndoshta një problem me sytë që ishte vazhdimisht «një gjemb në mish» për të.—2. Korintasve 12:7-9; Galatasve 4:15.
Një plak i krishterë me emrin David, që luftoi kundër krizave të rënda të depresionit për disa vjet me radhë, beson se forca e Jehovait ishte vendimtare për shërimin e tij. «Shumë herë, rezultatet e arritura me vështirësi, dukeshin sikur veniteshin,—shpjegon ai.—Përballë këtij shkurajimi, e lashë veten në dorë të Jehovait dhe ai vërtet më mbështeti. Kishte raste, kur lutesha për orë të tëra. Kur flisja me Jehovain, ndjenja e vetmisë dhe e pavlefshmërisë zhdukej. Kam luftuar në periudha kur isha shumë i dobët, por falë Jehovait, nga kjo dobësi më ka ardhur forca, madje forca për të ndihmuar edhe të tjerët.»
Perëndia Jehova e forcoi Pavlin. Për këtë arsye, ai mundi të thoshte: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.» (2. Korintasve 12:10) Po, dobësia e mësoi Pavlin të mbështetej në forcën e dhënë nga Perëndia. «Për të gjitha gjërat kam forcë, në saje të atij që më jep forcë»,—tha apostulli. (Filipianëve 4:13, BR) Me siguri, Jehovai u jep fuqi shërbëtorëve të tij.