KAPITULLI KATËR
Si mund të mbarështosh një shtëpi?
1. Përse mbarështimi i shtëpisë mund të jetë kaq i vështirë sot?
«SKENA e kësaj bote po ndryshon.» (1. Korintasve 7:31, BR) Këto fjalë u shkruan mbi 1.900 vjet më parë dhe sa të vërteta janë ende sot! Gjërat po ndryshojnë, sidomos në lidhje me jetën familjare. Ajo që 40 apo 50 vjet më parë konsiderohej si normale ose tradicionale, tani shpesh është e papranueshme. Për këtë arsye, mbarështimi i suksesshëm i shtëpisë mund të paraqesë sfida të mëdha. Megjithatë, nëse ndjek këshillat e Shkrimeve, ti mund t’i përballosh këto sfida.
JETO BRENDA MUNDËSIVE TË TUA
2. Cilat rrethana ekonomike shkaktojnë strese në familje?
2 Sot, shumë njerëz nuk janë më të kënaqur me një jetë të thjeshtë, me mendjen nga familja. Ndërkohë që bota tregëtare prodhon gjithnjë e më shumë gjëra dhe përdor aftësitë e saj reklamuese për të nxitur publikun, miliona baballarë dhe nëna harxhojnë shumë orë duke punuar, që të mund t’i blejnë ato prodhime. Miliona të tjerë përballojnë një luftë të përditshme vetëm sa për të pasur ca ushqim mbi tavolinë. Ata duhet të harxhojnë në punë më shumë kohë se zakonisht, ndoshta duke pasur dy punë, vetëm për të paguar gjërat e nevojshme. E megjithatë, disa të tjerë do të ishin të kënaqur sikur të gjenin një punë, pasi papunësia është një problem mjaft i përhapur. Po, jeta nuk është gjithmonë e lehtë për familjet e sotme, por parimet e Biblës mund t’i ndihmojnë ato që të veprojnë sa më mirë sipas rrethanave të tyre.
3. Çfarë parimi shpjegoi apostulli Pavël dhe në ç’mënyrë zbatimi i tij mund ta ndihmojë një person për të mbarështuar me sukses shtëpinë?
3 Edhe apostulli Pavël kaloi presione ekonomike. Në trajtimin e tyre ai nxori një mësim të vlefshëm, të cilin e shpjegoi në letrën drejtuar mikut të tij, Timoteut. Pavli shkroi: «Ne nuk kemi sjellë asgjë me vete në këtë botë dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.» (1. Timoteut 6:7, 8) Vërtet, familja nuk ka nevojë vetëm për ushqim e veshje. Ka nevojë edhe për një vend ku të fusë kokën. Fëmijët kanë nevojë të arsimohen. Ekzistojnë edhe pagesat për ilaçet dhe harxhe të tjera. Gjithsesi, parimi i fjalëve të Pavlit gjen zbatim. Nëse kënaqemi me plotësimin e nevojave tona, në vend se të kënaqim dëshirat tona, jeta do të jetë më e lehtë.
4, 5. Në ç’mënyrë kujdesi për të ardhmen dhe planifikimi mund të ndihmojnë në mbarështimin e shtëpisë?
4 Një tjetër parim i dobishëm gjendet në një nga ilustrimet e Jezuit. Ai tha: «Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?» (Luka 14:28) Jezui këtu e kishte fjalën për kujdesin për të ardhmen, për planifikimin e parakohshëm. Në një nga kapitujt e mëparshëm pamë se si vjen në ndihmë ky parim kur një çift i ri po mendon të martohet. Pas martesës, ai është po aq i dobishëm në mbarështimin e shtëpisë. Të kujdesesh për të ardhmen në këto fusha do të thotë të kesh një buxhet, të bësh përpara kohe plane për të përdorur me sa më shumë mençuri burimet që ke në dispozicion. Në këtë mënyrë, familja mund të kontrollojë shpenzimet, duke vënë mënjanë ca para që t’i harxhojë për gjërat kryesore çdo ditë apo çdo javë e të mos i shtrijë këmbët më gjatë se jorgani.
5 Ndoshta në disa vende, bërja e këtij buxheti do të thotë t’i rezistosh nxitjes për të marrë hua me interes të lartë, për të blerë gjëra të panevojshme. Në vende të tjera, ndoshta do të thotë të mbash nën kontroll të rreptë përdorimin e kartave me kredi. (Proverbat 22:7) Gjithashtu, mund të nënkuptojë edhe përballimin e tundimit për të blerë apo për të pasur diçka nga nxitja e çastit, pa peshuar mirë nevojat dhe pasojat. Për më tepër, buxheti do të bëjë të dukshme se paratë e harxhuara në mënyrë egoiste duke luajtur bixhoz, duke pirë duhan apo duke e tepruar me pijet, dëmtojnë gjendjen ekonomike të familjes, si dhe janë kundër parimeve të Biblës.—Proverbat 23:20, 21, 29-35; Romakëve 6:19; Efesianëve 5:3-5.
6. Cilat të vërteta biblike u vijnë në ndihmë atyre që janë të detyruar të jetojnë në varfëri?
6 Por, ç’të themi për ata që janë të detyruar të jetojnë në varfëri? Pikësëpari, ata mund të ngushëllohen duke ditur se ky problem mbarëbotëror është vetëm i përkohshëm. Në botën e re që po afrohet me shpejtësi, Jehovai do të zhdukë varfërinë bashkë me çdo gjë tjetër të ligë që i shkakton mjerim njerëzimit. (Psalmi 72:1, 12-16) Ndërkohë, të krishterët e vërtetë, edhe nëse janë shumë të varfër, nuk provojnë dëshpërim të plotë, sepse kanë besim në premtimin e Jehovait: «Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.» Prandaj, një njeri besimtar mund të thotë me besim: «Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë.» (Hebrenjve 13:5, 6) Në këto ditë të vështira, Jehovai i ka mbështetur adhuruesit e tij në shumë mënyra, ndërsa ata jetojnë sipas parimeve të tij dhe vënë Mbretërinë në vend të parë në jetën e tyre. (Mateu 6:33) Shumë prej tyre mund të dëshmojnë, duke thënë fjalët e apostullit Pavël: «Në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.»—Filipianëve 4:12, 13.
PËRGJEGJËSI TË PËRBASHKËTA
7. Cilat fjalë të Jezuit, nëse zbatohen, do të ndihmojnë në mbarështimin e suksesshëm të shtëpisë?
7 Aty nga fundi i shërbimit të tij tokësor, Jezui tha: «Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.» (Mateu 22:39) Zbatimi i kësaj këshille në familje ndihmon jashtë mase në mbarështimin e shtëpisë. Për më tepër, kush janë të afërmit tanë më të ngushtë e më të dashur? A nuk janë ata me të cilët banojmë së bashku në familje, burrat dhe gratë, prindërit dhe fëmijët? Si mund të tregojnë anëtarët e familjes dashuri për njëri-tjetrin?
8. Si mund të shprehet dashuria brenda familjes?
8 Një mënyrë është që secili pjesëtar i familjes të bëjë pjesën e tij në punët e shtëpisë. Kështu, fëmijët duhen mësuar që t’i vënë gjërat në vend pasi t’i kenë përdorur, qofshin rroba apo lodra. Ndoshta rregullimi i krevatit çdo mëngjes mund të kërkojë kohë dhe përpjekje, por është një ndihmë e madhe në mbarështimin e shtëpisë. Natyrisht, disa çrregullime të vogla e të përkohshme janë të pashmangshme, por të gjithë mund të punojnë së bashku për ta mbajtur shtëpinë të rregullt sa duhet, si dhe për ta pastruar pas çdo vakti. Dembelizmi, përmbushja e dëshirave të veta dhe një frymë smire dhe kundërshtuese, ndikojnë negativisht mbi të gjithë. (Proverbat 26:14-16) Nga ana tjetër, një frymë e gëzueshme dhe e vullnetshme ushqen një jetë të lumtur familjare. «Perëndia do një dhurues të gëzuar.»—2. Korintasve 9:7.
9, 10. (a) Çfarë barre bie shpesh mbi gratë në shtëpi dhe si mund të lehtësohet kjo? (b) Cila pikëpamje e ekuilibruar për punët e shtëpisë na sugjerohet?
9 Një konsideratë dhe një dashuri e tillë do të parandalojë atë gjendje që përbën një problem serioz në disa shtëpi. Mamatë kanë qenë tradicionalisht trau kryesor i jetës familjare. Ato kujdesen për fëmijët, pastrojnë shtëpinë, lajnë rrobat e familjes, blejnë dhe gatuajnë ushqimet. Në disa vende, zakonisht gratë kanë punuar edhe fushave, kanë shitur prodhime në pazar, apo kanë kontribuar me mënyra të tjera në buxhetin e familjes. Edhe në ato vende ku më parë s’ka ekzistuar ky zakon, nevoja i ka shtyrë miliona gra të martuara të gjejnë punë jashtë shtëpisë. Një grua dhe nënë që rropatet në këto fusha të ndryshme meriton të lavdërohet. Ashtu si «gruaja e aftë» e përshkruar në Bibël, ditët e saj janë plot me punë. «Ajo nuk ha bukën e përtacisë.» (Proverbat 31:10, 27, BR) Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gruaja është e vetmja që mund të punojë në shtëpi. Pasi burri dhe gruaja të kenë punuar gjithë ditën jashtë shtëpisë, a duhet që vetëm gruaja të mbajë barrën e punëve të shtëpisë, ndërsa i shoqi dhe pjesa tjetër e familjes të pushojnë? Patjetër që jo. (Krahaso 2. Korintasve 8:13, 14.) Kështu, për shembull, nëse mamaja po përgatitet të bëjë gati ushqimin, ajo do të ishte mirënjohëse sikur të tjerët në familje ta ndihmonin gjatë përgatitjes, duke shtruar tavolinën, duke bërë pazarin, apo duke pastruar pak rreth shtëpisë. Po, të gjithë mund të ndajnë përgjegjësitë.—Krahaso Galatasve 6:2.
10 Disa mund të thonë: «Po këtu ku jetoj unë, nuk i takon burrit të bëjë gjëra të tilla.» Ndoshta është ashtu, por a s’do të ishte mirë t’i merrnim paksa në konsideratë këto çështje? Kur Perëndia Jehova i dha fill familjes, ai nuk urdhëroi se disa punë duheshin bërë vetëm nga gratë. Në një rast, kur Abrahamit besimtar i erdhën për vizitë disa lajmëtarë të veçantë nga Jehovai, ai personalisht mori pjesë në përgatitjet dhe u shërbeu drekën vizitorëve. (Zanafilla 18:1-8) Bibla këshillon: «Burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre.» (Efesianëve 5:28) Nëse në mbarim të ditës burri është i lodhur dhe dëshiron të pushojë, a s’ka të ngjarë që edhe gruaja të ndihet po kështu e ndoshta edhe më shumë? (1. Pjetrit 3:7) A s’do të ishte, pra, e përshtatshme dhe e dashur që burri të ndihmonte në shtëpi?—Filipianëve 2:3, 4.
11. Në ç’mënyrë Jezui dha një shembull të shkëlqyer për çdo pjesëtar të familjes?
11 Jezui është shembulli më i mirë i një personi që i pëlqeu Perëndisë dhe u solli lumturi miqve të tij. Edhe pse nuk u martua kurrë, Jezui është një shembull i mirë për burrat, si edhe për gratë e fëmijët. Ai tha për veten: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer», d.m.th., për t’u shërbyer të tjerëve. (Mateu 20:28) Sa të kënaqura janë ato familje ku të gjithë pjesëtarët kultivojnë një qëndrim të tillë!
PËRSE ËSHTË AQ E RËNDËSISHME PASTËRTIA?
12. Ç’kërkon Jehovai nga ata që i shërbejnë atij?
12 Një tjetër parim i Biblës që mund të ndihmojë në mbarështimin e shtëpisë gjendet në 2. Korintasve 7:1. Atje lexojmë: «Le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës.» Jehovai i pranon ata që u binden këtyre fjalëve të frymëzuara, sepse ai kërkon «adhurim të pastër e të panjollë». (Jakovit 1:27, BR) Por edhe familjarët e tyre do të nxjerrin dobi.
13. Përse pastërtia është e rëndësishme në mbarështimin e shtëpisë?
13 Për shembull, Bibla na siguron se do të vijë dita kur nuk do të ketë më lëngata dhe sëmundje. Në atë kohë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’». (Isaia 33:24; Zbulesa 21:4, 5) Por deri atëherë, çdo familje duhet të përballojë herë pas here sëmundjet. Edhe Pavli me Timoteun u sëmurën. (Galatasve 4:13; 1. Timoteut 5:23) Megjithatë, ekspertët në fushën e mjekësisë thonë se shumë sëmundje janë të parandalueshme. Familjet e mençura u ruhen disa sëmundjeve të parandalueshme, nëse shmangin papastërtitë e mishit dhe të frymës. Le të shqyrtojmë në ç’mënyrë.—Krahaso Proverbat 22:3.
14. Në ç’mënyrë pastërtia morale mund ta mbrojë familjen nga sëmundjet?
14 Pastërtia frymore përfshin pastërtinë morale. Siç dihet, Bibla nxit norma të larta morale dhe dënon çdo lloj intimiteti seksual jashtë martesës. «As kurvarët, . . . as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët . . . nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1. Korintasve 6:9, 10) Mbajtja e këtyre normave të rrepta është shumë e rëndësishme për të krishterët që jetojnë në botën e sotme të degjeneruar. Në këtë mënyrë i pëlqejnë Perëndisë dhe ndihmojnë për të mbrojtur familjen nga sëmundje të transmetuara seksualisht, si SIDA, sifilizi, gonorrea dhe klamidia.—Proverbat 7:10-23.
15. Jep një shembull të mungesës së pastërtisë morale, që mund të shkaktojë sëmundje të panevojshme?
15 Pastrimi i vetvetes nga çdo fëlliqësi e mishit, ndihmon për të mbrojtur familjen edhe nga sëmundje të tjera. Shumë nga këto shkaktohen nga mungesa e pastërtisë fizike. Një shembull i dorës së parë është zakoni i cigares. Duhani jo vetëm që ndyn mushkëritë, rrobat dhe ajrin, por edhe i sëmur njerëzit. Miliona njerëz vdesin çdo vit ngaqë pijnë duhan. Mendo pak: çdo vit, miliona njerëz nuk do të kishin zënë shtratin e nuk do të kishin vdekur, po të kishin hequr këtë ‘fëlliqësi të mishit’!
16, 17. (a) Cili ligj i dhënë nga Jehovai i mbrojti izraelitët nga disa sëmundje? (b) Si mund të zbatohet parimi i Ligjit të përtërirë 23:12, 13 në të gjitha shtëpitë?
16 Edhe një shembull tjetër. Gati 3.500 vjet më parë, Perëndia i dha kombit të Izraelit Ligjin e tij, për të organizuar adhurimin e tyre dhe deri në njëfarë mase edhe jetën e tyre të përditshme. Ligji ndihmoi për të mbrojtur kombin nga sëmundjet, duke vendosur disa rregulla bazë të higjienës. Një ligj i tillë kishte të bënte me eliminimin e jashtëqitjeve njerëzore, të cilat duheshin groposur larg kampit, në mënyrë që zona ku banonin njerëzit të mos ndotej. (Ligji i përtërirë 23:12, 13) Ai ligj i lashtë është ende një këshillë e vlefshme. Edhe sot njerëzit sëmuren e vdesin ngaqë nuk e zbatojnë atë.a
17 Në përputhje me parimin që qëndronte prapa atij ligji izraelit, banjat dhe zonat përreth tyre, qofshin brenda apo jashtë vendbanimit të familjes, duhen mbajtur të pastra e të dezinfektuara. Nëse vendi i nevojtores nuk mbahet i pastër dhe i mbuluar, mizat mund të mblidhen e të përhapin mikrobet nëpër vende të tjera të shtëpisë, madje edhe mbi ushqimin që hamë! Për më tepër, fëmijë e të rritur duhet të lajnë duart pasi të kenë mbaruar punë në atë vend. Përndryshe, do të merrnin me vete mikrobet në lëkurën e tyre. Sipas një mjekeje franceze, larja e duarve «është akoma garancia më e mirë për parandalimin e disa infeksioneve në aparatin e tretjes, të frymëmarrjes dhe në lëkurë».
18, 19. Cilat sugjerime janë dhënë për të mbajtur pastër një shtëpi, qoftë edhe në një lagje të varfër?
18 Vërtet, në një lagje të varfër pastërtia përbën një sfidë. Një person që njeh lagje të tilla shpjegoi: «Klima e nxehtë mbytëse e bën punën e pastrimit dyfish të vështirë. Stuhitë e dheut mbulojnë çdo të çarë të shtëpisë me një pluhur të imët ngjyrë kafe. . . . Shtimi i popullsisë nëpër qytete, si edhe në disa zona fshatare, krijon gjithashtu probleme shëndeti. Kanalet e hapura, pirgjet me plehra të pambledhura, banjat publike të fëlliqura, minjtë plot me sëmundje, buburrecat dhe mizat, janë bërë pamje të zakonshme.»
19 Të mbash pastërti në kushte të këtilla është e vështirë. Megjithatë, ia vlen të përpiqesh. Uji e sapuni, si edhe pak punë më tepër, janë më të lira se recetat e ilaçeve dhe pagesat e spitaleve. Nëse jeton në një ambient të tillë, sa më shumë të jetë e mundur, mbaje shtëpinë dhe oborrin të pastër e pa jashtëqitje kafshësh. Nëse rruga e shtëpisë baltoset gjatë periudhave të shiut, a mund të hedhësh ca zhavorr apo gurë, që balta mos të të futet në shtëpi? Nëse ke përdorur këpucë apo sandale, a mund t’i heqësh përpara se të hysh në shtëpi? Gjithashtu, duhet ta mbash rezervën e ujit të pandotur. Është llogaritur se të paktën dy milionë vdekje në vit vijnë nga sëmundje që lidhen me ujin e ndotur dhe me kushtet e varfëra shëndetësore.
20. Kush duhet të mbajë përgjegjësitë, nëse duam një shtëpi të pastër?
20 Pastërtia e një shtëpie varet nga të gjithë, mamaja, babai, fëmijët dhe vizitorët. Një nënë me tetë fëmijë në Kenia thotë: «Të gjithë kanë mësuar të bëjnë pjesën e tyre.» Një shtëpi e pastër dhe e rregullt, pasqyron mirë të gjithë familjen. Një proverb spanjoll thotë: «S’ka ndonjë kundërshtim ndërmjet varfërisë dhe pastërtisë.» Kudo që të jetojmë, në vilë, në apartament, në ndonjë shtëpi të thjeshtë apo në kasolle, pastërtia është çelësi për një familje më të shëndetshme.
INKURAJIMI BËN QË TË LULEZOJMË
21. Në përputhje me Proverbat 31:28, ç’do të na ndihmojë për t’i sjellë lumturi shtëpisë?
21 Duke folur për gruan e aftë, libri i Proverbave thotë: «Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon.» (Proverbat 31:28) Kur ka qenë hera e fundit që ke lëvduar një pjesëtar të familjes sate? Vërtet, ne jemi ngjashëm bimëve në kohën e pranverës, të cilat janë gati për të çelur nëse marrin ca ngrohtësi dhe lagështi. Në rastin tonë, kemi nevojë për ngrohtësinë e lavdërimeve. Për gruan është një ndihmë e madhe të dijë se i shoqi e vlerëson punën e saj të rëndë dhe kujdesin e saj të dashur dhe se ai nuk i konsideron këto si diçka të zakonshme. (Proverbat 15:23; 25:11) Është diçka e pëlqyeshme edhe kur gruaja lavdëron burrin e saj për punën që ai ka kryer jashtë dhe brenda shtëpisë. Edhe fëmijët kanë lulëzuar kur prindërit i lëvdojnë për përpjekjet e tyre në shtëpi, në shkollë, apo në kongregacionin e krishterë. Sa shumë mund të bëjë një shprehje e vogël e mirënjohjes! Ç’na kushton të themi: «Faleminderit»? Shumë pak, e megjithatë dobia mbi moralin e familjes mund të jetë e madhe.
22. Çfarë nevojitet për ‘të vendosur fortësisht’ një shtëpi dhe si mund të arrihet kjo?
22 Për shumë arsye, mbarështimi i shtëpisë nuk është i lehtë. Por, ai mund të kryhet me sukses. Një proverb i Biblës thotë: «Një shtëpi do të ngrihet me mençuri dhe aftësia shquese do ta vendosë fortësisht.» (Proverbat 24:3, BR) Mençuria dhe aftësitë shquese mund të fitohen nëse të gjithë në familje përpiqen të mësojnë vullnetin e Perëndisë e ta zbatojnë në jetën e tyre. Ia vlen të përpiqesh për të pasur një familje të lumtur!
a Në një udhëzues që paralajmëronte se si të shmangej diarreja, një sëmundje e zakonshme që çon në vdekjen e shumë foshnjave, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë: «Nëse nuk ekzistojnë nevojtoret, kryejini nevojat personale larg shtëpisë dhe zonave ku luajnë fëmijët, si dhe të paktën 10 metra larg nga burimi i ujit; mbulojini jashtëqitjet me dhe.»