Titi: «Një bashkëpunëtor për interesat tuaja»
HERA-herës, në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë lindnin probleme. Këto probleme duheshin zgjidhur dhe kjo kërkonte kurajë dhe bindje. Titi ishte një burrë që përballoi me sukses sfida të tilla disa herë. Si pjesëmarrës në vepër me apostullin Pavël, ai bëri përpjekje të zellshme për t’i ndihmuar të tjerët që t’i bënin gjërat sipas mënyrës së Jehovait. Prandaj, Pavli u tha të krishterëve në Korint se Titi ishte ‘një bashkëpunëtor për interesat e tyre’.—2. Korintasve 8:23, BR.
Kush ishte Titi? Ç’rol luajti në zgjidhjen e problemeve? Dhe si mund të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i qëndrimit të tij?
Çështja e rrethprerjes
Titi ishte një grek i parrethprerë. (Galatasve 2:3)a Meqenëse Pavli e quan «bir të vërtetë në besimin e përbashkët», Titi mund të ketë qenë një prej fëmijëve frymorë të apostullit. (Titit 1:4; krahaso 1. Timoteut 1:2.) Në vitin 49 të e.s., kur Pavli, Barnaba dhe burra të tjerë nga Antiokia shkuan në Jerusalem për të diskutuar çështjen e rrethprerjes, Titi ishte bashkë me ta.—Veprat 15:1, 2; Galatasve 2:1.
Është hedhur mendimi që meqenëse kthimi në fe i johebrenjve të parrethprerë po diskutohej në Jerusalem, Titin e kishin marrë me vete për të demonstruar se si hebrenjtë, ashtu edhe johebrenjtë, mund ta fitonin favorin e Perëndisë, pavarësisht nëse ishin apo jo të rrethprerë. Disa anëtarë të kongregacionit të Jerusalemit, të cilët përpara se të pranonin krishterimin kishin qenë farisenj, nxirrnin argumentin se johebrenjtë e kthyer në fe ishin të detyruar të rrethpriteshin dhe të zbatonin Ligjin, por ky argumentim u kundërshtua. T’i shtrëngoje Titin dhe johebrenjtë e tjerë të rrethpriteshin, do të ishte njësoj si të mohoje faktin që shpëtimi varet nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait dhe nga besimi te Jezu Krishti, në vend se nga veprat e Ligjit. Gjithashtu, do të ishte hedhje poshtë e dëshmisë se johebrenjtë apo njerëzit e kombeve kishin marrë frymën e shenjtë të Perëndisë.—Veprat 15:5-12.
I dërguar në Korint
Kur u zgjidh çështja e rrethprerjes, Pavlit dhe Barnabës iu dha autoritet i plotë për t’u predikuar kombeve. Në të njëjtën kohë, ata u përpoqën të mbanin ndër mend edhe të varfrit. (Galatasve 2:9, 10) Në fakt, gjashtë vjet më vonë, kur përmendet përsëri në tregimin e frymëzuar, Titi ndodhet në Korint si i dërguari i Pavlit për të organizuar mbledhjen e ndihmave për të shenjtët. Por, ndërsa vazhdon të kryejë këtë vepër, Titi gjendet në një situatë tjetër shumë të tensionuar.
Nga korrespondenca që Pavli mbante me korintasit zbulohet se në fillim ai u shkroi të ‘mos përziheshin me kurvarë’. Atij iu desh t’u thoshte të hiqnin nga mesi i tyre një kurvar të papenduar. Po, Pavli u shkroi atyre një letër të fuqishme, duke e bërë këtë «me shumë lot». (1. Korintasve 5:9-13; 2. Korintasve 2:4) Ndërkohë, Titi ishte dërguar në Korint që të ndihmonte për mbledhjen e ndihmave që po bëhej atje për të krishterët nevojtarë judenj. Ka mundësi që ai të ishte dërguar edhe për të vërejtur reagimin e korintasve ndaj letrës së Pavlit.—2. Korintasve 8:1-6.
Si do të reagonin korintasit ndaj këshillave të Pavlit? Meqenëse ishte në ankth për ta ditur këtë, Pavli mund ta ketë dërguar Titin nga Efesi përmes detit Egje për në Korint, duke e udhëzuar që t’i dërgonte një raport sa më shpejt që të ishte e mundur. Nëse një mision i tillë do të përfundonte përpara se të ndërpritej lundrimi për periudhën e dimrit (nga mesi i nëntorit), Titi do të mund të shkonte në Troas me anije ose të merrte një udhë më të gjatë tokësore përmes Hellespontit. Ka mundësi që Pavli të ketë mbërritur shpejt në vendin ku kishin rënë dakord të takoheshin në Troas, sepse trazira e provokuar nga argjendarët e bëri që të largohej nga Efesi më përpara se ç’ishte parashikuar. Pas një pritjeje me ankth në Troas, Pavli e kuptoi se Titi nuk do të vinte nëpërmjet detit. Kështu që Pavli i hyri udhëtimit në rrugë tokësore, me shpresën për ta takuar atë në rrugë e sipër. Sapo shkeli në tokën evropiane, Pavli mori rrugën Egnantia dhe më në fund u takua me Titin në Maqedoni. Për lehtësimin dhe gëzimin e madh të Pavlit, lajmet nga Korinti ishin të mira. Kongregacioni kishte reaguar në mënyrë të favorshme ndaj këshillave të apostullit.—2. Korintasve 2:12, 13; 7:5-7.
Megjithëse Pavli kishte qenë i shqetësuar për llojin e pritjes që do t’i bëhej të dërguarit të tij, Perëndia e kishte ndihmuar Titin ta përmbushte detyrën që i ishte ngarkuar. Titi ishte pritur «me frikë dhe me të dridhura». (2. Korintasve 7:8-15) Citojmë fjalët e komentuesit W. D. Thomas: «Pa zbutur forcën e kritikës së Pavlit, mund ta marrim me mend se [Titi] iu lut korintasve me mjeshtëri dhe me takt, duke i siguruar se Pavli, duke u folur në atë mënyrë, kishte pasur ndër mend vetëm mirëqenien e tyre frymore.» Gjatë kësaj kohe, Titi kishte arritur t’i donte të krishterët korintas për shkak të frymës së tyre të bindur dhe të ndryshimeve pozitive. Qëndrimi i tyre i lavdërueshëm kishte qenë për të një burim inkurajimi.
Ç’të themi për aspektin tjetër të misionit të Titit në Korint: organizimin e mbledhjes së ndihmave për të shenjtët që ndodheshin në Jude? Siç mund të kuptohet nga informacioni që gjendet në 2. Korintasve, Titi kishte punuar edhe për këtë gjë. Ka mundësi që kjo letër të jetë shkruar në Maqedoni nga fundi i vitit 55 të e.s., pak pas takimit të Titit me Pavlin. Pavli shkroi se tani Titi, i cili kishte nisur mbledhjen e ndihmave, po dërgohej përsëri atje për ta përfunduar atë bashkë me dy ndihmës të tjerë, emri i të cilëve nuk përmendet. Meqenëse ishte tepër i interesuar për korintasit, Titi qe shumë i gatshëm të kthehej atje. Ka të ngjarë që kur është kthyer në Korint, Titi të ketë çuar letrën e dytë të frymëzuar të Pavlit, drejtuar korintasve.—2. Korintasve 8:6, 17, 18, 22.
Titi ishte jo vetëm një organizator i mirë, por edhe lloji i burrit të cilit mund t’i besoheshin detyra delikate në situata të vështira. Ai ishte i guximshëm, i pjekur dhe i palëkundur. Me sa duket, Pavli e konsideronte Titin të aftë për përballimin e sfidave të vazhdueshme që paraqitnin «apostujt e shquar». (2. Korintasve 11:5) Kjo përshtypje e krijuar për Titin, vërtetohet edhe nga hera tjetër që ai përmendet në Shkrimet, në një caktim tjetër kërkues.
Në ishullin e Kretës
Ka mundësi që diku mes viteve 61 dhe 64 të e.s., Pavli t’i ketë shkruar Titit, i cili në atë kohë shërbente në ishullin mesdhetar të Kretës. Pavli e kishte lënë atje që të ‘ndreqte gjërat që ishin me të meta’ dhe të ‘bënte emërime pleqsh qytet pas qyteti’. Në përgjithësi, kretasit njiheshin si «gënjeshtarë, bisha të egra të dëmshme, grykës të papunë». Prandaj, në Kretë, Titit do t’i kërkohej përsëri të vepronte me kurajë dhe vendosmëri. (Titit 1:5, 10-12, BR) Kjo ishte një detyrë me shumë përgjegjësi, sepse kishte të ngjarë që të përcaktonte të ardhmen e krishterimit në atë ishull. Nën frymëzim, Pavli e ndihmoi Titin, duke i specifikuar se çfarë të kërkonte te mbikëqyrësit e mundshëm. Këto kualifikime merren ende në konsideratë, për sa i përket emërimit të pleqve të krishterë.
Shkrimet nuk e tregojnë se kur u largua Titi nga Kreta. Përderisa Pavli i kërkoi të kujdesej për nevojat e Zenas dhe të Apollos, të cilët gjatë një udhëtimi do të ndaleshin atje në një periudhë të paspecifikuar, ai duhet të ketë qëndruar atje për njëfarë kohe. Por Titi nuk do të qëndronte shumë gjatë në ishull. Pavli po bënte plane që atje të dërgonte Artemasin ose Tikikun dhe pastaj Titi të takohej me apostullin në Nikopolis, që ka të ngjarë të jetë qyteti i shquar me po këtë emër, i cili ndodhet në veriperëndim të Greqisë.—Titit 3:12, 13.
Nga referimi i fundit i shkurtër që i bëhet Titit në Bibël, mësojmë se ndoshta rreth vitit 65 të e.s., Pavli e dërgoi edhe në një caktim tjetër. Ky caktim e çoi Titin në Dalmaci, një rajon në lindje të detit Adriatik, në Kroacinë e sotme. (2. Timoteut 4:10) Nuk na thuhet se çfarë duhej të bënte atje Titi, por është sugjeruar se po dërgohej për të rregulluar çështjet e kongregacionit dhe për t’u angazhuar në aktivitetin misionar. Nëse është kështu, Titi do të vepronte me një funksion të ngjashëm me atë që kishte kur shërbeu në Kretë.
Sa mirënjohës jemi për mbikëqyrës të pjekur të krishterë si Titi! Kuptueshmëria e qartë që kanë për parimet biblike dhe aplikimi me guxim që u bëjnë atyre, ndihmon për ta ruajtur frymësisht kongregacionin. Le të imitojmë besimin e tyre dhe të tregojmë se jemi si Titi, duke çuar përpara interesat frymore të bashkëbesimtarëve tanë!—Hebrenjve 13:7.
[Shënimi]
a Në Galatasve 2:3, Titi përshkruhet si grek (helen). Kjo do të thotë se ai mund të ishte me origjinë greke. Megjithatë, thuhet se disa shkrimtarë grekë, kur u referoheshin atyre që nuk ishin grekë, por që kishin gjuhë dhe kulturë greke, përdornin shumësin (helenë). Ka mundësi që Titi të ketë qenë grek në këtë kuptim.
[Figura në faqen 31]
Titi ishte një bashkëpunëtor i guximshëm për interesat e të krishterëve në Korint dhe gjetkë