Pavli organizon kontribute për të ndihmuar të shenjtët
INTERESAT frymore janë me rëndësi parësore për të krishterët e vërtetë. Megjithatë, edhe interesimi për mirëqenien fizike të të tjerëve është i rëndësishëm për ta. Shpesh u kanë siguruar ndihma atyre që kanë qenë në hall. Dashuria vëllazërore i nxit të krishterët që t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët nevojtarë.—Gjoni 13:34, 35.
Dashuria për vëllezërit frymorë dhe motrat frymore e shtyu apostullin Pavël të organizonte një mbledhje parash ndër kongregacionet në Akai, Galati, Maqedoni dhe në krahinën e Azisë. Përse lindi nevoja për këtë gjë? Si u organizua programi i ndihmës? Cila qe përgjigjja? Përse duhet të jemi të interesuar për atë që ndodhi?
Gjendja në kongregacionin e Jerusalemit
Pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., judenjtë dhe prozelitët nga vendet e tjera, të cilët u bënë dishepuj gjatë kësaj feste, qëndruan në Jerusalem për ca kohë, që të mësonin më shumë për besimin e vërtetë. Kur ishte e nevojshme, bashkadhuruesit ndihmuan me gëzim për të mbajtur barrën e këtij qëndrimi më të gjatë. (Veprat 2:7-11, 41-44; 4:32-37) Trazirat civile mund ta kenë shtuar nevojën për ndihmë, pasi nacionalistët judenj nxitnin rebelimin dhe dhunën e turmave. Por, që asnjë ithtar i Krishtit të mos ishte i uritur, të vejave nevojtare u shpërndaheshin ushqime çdo ditë. (Veprat 6:1-6) Herodi i ishte vënë me gjithë forcat punës për të përndjekur kongregacionin dhe në mes të viteve 40 të shekullit të parë të e.s. në Jude pllakosi një zi buke. Për sa u përket ithtarëve të Jezuit, e gjithë kjo mund të ketë sjellë si pasojë ato që apostulli Pavël i quajti «vuajtje», ‘shtrëngime’ dhe ‘plaçkitje të zotërimeve [të tyre]’.—Hebrenjve 10:32-34; Veprat 11:27–12:1.
Rreth vitit 49 të e.s., gjendja ishte ende e rëndë. Kështu, pasi qenë të një mendimi që Pavli të përqendrohej te johebrenjtë në predikimin e tij, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni e nxitën që ‘të mbante në mend të varfrit’. Kjo është ajo që u përpoq të bënte Pavli.—Galatasve 2:7-10.
Organizon mbledhjen e parave
Pavli kishte nën mbikëqyrje një fond për të krishterët e varfër në Jude. Rreth vitit 55 të e.s., ai u tha korintasve: «Sa për mbledhjen e parave për të shenjtët, bëni edhe ju ashtu siç urdhërova kongregacionet e Galatisë. Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë diçka mënjanë në shtëpinë e vet, sipas mbarësisë që ka . . . [Pastaj], ata burra që ju do t’i miratoni me anë të letrave, unë do t’i nis për të dërguar dhuratën tuaj dashamirëse në Jerusalem.» (1 Korintasve 16:1-3) Një vit më vonë Pavli tha se Maqedonia dhe Akaia po merrnin pjesë në këtë mbledhje. Gjithashtu, kur dhuratat u dërguan në Jerusalem, me sa duket, prania e delegatëve nga krahina e Azisë tregon që edhe kongregacionet në atë rajon kishin kontribuar.—Veprat 20:4; 2 Korintasve 8:1-4; 9:1, 2.
Nuk u detyrua askush që të jepte më shumë sesa kishte mundësi. Në vend të kësaj, ishte një çështje barazimi, kështu që ndonjë tepricë të mund të mbushte mungesat që kishin të shenjtët në Jerusalem dhe në Jude. (2 Korintasve 8:13-15) «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet,—tha Pavli,—jo me pahir ose me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.»—2 Korintasve 9:7.
Apostulli u dha korintasve arsye të vlefshme për të qenë bujarë. Jezui ‘ishte bërë i varfër për hirin e tyre, që ata të bëheshin të pasur’ frymësisht. (2 Korintasve 8:9) Sigurisht, ata donin të imitonin frymën dhënëse të Jezuit. Për më tepër, meqë Perëndia po i pasuronte «për çdo lloj bujarie», ishte e përshtatshme që ata të ndihmonin për të plotësuar nevojat e të shenjtëve.—2 Korintasve 9:10-12.
Qëndrimi i pjesëmarrësve
Mund të mësojmë shumë gjëra për dhënien vullnetare duke shqyrtuar qëndrimin e pjesëmarrësve të shekullit të parë në programin për të ndihmuar të shenjtët. Mbledhja e parave shkonte përtej interesimit për bashkadhuruesit e varfër të Jehovait. Ajo nënkuptonte se midis të krishterëve judenj dhe johebrenj kishte një lidhje vëllazërie. Dhënia dhe pranimi i kontributeve nënkuptonte unitetin dhe miqësinë që ishte midis këtyre johebrenjve dhe judenjve. Ata ndanin bashkë edhe gjërat materiale, edhe ato frymore.—Romakëve 15:26, 27.
Fillimisht, Pavli mund të mos i ketë ftuar të krishterët maqedonas të merrnin pjesë, pasi ata ishin për vete në varfëri të madhe. Megjithatë, ata ‘vazhduan të luteshin për privilegjin e dhënies’. E pra, ndonëse po përjetonin vetë ‘një sprovë të madhe nën mundim’, me gëzim ata dhanë «përtej mundësive të tyre reale»! (2 Korintasve 8:1-4) Me sa duket, sprova e madhe që po kalonin përfshinte akuzat se po praktikonin një fe që ishte e paligjshme për romakët. Pra, është e kuptueshme që kishin ndjenja të përbashkëta me vëllezërit judenj, të cilët po vuanin vështirësi të ngjashme.—Veprat 16:20, 21; 17:5-9; 1 Selanikasve 2:14.
Ndonëse Pavli e kishte përdorur zellin fillestar të korintasve për mbledhjen e parave, që t’u jepte zemër maqedonasve, entuziazmi në Korint ishte fashitur. Tani, apostulli citoi bujarinë e maqedonasve për të motivuar korintasit. E pa të nevojshme t’u rikujtonte atyre se ishte koha ta përfundonin atë që kishin nisur një vit më parë. Çfarë kishte ndodhur?—2 Korintasve 8:10, 11; 9:1-5.
Titi e kishte nisur mbledhjen e parave në Korint, por kishin lindur disa probleme që ndoshta i kishin penguar përpjekjet e tij. Pasi u këshillua me Pavlin në Maqedoni, Titi u rikthye me dy të tjerë për ta nxitur kongregacionin në Korint dhe për të përfunduar mbledhjen e parave. Disa mund ta kishin hedhur fjalën për Pavlin, duke thënë se ishte përpjekur të shfrytëzonte korintasit. Ndoshta kjo është arsyeja përse ai dërgoi atje tre burra për ta përfunduar mbledhjen e parave dhe dha rekomandime për secilin prej tyre. «[Po] shmangim që dikush të na gjejë ndonjë të metë në lidhje me këtë kontribut bujar që duhet administruar prej nesh,—tha Pavli.—Sepse, ‘me ndershmëri sigurojmë gjëra, jo vetëm në sy të Jehovait, por edhe në sy të njerëzve’.»—2 Korintasve 8:6, 18-23; 12:18.
Dorëzimi i kontributit
Në verën e vitit 56 të e.s., paratë e dhuruara ishin gati për t’u çuar në Jerusalem. Pavli do të shkonte me delegacionin e zgjedhur nga ata që bënë kontributet. Te Veprat 20:4 thuhet: «Atë e shoqëronin Sopatri, i biri i Pirros nga Berea, Aristarku dhe Sekundi nga selanikasit, Gaji nga Derba, Timoteu dhe Tikiku me Trofimin nga krahina e Azisë.» Me sa duket, mes tyre ishte edhe Luka, i cili mund të ketë përfaqësuar të krishterët në Filipi. Kështu, të paktën nëntë veta shkuan në këtë mision.
«Shuma e përgjithshme e mbledhur duhet të ketë qenë mjaft e madhe,—thotë studiuesi Ditër Georgi,—sepse, përndryshe, përpjekjet përfundimtare, ku u përfshi Pavli dhe kaq shumë delegatë, nuk do t’ia kishin vlejtur.» Grupi shërbente jo vetëm për sigurinë e parave, por edhe për ta mbrojtur Pavlin nga ndonjë akuzë për pandershmëri. Ata që u dërguan përfaqësonin kongregacionet johebreje para të shenjtëve në Jerusalem.
Duke lundruar nga Korinti në Siri, delegacioni do të kishte arritur në Jerusalem në kohën e pashkës. Megjithatë, fjalët rreth një komploti për të vrarë Pavlin bënë që planet të ndryshonin. (Veprat 20:3) Ndoshta armiqtë e tij kishin menduar ta hiqnin qafe në det.
Pavli kishte shqetësime të tjera. Para se të nisej, ai u shkroi të krishterëve në Romë të luteshin që ai ‘të çlirohej nga jobesimtarët në Jude dhe që shërbimi i tij për Jerusalemin të dilte i pranueshëm për të shenjtët’. (Romakëve 15:30, 31) Ndonëse të shenjtët, pa dyshim, do t’i merrnin kontributet me mirënjohje të thellë, Pavli mund të ketë qenë i shqetësuar për problemet që do të shkaktonte ardhja e tij te judenjtë në përgjithësi.
Patjetër, apostulli i mbajti ndër mend të varfrit. Ndonëse Shkrimet nuk e thonë se kur u dorëzuan kontributet, dorëzimi i tyre nxiti unitetin dhe u dha mundësi të krishterëve johebrenj t’u tregonin bashkëbesimtarëve të tyre judenj mirënjohjen për pasuritë frymore që kishin marrë prej tyre. Shfaqja e Pavlit në tempull, jo shumë kohë pasi arriti në Jerusalem, shkaktoi trazira dhe solli si pasojë arrestimin e tij. Por kjo gjë, përfundimisht, i dha mundësi të dëshmonte para guvernatorëve dhe mbretërve.—Veprat 9:15; 21:17-36; 23:11; 24:1–26:32.
Kontributet tona sot
Që nga shekulli i parë kanë ndryshuar shumë gjëra, por jo parimet bazë. Të krishterët njoftohen me të drejtë për nevojat financiare. Çfarëdo kontributesh që bëjnë për personat nevojtarë, kontributet duhet të jenë vullnetare, të nxitura nga dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit e tjerë.—Marku 12:28-31.
Masat që u morën për të ndihmuar të shenjtët në shekullin e parë tregojnë se administrimi i këtyre kontributeve duhet të organizohet mirë dhe të bëhet në një mënyrë tepër të ndershme. Sigurisht, Perëndia Jehova është i vetëdijshëm për nevojat që kanë shërbëtorët e tij dhe merr masa që ata të vazhdojnë të ndajnë lajmin e mirë të Mbretërisë me të tjerët, pavarësisht nga vështirësitë. (Mateu 6:25-34) Megjithatë, të gjithë ne mund të bëjmë pjesën tonë, cilado qoftë gjendja ekonomike që kemi. Në këtë mënyrë, ‘kush ka shumë, nuk do të ketë tepër dhe kush ka pak, nuk do të ketë fare pak’.—2 Korintasve 8:15.