Po afrohet «një kohë për paqen»!
«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për luftën dhe një kohë për paqen.»—EKLISIASTIU 3:1, 8, BR.
1. Cila situatë paradoksale ka ekzistuar gjatë shekullit të 20-të, për sa i përket luftës dhe paqes?
PJESA më e madhe e njerëzve e dëshirojnë me zjarr paqen dhe kjo për arsye të vlefshme. Shekulli i 20-të ka parë më pak paqe se çdo shekull tjetër në histori. Dhe kjo është paradoksale, sepse kurrë më parë nuk ishin bërë kaq shumë përpjekje për të siguruar paqen. Në vitin 1920 u formua Lidhja e Kombeve. Në vitin 1928, Pakti Kellog-Brian, i quajtur nga një vepër referimi «përpjekja më madhështore e një serie përpjekjesh për të ruajtur paqen, pas Luftës I Botërore», u miratua nga «pothuajse të gjitha kombet e botës . . . të cilat pranuan të hiqnin dorë nga lufta si instrument i politikës kombëtare». Pastaj, në vitin 1945 u krijua Organizata e Kombeve të Bashkuara për të zëvendësuar Lidhjen e Kombeve që kishte pushuar së funksionuari.
2. Cili është synimi i shpallur i Kombeve të Bashkuara dhe deri në çfarë mase ka pasur sukses?
2 Ashtu si Lidhja, synimi i shpallur i Kombeve të Bashkuara është që të sigurojë paqen botërore. Por suksesi i saj ka qenë i kufizuar. Kuptohet, bota nuk po përjeton asgjëkundi ndonjë luftë në shkallën e dy luftërave botërore. Megjithatë, shumë konflikte më të vogla po u grabitin ende qindra mijë njerëzve paqen mendore, zotërimet e shpesh edhe jetën. A mund të shpresojmë ndoshta se Kombet e Bashkuara mund ta kthejnë shekullin e 21-të në «një kohë për paqen»?
Baza për paqen e vërtetë
3. Përse paqja e vërtetë nuk mund të ekzistojë së bashku me urrejtjen?
3 Paqja midis njerëzve dhe kombeve kërkon më shumë sesa thjesht tolerimin. A mund të jetë dikush me të vërtetë në paqe me dikë që e urren? Jo, sipas 1. Gjonit 3:15: «Kushdo që e urren vëllanë e vet është vrasës.» Siç e provon historia e kohëve të fundit, urrejtjet e thella çojnë me lehtësi në akte dhune.
4. Vetëm cilët mund ta përjetojnë paqen dhe përse?
4 Duke qenë se Jehovai është «Perëndia i paqes», paqen mund ta përjetojnë vetëm njerëzit që kanë dashuri për Perëndinë dhe respekt të thellë për parimet e tij të drejta. Qartë, Jehovai nuk ia jep kujtdo paqen. «‘Nuk ka paqe për të pabesët’,—thotë Perëndia im.» Kjo ndodh sepse të pabesët refuzojnë të udhëhiqen nga fryma e shenjtë e Perëndisë, një nga frytet e së cilës është paqja.—Romakëve 15:33; Isaia 57:21; Galatasve 5:22.
5. Cila gjë është e pamendueshme për të krishterët e vërtetë?
5 Për të krishterët e vërtetë është e pamendueshme të bëjnë luftë kundër njerëzve të tjerë, siç kanë bërë shumë shpesh të ashtuquajturit të krishterë, veçanërisht në shekullin e 20-të. (Jakovit 4:1-4) Vërtet, ata luftojnë kundër mësimeve që e keqparaqesin Perëndinë, por kjo luftë bëhet për t’i ndihmuar individët e jo për t’i dëmtuar ata. Persekutimi i të tjerëve për shkak të dallimeve fetare ose dëmtimi fizik për arsye nacionaliste është në kontrast të thellë me krishterimin e vërtetë. «Po të jetë e mundur dhe aq sa varet nga ju,—i udhëzoi Pavli të krishterët në Romë,—jetoni në paqe me gjithë njerëzit.»—Romakëve 12:17-19; 2. Timoteut 2:24, 25.
6. Vetëm ku mund të gjendet sot paqja e vërtetë?
6 Sot, paqja hyjnore gjendet vetëm mes adhuruesve të vërtetë të Perëndisë Jehova. (Psalmi 119:165; Isaia 48:18) Asnjë dallim politik nuk e turbullon unitetin e tyre, meqë në çdo vend ata janë asnjanës politikisht. (Gjoni 15:19; 17:14) Duke qenë se janë «plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet», asnjë dallim fetar nuk e kërcënon paqen e tyre. (1. Korintasve 1:10) Paqja që gëzojnë Dëshmitarët e Jehovait është një mrekulli e ditëve moderne, e bërë nga Perëndia, në harmoni me premtimin e tij: «Do të vendos si gjykatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.»—Isaia 60:17; Hebrenjve 8:10.
Përse «një kohë për luftën»?
7, 8. (a) Pavarësisht nga qëndrimi paqësor i tyre, si e konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait kohën e tanishme? (b) Cila është arma kryesore në luftën e të krishterëve?
7 Pavarësisht nga qëndrimi paqësor i tyre, Dëshmitarët e Jehovait gjithsesi e konsiderojnë kohën e tanishme kryesisht si «një kohë për luftën». Jo për luftën e mirëfilltë, sigurisht, sepse t’i detyrosh të tjerët të dëgjojnë mesazhin e Biblës me anë të forcës së armëve bie në kontradiktë me ftesën e Perëndisë: «Ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës». (Zbulesa 22:17) As që bëhet fjalë për ndonjë ndryshim të besimit me detyrim! Lufta që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait është vetëm frymore. Pavli shkroi: «Armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat.»—2. Korintasve 10:4; 1. Timoteut 1:18.
8 Kryesorja ndër «armët e luftës sonë» është ‘shpata e frymës, që është fjala e Perëndisë’. (Efesianëve 6:17) Kjo shpatë është e fuqishme. «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Duke përdorur këtë shpatë, të krishterët janë në gjendje të përmbysin «mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë». (2. Korintasve 10:5) Ajo u jep mundësi atyre të demaskojnë doktrinat e rreme, praktikat e dëmshme dhe filozofitë që pasqyrojnë mençurinë njerëzore në vend të mençurisë hyjnore.—1. Korintasve 2:6-8; Efesianëve 6:11-13.
9. Pse nuk mund të ketë pushim në luftën tonë kundër mishit mëkatar?
9 Një lloj tjetër lufte frymore është ajo që bëhet kundër mishit mëkatar. Të krishterët ndjekin shembullin e Pavlit, i cili pranoi: «E mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.» (1. Korintasve 9:27) Të krishterëve në Kolose iu këshillua t’i bënin të vdisnin «gjymtyrët që janë mbi tokë [në lidhje me, BR] kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari». (Kolosianëve 3:5) Gjithashtu, shkrimtari biblik Juda u bëri thirrje të krishterëve ‘të luftonin për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë’. (Judës 3) Përse duhet të veprojmë kështu? Pavli përgjigjet: «Po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni, por, nëse me anë të frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni.» (Romakëve 8:13) Duke pasur parasysh këtë deklaratë të qartë, nuk mund të ketë pushim në luftën tonë kundër tendencave të këqija.
10. Çfarë ndodhi në vitin 1914 dhe në ç’gjë do të çojë kjo në të ardhmen e afërt?
10 Një arsye tjetër se përse koha e tanishme mund të konsiderohet si një kohë për luftën, është se ‘dita e hakmarrjes së Perëndisë tonë’ është shumë afër. (Isaia 61:1, 2) Në vitin 1914, mbërriti koha e caktuar e Jehovait për të vendosur Mbretërinë Mesianike dhe për ta autorizuar që të bënte luftë aktive kundër sistemit të Satanait. Në atë kohë mbaroi periudha kohore që iu lejua njerëzve për të eksperimentuar me sundimin e njeriut, pa ndërhyrjen hyjnore. Në vend që të pranojnë Sundimtarin Mesianik të Perëndisë, shumica e njerëzve vazhdojnë ta refuzojnë atë, siç bënë pjesa më e madhe e njerëzve në shekullin e parë. (Veprat 28:27) Rrjedhimisht, për shkak të kundërshtimit ndaj Mbretërisë, Jezu Krishti ka qenë i detyruar të ‘sundojë në mes të armiqve të tij’. (Psalmi 110:2) Lumturisht, në Zbulesën 6:2 premtohet se ai do ta ‘plotësojë fitoren e tij’. (BR) Këtë gjë do ta bëjë gjatë ‘luftës së ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm . . . , që hebraisht quhet «Armagedon»’.—Zbulesa 16:14, 16.
Tani është «një kohë për të folur»
11. Përse ka qenë jashtëzakonisht i duruar Jehovai, por çfarë do të ndodhë përfundimisht?
11 Që nga viti 1914, i cili ishte një pikë kthese në çështjet njerëzore, kanë kaluar 85 vjet. Jehovai ka qenë jashtëzakonisht i duruar me njerëzimin. Ai i ka vënë plotësisht në dijeni Dëshmitarët e tij për urgjencën e situatës. Janë në lojë miliona jetë. Të gjithë këta njerëz meritojnë të paralajmërohen, sepse «Zoti [Jehovai, BR] . . . nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim». (2. Pjetrit 3:9) Megjithatë, së shpejti do të ndodhë që «Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet». Pastaj, të gjithë ata që e kanë refuzuar vullnetarisht mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë do të përjetojnë ‘hakmarrjen’ që do të sjellë Jezui «kundër atyre që nuk njohin Perëndi dhe atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht».—2. Thesalonikasve (Selanikasve) 1:6-9.
12. (a) Përse nuk ia vlen të hamendemi se kur mund të fillojë ‘mjerimi i madh’? (b) Për cilin rrezik na paralajmëroi Jezui në lidhje me këtë gjë?
12 Kur do të mbarojë më së fundi durimi i Jehovait? Nuk ia vlen aspak të hamendemi se kur mund të fillojë ‘mjerimi i madh’. (BR) Jezui e tha qartë: «Sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di.» Nga ana tjetër, ai këshilloi: «Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj . . . . jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni.» (Mateu 24:21, 36, 42, 44) E shprehur më qartë, kjo do të thotë se duhet të rrimë syhapur çdo ditë për të parë ngjarjet botërore dhe për të marrë në konsideratë shpërthimin e mjerimit të madh. (1. Thesalonikasve 5:1-5) Sa e rrezikshme është të mendojmë se mund t’i marrim gjërat shtruar, duke bërë një jetë të ashtuquajtur normale dhe duke pritur për të parë se si mund të shkojnë gjërat! Jezui tha: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete, që ajo ditë të mos ju zërë në befasi, si një lak.» (Luka 21:34, 35) Ne mund të jemi të sigurt për këtë gjë: të «katër erërat» e shkatërrimit që tani për tani po frenohen prej ‘katër engjëjve’ të Jehovait, nuk do të frenohen përgjithmonë.—Zbulesa 7:1-3.
13. Çfarë kanë kuptuar afro gjashtë milionë njerëz?
13 Duke pasur parasysh këtë ditë llogaridhënieje që po afrohet me të shpejtë, fjalët e Solomonit për «një kohë për të folur» marrin domethënie të veçantë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 3:7) Pasi kanë kuptuar se tani është vërtet një kohë për të folur, afro gjashtë milionë Dëshmitarët e Jehovait po flasin me zell për lavdinë e mbretërimit të Perëndisë dhe po paralajmërojnë për ditën e tij të hakmarrjes. Ata ofrohen vullnetarisht në këtë ditë të forcave ushtarake të Krishtit.—Psalmi 110:3; 145:10-12.
Ata që thonë «paqe, kur nuk ka paqe»
14. Cilët profetë të rremë ekzistuan gjatë shekullit të shtatë p.e.s.?
14 Gjatë shekullit të shtatë p.e.s., profetët e Perëndisë, Jeremia dhe Ezekieli, dhanë mesazhe hyjnore gjykimi kundër Jerusalemit, për shkak të drejtimit të tij rebel, mosbindjes ndaj Perëndisë. Shkatërrimi që parathanë ata ndodhi në vitin 607 p.e.s., edhe pse udhëheqësit e shquar e të fuqishëm fetarë kishin thënë të kundërtën e asaj që kishin parathënë lajmëtarët e Perëndisë. Këta udhëheqës fetarë dolën se ishin «profetët e pamend që . . . e bënë popullin [e Perëndisë] të devijojë, duke i thënë ‘paqe’, kur nuk ka paqe».—Ezekieli 13:1-16; Jeremia 6:14, 15; 8:8-12.
15. A ekzistojnë sot profetë të ngjashëm të rremë? Shpjego.
15 Ashtu si «profetët e pamend» të asaj kohe, edhe shumica e udhëheqësve fetarë të sotëm nuk i paralajmërojnë njerëzit për ditën e ardhshme të gjykimit nga Perëndia. Përkundrazi, ata përshkruajnë me një tablo optimiste se grupet politike së fundi do të arrijnë paqe dhe siguri. Duke qenë më të merakosur për t’u pëlqyer njerëzve sesa Perëndisë, ata u thonë anëtarëve të famullive atë që këta të fundit dëshirojnë të dëgjojnë, në vend që t’u shpjegojnë se Mbretëria e Perëndisë është vendosur dhe se Mbreti Mesianik së shpejti do ta plotësojë fitoren e tij. (Danieli 2:44; 2. Timoteut 4:3, 4; Zbulesa 6:2) Si profetë të rremë, edhe ata thonë «paqe, kur nuk ka paqe». Por, së shpejti, bindja e tyre do të kthehet në tmerr të papritur, kur do t’u duhet të përballojnë zemërimin e Atij që e kanë keqparaqitur dhe mbi emrin e të cilit kanë sjellë sharje të panumërta. Udhëheqësit e perandorisë botërore të fesë së rreme, e cila në Bibël përshkruhet si një grua imorale, do të goditen ndërsa shqiptojnë thirrjet e tyre ngatërruese për paqe.—Zbulesa 18:7, 8.
16. (a) Për çfarë kanë qenë të mirënjohur Dëshmitarët e Jehovait? (b) Si ndryshojnë ata nga personat që thërrasin «paqe, kur nuk ka paqe»?
16 Fakti që shumica e udhëheqësve të shquar e të fuqishëm fetarë ngulin këmbë në premtimin e tyre hipokrit për paqe, nuk e trondit sigurinë e atyre që kanë besim në premtimin e Perëndisë për paqe të vërtetë. Për më shumë se një shekull, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë të mirënjohur si mbrojtës besnikë të Fjalës së Perëndisë, kundërshtarë të guximshëm të fesë së rreme dhe mbështetës të vendosur të Mbretërisë së Perëndisë. Në vend që t’i nanuritin njerëzit me shprehje monotone që tingëllojnë të ëmbla, lidhur me paqen, ata përpiqen me zell t’i zgjojnë ata për të parë realitetin, pra, faktin që sot është një kohë për luftë.—Isaia 56:10-12; Romakëve 13:11, 12; 1. Thesalonikasve 5:6.
Jehovai e thyen heshtjen e tij
17. Çfarë do të thotë që Jehovai së shpejti do ta thyejë heshtjen e tij?
17 Solomoni tha, gjithashtu: «Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin, sepse ka një kohë të caktuar për çdo gjë.» (Predikuesi 3:17) Po, Jehovai ka një kohë të caktuar për të ekzekutuar gjykimin mbi fenë e rreme dhe mbi «mbretërit e tokës [që] marrin qëndrimin e tyre . . . kundër Jehovait dhe kundër të mirosurit të tij». (Psalmi 2:1-6, BR; Zbulesa 16:13-16) Kur të mbërrijë kjo kohë, do të marrin fund ditët kur Perëndia ka qëndruar «në heshtje». (Psalmi 83:1; Isaia 62:1; Jeremia 47:6, 7) Me anë të Mbretit të tij Mesianik të kurorëzuar, Jezu Krishtit, ai do të «flasë» në gjuhën e vetme që me sa duket kuptojnë kundërshtarët e tij: «Zoti do të shkojë përpara si një hero. Do të nxitë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar. Do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse [lufte, BR]; do të triumfojë mbi armiqtë e tij. ‘Për një kohë të gjatë kam qëndruar në heshtje. Nuk kam folur, e kam përmbajtur veten. Por tani do të bërtas si një grua që heq të prerat e lindjes, do të marr frymë me vështirësi dhe njëkohësisht do të shfryj. Do të shkretoj malet dhe kodrat dhe do t’i thaj tërë bimët e blerta. Do t’i katandis lumenjtë në ishuj dhe do të thaj pellgjet. Do t’i bëj të verbrit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t’i çoj nëpër shtigje të panjohura. Do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis.’»—Isaia 42:13-16.
18. Në cilin kuptim shërbëtorët e Perëndisë së shpejti do të ‘qëndrojnë në heshtje’?
18 Kur Jehovai ‘të flasë’ në mbrojtje të Hyjnisë së tij, populli i tij nuk do të ketë më nevojë të flasë për t’u mbrojtur. Do të jetë radha e tyre që ‘të qëndrojnë në heshtje’. Ashtu si për shërbëtorët e Perëndisë në kohët e shkuara, për këta do të zbatohen këto fjalë: «Nuk do të jeni ju që do të luftoni në këtë betejë. Zini pozicion, qëndroni pa lëvizur dhe do të shihni lirimin e Zotit, që është me ju.»—2. Kronikave 20:17.
19. Çfarë privilegji do të kenë së shpejti vëllezërit frymorë të Krishtit?
19 Çfarë disfate dërrmuese për Satanain dhe organizatën e tij! Vëllezërit e Krishtit, të ngritur në lavdi, do të marrin pjesë në arritjen e një fitoreje të jashtëzakonshme për drejtësinë, në përputhje me premtimin: «Tani Perëndia i paqes do ta dërrmojë së shpejti Satanain nën këmbët tuaja.» (Romakëve 16:20) Më në fund, koha e shumëpritur për paqen është afër.
20. Për çfarë gjëje do të jetë së shpejti koha?
20 Sa e bekuar do të jetë jeta e gjithë atyre që janë në tokë, të cilët do të mbijetojnë këtë shfaqje madhështore të fuqisë së Jehovait! Jo shumë kohë pas kësaj, atyre do t’u bashkohen burrat besnikë e gratë besnike të së kaluarës, të cilëve do t’u ketë ardhur koha e caktuar për t’u ringjallur. Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit do të jetë vërtet «një kohë për të mbjellë . . . , një kohë për të shëruar . . . , një kohë për të ndërtuar . . . , një kohë për të qeshur . . . , një kohë për të hedhur valle . . . , një kohë për të përqafuar dhe . . . , një kohë për të dashur». Veç kësaj, do të jetë përgjithmonë «një kohë për paqen»!—Predikuesi 3:1-8; Psalmi 29:11; 37:11; 72:7.
Si do të përgjigjesh?
◻ Cila është baza për paqen e qëndrueshme?
◻ Përse Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë kohën e tanishme «një kohë për luftën»?
◻ Kur duhet ‘të flasë’ populli i Perëndisë dhe kur duhet ‘të qëndrojë në heshtje’?
◻ Si dhe kur do ta thyejë heshtjen e tij Jehovai?
[Kutia dhe figurat në faqen 13]
Jehovai ka një kohë të caktuar
◻ për ta shtyrë Gogun në një sulm mbi popullin e Perëndisë.—Ezekieli 38:3, 4, 10-12.
◻ për të vënë në zemrat e sundimtarëve njerëzorë që të shkatërrojnë Babiloninë e Madhe.—Zbulesa 17:15-17; 19:2.
◻ për të kryer martesën e Qengjit.—Zbulesa 19:6, 7.
◻ për të filluar luftën e Harmagedonit.—Zbulesa 19:11-16, 19-21.
◻ për të lidhur Satanain, që të fillojë Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit.—Zbulesa 20:1-3.
Këto ngjarje janë radhitur thjesht sipas renditjes në të cilën shfaqen në Shkrime. Mund të jemi të sigurt se që të pesë ngjarjet do të ndodhin sipas renditjes që vendos Jehovai dhe saktësisht në momentin kur ai e vendos.
[Figurat në faqen 15]
Mbretërimi mijëvjeçar i Krishtit do të jetë vërtet një kohë . . .
për të qeshur . . .
për të përqafuar . . .
për të dashur . . .
për të mbjellë . . .
për të hedhur valle . . .
për të ndërtuar . . .