KAPITULLI 24
Asgjë s’mund «të na ndajë nga dashuria e Perëndisë»
1. Cila ndjenjë negative i mundon shumë njerëz, përfshirë edhe disa të krishterë të vërtetë?
A E DO Perëndia Jehova secilin prej nesh si individ? Disa e pranojnë se Perëndia e do njerëzimin në përgjithësi, siç thuhet te Gjoni 3:16. Porse mendojnë: ‘Perëndia s’mund të më dojë kurrë mua si individ.’ Edhe të krishterët e vërtetë nganjëherë mund të kenë dyshime në këtë drejtim. I shkurajuar, një njeri tha: «E kam shumë të vështirë ta besoj se Perëndia interesohet sadopak për mua.» A të mundojnë edhe ty hera-herës dyshime të tilla?
2, 3. Kush dëshiron që të besojmë se s’kemi vlerë në sytë e Jehovait e që ai s’mund të na tregojë dashuri, dhe si mund ta luftojmë këtë ide?
2 Satanai bën çmos që ne të besojmë se Perëndia Jehova as na do e as na vlerëson. Është e vërtetë që shpesh Satanai i josh njerëzit duke i bërë thirrje mendjemadhësisë dhe krenarisë së tyre. (2 Korintasve 11:3) Por kënaqet edhe duke ua dërrmuar respektin për veten atyre që janë të dobët. (Gjoni 7:47-49; 8:13, 44) Kjo po ndodh veçanërisht në këto «ditë të fundit» kritike. Shumë veta sot rriten në familje ku nuk ka «përzemërsi të natyrshme». Të tjerë përballen vazhdimisht me njerëz që janë të egër, egoistë dhe kokëfortë. (2 Timoteut 3:1-5) Pasi kanë qenë për vite të tëra viktima të keqtrajtimit, racizmit ose urrejtjes, këta njerëz mund të jenë bindur se nuk kanë vlerë dhe nuk e meritojnë t’u tregohet dashuri.
3 Në qoftë se vëren ndjenja të tilla negative te vetja, mos u dëshpëro. Shumë prej nesh hera-herës në mënyrë të paarsyeshme jemi tepër të rreptë me veten. Por mos harro se Fjala e Perëndisë është bërë me qëllimin «për të ndrequr» dhe «për të përmbysur gjëra të fortifikuara mirë». (2 Timoteut 3:16; 2 Korintasve 10:4) Bibla thotë: «Do të sigurojmë zemrën tonë përpara tij, lidhur me gjithçka për të cilën zemra jonë mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.» (1 Gjonit 3:19, 20) Le të shqyrtojmë katër mënyra se si Shkrimet na ndihmojnë që «të sigurojmë zemrën tonë» se Jehovai na do.
Jehovai të vlerëson
4, 5. Si e tregon ilustrimi i Jezuit me harabelat se kemi vlerë në sytë e Jehovait?
4 Së pari, Bibla mëson qartë se për Perëndinë secili nga shërbëtorët e tij ka vlerë. Për shembull, Jezui tha: «A nuk shiten dy harabela për një monedhë me vlerë të vogël? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk do të bjerë përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Por vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: Ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Mateu 10:29-31) Mendo se çfarë nënkuptonin këto fjalë për dëgjuesit e Jezuit në shekullin e parë.
5 Ndoshta ne pyesim veten pse do ta blinte dikush një harabel. Po ja, në kohën e Jezuit harabeli ishte zogu me çmimin më të lirë, që shitej si ushqim. Vër re se me një monedhë me vlerë të vogël një njeri blinte dy harabela. Por, më pas Jezui tha se në qoftë se dikush donte të harxhonte dy monedha, do të blinte jo katër, por pesë harabela. Pra, sasisë i shtohej edhe një zog tjetër, sikur ky të mos kishte fare vlerë. Ndoshta krijesa të tilla s’kishin vlerë për njerëzit, por si i shihte Krijuesi? Jezui tha: «Asnjëri prej tyre [as ai që jepej falas] nuk harrohet përpara Perëndisë.» (Luka 12:6, 7) Tani ndoshta mund të fillojmë të kuptojmë se ç’donte të thoshte Jezui. Në qoftë se për Jehovain ka kaq vlerë një harabel i vetëm, sa më tepër vlerë ka një njeri! Siç e shpjegoi Jezui, Jehovai di çdo hollësi për ne. Madje edhe fijet e flokëve të kokës sonë janë të numëruara.
6. Pse mund të jemi të sigurt që Jezui po tregohej realist kur tha se edhe fijet e flokëve të kokës sonë janë të numëruara?
6 Flokët tona janë të numëruara? Disa mund të thonë se Jezui këtu nuk po tregohej realist. Por mendo vetëm për shpresën e ringjalljes. Sa me imtësi që duhet të na njohë Jehovai për të na krijuar përsëri! Ai na vlerëson kaq shumë, saqë mban mend çdo hollësi tonën, përfshirë kodin tonë gjenetik dhe të gjitha kujtimet e përvojat e mbledhura në vite.a Në krahasim me këtë, numërimi i fijeve të flokëve të kokës (në përgjithësi në kokë ka rreth 100.000 të tilla) do të ishte një gjë e thjeshtë.
Çfarë vëren Jehovai te ne?
7, 8. (a) Me cilat cilësi kënaqet Jehovai kur i gjen, ndërsa kërkon mes zemrave njerëzore? (b) Cilat janë disa nga veprat tona që Jehovai i vlerëson?
7 Së dyti, Bibla na tregon se çfarë vlerëson Jehovai te shërbëtorët e tij. E thënë thjesht, ai kënaqet me cilësitë tona të mira dhe me përpjekjet që bëjmë. Mbreti David i tha Solomonit, birit të tij: «Jehovai heton gjithë zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve.» (1 Kronikave 28:9) Sa i kënaqur duhet të ndihet Jehovai kur gjen një zemër që e do paqen, të vërtetën dhe drejtësinë, ndërsa kërkon mes miliarda zemrave njerëzore në këtë botë të dhunshme e të mbushur me urrejtje! Çfarë ndodh kur Perëndia gjen një zemër që gufon nga dashuria për të, që përpiqet të mësojë për të dhe t’ua thotë të tjerëve atë që mëson? Jehovai na thotë se i vëren ata që u flasin të tjerëve për të. Madje ai ka «një libër kujtimesh» për të gjithë ‘ata që i frikësohen Jehovait dhe për ata që mendojnë për emrin e tij’. (Malakia 3:16) Cilësi të tilla janë të çmuara për të.
8 Çfarë janë disa vepra të mira që vlerëson Jehovai? Sigurisht që vlerëson përpjekjet tona për të imituar Birin e tij, Jezu Krishtin. (1 Pjetrit 2:21) Një vepër jetësore që Perëndia e vlerëson është përhapja e lajmit të mirë të Mbretërisë së tij. Te Romakëve 10:15 lexojmë: «Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë për gjëra të mira!» Zakonisht nuk u japim shumë rëndësi këmbëve tona dhe mbase nuk mendojmë se ato janë «të bukura» ose të hijshme. Por këtu ato paraqesin përpjekjet që bëjnë shërbëtorët e Jehovait për të predikuar lajmin e mirë. Të gjitha këto përpjekje janë të bukura e të çmuara në sytë e tij.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
9, 10. (a) Pse mund të jemi të sigurt që Jehovai e vlerëson qëndrueshmërinë tonë përballë vështirësive të ndryshme? (b) Cilën pikëpamje negative nuk e ka kurrë Jehovai për shërbëtorët e tij besimplotë?
9 Jehovai vlerëson edhe qëndrueshmërinë tonë. (Mateu 24:13) Mos harro, Satanai do që ti t’ia kthesh shpinën Jehovait. Çdo ditë që i qëndron besnik Jehovait është një ditë tjetër, gjatë së cilës ndihmon për t’u dhënë përgjigje talljeve të Satanait. (Proverbat 27:11) Disa herë qëndrueshmëria s’është gjë e lehtë. Problemet shëndetësore, vështirësitë financiare, vuajtjet emocionale dhe pengesa të tjera mund ta bëjnë një sfidë çdo ditë që kalon. Edhe pritja e zgjatur mund të jetë shkurajuese. (Proverbat 13:12) Qëndrueshmëria përballë këtyre sfidave është edhe më e çmuar për Jehovain. Ja përse mbreti David i kërkoi Jehovait që t’ia ruante lotët në një ‘kacek’, duke shtuar me besim: «A nuk gjenden ato në librin tënd?» (Psalmi 56:8) Po, Jehovai i mbledh si thesar dhe i kujton tërë lotët dhe vuajtjet që durojmë duke i qëndruar besnikë atij. Edhe këto janë të çmuara në sytë e tij.
Jehovai e vlerëson qëndrueshmërinë tonë përballë sprovave
10 Mirëpo, një zemër që dënon veten mund të mos i marrë parasysh këto dëshmi se kemi vlerë në sytë e Perëndisë. Ajo mund të pëshpëritë me ngulm: ‘Por ka kaq shumë të tjerë që janë më shembullorë se unë. Sa i zhgënjyer duhet të jetë Jehovai kur më krahason me ata!’ Jehovai nuk bën krahasime, dhe mënyra si mendon ai nuk është as e ngurtë, as e ashpër. (Galatasve 6:4) Ai i dallon deri në hollësi gjërat që kemi në zemër dhe vlerëson të mirën që gjen në të, qoftë kjo edhe në masë të vogël.
Jehovai e ndan të mirën nga e keqja
11. Çfarë mund të mësojmë për Jehovain nga mënyra si veproi në rastin e Abijahut?
11 Së treti, kur na heton Jehovai bën një shoshitje të kujdesshme, duke kërkuar të mirën që kemi. Për shembull, kur dekretoi që e gjithë dinastia apostate e mbretit Jeroboam të ekzekutohej, Jehovai urdhëroi që njërit prej bijve të mbretit, Abijahut, t’i bëhej varrimi siç duhej. Përse? «Diçka e mirë ndaj Jehovait, Perëndisë së Izraelit, u gjet tek ai.» (1 Mbretërve 14:1, 10-13) Jehovai, si të thuash, kishte shoshitur zemrën e atij të riu dhe kishte gjetur atje ‘diçka të mirë’. Sado e vogël ose e parëndësishme të ketë qenë ajo diçka e mirë, Jehovai e quajti të vlefshme ta përmendte në Fjalën e tij. Madje e shpërbleu këtë të mirë, duke i treguar mëshirë në masën e duhur atij pjesëtari të një familjeje apostate.
12, 13. (a) Si e tregon rasti i mbretit Jehozafat se Jehovai kërkon anët e mira te ne, edhe kur mëkatojmë? (b) Në ç’mënyrë vepron Jehovai si Prind i dashur lidhur me veprat dhe cilësitë tona të mira?
12 Një shembull edhe më pozitiv mund të gjendet te mbreti i mirë Jehozafat. Kur mbreti kreu një veprim të pamend, profeti i Jehovait i tha: «Prandaj vetë Jehovai është indinjuar me ty.» Ç’mendim që të sjell në vete! Por mesazhi i Jehovait nuk mbaroi me kaq. Ai vazhdoi: «Megjithatë, te ti janë gjetur gjëra të mira.» (2 Kronikave 19:1-3) Pra, zemërimi i drejtë që ndiente Jehovai nuk e verboi të mos shihte gjërat e mira që gjendeshin te Jehozafati. Sa ndryshe nga njerëzit e papërsosur! Kur jemi të inatosur me të tjerët, ne ndoshta kemi prirjen të mos i shohim anët e tyre të mira. E kur mëkatojmë, zhgënjimi, turpi dhe faji që mund të ndiejmë ndoshta na verbojnë aq sa nuk shohim edhe të mirat që kemi ne vetë. Por, të mos harrojmë që në qoftë se pendohemi për mëkatet tona dhe përpiqemi fort që të mos i përsëritim, Jehovai na fal.
13 Ndërsa e shoshit secilin prej nesh, Jehovai i heq mënjanë këto mëkate, ashtu si një kërkues ari heq mënjanë zhavorrin që s’ka vlerë. Ç’të themi për cilësitë dhe veprat tona të mira? Eh, këto janë «copëza ari» që Jehovai i ruan! A të ka rënë në sy ndonjëherë se si prindërit me nostalgji i ruajnë vizatimet ose detyrat e shkollës të fëmijëve, nganjëherë për vite të tëra, edhe pse vetë fëmijët mund t’i kenë harruar? Jehovai është Prindi më i dashur. Në rast se i qëndrojmë besimplotë, ai nuk i harron kurrë veprat dhe cilësitë tona të mira. Madje do ta quante një padrejtësi t’i harronte këto, dhe ne e dimë se ai nuk është kurrë i padrejtë. (Hebrenjve 6:10) Por Jehovai na shoshit edhe në një mënyrë tjetër.
14, 15. (a) Pse papërsosmëritë tona nuk e verbojnë asnjëherë Jehovain që të mos na i shohë anët e mira? Ilustroje. (b) Çfarë do të bëjë Jehovai me gjërat e mira që gjen te ne dhe si e sheh ai popullin e tij besimplotë?
14 Jehovai sheh përtej papërsosmërive tona, sheh potencialin që kemi. Le ta ilustrojmë: njerëzit që janë të dhënë pas veprave të artit do të bënin çmos për të restauruar pikturat ose punimet e tjera që janë dëmtuar rëndë. Për shembull, kur në Galerinë Kombëtare në Londër, Angli, një njeri dëmtoi me armë zjarri një vizatim të Leonardo da Vinçit, që vlente rreth 30 milionë dollarë, askush nuk hodhi mendimin se meqë tani vizatimi ishte dëmtuar, duhej hedhur. Menjëherë filluan punimet për të restauruar atë kryevepër afro 500-vjeçare. Përse? Sepse ishte e çmuar për artdashësit. A nuk vlen ti më shumë se një vizatim i bërë me shkumës e karbon? Në sytë e Perëndisë vlen patjetër, sado i dëmtuar të jesh nga papërsosmëria e trashëguar. (Psalmi 72:12-14) Perëndia Jehova, Krijuesi mjeshtëror i familjes njerëzore, do të bëjë ç’të jetë e nevojshme për t’u rikthyer përsosmërinë të gjithë atyre që i përgjigjen kujdesit të tij të dashur.—Veprat 3:21; Romakëve 8:20-22.
15 Po, Jehovai sheh te ne anët e mira që ndoshta ne vetë nuk i shohim. E ndërsa i shërbejmë, ai do të na ndihmojë që këto anë të mira të shtohen derisa të jemi përfundimisht të përsosur. Pavarësisht se si na ka trajtuar bota e Satanait, Jehovai i vlerëson shërbëtorët e tij besnikë dhe i quan të dëshirueshëm ose të çmuar.—Hageu 2:7; shënimi.
Jehovai e tregon me veprime dashurinë e tij
16. Cila është prova më e madhe e dashurisë që ka Jehovai për ne dhe si e dimë që kjo dhuratë është bërë posaçërisht për ne?
16 Së katërti, Jehovai bën shumë për të na dhënë prova se na do. Sigurisht, flijimi shpërblyes i Krishtit është përgjigjja më e fuqishme ndaj gënjeshtrës së Satanait se ne jemi pa vlerë e nuk e meritojmë të na tregojnë dashuri. Nuk duhet ta harrojmë kurrë se vdekja agonike që pati Jezui në shtyllën e torturës, si dhe dhembja edhe më të madhe që duroi Jehovai duke parë Birin e tij të dashur të vdiste, janë prova të dashurisë së tyre për ne. Është për të ardhur keq që shumë njerëz e kanë të vështirë ta besojnë se kjo dhuratë mund të jetë bërë posaçërisht për ta. Ata ndihen të pavlerë. Por të mos harrojmë se apostulli Pavël kishte qenë përndjekës i ithtarëve të Krishtit, e megjithatë shkroi: «Biri i Perëndisë . . . më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.»—Galatasve 1:13; 2:20.
17. Në ç’mënyrë na tërheq Jehovai drejt tij dhe drejt Birit të tij?
17 Jehovai na jep prova të dashurisë që ka për ne, duke na ndihmuar individualisht që të nxjerrim dobi nga flijimi i Krishtit. Jezui tha: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Po, Jehovai na tërheq personalisht drejt Birit të tij dhe drejt shpresës së jetës së përhershme. Si e bën këtë? Nëpërmjet veprës së predikimit, e cila bën të mundur që secili prej nesh të kontaktohet personalisht. Gjithashtu, nëpërmjet frymës së tij të shenjtë, të cilën Jehovai e përdor për të na ndihmuar që të kuptojmë dhe të zbatojmë të vërtetat frymore, pavarësisht nga kufizimet dhe nga papërsosmëritë tona. Prandaj Jehovai mund të thotë për ne fjalët që tha për Izraelin: «Të kam dashur me një dashuri të përjetshme. Prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.»—Jeremia 31:3.
18, 19. (a) Cila është mënyra më personale në të cilën Jehovai tregon dashurinë që ka për ne dhe nga duket se ai interesohet personalisht për këtë? (b) Si na siguron Fjala e Jehovait se ai na dëgjon me empati?
18 Nëpërmjet privilegjit për t’u lutur e provojmë ndoshta në mënyrën më personale dashurinë e Jehovait. Bibla e fton secilin prej nesh që ‘t’i lutet pa pushim’ Perëndisë. (1 Selanikasve 5:17) Perëndia na dëgjon, madje është quajtur edhe «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2) Këtë pozitë nuk ia ka dhënë askujt tjetër, as edhe vetë Birit të tij. Mendo vetëm këtë: Krijuesi i universit na nxit t’i lutemi duke i folur lirshëm. Por, çfarë lloj dëgjuesi është? I ftohtë, indiferent dhe pa dhembshuri? Aspak!
19 Jehovai ka empati. Çfarë është empatia? Një i krishterë i moshuar besimplotë tha: «Empatia është dhembja jote në zemrën time.» A preket me të vërtetë Jehovai nga dhembja jonë? Për sa u përket vuajtjeve të popullit të tij, Izraelit, lexojmë: «Gjatë gjithë dëshpërimit të tyre, ishte i dëshpëruar edhe ai.» (Isaia 63:9) Jehovai jo vetëm që i pa brengat që kishte populli i tij, por edhe iu dhimbs ai popull. Se sa shumë dhembshuri ndien Jehovai ilustrohet me fjalët që ai vetë u thotë shërbëtorëve të tij: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.»b (Zakaria 2:8) Sa dhembje do të shkaktonte ky veprim! Po, Jehovai ka dhembshuri për ne. Kur lëndohemi ne, lëndohet edhe ai.
20. Cilën mënyrë jo të ekuilibruar të menduari duhet të shmangim, në qoftë se duam t’i bindemi këshillës që gjejmë te Romakëve 12:3?
20 Asnjë i krishterë i ekuilibruar nuk do ta përdorte këtë provë të dashurisë dhe të vlerësimit që ka Perëndia si një justifikim për të qenë krenar ose egoist. Apostulli Pavël shkroi: «Nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar që m’u dha, i them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë sesa duhet të mendojë; por të mendojë në atë mënyrë që të ketë një mendje të shëndoshë, secili sipas masës së besimit që Perëndia i ka ndarë.» (Romakëve 12:3) Një përkthim tjetër këtu thotë: «Do t’i thosha gjithsecilit prej jush të mos e vlerësojë veten mbi vlerën e tij reale, por të bëjë një vlerësim të ndershëm për veten.» (A Translation in the Language of the People, nga Çarlz B. Uilliamsi) Prandaj, ndërsa gëzojmë ngrohtësinë e dashurisë së Atit tonë qiellor, le të jemi me mendje të shëndoshë e të mbajmë ndër mend se as nuk e fitojmë dhe as nuk e meritojmë dashurinë e Perëndisë.—Luka 17:10.
21. Cilave gënjeshtra satanike duhet t’u kundërvihemi gjithnjë dhe me cilën të vërtetë hyjnore duhet të vazhdojmë ta sigurojmë zemrën?
21 Secili nga ne le të bëjë gjithçka që ka mundësi për t’i hedhur poshtë gjithë gënjeshtrat e Satanait, përfshirë edhe gënjeshtrën se s’kemi vlerë e se nuk meritojmë të na tregohet dashuri. Nëse përvojat e jetës të kanë mësuar ta shohësh veten si një pengesë aq të madhe saqë as dashuria e jashtëzakonshme e Perëndisë nuk e kapërcen dot; ose t’i quash veprat e tua të mira aq të papërfillshme saqë as syri i tij që sheh gjithçka nuk i vëren; ose t’i quash mëkatet e tua aq të shumta saqë as vdekja e Birit të tij të shtrenjtë nuk i mbulon dot, të është mësuar një gënjeshtër. Hidhi poshtë me gjithë zemër këto gënjeshtra! Le të vazhdojmë ta sigurojmë zemrën tonë me të vërtetën që shprehet në fjalët e frymëzuara të Pavlit: «Sepse jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që kanë për të ardhur, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.»—Romakëve 8:38, 39.
a Vazhdimisht Bibla e lidh shpresën e ringjalljes me kujtesën e Jehovait. Jobi besimplotë i tha Jehovait: «Ah . . . sikur të më vije një kufi kohor dhe të më kujtoje!» (Jobi 14:13) Jezui foli për ringjalljen e ‘të gjithë atyre që janë në varret përkujtimore’. Kjo ishte e përshtatshme, sepse Jehovai i mban mend me përsosmëri të vdekurit që ka ndër mend të ringjallë.—Gjoni 5:28, 29.
b Në këtë varg, disa përkthime lënë të kuptohet se ai që prek popullin e Perëndisë prek syrin e vet ose syrin e Izraelit, por jo të Perëndisë. Ky gabim u bë nga disa skribë, të cilët mendonin se kësaj pjese i mungonte serioziteti i duhur, e prandaj e rregulluan. Kjo përpjekje e gabuar, edhe pse e nisur për mirë, e bëri më të vështirë të kuptohej se sa e thellë është empatia që ndien vetë Jehovai.