Persekutimi nxit rritjen në Antioki
KUR persekutimi mori hov pas martirizimit të Stefanit, shumë dishepuj të Jezuit u larguan nga Jerusalemi. Një nga vendet ku kërkuan strehim ishte Antiokia, në Siri, rreth 550 kilometra në veri. (Veprat 11:19) Ngjarjet që do të ndodhnin atje do të ndikonin tërë drejtimin e historisë së krishterë. Për të kuptuar çfarë ndodhi, do të jetë e dobishme të mësojmë pak për Antiokinë.
Për sa u përkiste qyteteve të Perandorisë Romake, në përmasa, begati dhe rëndësi, Antiokisë ia kalonte vetëm Roma dhe Aleksandria. Kjo metropoli e Sirisë mbizotëronte cepin verilindor të pellgut Mesdhetar. Antiokia (Antakja e ditëve moderne, Turqi) gjendej buzë lumit të lundrueshëm Orontes, i cili e lidhte qytetin me portin e tij, Seleukia Pieria, 32 kilometra larg. Ky qytet kontrollonte një nga rrugët më të rëndësishme tregtare ndërmjet Romës dhe luginës së Tigrit e Eufratit. Si qendër tregtare, ai bënte tregti me gjithë perandorinë dhe priste e përcillte shumë lloje njerëzish, të cilët sillnin të reja për lëvizjet fetare në gjithë botën romake.
Në Antioki kishin lulëzuar filozofia dhe feja helene. Gjithsesi, siç thotë historiani Glanvil Dauni, «në kohën e Krishtit, kultet dhe filozofitë e vjetra fetare po anonin të bëheshin çështje bindjesh personale, dora-dorës që njerëzit kërkonin, të pavarur nga njëri-tjetri, kënaqësi fetare për problemet dhe aspiratat e tyre». (A History of Antioch in Syria) Shumë veta gjenin kënaqësi në monoteizmin, në ceremonitë dhe në etikën e judaizmit.
Një kontigjent i madh judenjsh kishin banuar në Antioki që nga themelimi i qytetit, në vitin 300 p.e.s. Përllogaritet se numri i tyre ishte nga 20 000 deri në 60 000, duke përbërë më shumë se 10 për qind të popullsisë. Historiani Jozef thotë se dinastia seleukide e mbretërve i inkurajoi judenjtë të vendoseshin në qytet, duke u dhënë të drejta të plota qytetarie. Në atë kohë, Shkrimet Hebraike ishin në dispozicion në greqisht. Kjo nxiti interesin e simpatizantëve për aspiratat judaike mesianike. Prandaj, midis grekëve ishin bërë shumë prozelitë. Të gjithë këta faktorë e bënin Antiokinë një fushë pjellore për veprën e krishterë të bërjes së dishepujve.
U dëshmojnë johebrenjve
Pjesa më e madhe e ithtarëve të persekutuar të Jezuit që u shpërndanë nga Jerusalemi, e ndanin besimin e tyre vetëm me judenjtë. Gjithsesi, në Antioki disa dishepuj nga Qiproja dhe nga Kirena filluan t’u flitnin «atyre që flitnin greqisht». (Veprat 11:20) Ndonëse predikimi te judenjtë që flitnin greqisht dhe te prozelitët kishte vazhduar që nga Festa e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., predikimi në Antioki duket se ishte diçka e re. Ai nuk u drejtohej vetëm judenjve. Vërtet, johebreu Kornel dhe familja e tij tashmë ishin bërë dishepuj. Por, u desh një vizion nga Jehovai për ta bindur apostullin Pjetër se ishte e përshtatshme t’u predikohej johebrenjve ose njerëzve të kombeve.—Veprat 10:1-48.
Në një qytet që mirëpriste një komunitet të madh e të lashtë judaik dhe ku nuk kishte shumë armiqësi midis hebrenjve dhe johebrenjve, këta të fundit po merrni dëshmi dhe po i përgjigjeshin në mënyrë pozitive lajmit të mirë. Nga sa duket, Antiokia ofronte ambientin e duhur për një zhvillim të tillë dhe ‘një numër i madh njerëzish u bënë besimtarë’. (Veprat 11:21) Gjithashtu, kur prozelitë që më parë adhuronin perëndi pagane u bënë të krishterë, ishin të pajisur në mënyrë të veçantë për t’u dëshmuar johebrenjve të tjerë që adhuronin ende këto perëndi.
Kur dëgjoi për zhvillimet në Antioki, kongregacioni i Jerusalemit dërgoi atje Barnabën për të vëzhguar. Zgjedhja ishte e mençur dhe e dashur. Ai ishte qipriot, si disa nga ata që kishin filluar t’u predikonin johebrenjve. Barnaba do të ishte ndier si në shtëpi mes johebrenjve të Antiokisë. Nga ana tjetër, ata do ta kishin konsideruar si pjesëtar të një komuniteti fqinj.a Ai mund ta kuptonte shumë mirë punën që po bëhej. Prandaj, «kur mbërriti dhe pa dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, ai gëzoi dhe filloi t’i inkurajonte të gjithë ata që të vazhdonin me vendosmëri zemre në Zotërinë» dhe «një turmë e madhe iu shtua Zotërisë».—Veprat 11:22-24.
«Arsye të mundshme për suksesin e misionit të hershëm në Antioki,—sugjeron historiani Dauni,—mund të kenë qenë se në këtë qytet, misionarët nuk duhej t’u frikësoheshin fanatikëve judenj, si ata që hasnin në Jerusalem. Gjithashtu, qyteti, duke qenë kryeqyteti i Sirisë, qeverisej nga një përfaqësues zyrtar dhe, për këtë arsye, gëzonte një rend publik që funksiononte në një shkallë më të madhe, ku kishte më pak mundësi për dhunë të shkaktuar nga turmat, si ajo që kishte ndodhur në Jerusalem, ku administratorët e Judesë duket (të paktën në këtë periudhë) se nuk kishin qenë në gjendje të përmbanin fanatikët judenj.»
Me këto rrethana të favorshme dhe me shumë punë për të bërë, ka të ngjarë që Barnaba ta ketë kuptuar se i nevojitej ndihmë dhe i shkoi mendja te miku i tij, Sauli. Përse te Sauli ose Pavli? Me sa duket, sepse Pavli, ndonëse nuk ishte një prej 12 apostujve, kishte marrë ngarkimin si apostull për kombet. (Veprat 9:15, 27; Romakëve 1:5; Zbulesa 21:14) Prandaj, Pavli ishte shumë i përshtatshëm si bashkëpunëtor për të shpallur lajmin e mirë në qytetin johebre të Antiokisë. (Galatasve 1:16) Kështu që Barnaba shkoi në Tars, gjeti Saulin dhe e solli në Antioki.—Veprat 11:25, 26; shih kutinë në faqet 26-27.
Quhen të krishterë me anë të drejtimit hyjnor
Për një vit të tërë, Barnaba dhe Sauli «mësuan një turmë mjaft të madhe dhe për herë të parë në Antioki, me anë të drejtimit hyjnor, dishepujt u quajtën të krishterë». Nuk ka mundësi që judenjtë të kenë qenë të parët që i quajtën ithtarët e Jezuit të krishterë (greqisht) ose mesianistë (hebraisht), sepse ata nuk e pranonin Jezuin si Mesia ose Krishti e, prandaj, nuk mund të pranonin në mënyrë të tërthortë ta njihnin si të tillë, duke i quajtur ithtarët e tij të krishterë. Disa mendojnë që popullsia pagane mund t’u ketë vënë atyre nofkën të krishterë për t’u tallur ose për t’i përqeshur. Gjithsesi, Bibla tregon se emrin të krishterë ua dha Perëndia.—Veprat 11:26.
Në Shkrimet e Krishtere Greke, folja e përdorur në lidhje me emrin e ri, që në përgjithësi përkthehet «u quajtën», shoqërohet gjithnjë me diçka të mbinatyrshme, prej orakulli ose hyjnore. Prandaj, dijetarët e përkthejnë atë «të shprehësh një orakull», «njoftim hyjnor» ose «të japësh një urdhër a këshillë hyjnore, të mësosh nga qielli». Meqë ithtarët e Jezuit u quajtën të krishterë «me anë të drejtimit hyjnor», është e mundur që Jehovai t’i ketë drejtuar Saulin dhe Barnabën që të jepnin këtë emër.
Emri i ri zuri vend. Dishepujt e Jezuit nuk i merrnin më për një sekt të judaizmit, nga i cili ishin krejt të dallueshëm. Rreth vitit 58 të e.s., zyrtarët romakë e dinin shumë mirë cilët ishin të krishterët. (Veprat 26:28) Sipas historianit romak Tacit, në vitin 64 të e.s., emri ishte i përhapur edhe mes njerëzve në Romë.
Jehovai përdor besnikët e tij
Lajmi i mirë bëri përparim të madh në Antioki. Me bekimin e Jehovait dhe me vendosmërinë e ithtarëve të Jezuit që të vazhdonin të predikonin, Antiokia u bë një qendër e krishterimit të shekullit të parë. Perëndia e përdori kongregacionin e atjeshëm si një trampolinë për ta përhapur lajmin e mirë në vendet e largëta. Për shembull, Antiokia ishte pika e nisjes për secilin nga udhëtimet misionare të apostullit Pavël në vende që shkeleshin për herë të parë.
Në kohët moderne, zelli dhe vendosmëria përballë kundërshtimit kanë favorizuar në mënyrë të ngjashme përhapjen e krishterimit të vërtetë, duke u dhënë mundësi shumë vetave që të dëgjojnë lajmin e mirë dhe të tregojnë çmueshmëri për të.b Prandaj, nëse hasni kundërshtim ngaqë mbështetni adhurimin e pastër, mbani në mend se Jehovai ka arsye përse e lejon këtë. Ashtu si në shekullin e parë, njerëzve sot duhet t’u jepet mundësia të dëgjojnë për Mbretërinë e Perëndisë dhe të marrin qëndrimin pro saj. Vendosmëria juaj që të vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me besnikëri mund të jetë pikërisht ajo që kërkohet për të ndihmuar ndonjë person që të marrë njohurinë e saktë të së vërtetës.
[Shënimet]
a Në një ditë të kthjellët, ishulli i Qipros mund të shihet që nga mali Kasius, në jugperëndim të Antiokisë.
b Shih Kullën e Rojës, 1 gusht 1999, faqen 9; Zgjohuni!, 22 prill 1999, faqet 21-22, anglisht; Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1999, faqet 250-252, anglisht.
[Kutia dhe figurat në faqet 26, 27]
«Vitet e heshtura» të Pavlit
HERA e fundit kur përmendet Sauli në librin e Veprave, para se të transferohej në Antioki rreth vitit 45 të e.s., është kur në Jerusalem u përmbys një plan që kishin bërë për ta vrarë atë, dhe bashkëbesimtarët e dërguan në Tars. (Veprat 9:28-30; 11:25) Por kjo ndodhi nëntë vjet më parë, rreth vitit 36 të e.s. Çfarë bëri ai ndërkohë, në këtë periudhë që është quajtur vitet e heshtura të Saulit?
Nga Jerusalemi, Sauli shkoi në rajonet e Sirisë dhe të Kilikisë, dhe kongregacionet e Judës dëgjuan: «Njeriu që më parë na persekutonte, tani po shpall lajmin e mirë për besimin që më parë e rrënonte.» (Galatasve 1:21-23) Ky raport mund t’i jetë referuar aktivitetit në Antioki me Barnabën, por edhe para kësaj, pa dyshim, Sauli nuk kishte qenë joaktiv. Aty nga viti 49 i e.s., në Siri dhe në Kiliki kishte disa kongregacione. Njëri gjendej në Antioki, por disa mendojnë se kongregacionet e tjera mund të kenë qenë rezultati i aktivitetit të Saulit gjatë të ashtuquajturave vite të heshtura.—Veprat 11:26; 15:23, 41.
Disa dijetarë besojnë se ngjarje të ndryshme dramatike në jetën e Saulit duhen datuar në të njëjtën periudhë. Përndryshe, shumë vështirësive që vuajti si ‘shërbëtor i Krishtit’, mezi mund t’u gjendet vendi në karrierën e tij si misionar. (2 Korintasve 11:23-27) Kur i mori Sauli pesë herë nga 39 kamxhikë prej judenjve? Ku e rrahën tri herë me shkopinj? Ku iu nënshtrua burgimeve ‘me tepri’? Burgimi i tij në Romë erdhi më vonë. Kemi një tregim për një herë që e rrahën dhe e burgosën, në Filipi. Por, ç’të themi për herët e tjera? (Veprat 16:22, 23) Një shkrimtar sugjeron se Sauli, gjatë kësaj periudhe, po «dëshmonte për Krishtin nëpër sinagogat e diasporës, në mënyrë të tillë, saqë solli persekutim si nga autoritetet fetare, ashtu edhe nga ato civile».
Saulit iu fundos katër herë anija, por Shkrimet japin hollësi vetëm për një fundosje, e cila ndodhi pasi ai kishte radhitur vështirësitë e tij, kur po u shkruante korintasve. (Veprat 27:27-44) Prandaj, tri të tjerat ka të ngjarë t’i kenë ndodhur gjatë udhëtimeve për të cilat nuk dimë asgjë. Disa ose të gjitha këto ngjarje mund t’i përkasin «viteve të heshtura».
Një ngjarje tjetër që duket se daton në këtë periudhë është përshkruar te 2 Korintasve 12:2-5. Sauli tha: ‘Njoh një njeri në unitet me Krishtin, i cili, katërmbëdhjetë vjet më parë u rrëmbye deri në qiellin e tretë, në parajsë dhe dëgjoi fjalë që nuk thuhen, të cilat për njeriun nuk është e ligjshme të thuhen.’ Me sa duket, Sauli po fliste për veten. Duke qenë se këtë gjë e shkroi rreth vitit 55 të e.s., 14 vjet më parë do të na çonin në vitin 41 të e.s., në mes të «viteve të heshtura».
Patjetër, ai vizion i dha Saulit mendjehollësi të pashoqe. A ishte dhënë me qëllim që ta pajiste si «apostull i kombeve»? (Romakëve 11:13) A ndikoi në mënyrën se si mendoi, shkroi dhe foli më vonë? Vitet ndërmjet kthimit të Saulit dhe thirrjes së tij për në Antioki, a shërbyen për ta stërvitur dhe për ta pjekur për përgjegjësitë e ardhshme? Cilatdo qofshin përgjigjet e këtyre pyetjeve, mund të jemi të sigurt se kur Barnaba e ftoi që ta ndihmonte të drejtonte veprën e predikimit në Antioki, Sauli i zellshëm ishte tërësisht i kualifikuar për ta përmbushur caktimin.—Veprat 11:19-26.
[Harta në faqen 25]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
SIRI
Orontes
Antioki
Seleuki
QIPRO
DETI MESDHE
Jerusalem
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.
[Figurat në faqen 24]
Sipër: Antiokia e ditëve moderne
Në mes: Pamje jugore e Seleukisë
Poshtë: Mur i portit në Seleuki