‘Le të mos lodhemi!’
«Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer.»—GAL. 6:9.
1, 2. Si na shtohet siguria kur mendojmë thellë për organizatën universale të Jehovait?
SA MAHNITEMI kur mendojmë thellë që jemi pjesë e një organizate universale të paanë! Vegimet e dokumentuara tek Ezekieli, kapitulli 1 dhe te Danieli, kapitulli 7 e përshkruajnë me një gjuhë të gjallë Jehovain teksa i çon gjërat drejt një kulmi madhështor. Jezui është në krye ndërsa drejton pjesën tokësore të organizatës së Jehovait që të përqendrohet në predikimin e lajmit të mirë, të kujdeset për ata që po e kryejnë këtë vepër dhe të nxitë adhurimin e vërtetë të Jehovait. Sa të sigurt na bën të ndihemi në organizatën e Jehovait e gjithë kjo!—Mat. 24:45.
2 A është secili nga ne në një hap me këtë organizatë të mrekullueshme? Entuziazmi ynë për të vërtetën, po shtohet apo po pakësohet? Kur shqyrtojmë pyetje të tilla, mund të dallojmë nëse kemi filluar të lodhemi a nëse na është ftohur paksa zelli. Edhe kjo mund të ndodhë. Në shekullin e parë, apostulli Pavël e pa të udhës t’i nxitte të bashkëkrishterët të analizonin zellin e Jezuit. Pavli tha se kjo do t’i ndihmonte ‘që shpirti i tyre të mos lodhej e të mos ligështohej’. (Hebr. 12:3) Po ashtu, leximi i kujdesshëm i artikullit të mëparshëm që tregon se çfarë po kryen organizata e Jehovait, patjetër na ka ndihmuar shumë të ruajmë entuziazmin e qëndrueshmërinë.
3. Çfarë na duhet që të mos lodhemi dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Megjithatë, Pavli, shpjegoi se duhet diçka më tepër që të mos lodhemi. Ai tha se kërkohen përpjekje të forta që ‘të bëjmë atë që është e shkëlqyer’. (Gal. 6:9) Prandaj duhet vepruar. Le të shohim pesë fusha aktiviteti, të cilat mund të na ndihmojnë të qëndrojmë të palëkundur e në një hap me organizatën e Jehovait. Pastaj, mund të dallojmë nëse ka ndonjë aspekt të cilit duhet t’i kushtojmë më tepër vëmendje ne ose familja jonë.
MBLIDHEMI PËR TË MARRË ZEMËR E PËR TË ADHURUAR
4. Pse mund të themi se të mbledhurit së bashku është pjesë thelbësore e adhurimit të vërtetë?
4 Të mbledhurit së bashku ka qenë gjithmonë një aktivitet thelbësor për shërbëtorët e Jehovait. Në sferën e padukshme, krijesat frymore ftohen të hyjnë në praninë e Jehovait në momente të zgjedhura. (1 Mbret. 22:19; Jobi 1:6; 2:1; Dan. 7:10) Në Izraelin e lashtë, populli ishte urdhëruar të mblidhej ‘që të dëgjonte e të mësonte’. (Ligj. 31:10-12) Judenjtë në shekullin e parë e kishin zakon të shkonin në sinagoga që të lexonin nga Shkrimet. (Luka 4:16; Vep. 15:21) Edhe kur u formua kongregacioni i krishterë, të mbledhurit së bashku vazhdoi të kishte përparësi, dhe sot është ende pjesë shumë e rëndësishme e adhurimit tonë. Të krishterët e vërtetë ‘interesohen për njëri-tjetrin, që të nxiten për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’. Pra, duhet të vazhdojmë ‘të inkurajojmë njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shohim se dita [e Jehovait] po afrohet’.—Hebr. 10:24, 25.
5. Si mund t’i japim zemër njëri-tjetrit në mbledhjet tona?
5 Një mënyrë e rëndësishme me të cilën i japim zemër njëri-tjetrit është të bëjmë pjesën tonë në mbledhje. Mund ta shprehim publikisht besimin duke iu përgjigjur pyetjeve për paragrafin, duke bërë zbatimin e një shkrimi, duke ndarë një përvojë të shkurtër që tregon sa e mençur është të ndjekësh parimet biblike etj. (Psal. 22:22; 40:9) Sigurisht, jeni dakord se, pavarësisht nga sa vjet po i ndiqni mbledhjet, komentet nga zemra të vëllezërve e motrave—të rinj a të moshuar qofshin—vazhdojnë të jenë një burim inkurajimi.
6. Si na ndihmojnë mbledhjet të qëndrojmë aktivë frymësisht?
6 Ç’arsye të tjera ka Perëndia që e sheh kaq të rëndësishme të mblidhemi rregullisht së bashku? Mbledhjet, asambletë dhe kongreset na japin zemër të flasim me guxim e të përballemi me kundërshtimin e indiferencën në territorin tonë. (Vep. 4:23, 31) Diskutimi mbi Shkrimet na forcon dhe na bën më të vendosur në besim. (Vep. 15:32; Rom. 1:11, 12) Mësimi dhe shkëmbimi i inkurajimit në këto grumbullime na ndihmojnë të provojmë lumturi të vërtetë e na japin «prehje nga ditët e zeza». (Psal. 94:12, 13) Komiteti i Mësimit i Trupit Udhëheqës mbikëqyr përgatitjen e gjithë programit frymor për të mësuar popullin e Jehovait në tërë botën. Sa mirënjohës jemi për masat që janë marrë për të siguruar mësime të dobishme në mbledhjet tona çdo javë gjatë gjithë vitit!
7, 8. (a) Cili është qëllimi kryesor i mbledhjeve të kongregacionit? (b) Si të ndihmojnë ty frymësisht mbledhjet?
7 Por ka diçka edhe më të rëndësishme se dobitë që nxjerrim ne nga mbledhjet. Qëllimi kryesor pse mblidhemi së bashku është të adhurojmë Jehovain. (Lexo Psalmin 95:6.) Ç’privilegj kemi të lëvdojmë Perëndinë tonë të mrekullueshëm! (Kolos. 3:16) Jehovai e meriton adhurimin tonë me anë të pranisë e të pjesëmarrjes së rregullt në grumbullimet teokratike. (Zbul. 4:11) Ndaj, kuptohet pse nxitemi ‘të mos braktisim mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa’.—Hebr. 10:25.
8 A i shohim mbledhjet e krishtere si një masë që na ndihmon të qëndrojmë të patundur derisa Jehovai t’i japë fund këtij sistemi të lig? Nëse po, mbledhjet do të jenë mes ‘gjërave më të rëndësishme’, për të cilat do të gjejmë kohë me gjithë jetën tonë të ngarkuar. (Filip. 1:10) Që të humbim rastin të bashkohemi me vëllezërit në adhurimin e Jehovait, duhet të kemi një arsye tejet të rëndësishme.
TË KËRKOJMË ATA ME ZEMËR TË SINQERTË
9. Si e dimë se vepra e predikimit është e rëndësishme?
9 Edhe angazhimi i plotë në veprën e predikimit na ndihmon të ecim në një hap me organizatën e Jehovait. Jezui e nisi këtë vepër kur ishte këtu në tokë. (Mat. 28:19, 20) Që atëherë, e gjithë organizata e Jehovait i ka kushtuar vëmendje kryesore veprës së predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. Shumë përvoja të ditëve të sotme dëshmojnë se engjëjt po mbështetin veprën tonë dhe na drejtojnë tek ata që ‘janë të prirur për jetën e përhershme’. (Vep. 13:48; Zbul. 14:6, 7) Sot pjesa tokësore e organizatës së Jehovait ekziston dhe është e organizuar për të mbështetur këtë vepër jetike. A është shërbimi boshti i jetës sonë?
10. (a) Ilustroni si mund ta ruajmë entuziazmin për të vërtetën. (b) Si të ka ndihmuar shërbimi të mos lodhesh?
10 Zelli në shërbim na ndihmon të ruajmë entuziazmin për të vërtetën. Mendo për atë që thotë Miçeli, një plak prej vitesh dhe pionier i rregullt: «Vdes t’u flas njerëzve për të vërtetën! Mendoj për ndonjë artikull të ri të Kullës së Rojës ose të Zgjohuni! dhe mrekullohem me mençurinë, gjykimin e thellë e me drejtpeshimin e kënaqshëm të çdo numri. Mezi pres të dal në shërbim për të parë si do të reagojnë njerëzit e si mund t’ua ngjall interesin. Shërbimi më mban me këmbë në tokë. Përpiqem që çdo gjë tjetër ta bëj para ose pas kohës që kam programuar për shërbimin.» Po njësoj, një jetë e zhytur në shërbimin e shenjtë mund të na ndihmojë edhe neve të vazhdojmë të palëkundur në këto ditë të fundit.—Lexo 1 Korintasve 15:58.
TË PËRFITOJMË NGA MASAT FRYMORE
11. Pse duhet të përfitojmë plotësisht nga ushqimi frymor që marrim nga Jehovai?
11 Jehovai ka siguruar një bollëk ushqimi frymor të shkruar që të na japë forcë. Me siguri të kujtohet ndonjë rast kur ke thënë me vete pas leximit të ndonjë botimi: «Tamam ajo që më duhej! Falë Jehovait, sikur të jetë shkruar vetëm për mua.» Kjo nuk është rastësi. Pikërisht me anë të këtyre masave Jehovai na mëson e na udhëheq. Ai ka thënë: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh.» (Psal. 32:8) A përpiqemi të përfitojmë nga tërë ushqimi frymor që marrim dhe të meditojmë për të? Duke bërë kështu, do të vazhdojmë të japim fryt e të mos ligështohemi frymësisht në këto ditë të fundit të vështira.—Lexo Psalmin 1:1-3; 35:28; 119:97.
12. Ç’mund të na ndihmojë të mos e marrim si të zakonshëm ushqimin tonë frymor?
12 Është mirë të mendojmë për punën e madhe që përfshihet që ne të marrim pa ndërprerje tërë këtë ushqim frymor të shëndetshëm. Komiteti i Shkrimit i Trupit Udhëheqës mbikëqyr gjithë punën për kërkimet, shkrimin, redaktimin, përzgjedhjen e figurave dhe përkthimin e botimeve tona të shtypura, si edhe të materialeve që dalin në sitin tonë në Internet. Degët që kanë shtypshkronja u dërgojnë botime kongregacioneve afër e larg. Pse tërë kjo punë? Që populli i Jehovait të ushqehet mirë frymësisht. (Isa. 65:13) Le të përfitojmë plotësisht nga i gjithë ushqimi frymor që marrim nga organizata e Jehovait.—Psal. 119:27.
TË MBËSHTETIM RREGULLIMET E ORGANIZATËS
13, 14. Cilët po i mbështetin rregullimet e Jehovait në qiell? Si mund të japim mbështetje të ngjashme këtu në tokë?
13 Në vegimin që iu dha apostullit Gjon, Jezui kalëron mbi një kalë të bardhë për të ngadhënjyer mbi ata që rebelohen kundër Jehovait. (Zbul. 19:11-15) Sa na forcohet besimi duke ditur se tamam pas Jezuit janë engjëjt besnikë e bashkë me Të edhe ngadhënjyesit e mirosur, të ardhur nga toka, që tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre qiellor. (Zbul. 2:26, 27) Ata mbështetin rregullimet e Jehovait duke lënë një shembull të shkëlqyer.
14 Po ashtu, shumica e madhe e mbështet plotësisht veprën e vëllezërve të mirosur të Krishtit që janë ende në tokë e që marrin drejtimin në pjesën e dukshme të organizatës. (Lexo Zakarinë 8:23.) Si mund të tregojmë se i mbështetim individualisht rregullimet e Jehovait? Një mënyrë është t’u nënshtrohemi atyre që marrin drejtimin. (Hebr. 13:7, 17) Kjo fillon pikërisht në kongregacionin tonë. Me komentet tona, a ndërtojmë respekt për pleqtë dhe për detyrën e tyre të mbikëqyrjes? A i nxitim fëmijët tanë t’i respektojnë këta burra besnikë e t’u drejtohen për këshilla nga Shkrimet? Përveç kësaj, a diskutojmë si familje si mund t’i përdorim të ardhurat për të mbështetur veprën mbarëbotërore me kontributet tona? (Prov. 3:9; 1 Kor. 16:2; 2 Kor. 8:12) A e shohim si të rëndësishëm privilegjin për të bërë pjesën tonë në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë? Fryma e Jehovait rrjedh lirshëm aty ku ka një unitet e respekt të tillë. Dhe pikërisht përmes kësaj fryme marrim ndihmë të pashtershme që të mos lodhemi në këto ditë të fundit.—Isa. 40:29-31.
TË JETOJMË NË PËRPUTHJE ME MESAZHIN TONË
15. Pse duhet të luftojmë pa pushim që të jetojmë në përputhje me qëllimin fisnik të Jehovait?
15 Së fundi, që të tregojmë qëndrueshmëri e të ecim në një hap me organizatën e Jehovait, duhet të jetojmë në përputhje me mesazhin që shpallim, duke ‘u siguruar se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’. (Efes. 5:10, 11) Për shkak të mishit të papërsosur dhe të përpjekjeve të Satanait e të kësaj bote të ligë, kemi një luftë të pareshtur kundër ndikimeve negative në jetën tonë. Disa nga ju vëllezër e motra të dashur bëni një luftë të madhe çdo ditë që të ruani marrëdhënien me Jehovain. Ndaj ai ju ka shumë për zemër. Mos u dorëzoni! Kur jetojmë në përputhje me qëllimin e Jehovait, provojmë kënaqësi të madhe dhe sigurohemi se adhurimi ynë nuk është i kotë.—1 Kor. 9:24-27.
16, 17. (a) Çfarë duhet të bëjmë nëse kryejmë ndonjë mëkat të rëndë? (b) Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Anës?
16 Por, çfarë duhet të bëjmë nëse kryejmë ndonjë mëkat të rëndë? Të kërkojmë ndihmë sa më shpejt të jetë e mundur. Po ta fshehim çështjen, vetëm sa do ta përkeqësojmë situatën. Kujto se, kur Davidi heshti për mëkatin e tij, tha se ‘kockat i treteshin nga rënkimi gjithë ditën e ditës’. (Psal. 32:3) Po, kur nuk e tregojmë mëkatin e bërë në fshehtësi, thjesht do të sfilitemi emocionalisht e frymësisht, por «atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë».—Prov. 28:13.
17 Mendo për shembullin e Anës.a Në fund të adoleshencës, shërbente si pioniere e rregullt. Megjithatë, filloi të bënte një jetë të dyfishtë. Kjo ndikoi shumë tek ajo. Ana thotë: «Me atë pjesë të ndërgjegjes që punonte ende, ndihesha fajtore. Isha e palumtur dhe në depresion gjithë kohën.» Çfarë bëri? Ajo thotë se një ditë në mbledhje u shqyrtua Jakovi 5:14, 15. Kuptoi se kishte nevojë për ndihmë dhe vajti të fliste me pleqtë. Tani, kur kthen kokën pas, thotë: «Ato vargje janë recetë e shkruar nga Jehovai për shërimin tonë frymor. Ilaçi nuk është i lehtë të përtypet, por ama të shëron. Ndoqa këshillën e këtyre vargjeve dhe më bënë punë.» Kanë kaluar disa vjet e Ana po i shërben sërish me zell Jehovait me forca të përtërira e me ndërgjegje të pastër.
18. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
18 Ç’privilegj kemi të jetojmë në këto ditë të fundit e të jemi pjesë e organizatës fantastike të Jehovait. Le të jemi të vendosur të mos e shohim kurrë si të zakonshme atë që kemi. Në vend të kësaj, le të punojmë si familje që të mblidhemi rregullisht për adhurim në kongregacionin tonë, të bëjmë çmos të gjejmë njerëzit me zemër të sinqertë në territor e t’i çmojmë masat që janë marrë për të pasur rregullisht ushqim frymor. Gjithashtu, le të mbështetim ata që marrin drejtimin dhe të jetojmë në përputhje me mesazhin që shpallim. Atëherë, jo vetëm që do të ecim në një hap me organizatën e Jehovait, por edhe nuk do të lodhemi duke bërë atë që është e shkëlqyer.
a Emri është ndryshuar.