Të kujdesemi për pronat e Zotërisë
1 Në kohët biblike, një ekonom, mbante pozitën e një njeriu shumë të besuar. Abrahami i dha si detyrë ekonomit të tij, që të gjente një grua për birin e tij Isakun. (Zan. 24:1-4) Në fakt, ekonomi kishte përgjegjësinë e sigurimit të linjës së Abrahamit. Çfarë përgjegjësie! Nuk është për t’u habitur që apostulli Pavël tha se «ajo që kërkohet nga ekonomët, është që secili të gjendet i besueshëm»!—1. Kor. 4:2, BR.
Caktimi si ekonom i krishterë
2 Disa aspekte të shërbimit të krishterë, në Bibël përshkruhen si caktime ekonomi. Për shembull, apostulli Pavël u foli të krishterëve për «caktimin si ekonom i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë që m’u dha duke ju pasur juve parasysh». (Efes. 3:2, BR; Kolos. 1:25) Ai e shihte detyrën e tij për t’u çuar lajmin e mirë kombeve si një caktim që duhej ta trajtonte në mënyrë të besueshme. (Vep. 9:15; 22:21) Apostulli Pjetër u shkroi vëllezërve të tij të mirosur: «Jini mikpritës ndaj njëri-tjetrit, pa murmuritje. Në përpjestim me dhuratën, që gjithsecili ka marrë, përdoreni atë duke i shërbyer njëri-tjetrit, si ekonomë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.» (1. Pjet. 4:9, 10, BR; Hebr. 13:16) Çdo gjë që zotëronin këta të krishterë të shekullit të parë në kuptim material, ishte rezultat i dashamirësisë së pamerituar të Jehovait. Prandaj, ata ishin ekonomë të këtyre gjërave dhe duhej t’i përdornin ato në një mënyrë të krishterë.
3 Sot, Dëshmitarët e Jehovait kanë një pikëpamje të ngjashme mbi këto çështje. Ata ia kanë dedikuar veten Perëndisë Jehova dhe e shohin gjithçka që kanë: jetën, forcën fizike dhe pasurinë e tyre materiale, si fryte të «dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë të shprehur në mënyra të ndryshme». Si ekonomë të shkëlqyer, ata ndihen përgjegjës para Perëndisë Jehova për mënyrën se si i përdorin këto gjëra. Përveç kësaj, atyre iu është dhënë njohuria e lajmit të mirë. Kjo, gjithashtu, është një shenjë mirëbesimi që ata dëshirojnë ta përdorin në mënyrën më të mirë që është e mundur, për të lartësuar emrin e Jehovait dhe për të ndihmuar të tjerët që të arrijnë njohurinë e së vërtetës.—Mat. 28:19, 20; 1. Tim. 2:3, 4; 2. Tim. 1:13, 14.
4 Si po i plotësojnë përgjegjësitë e tyre si ekonomë Dëshmitarët e Jehovait? Raporti vjetor tregon se vetëm vitin e kaluar, në të gjithë botën, ata shpenzuan më shumë se një miliard orë duke predikuar «lajmin e mirë të Mbretërisë» dhe drejtuan më shumë se 4.500.000 studime biblike me personat e interesuar. (Mat. 24:14, BR) Besueshmëria e tyre si ekonomë të Jehovait, u tregua edhe nga kontributet bujare që dhanë për veprën mbarëbotërore dhe mbështetjen e Sallave lokale të Mbretërisë, nga mikpritja e tyre ndaj mbikëqyrësve udhëtues dhe vëllezërve të tjerë dhe nga dashamirësia e jashtëzakonshme që treguan ndaj atyre në nevojë të madhe, si viktimave të konflikteve të armatosura. Si grup, të krishterët e vërtetë po kujdesen mirë për pronat e Zotërisë.
«Ekonomi i besueshëm, i maturi»
5 Caktimi si ekonom ekziston jo vetëm në nivel individual, por edhe në atë organizativ. Jezui e quajti kongregacionin e të krishterëve të mirosur mbi tokë «ekonomi i besueshëm, i maturi». (Luka 12:42, BR) Përgjegjësia e këtij «ekonomi të besueshëm» është që të sigurojë «ushqimin» e të marrë drejtimin në predikimin ndërkombëtar të lajmit të mirë. (Zbul. 12:17) Lidhur me këtë, klasa e ekonomit të besueshëm, e përfaqësuar nga Trupi Udhëheqës, ka një përgjegjësi të dhënë nga Perëndia për të administruar siç duhet «talentat» e tij frymore dhe materiale. (Mat. 25:15) Në harmoni me shembullin e «ekonomit të besueshëm», korporata degësh të veçanta bëjnë çdo përpjekje për t’i përdorur të gjitha kontributet me një ndjenjë përgjegjësie, për interesat e mëtejshme të Mbretërisë. Të gjitha këto kontribute bëhen në mirëbesim dhe «ekonomi i besueshëm, i maturi» është përgjegjës për të siguruar se ato përdoren për qëllimin e caktuar që më parë dhe se administrohen me mençuri, me ekonomi dhe në mënyrë të efektshme.
6 Një shembull i përdorimit të mençur të fondit të kontributeve shihet në rritjen e aktivitetit të shtypjes së literaturës së Dëshmitarëve të Jehovait, gjatë shekullit të 20-të. Shpërndarja e Biblave dhe e literaturës biblike: revistave, librave, broshurave, librezave, fletushkave dhe e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë, ka luajtur një rol të madh në përhapjen e «lajmit të mirë», gjatë këtyre «ditëve të fundit». (Mar. 13:10, BR; 2. Tim. 3:1, BR) Edhe revista Kulla e Rojës ka qenë një instrument i rëndësishëm në furnizimin me «ushqim në kohën e duhur» të «shtëpisë së Perëndisë» dhe të shoqëruesve të tyre, «shumicës së madhe» të «deleve të tjera».—Mat. 24:45, BR; Efes. 2:19, BR; Zbul. 7:9, BR; Gjoni 10:16, BR.
7 Fillimisht, e gjithë literatura e Dëshmitarëve të Jehovait, prodhohej nga tipografitë tregtare. Por gjatë viteve 20, u vendos se do të ishte më efektive dhe më e dobishme nga ana frymore nëse shërbëtorët e Jehovait do ta bënin vetë shtypjen. Me një fillim të vogël në vitin 1920, vepra e shtypjes u rrit gradualisht në Bruklin, Nju Jork, deri sa u bë shumë e madhe. Në vitin 1967, ndërtesat e shtypjes së literaturës mbulonin katër blloqe të qytetit. Shtypja u ndërmor edhe në vende të tjera, por në shumicën prej tyre, ajo u ndërpre për shkak të Luftës II Botërore.
8 Sado shumë që rritej veprimtaria e shtypjes së literaturës në Shtetet e Bashkuara, ajo nuk ishte kurrë aq e madhe sa të furnizonte të gjithë botën. Prandaj në vitet pas luftës, aktivitetet për shtypjen e literaturës u vendosën ose ishin në zhvillim në shumë vende të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Danimarkën, Anglinë, Greqinë, Afrikën e Jugut, Zvicrën dhe Gjermaninë Perëndimore. Gjithashtu, në fillim të viteve 70, listës iu shtuan edhe Australia, Brazili, Finlanda, Gana, Japonia, Nigeria dhe Filipinet. Disa prej këtyre vendeve prodhuan edhe libra të lidhur. Në fillim të viteve 70, misionarët e Galaadit u stërvitën në zanatin e shtypjes dhe u dërguan në disa prej këtyre vendeve për të ndihmuar vëllezërit e zonës në punën e shtypjes.
9 Gjatë viteve 80, numri i vendeve ku shtypeshin revistat arriti maksimumin në 51.a Çfarë përdorimi i shkëlqyer i pronave të Zotërisë provoi të jetë kjo gjë! Çfarë dëshmie e fortë e rritjes së veprës së Mbretërisë! Dhe çfarë dëshmie e fuqishme e mbështetjes bujare të miliona individëve Dëshmitarë të Jehovait, që ‘e nderuan Jehovain me gjërat e tyre të vlefshme’! (Prov. 3:9, BR) Kështu, ata provuan se janë ekonomë të shkëlqyer të asaj me të cilën Jehovai i kishte bekuar në mënyra të ndryshme.
Ndryshojmë drejtimin
10 Gjatë viteve 70 dhe në fillim të viteve 80, në teknologjinë e shtypjes u bë përparim i madh dhe Dëshmitarët e Jehovait adoptuan teknikat më të reja të shtypjes. Më përpara ata përdornin stilin tradicional të shtypjes. Kjo u ndryshua gradualisht, ndërsa ata filluan të adoptojnë shtypin më modern me ofset. Si rezultat, po prodhohen botime të bukura me ilustrime shumëngjyrëshe, në vend të pikturave dyngjyrëshe (e zezë dhe ndonjë ngjyrë tjetër) që mund të bëheshin me shtypjen e vjetër. Për më tepër, teknologjia e kompjuterit ndryshoi të gjithë veprimin përgatitës për shtypjen. Dëshmitarët e Jehovait zhvilluan një Sistem Shumëgjuhësh Elektronik Fotoradhimi (MEPS), një sistem i kompjuterizuar që tani mbështet shtypjen e literaturës në më shumë se 370 gjuhë të ndryshme. Asnjë program tregtar nuk mund të krahasohet me MEPS-in për sa i përket kapacitetit të tij për të funksionuar në kaq shumë gjuhë.
11 Falë teknologjisë MEPS të kompjuterit dhe përdorimit të novacioneve të tilla të reja si posta elektronike, një tjetër përparim i madh u bë në prodhimin e ushqimit frymor në kohën e duhur. Më përpara, duke përdorur teknologjinë më të vjetër, informacioni që përkthehej nga revista në anglisht, bëhej i disponueshëm në gjuhët e tjera muaj më vonë, disa herë pas një viti. Tani, Kulla e Rojës shfaqet njëherazi në 115 gjuhë të ndryshme dhe Zgjohuni! në 62 gjuhë. Kjo do të thotë se në mbarë botën mbi 95 përqind e atyre që ndjekin studimin javor të Kullës së Rojës të Dëshmitarëve të Jehovait konsiderojnë të njëjtin material në të njëjtën kohë. Çfarë bekimi që është ky! Ishte sigurisht një përdorim i shkëlqyer i pronave të Zotërisë për të investuar për gjithë këtë teknologji të re!
Nevoja të ndryshme organizative
12 Këto sisteme të reja ndryshuan nevojat organizative të veprimtarive mbarëbotërore të shtypjes së literaturës së Dëshmitarëve të Jehovait. Makinat rotative të shtypit me ofset, janë shumë më të shpejta se makinat e vjetra tipografike, por janë edhe shumë më tepër të kushtueshme. Sistemet kompjuter që mbështetin punën përkatëse, si shkrimin, përkthimin, artin dhe grafikën, megjithëse ofrojnë shumë më tepër mundësi se sistemet e vjetra, janë edhe më të kushtueshme. Shpejt u bë e dukshme se nuk ishte më e leverdishme të shtypje revista për 51 vende të ndryshme. Kështu, në vitet 90, «ekonomi i besueshëm» rishqyrtoi situatën. Cili ishte përfundimi?
13 Studimet treguan se «gjërat e vlefshme» të kontribuara nga Dëshmitarët e Jehovait dhe miqtë e tyre, do të shpenzoheshin më mirë nëse puna e shtypjes do të përmblidhej. Kështu numri i degëve të shtypjes gradualisht u zvogëlua. Gjermania ka marrë përsipër shtypjen e revistave dhe literaturës për shumë vende të Evropës Lindore dhe Perëndimore, duke përfshirë disa vende që më parë shtypnin vetë. Italia furnizon me revista dhe literaturë pjesë të Afrikës dhe Evropës juglindore, duke përfshirë Greqinë dhe Shqipërinë. Në Afrikë, shtypja e revistave është kufizuar në Nigeri dhe Afrikën e Jugut. Një përmbledhje e ngjashme ndodhi përreth botës.
Faktorë për t’u shqyrtuar
14 Që nga korriku i vitit 1998, shtypja e revistave do të ndërpritet në disa vende të Evropës, duke përfshirë, Austrinë, Danimarkën, Francën, Greqinë, Holandën dhe Zvicrën. Ngarkesa e shtypjes në Evropë do të mbahet nga Britania, Finlanda, Gjermania, Italia, Spanja dhe Suedia. Në këtë mënyrë do të shmangen shpenzimet e panevojshme dhe kontributet do të përdoren në një mënyrë më të mirë për veprën mbarëbotërore. Si u vendos se cilat vende do të vazhdonin si qendra të shtypjes dhe cilat jo? Duke iu përmbajtur mandatit të tij për t’u kujdesur për pronat e Zotërisë, «ekonomi i besueshëm» vlerësoi me kujdes leverdinë praktike të shtypjes në secilin vend.
15 Arsyeja kryesore se përse shtypja u ndërpre në disa vende dhe u përmblodh në disa të tjera, ishte për qëllime praktike. Të kesh një vend ku të shtypësh literaturë për disa vende të tjera është më e volitshme dhe siguron një përdorim më të mirë të pajisjes së kushtueshme. Shtypja tani po bëhet aty ku kostot janë më të ulta, ku materialet janë në dispozicion dhe mundësitë e transportimit janë të mira. Kështu, pronat e Zotërisë po përdoren në mënyrën e duhur. Natyrisht, ndërprerja e shtypjes në një vend nuk do të thotë se vepra e predikimit atje do të ndalojë. Do të ketë akoma një furnizim të bollshëm materialesh të shtypura në dispozicion dhe qindra mijë Dëshmitarë të Jehovait në këto vende do të vazhdojnë me zell t’u shpallin fqinjëve të tyre «lajmin e mirë të paqes». (Efes. 2:17, BR) Për më tepër, ky riorganizim solli dobi të tjera.
16 Për të përmendur një nga dobitë; shumica e makinave moderne të shtypit nga Danimarka, Greqia, Holanda dhe Zvicra, u dërguan për në Nigeri dhe Filipine. Tipografë të aftë nga vendet evropiane pranuan ftesën për të shkuar bashkë me makinat e shtypit dhe për të stërvitur tipografët vendas në përdorimin e tyre. Kështu, këto vende tani kanë të njëjtat revista të cilësisë së lartë sikurse dhe vendet e tjera.
17 Të shqyrtojmë një tjetër dobi: kostoja e shtypjes së revistave tani përballohet në ato pak vende ku shtypja vazhdon. Si rezultat, në vendet ku shtypja është hequr, të ardhurat tani janë në dispozicion për qëllime të tjera, si p.sh., për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe për t’u kujdesur për nevojat e vëllezërve tanë në vendet më të varfra. Kështu, përdorimi i kujdesshëm i pronave të Zotërisë, do të thotë se fjalët e Pavlit drejtuar korintasve mund të zbatohen edhe më me efektshmëri në një shkallë ndërkombëtare: «Nuk dua të them që të jetë e lehtë për të tjerët dhe e vështirë për ju, por që përmes një barazimi tepricat tuaja të kompesojnë tani mungesat e tyre . . . që të mund të ketë një barazi.»—2. Kor. 8:13, 14, BR.
18 Si rezultat i kësaj përmbledhjeje, Dëshmitarët e Jehovait përreth botës janë lidhur edhe më ngushtë së bashku si kurrë ndonjëherë më parë. Nuk është një problem për Dëshmitarët në Danimarkë që revistat e tyre shtypen në Gjermani, megjithëse ishin mësuar të shtypnin vetë. Ata janë mirënjohës për shërbimin e vëllezërve të tyre gjermanë. A mërziten Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani për faktin që kontributet e tyre po përdoren për të siguruar literaturë biblike për Danimarkën ose për Rusinë, Ukrainën dhe vendet e tjera? Sigurisht që jo! Ata janë të lumtur të dinë se kontributet e vëllezërve të tyre në këto vende, mund të përdoren tani për qëllime të tjera të nevojshme.
Të kujdesemi për pronat
19 Në çdo Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait përreth botës, ka një kuti kontributesh që shënon «Kontributet për veprën mbarëbotërore: Mateu 24:14». Kontributet e padetyrueshme që futen në këto kuti janë në dispozicion të përdoren kudo që të ketë nevojë. Se si përdoren kontributet, vendoset nga «ekonomi i besueshëm» dhe korporatat e degëve të veçanta. Kështu, aty ku lejohet nga ligji, paratë e vendosura në një kuti kontributesh në një vend, mund të mbështetin aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait në një vend tjetër, mijëra kilometra larg. Në disa vende, kontributet janë përdorur për të siguruar ndihmë urgjente për bashkëbesimtarët e tjerë që vuajnë për shkak të gjërave të tilla si uraganeve, tornadove, tërmeteve dhe luftërave civile. Këto kontribute janë përdorur edhe për të mbështetur misionarët në më shumë se 200 vende.
20 Në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, si një rregull i përgjithshëm, çështjet financiare përmenden vetëm një herë në muaj dhe vetëm për disa minuta. Asnjë pjatë grumbullimi nuk kalohet në Sallat e Mbretërisë ose nëpër asamble. Individëve nuk u dërgohen kërkesa fondesh. As nuk punësohen mbledhës fondesh. Normalisht, Kulla e Rojës ka vetëm një artikull në vit i cili shpjegon se në ç’mënyrë ata që dëshirojnë, mund të bëjnë kontribute për Shoqatën Watch Tower Bible and Tract, për të mbështetur veprën mbarëbotërore. Nuk ka një përmendje të rregullt të financës së Shoqatës në Zgjohuni! Si është kryer atëherë vepra e pamasë mbarëbotërore e predikimit të lajmit të mirë, ndërtimi i Sallave të nevojshme të Mbretërisë, kujdesi për ata në shërbim special të plotëkohor dhe dhënia e ndihmës të krishterëve në nevojë? Jehovai e ka bekuar popullin e tij në një mënyrë të mrekullueshme me një frymë bujarie. (2. Kor. 8:2) Përfitojmë nga rasti për të falënderuar të gjithë ata që kanë pasur një pjesë në ‘nderimin e Jehovait me gjërat e tyre të vlefshme’. Ata mund të jenë të sigurt se «ekonomi i besueshëm» do të vazhdojë të kujdeset për pronat e Zotërisë. Dhe lutemi që Jehovai të vazhdojë të bekojë të gjitha rregullimet e bëra për zgjerimin e veprës mbarëbotërore.
[Shënimi]
a Në shtatë prej këtyre vendeve, shtypja bëhej nga firma tregtare.