«Dhurata në njerëz» për t’u kujdesur për delet e Jehovait
«Kur u ngrit lart, ai mori robër; dha dhurata në njerëz.»—EFESIANËVE 4:8, BR.
1. Si u shpreh një motër e krishterë për pleqtë e kongregacionit të saj?
«FALEMINDERIT që kujdeseni kaq shumë për ne. Interesimi, buzëqeshjet dhe ngrohtësia juaj janë shumë të sinqerta. Jeni gjithnjë në dispozicion për të na dëgjuar dhe për të na thënë fjalë nga Bibla, të cilat na e ngrenë gjendjen shpirtërore. Lutem që të mos ju konsideroj kurrë si diçka të zakonshme.» Kështu u shkroi një motër e krishterë pleqve të kongregacionit të saj. Qartë, dashuria e treguar nga barinjtë e kujdesshëm të krishterë kishte prekur zemrën e saj.—1. Pjetrit 5:2, 3.
2, 3. (a) Sipas Isaisë 32:1, 2, në ç’mënyrë kujdesen pleqtë e dhembshur për delet e Jehovait? (b) Kur mund të konsiderohet një dhuratë një plak?
2 Pleqtë janë një masë që ka marrë Jehovai për t’u kujdesur për delet e Tij. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Për Jehovain delet janë të shtrenjta, madje kaq të shtrenjta saqë i ribleu me gjakun e çmuar të Jezuit. Pra, s’është për t’u habitur që Jehovai kënaqet kur pleqtë e trajtojnë kopenë e tij me butësi. (Veprat 20:28, 29) Vëreni përshkrimin profetik që u bëhet këtyre pleqve ose «princave»: «Secili duhet të provojë se është si një vend fshehjeje nga era dhe si një vend i fshehtë nga stuhia, si rrëke uji në një vend pa ujë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të shkretuar.» (Isaia 32:1, 2, BR) Po, ata duhet t’i mbrojnë, t’i freskojnë dhe t’i ngushëllojnë delet e tij. Pleqtë që e kullotin me dhembshuri kopenë, janë duke u përpjekur në këtë mënyrë që të jetojnë në lartësinë e asaj që pret Perëndia prej tyre.
3 Bibla u referohet këtyre pleqve si «dhurata në njerëz». (Efesianëve 4:8, BR) Kur mendojmë për një dhuratë, mendojmë për diçka që jepet për t’i përmbushur një nevojë ose për t’i sjellë lumturi personit që e merr atë. Një plak mund të konsiderohet një dhuratë atëherë kur i përdor aftësitë e tij për të siguruar ndihmën e nevojshme dhe për të kontribuar në lumturinë e kopesë. Si mund ta bëjë ai këtë? Përgjigjja, të cilën e gjejmë në Efesianëve 4:7-16, lartëson kujdesin e dashur të Jehovait për delet e tij.
«Dhurata në njerëz»: Nga ku?
4. Në përmbushje të Psalmit 68:18, në ç’mënyrë Jehovai ‘u ngrit lart’ dhe cilët ishin «dhuratat në formë njerëzish»?
4 Kur përdori shprehjen «dhurata në njerëz», Pavli po citonte fjalët e mbretit David, i cili tha për Jehovain: «Ti je ngritur lart, ke marrë me vete robër, ke marrë dhurata në formë njerëzish.» (Psalmi 68:18, BR) Pas disa vitesh që izraelitët kishin hyrë në Tokën e Premtuar, në mënyrë figurative Jehovai «u ngrit» mbi malin Sion dhe e bëri Jerusalemin kryeqytet të mbretërisë së Izraelit, me Davidin si mbret. Por, cilët ishin «dhuratat në formë njerëzish»? Ishin burra të marrë robër gjatë pushtimit të tokës. Më vonë, disa prej këtyre robërve u vunë në dispozicion të levitëve, që të ndihmonin me punën në tabernakull.—Ezdra 8:20.
5. (a) Si e tregon Pavli se Psalmi 68:18 ka një përmbushje në kongregacionin e krishterë? (b) Në ç’mënyrë u «ngrit lart» Jezui?
5 Në letrën drejtuar efesianëve, Pavli tregon se fjalët e psalmistit kanë një përmbushje më të madhe në kongregacionin e krishterë. Duke parafrazuar Psalmin 68:18, Pavli shkruan: «Tani, secilit prej nesh i qe dhënë dashamirësi e pamerituar sipas mënyrës me të cilën Krishti mati dhuratën falas. Prandaj ai tha: ‘Kur u ngrit lart, ai mori me vete robër; dha dhurata në njerëz.’» (Efesianëve 4:7, 8, BR) Këtu, Pavli e përdor këtë psalm duke iu referuar Jezuit si përfaqësuesi i Perëndisë. Jezui e ‘mundi botën’ me anë të drejtimit besnik të jetës së tij. (Gjoni 16:33) Ai triumfoi, gjithashtu, mbi vdekjen dhe mbi Satanain, pasi Perëndia e ringjalli prej së vdekurish. (Veprat 2:24; Hebrenjve 2:14) Në vitin 33 të e.s., Jezui i ringjallur u ngrit «përmbi të gjithë qiejt», domethënë më lart se të gjitha krijesat e tjera qiellore. (Efesianëve 4:9, 10; Filipianëve 2:9-11) Si një fitimtar, Jezui mori «robër» nga armiku. Në ç’mënyrë?
6. Si filloi ta plaçkiste Jezui i ngritur lart shtëpinë e Satanait, duke filluar në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. dhe çfarë bëri ai me ‘robërit’?
6 Kur ishte në tokë, Jezui e shfaqi fuqinë e tij mbi Satanain, duke çliruar ata që mbaheshin në skllavëri nga demonët. Ishte sikur Jezui të kishte zaptuar shtëpinë e Satanait, ta kishte lidhur atë dhe t’i kishte marrë gjërat e mira që kishte. (Mateu 12:22-29) Vetëm të mendojmë se çfarë plaçkitjeje do të mund të bënte Jezui pas ringjalljes dhe dhënies së ‘të gjithë autoritetit në qiell e mbi tokë’! (Mateu 28:18) Duke filluar në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., Jezui i ngritur lart, si një përfaqësues i Perëndisë, filloi të plaçkiste shtëpinë e Satanait, duke ‘marrë robër’, njerëz të cilët kishin qenë në skllavërinë e mëkatit e të vdekjes, si edhe nën kontrollin e Satanait, nga një kohë e gjatë. Këta «robër» u bënë vullnetarisht «skllevër të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt». (Efesianëve 6:6, BR) Në fakt, Jezui i çliroi ata nga kontrolli i Satanait dhe në emër të Jehovait ia dha kongregacionit si «dhurata në njerëz». Imagjinoni zemërimin e pafuqishëm të Satanait ndërsa ia zhvatnin këta njerëz mu përpara hundës!
7. (a) Në çfarë funksioni shërbejnë ‘dhuratat në njerëz’ në kongregacione? (b) Çfarë mundësie i ka dhënë Jehovai çdo burri që shërben si plak?
7 A gjejmë të tilla «dhurata në njerëz» sot në kongregacion? Patjetër që po! I gjejmë duke shërbyer si pleq, duke punuar, shumë si ‘ungjilltarë, barinj dhe mësues’, në më shumë se 87.000 kongregacione të popullit të Perëndisë në mbarë tokën. (Efesianëve 4:11) Për Satanain s’do të kishte gjë më të mirë sesa të shihte që pleqtë të keqtrajtonin kopenë. Por nuk është kjo arsyeja se përse Perëndia nëpërmjet Krishtit, ia ka dhënë këta pleq kongregacionit. Në vend të kësaj, Jehovai i ka siguruar këta burra për mirëqenien e kongregacionit dhe ata i japin llogari atij për delet që u janë besuar. (Hebrenjve 13:17) Nëse shërben si plak, Jehovai të ka dhënë një mundësi të mrekullueshme për të provuar se je një dhuratë ose një bekim për vëllezërit e tu. Këtë mund ta bësh duke përmbushur katër përgjegjësi të rëndësishme.
Kur ekziston një nevojë për «ndreqje»
8. Në ç’mënyrë të gjithë kemi nevojë të ndreqemi kohë pas kohe?
8 Së pari, Pavli thotë se këto «dhurata në njerëz» janë siguruar «për ndreqjen e të shenjtëve». (Efesianëve 4:12, BR) Emri grek që është përkthyer «ndreqje» i referohet vënies së diçkaje «në rregull». Si njerëz të papërsosur, të gjithë ne kemi nevojë për t’u ndrequr kohë pas kohe, për t’i vënë mendimet, qëndrimet ose sjelljen tonë «në rregull» me mendimet dhe vullnetin e Perëndisë. Me dashuri Jehovai ka siguruar «dhurata në njerëz» që të na ndihmojnë për të bërë ndreqjet e duhura. Si e bëjnë ata këtë?
9. Si mund të ndihmojë një plak për të ndrequr një dele që ka gabuar?
9 Nganjëherë, një plaku mund t’i kërkohet të ndihmojë një dele që ka gabuar e që ndoshta ka ‘bërë ndonjë hap të gabuar, përpara se të jetë i vetëdijshëm për këtë’. Si mund të ndihmojë një plak? «Përpiquni ta ndreqni këtë njeri me një frymë butësie»,—thotë Galatasve 6:1, BR. Prandaj, kur ofron këshilla, një plak nuk do ta qortojë me fjalë të ashpra atë që ka gabuar. Këshillat duhet të inkurajojnë, jo ta ‘tmerrojnë’ atë që i merr. (2. Korintasve 10:9, BR; krahaso Jobin 33:7.) Individi tashmë mund të ndihet i turpëruar, kështu që një bari i dashur nuk do ta dërrmojë frymën e këtij personi. Kur këshilla, madje edhe qortimi i fortë duket qartë se motivohet dhe jepet me dashuri, ka të ngjarë që ajo t’i vërë përsëri në rregull mendimet ose sjelljen e atij që ka gabuar, duke e rivendosur atë.—2. Timoteut 4:2.
10. Çfarë përfshin të ndreqësh të tjerët?
10 Kur siguroi «dhurata në njerëz» për ndreqjen tonë, Jehovai kishte ndër mend që pleqtë të ishin freskues frymësisht dhe të denjë për t’u imituar nga populli i tij. (1. Korintasve 16:17, 18; Filipianëve 3:17) Të ndreqësh të tjerët nuk përfshin vetëm të korrigjosh ata që marrin një drejtim të gabuar, por edhe të ndihmosh besnikët që të mbahen fort pas drejtimit të duhur.a Sot, me kaq shumë probleme që kanë prirjen të shkurajojnë, shumë veta kanë nevojë për inkurajim që të vazhdojnë në rrugën e tyre. Disa mund të kenë nevojë për t’u ndihmuar me butësi që ta vënë mënyrën e tyre të të menduarit në përputhje me atë të Perëndisë. Për shembull, disa të krishterë besnikë luftojnë me veten e tyre, sepse ndihen të pavlefshëm ose nuk ndihen në lartësinë e duhur. Këta «shpirtëra të dëshpëruar» mund të mendojnë se Jehovai nuk mund t’i dojë kurrë dhe se nuk do të pranonte asnjëherë edhe përpjekjet e tyre më të mira për t’i shërbyer atij. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:14, BR) Por kjo mënyrë të menduari nuk është në përputhje me mënyrën se si ndihet vërtet Perëndia për adhuruesit e tij.
11. Çfarë mund të bëjnë pleqtë për të ndihmuar ata që luftojnë me ndjenjat e pavlefshmërisë?
11 Pleq, çfarë mund të bëni ju për të ndihmuar këta persona? Me dashamirësi jepuni atyre prova biblike se Jehovai kujdeset për secilin prej shërbëtorëve të tij dhe sigurojini se këto shkrime biblike gjejnë zbatim tek ata personalisht. (Luka 12:6, 7, 24) Ndihmojini të kuptojnë se Jehovai i ka ‘tërhequr’ që t’i shërbejnë atij, kështu që patjetër ai sheh cilësi me vlerë tek ata. (Gjoni 6:44) Sigurojini ata se nuk janë vetëm, pasi shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait kanë pasur ndjenja të ngjashme. Një herë profeti Elija ishte kaq i dëshpëruar, saqë donte të vdiste. (1. Mbretërve 19:1-4) Disa të krishterë të mirosur në shekullin e parë ndiheshin ‘të dënuar’ nga zemrat e tyre. (1. Gjonit 3:20) Gjejmë ngushëllim duke ditur se njerëzit besnikë në kohët biblike kishin «ndjenja si tonat». (Jakovit 5:17, BR) Gjithashtu, me personat e shkurajuar mund të rishikoni artikuj inkurajues në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Përpjekjet tuaja të dashura për t’u rikthyer sigurinë këtyre personave nuk do të lihen pa u vënë re nga Perëndia që ju ka dhënë si «dhurata në njerëz».—Hebrenjve 6:10.
«Ndërtimi» i kopesë
12. Çfarë tregohet me shprehjen «ndërtimin e trupit të Krishtit» dhe cili është çelësi për ndërtimin e kopesë?
12 Së dyti, «dhuratat në njerëz» janë dhënë për «ndërtimin e trupit të Krishtit». (Efesianëve 4:12) Këtu, Pavli përdor një gjuhë të figurshme. «Ndërtimi» të sjell ndër mend ngritjen e një ndërtese dhe «trupi i Krishtit» u referohet njerëzve, anëtarëve të kongregacionit të krishterë të mirosur. (1. Korintasve 12:27; Efesianëve 5:23, 29, 30) Pleqtë duhet t’i ndihmojnë vëllezërit e tyre që të bëhen të fortë frymësisht. Qëllimi i tyre është që të ‘ndërtojnë, jo të shkatërrojnë’ kopenë. (2. Korintasve 10:8) Çelësi për ndërtimin e kopesë është dashuria, sepse «dashuria ndërton».—1. Korintasve 8:1.
13. Çfarë do të thotë të kesh empati dhe përse është e rëndësishme që pleqtë të tregojnë empati?
13 Një aspekt i dashurisë që i ndihmon pleqtë për të ndërtuar kopenë është empatia. Të kesh empati do të thotë të ndihesh njësoj si të tjerët, të njëjtësohesh me mendimet dhe ndjenjat e tyre, duke pasur parasysh kufizimet e tyre. (1. Pjetrit 3:8) Pse është e rëndësishme që pleqtë të kenë empati? Mbi të gjitha, është e rëndësishme sepse Jehovai, ai që jep ‘dhuratat në njerëz’, është një Perëndi me empati. Kur shërbëtorët e tij vuajnë ose kanë dhembje, ai ndihet njësoj si ata. (Eksodi [Dalja] 3:7; Isaia 63:9) Ai i mban parasysh kufizimet e tyre. (Psalmi 103:14) Pra, si mund të tregojnë pleqtë empati?
14. Në ç’mënyrë mund të tregojnë pleqtë empati ndaj të tjerëve?
14 Kur një person i shkurajuar u drejtohet për ndihmë, ata e dëgjojnë, duke kuptuar ndjenjat e tij. Përpiqen të kuptojnë prejardhjen, personalitetin dhe rrethanat e vëllezërve të tyre. Më pas, kur pleqtë të japin ndihmë biblike ndërtuese, delet do ta kenë të lehtë ta pranojnë, sepse kjo ndihmë vjen nga barinj që i kuptojnë dhe kujdesen me të vërtetë për to. (Fjalët e urta [Proverbat] 16:23) Gjithashtu, empatia i shtyn pleqtë që të marrin parasysh kufizimet e të tjerëve dhe ndjenjat që mund të vijnë si pasojë e këtyre kufizimeve. Për shembull, disa të krishterë të ndërgjegjshëm mund të ndihen fajtorë, sepse nuk kanë mundësi të bëjnë më shumë në shërbimin ndaj Perëndisë, ndoshta për shkak të moshës së thyer ose të shëndetit të dobët. Nga ana tjetër, disa mund të kenë nevojë për inkurajim që të përmirësojnë shërbimin e tyre. (Hebrenjve 5:12; 6:1) Empatia do t’i nxitë pleqtë që të gjejnë «fjalë të këndshme», të cilat i ndërtojnë të tjerët. (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:10) Kur delet e Jehovait ndërtohen dhe motivohen, dashuria e tyre për Perëndinë do t’i nxitë që të bëjnë gjithçka munden në shërbimin ndaj tij!
Burra që nxitin unitetin
15. Çfarë domethënieje ka shprehja «unitet në besim»?
15 Së treti, «dhuratat në njerëz» janë siguruar me qëllim që «të gjithë ne të arrijmë në unitetin në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë». (Efesianëve 4:13, BR) Fraza «unitet në besim» do të thotë, jo vetëm unitet bindjesh, por edhe unitet besimtarësh. Pra, kjo është edhe një arsye tjetër se përse na ka dhënë Perëndia «dhurata në njerëz»: për të nxitur unitetin mes popullit të tij. Si e bëjnë ata këtë?
16. Pse është e rëndësishme që pleqtë të mbajnë unitetin mes njëri-tjetrit?
16 Si fillim, ata duhet të mbajnë unitetin mes njëri-tjetrit. Nëse barinjtë janë të ndarë, delet mund të vuajnë nga lënia pas dore. Mbledhjet e zgjatura dhe debatet mbi çështje dytësore mund të hanë kohë të çmuar që mund të përdorej për të kullotur kopenë. (1. Timoteut 2:8) Pleqtë mund të mos jenë dakord menjëherë mbi çdo çështje që trajtojnë, sepse janë burra me personalitete që mund të ndryshojnë shumë. Uniteti nuk i pengon ata që të kenë opinione të ndryshme ose edhe t’i shprehin ato në mënyrë të ekuilibruar gjatë një diskutimi me mendje të hapur. Pleqtë e ruajnë unitetin e tyre duke e dëgjuar me respekt njëri-tjetrin pa paragjykime. E për sa kohë që nuk po dhunohet ndonjë parim biblik, secili duhet të jetë i gatshëm të bëjë lëshime dhe të mbështetë vendimin përfundimtar të trupit të pleqve. Shfaqja e një fryme elastike tregon se ata udhëhiqen nga «mençuria nga lart», e cila është «paqësore, e arsyeshme».—Jakovit 3:17, 18, BR.
17. Si mund të ndihmojnë pleqtë për të ruajtur unitetin në kongregacion?
17 Pleqtë janë, gjithashtu, të shpejtë për të nxitur unitetin në kongregacion. Kur ndikimet përçarëse, siç janë thashethemet e dëmshme, tendenca për të akuzuar për motive të këqija ose një frymë ngatërrestare, kërcënojnë paqen, ata me gatishmëri ofrojnë këshilla të dobishme. (Filipianëve 2:2, 3) Për shembull, pleqtë mund të jenë në dijeni se disa individë janë tepër kritikë ose janë të prirur për t’u përzier në çështjet e të tjerëve, duke futur hundët në punët e tyre. (1. Timoteut 5:13; 1. Pjetrit 4:15) Pleqtë do të përpiqen t’i ndihmojnë këta persona që të kuptojnë se ky drejtim është në kundërshtim me atë që kemi mësuar nga Perëndia dhe se secili duhet të «mbajë peshën e vet». (Galatasve 6:5, 7, BR; 1. Selanikasve 4:9-12) Duke përdorur Shkrimet, ata do të shpjegojnë se Jehovai shumë gjëra ia lë ndërgjegjes sonë individuale dhe asnjëri prej nesh nuk duhet të gjykojë të tjerët për këto gjëra. (Mateu 7:1, 2; Jakovit 4:10-12) Që të shërbejmë së bashku në unitet, në kongregacion duhet të ekzistojë një atmosferë besimi dhe respekti. Duke dhënë këshilla biblike atëherë kur nevojiten, ‘dhuratat në njerëz’ na ndihmojnë për të ruajtur paqen dhe unitetin tonë.—Romakëve 14:19.
Mbrojnë kopenë
18, 19. (a) Prej kujt na mbrojnë ‘dhuratat në njerëz’? (b) Nga cili rrezik tjetër duhen mbrojtur delet dhe si veprojnë pleqtë për t’i mbrojtur ato?
18 Së katërti, Jehovai siguron «dhurata në njerëz» që të na mbrojnë, me qëllim që të mos ndikohemi «nga çdo erë mësimi me anë të dredhisë së njerëzve, me anë të dinakërisë në kurdisjen e gabimit». (Efesianëve 4:14, BR) Fjala origjinale për «dredhi» thuhet se nënkupton «mashtrimin në lojën me zare» ose «zotësi në manipulimin e zareve». A nuk na kujton kjo gjë mënyrën se si veprojnë apostatët dinakë? Duke përdorur argumente mashtruese, ata i keqpërdorin Shkrimet në përpjekje për t’i larguar të krishterët e vërtetë nga besimi i tyre. Pleqtë duhet të jenë vigjilentë ndaj këtyre ‘ujqërve grabitqarë’.—Veprat 20:29, 30.
19 Delet e Jehovait duhen mbrojtur edhe nga rreziqe të tjera. Bariu i lashtë David e mbrojti sypatrembur kopenë e të atit nga grabitqarët. (1. Samuelit 17:34-36) Edhe sot mund të dalin raste kur barinjtë e kujdesshëm të krishterë duhet të tregojnë guxim për ta mbrojtur kopenë nga kushdo që mund të keqtrajtojë ose të shtypë delet e Jehovait, e në veçanti ato më të dobëtat. Pleqtë do të jenë të shpejtë për të larguar nga kongregacioni mëkatarët e vullnetshëm, të cilët i përdorin qëllimisht dredhitë, mashtrimin dhe intrigat, për të futur në kongregacion ligësinë.b—1. Korintasve 5:9-13; krahaso Psalmin 101:7.
20. Pse mund të ndihemi të sigurt nën kujdesin e ‘dhuratave në njerëz’?
20 Sa mirënjohës jemi për këto «dhurata në njerëz»! Nën kujdesin e tyre të dashur ne mund të ndihemi të sigurt, pasi ata na ndreqin me butësi, na ndërtojnë me dashuri, e ruajnë me gatishmëri unitetin tonë dhe na mbrojnë me guxim. Por, si duhet ta konsiderojnë ‘dhuratat në njerëz’ rolin që kanë në kongregacion? Gjithashtu, si mund ta tregojmë ne se i çmojmë ata? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Në versionin grek të Septuagintës, po kjo folje që përkthehet «ndreq» u përdor në Psalmin 17[16]:5, ku Davidi besnik u lut që hapat e tij të mbaheshin fort pas shtigjeve të Jehovait.
b Për shembull, shiko artikullin «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 15 nëntor 1979, anglisht, faqe 31-32 dhe artikullin «Të ndiejmë neveri për të ligën» në numrin e 1 janarit 1997, faqe 26-29.
A të kujtohet?
◻ Cilët janë ‘dhuratat në njerëz’ dhe pse Perëndia, nëpërmjet Krishtit, ia ka dhënë ato kongregacionit?
◻ Si e përmbushin pleqtë përgjegjësinë e tyre për të ndrequr kopenë?
◻ Çfarë mund të bëjnë pleqtë për të ndërtuar bashkëbesimtarët e tyre?
◻ Si mund ta ruajnë pleqtë unitetin e kongregacionit?
[Figura në faqen 10]
Empatia i ndihmon pleqtë që të inkurajojnë të shkurajuarit
[Figura në faqen 10]
Uniteti mes pleqve nxit unitetin në kongregacion