-
Përmbys çdo arsyetim që është kundër njohurisë së Perëndisë!Kulla e Rojës (Për studim)—2019 | Qershor
-
-
RINO PRIRJEN MENDORE
7. Si mund ta ndryshojmë atë që jemi përbrenda?
7 A është e mundur të ndryshojmë prirjet e ngulitura fort ose atë që jemi përbrenda? Fjala e Perëndisë thotë: «[Vazhdoni] të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj [në prirjen tuaj mendore] dhe të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efes. 4:23, 24) Pra, është e mundur të ndryshojmë atë që jemi përbrenda, por nuk është e lehtë. Nuk mjafton t’i ndrydhim dëshirat dhe të mos bëjmë më gjëra të gabuara. Duhet të ndryshojmë ‘prirjen mendore’. Kjo përfshin të ndryshojmë dëshirat, prirjet dhe motivet tona. Për këtë duhen përpjekje të vazhdueshme.
8-9. Si e thekson përvoja e një vëllai se kemi nevojë të ndryshojmë përbrenda?
8 Të shohim rastin e një vëllai që në të kaluarën ishte i dhunshëm. Pasi hoqi dorë nga pija dhe nga sherret, u kualifikua për t’u pagëzuar, dhe kështu dha një dëshmi të shkëlqyer në komunitetin e vogël ku jetonte. Por një mbrëmje, pak kohë pas pagëzimit, hasi një sprovë të papritur. Një i dehur i shkoi në shtëpi dhe e sfidoi të ziheshin. Në fillim vëllai i rezistoi impulsit për t’u zënë. Por pastaj, kur burri shau emrin e Jehovait, vëllai ynë i sapopagëzuar nuk u përmbajt dot më. Doli dhe e rrahu. Ku qëndronte problemi? Edhe pse studimi i Biblës e kishte ndihmuar t’i rezistonte dëshirës për të përdorur dhunën, ende s’kishte arritur të ndryshonte prirjen e tij mendore. Me fjalë të tjera, nuk kishte ndryshuar vërtet përbrenda.
9 Megjithatë, vëllai nuk u dorëzua. (Prov. 24:16) Me ndihmën e pleqve, vazhdoi të bënte goxha përparim. Me kohë, u kualifikua të shërbente si plak. Një mbrëmje, jashtë Sallës së Mbretërisë, u përball me një sfidë të ngjashme me atë që kishte hasur vite më parë. Një i dehur ishte gati të rrihte një nga pleqtë e tjerë. Çfarë bëri vëllai ynë? Me qetësi e përulësi arsyetoi me të dehurin, zbuti tensionin dhe e ndihmoi të kthehej në shtëpi atë burrë që i merreshin këmbët. Çfarë kishte ndodhur? Vëllai ynë kishte ndryshuar prirjen mendore. Thellë brenda vetes ishte transformuar në një njeri paqebërës e të përulur—dhe kjo i dha lavdi Jehovait.
10. Ç’duhet të bëjmë që të ndryshojmë thellë përbrenda?
10 Këto ndryshime nuk ndodhin sa hap e mbyll sytë dhe as vetvetiu. Mund të jetë e nevojshme të bëjmë «përpjekje të zellshme» për vite të tëra. (2 Pjet. 1:5) Ndryshimet nuk ndodhin thjesht ngaqë jemi «në të vërtetën» për një periudhë të gjatë. Duhet të bëjmë çmos të ndryshojmë atë që jemi përbrenda. Ka një sërë hapash të rëndësishëm që na ndihmojnë t’i bëjmë këto ndryshime. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.
SI TA NDRYSHOSH PRIRJEN MENDORE
11. Si na ndihmon lutja të ndryshojmë prirjen mendore?
11 Lutja është hapi i parë i rëndësishëm. Kemi nevojë të lutemi si psalmisti: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur!» (Psal. 51:10) Duhet të pranojmë se kemi nevojë të ndryshojmë prirjen mendore dhe t’i kërkojmë ndihmë Jehovait. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë të ndryshojmë? Na inkurajon ky premtim që u bëri Jehovai izraelitëve të kohës së Ezekielit të cilëve u ishte ngurtësuar zemra: «Unë do t’ju jap një zemër të vetme dhe do të shtie brenda jush një frymë të re . . . dhe do t’ju jap një zemër të butë [një zemër të ndjeshme ndaj drejtimit të Perëndisë, shën., NWT, botimi 2013].» (Ezek. 11:19) Jehovai ishte i gatshëm t’i ndihmonte ata izraelitë të ndryshonin, dhe është i gatshëm të na ndihmojë edhe ne.
12-13. (a) Sipas Psalmit 119:59, për çfarë duhet të meditojmë? (b) Cilat pyetje duhet t’i bësh vetes?
12 Meditimi është hapi i dytë i rëndësishëm. Teksa lexojmë me kujdes çdo ditë Fjalën e Perëndisë, duhet të lëmë kohë që të meditojmë, pra të mendojmë thellë, për ato mendime dhe ndjenja që duhet t’i ndryshojmë. (Lexo Psalmin 119:59; Hebr. 4:12; Jak. 1:25) Duhet të pikasim çdo prirje që mund të kemi për të anuar nga filozofitë njerëzore. Duhet të pranojmë me ndershmëri cilat janë dobësitë tona, e pastaj të punojmë fort që t’i çrrënjosim.
13 Për shembull, pyet veten: «A ka ndonjë gjurmë zilie ose xhelozie në zemrën time?» (1 Pjet. 2:1) «A ndiej njëfarë krenarie për shkak të prejardhjes, arsimimit ose gjendjes ekonomike?» (Prov. 16:5) «A i shoh si inferiorë ata që nuk kanë të njëjtat gjëra si unë ose që i përkasin një race tjetër?» (Jak. 2:2-4) «A më tërheqin gjërat që ofron bota e Satanait?» (1 Gjon. 2:15-17) «A i kam qejf zbavitjet imorale ose të dhunshme?» (Psal. 97:10; 101:3; Amo. 5:15) Përgjigjet që u jep këtyre pyetjeve personale mund të nxjerrin në pah pika ku duhet të punosh. Duke i mposhtur ato arsyetime që mund të jenë «të fortifikuara mirë» në zemrën tonë, do të kënaqim Atin qiellor.—Psal. 19:14.
14. Pse është jetësore të zgjedhim shoqëri të mirë?
14 Zgjedhja e shoqërisë së mirë është hapi i tretë i nevojshëm. E kuptojmë apo jo, ne ndikohemi jashtë mase nga ata me të cilët shoqërohemi. (Prov. 13:20) Ka shumë të ngjarë që në punë a në shkollë rrethohemi nga njerëz që nuk do të na ndihmojnë të mendojmë në një mënyrë që Perëndia e miraton. Megjithatë, në mbledhjet tona mund të gjejmë miqtë më të shkëlqyer. Atje mund të motivohemi, ose të nxitemi, për «dashuri dhe vepra të shkëlqyera».—Hebr. 10:24, 25.
-