Uniteti i krishterë i jep lavdi Perëndisë
‘Përpiquni me zell që të ruani njëjësinë e frymës.’—EFES. 4:3.
1. Si i sollën lavdi Perëndisë të krishterët e shekullit të parë në Efes?
UNITETI i kongregacionit të krishterë në Efesin e lashtë i jepte lavdi Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Në atë qendër të begatë tregtie, disa vëllezër të krishterë me sa duket ishin pronarë të pasur skllevërish, kurse të tjerë ishin skllevër e ndoshta shumë të varfër. (Efes. 6:5, 9) Disa ishin judenj që mësuan të vërtetën gjatë tre muajve që apostulli Pavël foli në sinagogën e tyre. Të tjerë, më parë adhuronin Artemisën dhe ishin marrë me magji. (Vep. 19:8, 19, 26) Është e qartë se krishterimi i vërtetë tërhoqi njerëz nga prejardhje të ndryshme. Pavli e kuptonte se Jehovai merrte lavdi nga uniteti i kongregacionit. Apostulli shkroi: «[Jehovait] i qoftë lavdia me anë të kongregacionit.»—Efes. 3:21.
2. Çfarë e vuri në rrezik unitetin e të krishterëve në Efes?
2 Megjithatë, uniteti i bekuar i kongregacionit të Efesit ishte në rrezik. Pavli i paralajmëroi pleqtë: «Nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Vep. 20:30) Gjithashtu, disa vëllezër shfaqnin ende frymën përçarëse që, siç paralajmëroi Pavli, «vepron në bijtë e mosbindjes».—Efes. 2:2; 4:22.
Një letër që vë theksin tek uniteti
3, 4. Si e vë theksin tek uniteti letra e Pavlit drejtuar efesianëve?
3 Pavli e kuptonte se, që të krishterët të vazhdojnë të bashkëveprojnë në harmoni, secili duhet të bëjë një përpjekje të zellshme për të nxitur unitetin. Perëndia e frymëzoi Pavlin t’u shkruante efesianëve një letër që kishte si temë unitetin. Për shembull, Pavli shkroi rreth qëllimit të Perëndisë ‘për të mbledhur përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat’. (Efes. 1:10) Gjithashtu, ai i krahasoi të krishterët e mirosur me gurët e ndryshëm të një ndërtese. «E gjithë ndërtesa, e lidhur së bashku në mënyrë të harmonishme, rritet që të bëhet një tempull i shenjtë për Jehovain.» (Efes. 2:20, 21) Po ashtu, Pavli theksoi unitetin e të krishterëve judenj e jojudenj dhe u kujtoi vëllezërve se të gjithë kishin origjinë të përbashkët. Ai e quajti Jehovain ‘Ati, nga i cili merr emër çdo familje në qiell dhe në tokë’.—Efes. 3:5, 6, 14, 15.
4 Teksa shqyrtojmë kapitullin 4 të Efesianëve, do të shohim pse uniteti kërkon përpjekje, si na ndihmon Jehovai të jemi në unitet dhe cilat qëndrime do të na ndihmojnë të qëndrojmë në unitet. Lexojeni tërë kapitullin që të nxirrni edhe më shumë dobi nga studimi.
Pse njëjësia kërkon përpjekje të zellshme?
5. Pse engjëjt e Perëndisë mund të shërbejnë në unitet, por përse uniteti mund të jetë më sfidues për ne?
5 Pavli iu përgjërua vëllezërve efesianë që ‘të përpiqeshin të ruanin njëjësinë e frymës’. (Efes. 4:3) Për të kuptuar pse nevojiten përpjekje në këtë drejtim, shqyrtoni rastin e engjëjve të Perëndisë. Në tokë nuk ka dy gjallesa që të jenë krejtësisht të njëjta, prandaj në mënyrë të arsyeshme mund të nxjerrim përfundimin se Jehovai e ka bekuar secilin prej miliona engjëjve me veçori unike. (Dan. 7:10) Gjithsesi, ata mund t’i shërbejnë Jehovait në unitet, sepse të gjithë e dëgjojnë dhe bëjnë vullnetin e tij. (Lexo Psalmin 103:20, 21.) Mirëpo, ndërkohë që engjëjt besnikë kanë cilësi të ndryshme, të krishterët kanë edhe të meta të ndryshme. Kjo mund ta bëjë më sfidues unitetin.
6. Cilat qëndrime do të na ndihmojnë të bashkëpunojmë me gëzim me vëllezërit që kanë të meta të ndryshme nga tonat?
6 Kur njerëzit e papërsosur përpiqen të bashkëpunojnë, fare lehtë mund të lindin vështirësi. Për shembull, ç’të themi nëse një vëlla me natyrë të butë që shpesh vjen me vonesë, i shërben Jehovait bashkë me një vëlla që është i përpiktë, por nxehet shpejt? Secili mund të mendojë se në sjelljen e tjetrit ka mangësi, por ndoshta harron që edhe disa aspekte të sjelljes së vet janë po aq të papërshtatshme. Si mund të shërbejnë së bashku në harmoni këta dy vëllezër? Vini re se si do t’i ndihmonin qëndrimet që rekomandoi Pavli në fjalët vijuese. Pastaj të mendojmë se si mund të nxitim unitetin duke kultivuar këto qëndrime. Pavli shkroi: «Ju përgjërohem që të ecni denjësisht për thirrjen tuaj, me përulësi të plotë mendjeje, me butësi dhe me shpirtgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin me dashuri dhe duke u përpjekur me zell që të ruani njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes.»—Efes. 4:1-3.
7. Pse është jetësore të punojmë për të qenë në unitet me të krishterët e tjerë të papërsosur?
7 Është jetësore që të mësojmë t’i shërbejmë Perëndisë në unitet me individët e tjerë të papërsosur, sepse ka vetëm një trup adhuruesish të vërtetë. «Ka një trup të vetëm dhe një frymë të vetme, ashtu siç u thirrët edhe në një shpresë të vetme. Ka një Zotëri të vetëm, një besim të vetëm, një pagëzim të vetëm, një Perëndi të vetëm e Atë të të gjithë njerëzve.» (Efes. 4:4-6) Fryma dhe bekimet e Jehovait janë të lidhura me të vetmen vëllazëri që po përdor ai. Edhe sikur dikush në kongregacion të na mërziste, ku tjetër mund të shkojmë? Askund tjetër nuk mund të dëgjojmë fjalë jete të përhershme.—Gjoni 6:68.
‘Dhuratat në njerëz’ nxitin unitetin
8. Çfarë përdor Krishti për të na ndihmuar që të forcohemi kundër ndikimeve përçarëse?
8 Pavli përdori një praktikë të zakonshme mes ushtarëve të kohëve të lashta për të ilustruar se si Jezui ka siguruar «dhurata në njerëz» që ta ndihmojnë kongregacionin të jetë në unitet. Një ushtar fitimtar mund të sillte në shtëpi një të huaj të zënë rob që të shërbente si skllav, duke e ndihmuar gruan në punët e përditshme. (Psal. 68:1, 12, 18) Po kështu, falë fitores së tij mbi botën, Jezui siguroi shumë skllevër të zellshëm. (Lexo Efesianëve 4:7, 8.) Si i përdori këta robër të figurshëm? «Ai i dha disa si apostuj, disa si profetë, disa si ungjillëzues, disa si barinj e mësues, për ndreqjen e të shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të gjithë ne të arrijmë njëjësinë në besim.»—Efes. 4:11-13.
9. (a) Si na ndihmojnë ‘dhuratat në njerëz’ që të ruajmë unitetin? (b) Pse çdo pjesëtar i kongregacionit duhet të bëjë pjesën e tij për unitetin?
9 Si barinj të dashur, këto «dhurata në njerëz» ndihmojnë për të ruajtur unitetin. Për shembull, nëse një plak kongregacioni vëren dy vëllezër ‘që ngjallin konkurrencë me njëri-tjetrin’, ai mund të kontribuojë fuqimisht për unitetin e kongregacionit duke ofruar këshilla veçmas ‘për t’i ndrequr me një frymë butësie’. (Gal. 5:26–6:1) Si mësues, këto «dhurata në njerëz» na ndihmojnë të ndërtojmë besim të fortë që bazohet te mësimet biblike. Në këtë mënyrë, ata nxitin unitetin dhe na ndihmojnë të përparojmë drejt pjekurisë së krishterë. Pavli shkroi se kjo ka si qëllim «që të mos jemi më fëmijë, të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi, nga dredhia e njerëzve, nga dinakëria në sajimin e mashtrimeve». (Efes. 4:13, 14) Çdo i krishterë duhet të bëjë pjesën e tij për unitetin e vëllazërisë, ashtu si çdo gjymtyrë e trupit i ndërton të tjerat duke i ndihmuar të marrin atë që u nevojitet.—Lexo Efesianëve 4:15, 16.
Të kultivojmë qëndrime të reja
10. Si mund ta kërcënojë unitetin sjellja imorale?
10 A e vutë re se kapitulli i 4-t i letrës së Pavlit drejtuar efesianëve tregon se çelësi për të arritur unitetin si të krishterë të pjekur është të tregojmë dashuri? Më pas, aty tregohet se çfarë përfshin dashuria. Pikësëpari, nëse ndjekim udhën e dashurisë, nuk do kryejmë kurvëri ose nuk do të kemi sjellje të shthurur. Pavli u bëri thirrje vëllezërve që ‘të mos vazhdonin më të ecnin ashtu siç ecin kombet’. Njerëzit e kombeve nuk kishin «më asnjë ndjesi morale» dhe «u dhanë pas sjelljes së shthurur». (Efes. 4:17-19) Bota imorale ku jetojmë, kërcënon unitetin tonë. Njerëzit bëjnë shaka në lidhje me kurvërinë, këndojnë për të, e shohin për zbavitje dhe kryejnë kurvëri qoftë fshehurazi, qoftë hapur. Megjithatë, edhe flirtimi, që mund të përfshijë të sillesh sikur të tërheq seksualisht dikush me të cilin nuk ke ndër mend të martohesh, mund të të largojë nga Jehovai dhe nga kongregacioni. Pse? Sepse fare lehtë çon në kurvëri. Gjithashtu, flirtimi që e shtyn një të martuar të kryejë kurorëshkelje, mund t’i ndajë mizorisht fëmijët nga prindërit dhe bashkëshortët nga njëri-tjetri. Po, flirtimi është vërtet përçarës! Ja pse Pavli shkroi: «Ju nuk keni mësuar që Krishti është i tillë.»—Efes. 4:20, 21.
11. Çfarë ndryshimi nxit Bibla që të bëjnë të krishterët?
11 Pavli theksoi se duhet të hedhim poshtë mendimet përçarëse dhe në vend të tyre të kultivojmë qëndrime që na ndihmojnë të jetojmë në harmoni me të tjerët. Ai tha: «Flakni tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj dhe që është korruptuar sipas dëshirave të tij mashtruese, të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj dhe të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efes. 4:22-24) Si mund ‘të rinohemi në forcën që vë në veprim mendjen tonë’? Nëse meditojmë me mirënjohje për atë që mësojnë nga Fjala e Perëndisë dhe nga shembulli i shkëlqyer i të krishterëve të pjekur, me përpjekje mund të fitojmë personalitetin e ri ‘të krijuar sipas vullnetit të Perëndisë’.
Të kultivojmë mënyra të reja të të folurit
12. Pse kur themi të vërtetën nxitim unitetin dhe pse disa e kanë të vështirë të thonë të vërtetën?
12 Për ata që janë të lidhur me njëri-tjetrin si pjesë e një familjeje ose kongregacioni, është jetësore të thonë të vërtetën. Të folurit e çiltër, e hapur dhe mirëdashës mund t’i afrojë njerëzit. (Gjoni 15:15) Por, po sikur dikush të gënjejë vëllanë e tij? Kur vëllai ta marrë vesh, lidhja e besimit mes tyre do të dobësohet. Mund ta kuptoni pse Pavli shkroi: «Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij, sepse ne jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit.» (Efes. 4:25) Dikush që e ka zakon të gënjejë, pasi ndoshta e ka bërë këtë që fëmijë, mund ta ketë të vështirë të nisë të thotë të vërtetën. Por Jehovai do t’i vlerësojë përpjekjet e tij për të ndryshuar dhe do ta ndihmojë.
13. Çfarë përfshin të heqim sharjen?
13 Jehovai na mëson të nxitim respektin dhe unitetin në kongregacion e në familje. E bëjmë këtë duke i vënë kufij të prerë mënyrës si flasim. «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur . . . Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.» (Efes. 4:29, 31) Një mënyrë për të shmangur të folurit fyes është të kultivojmë një qëndrim më me respekt ndaj të tjerëve. Për shembull, një burrë që e shan gruan duhet të përpiqet të ndryshojë qëndrim ndaj saj, sidomos kur mëson se si Jehovai i nderon gratë. Madje Perëndia i miros disa gra me frymë të shenjtë, duke u dhënë perspektivën që të sundojnë si mbretër me Krishtin. (Gal. 3:28; 1 Pjet. 3:7) Po kështu, një grua që e ka zakon t’i bërtasë burrit duhet të nxitet të ndryshojë kur mëson se si Jezui e frenonte veten kur e provokonin.—1 Pjet. 2:21-23.
14. Pse shprehja e zemërimit është e rrezikshme?
14 I lidhur ngushtë me sharjen është edhe moskontrollimi i zemërimit. Edhe kjo gjë mund t’i ndajë njerëzit që i përkasin njëri-tjetrit. Zemërimi është si zjarri. Fare lehtë mund të dalë jashtë kontrollit dhe të sjellë një katastrofë. (Prov. 29:22) Dikush që është i justifikuar të shprehë pakënaqësinë e vet, duhet ta kontrollojë me kujdes zemërimin që të mos dëmtojë marrëdhënie të çmuara. Të krishterët duhet të përpiqen të falin, pa mbajtur mëri dhe pa folur përsëri për një problem të diskutuar. (Psal. 37:8; 103:8, 9; Prov. 17:9) Pavli i këshilloi efesianët: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efes. 4:26, 27) Moskontrollimi i zemërimit do t’i jepte Djallit një mundësi për të mbjellë përçarje e madje konflikte në kongregacion.
15. Çfarë ndikimi mund të ketë nëse marrim diçka që nuk na përket?
15 Kur tregojmë respekt për pronën e të tjerëve, i kontribuojmë unitetit në kongregacion. Në Bibël lexojmë: «Vjedhësi të mos vjedhë më.» (Efes. 4:28) Mes popullit të Jehovait është zhvilluar një ndjenjë e përgjithshme mirëbesimi. Nëse një i krishterë do ta shpërdoronte besimin duke marrë diçka që nuk i përket, do të dëmtonte këtë unitet të lumtur.
Dashuria për Perëndinë na bashkon
16. Si mund të përdorim të folurit ndërtues për të forcuar unitetin?
16 Uniteti i kongregacionit të krishterë vjen sepse të gjithë nxitemi nga dashuria për Perëndinë që t’i trajtojmë të tjerët me dashuri. Mirënjohja për mirëdashjen e Jehovait na nxit të bëjmë përpjekje të zellshme për të zbatuar këtë këshillë: «[Thoni] vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë. . . . Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.» (Efes. 4:29, 32) Jehovai i fal me mirëdashje njerëzit e papërsosur si ne. A nuk duhet t’i falim po njësoj edhe të tjerët kur shohim papërsosmëritë e tyre?
17. Pse duhet të përpiqemi me zell të nxitim unitetin?
17 Uniteti i popullit të Perëndisë i jep Atij lavdi. Fryma e tij na shtyn në mënyra të ndryshme që të nxitim unitetin. Sigurisht, nuk do të donim t’i kundërviheshim drejtimit të frymës. Pavli shkroi: «Mos e hidhëroni frymën e shenjtë të Perëndisë.» (Efes. 4:30) Uniteti është një thesar që ia vlen ta mbrojmë. Ai u sjell gëzim të gjithë atyre që janë të bashkuar në këtë mënyrë dhe lëvdon Jehovain. «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri.»—Efes. 5:1, 2.
Si do të përgjigjeshit?
• Cilat qëndrime nxitin unitetin mes të krishterëve?
• Si mund të nxitë unitetin në kongregacion sjellja jonë?
• Në ç’mënyrë të folurit mund të na ndihmojë të bashkëpunojmë me të tjerët?
[Figura në faqen 17]
Njerëz nga prejardhje të ndryshme janë në unitet
[Figura në faqen 18]
A i kupton rreziqet e flirtimit?