Jetoni në lartësinë e betimit tuaj martesor!
DITA e dasmës është një ditë e gëzuar. Është, gjithashtu, edhe një rast mjaft serioz. Nusja dhe dhëndri bëjnë një premtim solemn, i cili do të ndikojë mbi pjesën tjetër të jetës së tyre. Të pranishmit, që gjenden si të ftuar në dasëm, janë dëshmitarë të këtij premtimi solemn, por Perëndia Jehova është Dëshmitari kryesor.
Bibla nuk kërkon procedura të veçanta apo ndonjë lloj të veçantë ceremonie martesore. Megjithatë, duke pranuar faktin e origjinës së saj hyjnore, zakonisht martesa solemnizohet nëpërmjet përdorimit të betimeve martesore gjatë një ceremonie fetare. Për disa vite, Dëshmitarët e Jehovait po përdorin këtë betim martesor: «Unë . . . të marr ty . . . , që të jesh (gruaja/burri) ime/im në martesë, të të dua dhe të të çmoj (nusja: dhe të të respektoj thellësisht), në përputhje me ligjin hyjnor, ashtu siç gjendet në Shkrimet e Shenjta për (gratë/burrat) e krishtere/ë, për aq kohë sa të jetojmë të dy së bashku mbi tokë, sipas rregullit të Perëndisë për martesën.»a
Diçka që duhet menduar
Nëse po mendon për martesën, do të ishte shumë e vlefshme të mendoje mbi rëndësinë dhe domethënien e këtij betimi përpara ditës së dasmës. Solomoni tha: «Mos u nxito me gojën tënde dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë.» (Eklisiastiu 5:2) Po sikur të jesh tashmë i martuar? Atëherë mund të përfitosh nga meditimi mbi rëndësinë e premtimit solemn që ke bërë para Jehovait. A po jeton në lartësinë e tij? Të krishterët i marrin seriozisht premtimet e bëra. Solomoni vazhdonte: «Plotëso zotimin që ke marrë. Më mirë të mos marrësh zotime, sesa t’i bësh dhe të mos i plotësosh. Mos lejo që goja jote ta çojë trupin tënd të mëkatojë dhe mos thuaj para lajmëtarit të Perëndisë: ‘Ka qenë gabim.’»—Eklisiastiu 5:4-6.
Një shqyrtim frazë për frazë i betimit martesor, do të pasurojë pa dyshim domethënien tuaj për këtë premtim solemn.
«Unë . . . të marr ty»: Këto janë fjalët e para të betimit. Ato nënvizojnë se ju merrni personalisht përgjegjësinë për vendimin tuaj për t’u martuar.
Në rregullin e krishterë nuk ka ndonjë detyrim biblik për t’u martuar. Vetë Jezu Krishti mbeti i pamartuar dhe rekomandoi beqarinë për ata ‘që mund t’i kuptojnë këto fjalë’. (Mateu 19:10-12) Nga ana tjetër, shumica e apostujve të Jezuit ishin burra të martuar. (Luka 4:38; 1. Korintasve 9:5) Është e qartë se vendimi për t’u martuar është diçka personale. Asnjë njeri nuk ka autoritet biblik që ta detyrojë një tjetër për t’u martuar.
Prandaj, ju jeni përgjegjës që keni zgjedhur të martoheni. Ngjashëm, keni zgjedhur edhe atë me të cilin do të martoheni. Kur bëni betimin e martesës, duke thënë ‘Unë . . . të marr ty’, ju e merrni ose e pranoni atë person me virtytet e tij apo të saj, por edhe me të metat e tij apo të saj.
Ka të ngjarë që me kohë të zbuloni aspekte të papritura të personalitetit të partnerit tuaj. Do të ketë keqkuptime të rastit. Bibla thotë se «të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Prandaj, ndoshta duhet të bëni ca rregullime për t’iu përshtatur bashkëshortit tuaj. Kjo mund të jetë e vështirë dhe disa herë mund të ndiheni të rënë. Por mos harroni, betimi i martesës është bërë në prani të Jehovait. Ai mund t’ju ndihojë të keni sukses.
«Që të jesh (gruaja/burri) ime/im në martesë»: Në martesën e parë fare, kur Eva iu dha me martesë Adamit, Perëndia Jehova tha se ata ‘do të ishin një mish i vetëm’. (Zanafilla 2:24; Mateu 19:4-6) Bashkimi martesor, pra, është marrëdhënia më e ngushtë që mund të ekzistojë mes dy njerëzve. Martesa ju sjell në një afërsi të re. Ju pranoni që dikush të bëhet me martesë «gruaja juaj» apo «burri juaj». Kjo s’ngjan me asnjë marrëdhënie tjetër. Veprime që mund të shkaktojnë dëme të vogla në ndonjë marrëdhënie tjetër, brenda rregullit martesor mund të shkaktojnë lëndime të thella.
Le të marrim, për shembull, këshillën biblike që gjendet në Efesianëve 4:26. Aty Bibla thotë: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.» Ndoshta me të afërmit dhe me miqtë nuk i keni zgjidhur problemet aq shpejt sa keni dashur. Por bashkëshorti është më afër se çdo i afërm apo shok. Duke dështuar në zgjidhjen e shpejtë të çështjeve me bashkëshortin, mund të rrezikoni marrëdhënien e afërt që keni mes jush.
A lejoni që ndonjë keqkuptim mes jush, të zhvillohet në një burim të pashtershëm mërzitjesh ose ngacmimesh? A zgjasin për ditë të tëra keqkuptimet dhe mërzitë? Për të jetuar në lartësinë e betimit tuaj, kur lindin vështirësi, mos lejoni të kalojë një ditë pa bërë paqe me bashkëshortin. Kjo do të thotë të falni e të harroni, si edhe të pranoni gabimet apo të metat tuaja.—Psalmi 51:5; Luka 17:3, 4.
«Të të dua»: Burri betohet se ‘do ta dojë dhe do ta çmojë’ gruan e tij. Kjo përfshin dashurinë romantike, e cila ka të ngjarë t’i ketë bashkuar ata. Por nuk mjafton vetëm kjo. Dashuria, për të cilën një i/e krishterë i betohet bashkëshortit të tij apo të saj, është më e thellë dhe më e gjerë.
Efesianëve 5:25 thotë: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin.» (BR) Dashuria e Krishtit për kongregacionin, sigurisht që s’hynte në të njëjtën kategori me dashurinë romantike midis sekseve. Shprehjet «t’i doni» dhe «deshi», të përdorura në këtë shkrim, vijnë nga fjala a·gaʹpe, e cila i referohet dashurisë që drejtohet nga parimet. Bibla këtu i urdhëron burrat që të tregojnë për gratë e tyre dashuri konstante, të pandryshueshme e të qëndrueshme.
Nuk është thjesht vetëm një emocion i llojit: «Unë të dua, sepse ti më do.» Burri kërkon mirëqenien e gruas së tij, madje edhe përpara së vetës dhe gruaja e do burrin e saj në po këtë mënyrë. (Filipianëve 2:4) Kultivimi i një dashurie të thellë për partnerin tuaj, do t’ju ndihmojë të jetoni në lartësinë e betimit martesor.
«Të të çmoj»: Sipas një fjalori, «çmoj» do të thotë «më është e dashur, ndjej apo shfaq dashuri të përzemërt për diçka a dikë». Dashurinë tuaj mund ta shprehni si me fjalë, ashtu edhe me vepra. Sidomos gruaja ka nevojë të shohë shfaqje të vazhdueshme të dashurisë së burrit. Ndoshta, i shoqi kujdeset mirë për nevojat e saj fizike, por kjo s’mjafton. Ka gra që kanë ushqim me bollëk dhe shtëpi të rehatshme, por që janë të dëshpëruara e pa lumturi, ngaqë shoku i tyre i martesës i ka lënë pas dore apo nuk i përfill.
Nga ana tjetër, një grua që e di se për të kanë dashuri dhe e çmojnë, i ka të gjitha arsyet për të qenë e lumtur. Natyrisht, mund të themi të njëjtën gjë edhe për burrin. Dashuria e vërtetë rritet shumë nga shprehjet e sinqerta të dashurisë. Në Këngën e Solomonit [Kënga e këngëve], bariu i dashuruar u shpreh: «Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!»—Kënga e këngëve 4:10.
«Dhe të të respektoj thellësisht»: Përgjatë shekujve, ka pasur burra që kanë abuzuar me gratë dhe i kanë përbuzur ato. Edhe sot, sipas një reviste, «dhuna kundër grave ndodh në çdo vend dhe në çdo klasë shoqërore dhe ekonomike. Në shumë kultura, rrahja e grave konsiderohet si një e drejtë e burrit». (World Health) Shumica e burrave, ndoshta nuk janë fajtorë për një sjellje të tillë. Gjithsesi, duket se shumë burra nuk arrijnë të tregojnë interes të sinqertë në çështjet që kanë të bëjnë me gratë. Si rrjedhojë, shumë gra kanë zhvilluar një qëndrim negativ kundrejt burrave. Është dëgjuar që disa gra thonë: «Unë e dua tim shoq, por s’mundem ta respektoj!»
Megjithatë, Perëndia Jehova e vlerëson një grua, e cila përpiqet ta respektojë të shoqin edhe nëse ky ndonjëherë nuk tregohet në lartësinë që ajo ka pritur të jetë. Ajo e pranon që burri ka një caktim apo pozitë që ia ka dhënë Perëndia. (1. Korintasve 11:3; Efesianëve 5:23) Prandaj, respekti i thellë për të shoqin është pjesë e adhurimit dhe e bindjes së saj ndaj Jehovait. Perëndia nuk e nënvlerëson bindjen e grave të devotshme.—Efesianëve 5:33; 1. Pjetrit 3:1-6; krahaso Hebrenjve 6:10.
Respekti në martesë duhet të jetë reciprok dhe ai duhet merituar, në vend se vetëm të pritet apo të kërkohet. Për shembull, e folura sarkastike apo fyese nuk ka vend në rregullin martesor. Komentet nënvleftësuese për burrin apo për gruan nuk do ishin tregues të dashurisë e të respektit. Asgjë e mirë nuk vjen nëse u zbuloni të tjerëve të metat e bashkëshortit apo nëse flisni për to në publik. Edhe me gjestet një person mund të tregojë mungesë të madhe respekti në këtë fushë. Fjalët në Efesianëve 4:29, 32, aplikohen për burrat dhe për gratë. Aty Bibla thotë: «Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, . . . jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin.»
«Në përputhje me ligjin hyjnor, ashtu siç gjendet në Shkrimet e Shenjta»: Perëndia dëshiron që ne të gëzojmë liri zgjedhjeje dhe veprimi. Ai nuk na ka rënduar me ndonjë listë sfilitëse me ligje që rregullojnë jetën martesore. Megjithatë, për të mirën tonë ka vendosur disa udhëzime.
Sot ekzistojnë me bollëk lloje të ndryshme materialesh të shtypura për martesën dhe shumë njerëz kanë filozofitë tyre. Por kujdes! Në lidhje me martesën, shumë prej informatave që qarkullojnë janë në kundërshtim me Biblën.
Duhet të pranojmë, gjithashtu, se rrethanat ndryshojnë nga njëri çift te tjetri. Në njëfarë mënyre, çiftet e martuara janë si flokët e dëborës; nga larg mund të duken identike, por në të vërtetë secili është i veçantë, i ndryshëm nga të tjerat. Kombinimi i personaliteteve tuaja nuk kopjohet nga asnjë çift tjetër në botë. Prandaj, mos shpejtoni të pranoni pikëpamjet personale të të tjerëve! S’ka asnjë formulë njerëzore që mund të gjejë zbatim në çdo martesë!
Përkundrazi, të gjitha urdhrat e Biblës janë të vërteta e të zbatueshme. Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.» (2. Timoteut 3:16; Psalmi 119:151) Nëse lexoni Biblën dhe pranoni mësimet e saj si drejtim në jetën tuaj, do të mund të jetoni në lartësinë e betimit tuaj martesor.—Psalmi 119:105.
«Për aq kohë sa të jetojmë të dy së bashku mbi tokë»: Kjo frazë thekson një bashkim afatgjatë. Perëndia urdhëron që «njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij». (Zanafilla 2:24) Jehovai dëshiron që ju të jeni së bashku. Shërbejini Perëndisë së bashku! Studioni së bashku Fjalën e tij! Gjeni kohë të ecni së bashku, të uleni së bashku, të hani së bashku! Gëzoni jetën së bashku!
Disa çifte bëjnë përpjekje që çdo ditë të gjejnë kohë vetëm për të folur me njëri-tjetrin. Edhe pas shumë vitesh martesë, ky bashkim është jetësor për lumturinë martesore.
«Sipas rregullit të Perëndisë për martesën»: Martesa është një dhuratë prej Perëndisë Jehova, i cili vendosi rregullin martesor. (Proverbat 19:14) Nëse dështoni të ndiqni këtë rregull, do të rrezikoni jo vetëm lumturinë tuaj martesore, por edhe marrëdhënien tuaj me Krijuesin. Nga ana tjetër, kur burri dhe gruaja kultivojnë një marrëdhënie të mirë me Jehovain, e cila shfaqet në bindjen ndaj rregullit të tij, ata do të kenë marrëdhënie të paqme me të tjerët, duke përfshirë edhe njëri-tjetrin.—Proverbat 16:7.
Mos harroni kurrë se Jehovai është Dëshmitari kryesor i betimit tuaj martesor. Vazhdoni të jetoni në lartësinë e këtij premtimi solemn dhe martesa juaj do të jetë një burim lavdie për Perëndinë Jehova!
[Shënimi]
a Në disa vende mund të jetë i nevojshëm përdorimi i një versioni të rregulluar të këtij betimi, në mënyrë që të përshtatet me ligjet lokale. (Mateu 22:21) Megjithatë, në shumicën e vendeve çiftet e krishtere përdorin betimin e mësipërm.
[Diçitura në faqen 22]
Në njëfarë mënyre, çiftet e martuara janë si flokët e dëborës. Nga larg, të gjitha ato mund të duken identike, por në të vërtetë secili çift është i ndryshëm në mënyrë të veçantë
[Burimi]
Kristale dëbore/Dover