Kapitulli 12
Një burim i pashoq mençurie
«Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.» (Psalmi 104:24) Po, që nga madhështia e universit të pafund deri te brishtësia e një luleje, krijimi dëshmon për mençurinë e pashembullt të Krijuesit të tij. Teknologjia e sotme duket e papërfillshme në krahasim me veprat e Perëndisë. Nëse Bibla është Fjala e Perëndisë, është logjike të presim që të pasqyrojë një mençuri ku e ku më të madhe se ajo e njerëzve. A pasqyron Bibla një mençuri të tillë?
1. (Përfshi hyrjen.) (a) Ku shohim dëshmi të mençurisë së pashembullt të Perëndisë? (b) Ç’këshillë jep Bibla për mençurinë?
BIBLA thekson rëndësinë e mençurisë. Në të thuhet: «Mençuria është gjëja parësore. Fito mençuri dhe me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri.» (Proverbat 4:7) Duke pranuar se njerëzve shpesh u mungon kjo cilësi, ajo nxit: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht.»—Jakovi 1:5.
2. Si mund të fitojë më shumë mençuri një njeri?
2 Si ‘jep mençuri bujarisht’ Perëndia? Një mënyrë është duke na ftuar të lexojmë Biblën dhe të mësojmë prej saj. Libri biblik i Proverbave na nxit: «Biri im, nëse i pranon fjalët e mia dhe nëse i ruan si thesar brenda teje urdhërimet e mia, që me veshin tënd t’i kushtosh vëmendje mençurisë . . . do të kuptosh frikën nga Jehovai dhe do të gjesh njohurinë e Perëndisë. Sepse Jehovai jep mençuri.» (Proverbat 2:1, 2, 5, 6) Kur i zbatojmë këshillat e Biblës dhe shohim sa dobi na sjellin, e kuptojmë se ato pasqyrojnë vërtet mençurinë hyjnore.
Fjalë të mençura
3, 4. (a) Si tregon Bibla kotësinë e dashurisë për para? (b) Ç’ekuilibër tregon Bibla kur këshillon për vlerën e parave?
3 Për ta kuptuar më mirë këtë, le të shohim disa vargje nga Bibla. Fillojmë me të parin: «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme. . . . Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme.» (1 Timoteut 6:9, 10) Sa ndryshe nga pikëpamja moderne, të paktën në botën perëndimore, që i nxit njerëzit të rendin pas parasë e ta bëjnë atë qëllimin kryesor në jetë. Mirëpo, edhe pse shumë njerëz grumbullojnë para me grushta, ndihen bosh dhe të pakënaqur. Një psikolog tha: «Kur je i pari dhe i pasur, nuk je medoemos ai njeriu i lumtur e i kënaqur, që të tjerët e respektojnë dhe e duan vërtet.»1
4 Kjo s’do të thotë se një njeriu praktik nuk i interesojnë paratë. Me mençuri dhe ekuilibër Bibla thotë: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» (Eklisiastiu 7:12) Kështu, Bibla na ndihmon të kuptojmë që paraja nuk është gjithçka, ndonëse ka vendin e vet. Ajo s’është veçse një mjet që shërben për të arritur një qëllim dhe, nëse nuk e përdorim me mençuri, vlera e saj mbetet e kufizuar.
5, 6. (a) Pse është e mençur këshilla e Biblës për të mos u përzier me shoqëri të këqija? (b) Si nxjerrim dobi ‘kur ecim me të mençurit’?
5 Po kaq të vërteta janë edhe këto fjalë të Biblës: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) A e ke vënë re sa shumë ndikohemi nga shokët me të cilët rrimë? Nga presioni i bashkëmoshatarëve të rinjtë pinë, drogohen dhe i futen një jete imorale. Nëse përzihemi me njerëz që përdorin fjalë të pista, dalëngadalë këto fjalë do të dalin edhe nga goja jonë. Shoqëria me njerëz të pandershëm na nxit edhe ne të jemi të pandershëm. Ndodh pikërisht siç thotë Bibla: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 Korintasve 15:33.
6 Nga ana tjetër, shokët e mirë na nxitin të bëhemi më të mirë. Kur ‘ecim me të mençurit’, bëhemi edhe vetë më të mençur. Njësoj si zakonet e këqija, edhe të mirat kalojnë nga një njeri te një tjetër. Bibla tregon edhe një herë mençuri kur na nxit t’i zgjedhim shokët me kujdes.
7. Në ç’kuptim Bibla është një burim i pashoq këshillash?
7 Bibla ka shumë këshilla të tilla që na drejtojnë në jetë. Ajo është një burim i pashoq këshillash. Këshillat e saj janë gjithnjë të dobishme. Nuk janë thjesht teori dhe kurrë nuk na sjellin dëm. S’ka libër që ashtu si Bibla të japë këshilla për të gjitha fushat e jetës. Ata që i zbatojnë dhe nxjerrin dobi, e çmojnë Biblën si një burim të jashtëzakonshëm mençurie.
Parime të mençura
8. Si mund të na ndihmojë Bibla edhe atëherë kur gjendemi para një situate që nuk përmendet shprehimisht në të?
8 Po nëse gjendemi para një situate që nuk është përmendur shprehimisht në Bibël? Edhe atëherë gjejmë parime që na drejtojnë. Për shembull, shumë njerëz duhet të vendosin një ditë nëse do ta fillojnë apo jo duhanin. Bibla nuk e përmend duhanin, pasi nuk njihej në kohën e Jezuit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, në Bibël gjejmë parime të dobishme që na ndihmojnë të marrim një vendim të mençur.
9-11. Si na ndihmojnë parimet e Biblës që të marrim një vendim të mençur në lidhje me duhanin? Ç’dobi nxjerrim nëse ndjekim këto parime?
9 Ndonëse shumë vetave duhani u jep kënaqësi, tymi i tij çon në mushkëri substanca të forta toksike. Ai që pi duhan, ndot trupin, rrobat dhe ajrin rreth tij. Veç kësaj, duhani të bën rob të tij, pra, të duket sikur s’bën dot pa të. Ata që duan ta lënë, shpesh e kanë shumë të vështirë. Me këto në mendje, mund të kërkojmë ndihmë në Bibël që të marrim një vendim të mençur në lidhje me duhanin.
10 Së pari, të flasim për faktin që të bën rob. Kur foli për ushqimin, Pavli tha: «Nuk do të lejoj asgjë që të më vërë nën pushtetin e saj.» (1 Korintasve 6:12) Pavli ishte i lirë të hante çdo lloj ushqimi, por e dinte se atje ku ndodhej, disa njerëz kishin ndërgjegje të ndjeshme. Ndaj tha se nuk ishte «rob» i disa ushqimeve, sa të mos hiqte dot dorë prej tyre, nëse kjo pengonte të tjerët. Nëse dikush nuk e lë dot duhanin ose përtypjen e tij, s’mund ta mohojë se është ‘nën pushtetin e tij’. Kështu, fjalët e Pavlit për ushqimin janë një këshillë e mirë edhe për duhanin. Nuk duhet të lejojmë të bëhemi skllevër të një vesi.
11 Së dyti, të flasim për ndotjen që shkakton duhani. Bibla thotë: «Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës.» (2 Korintasve 7:1) Pa dyshim, duhani na e ndot trupin. Sipas statistikave më të fundit, rreth 4,9 milionë njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i duhanit. Kush zbaton parimin e Biblës për ta mbajtur trupin të pastër, shmang rreziqe të mëdha shëndetësore të shkaktuara nga duhani, drogat dhe ndotës të tjerë.
Fjalë të dobishme
12. Pse këshillat e Biblës na sjellin gjithnjë dobi fizike dhe emocionale?
12 Nuk duhet të habitemi nëse zbatimi i këshillave biblike na sjell edhe dobi fizike. Këshillat e Biblës vijnë nga Perëndia, Krijuesi ynë, i cili njeh në mënyrë të përkryer formimin dhe nevojat tona. (Psalmi 139:14-16) Këshillat e tij janë gjithnjë për dobinë tonë fizike dhe emocionale.
13, 14. Pse është e mençur të ndjekim këshillën e Biblës për të mos gënjyer?
13 Për shembull, Bibla na këshillon të mos gënjejmë. Gënjeshtrat janë ndër shtatë gjërat që Jehovai urren, dhe libri i Zbulesës i rendit gënjeshtarët mes atyre që s’do të hyjnë në botën e re të Perëndisë. (Proverbat 6:19; Zbulesa 21:8) Megjithatë, gënjeshtra është shumë në modë. Në një revistë ekonomike thuhej: «Shtetet e Bashkuara po përjetojnë valën më të fuqishme të gënjeshtrave, mashtrimit dhe abuzimeve që lidhen me to, në tërë historinë e tyre.»2
14 Edhe pse është bërë diçka e zakonshme, gënjeshtra dëmton si shoqërinë, edhe individin. Gazetari Kliford Longli thotë me të drejtë: «Gënjeshtra dëmton edhe gënjeshtarin, edhe të gënjyerin, deri në skutat më të thella të qenies së tyre, duke shkatërruar lidhjen kyç të mendjes me realitetin.»3 Në një revistë amerikane për psikiatrinë thuhej: «I gënjyeri mund të shkatërrohet nga ana psikologjike. Vendime të rëndësishme për jetën mund të bazohen në të dhëna të rreme që besohet se janë të vërteta. Gënjeshtra mund të sjellë pasoja të dëmshme edhe për vetë gënjeshtarin.»4 (The American Journal of Psychiatry) Pra, është shumë më mirë të themi të vërtetën, ashtu si këshillon me mençuri Bibla!
15, 16. Ç’dobi nxjerrim nëse tregojmë dashuri për të tjerët, ashtu si na këshillon Bibla?
15 Nga ana tjetër, Bibla thotë që të interesohemi për të tjerët, t’u tregojmë dashuri e t’i ndihmojmë. Këto fjalë të Jezuit njihen mjaft mirë: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12.
16 Sa ndryshe do të ishte bota, sikur të gjithë ta zbatonin këtë rregull! Për më tepër, edhe vetë njerëzit do të ndiheshin më mirë. Pikërisht këtë nxori në pah një studim në fushën e psikologjisë në Shtetet e Bashkuara. 1.700 individët e intervistuar thanë se, kur ndihmonin të tjerët, lehtësoheshin nga çrregullimet që lidhen me stresin, si dhembja e kokës ose ikja e zërit. Raporti nxirrte këtë përfundim: «Duket se, të kujdesesh për të tjerët, është pjesë e natyrës njerëzore po aq sa të kujdesesh për veten.»5 Kjo na kujton urdhrin e Biblës: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39; krahaso Gjonin 13:34, 35) Të duam veten, është krejt e natyrshme. Por që të gëzojmë shëndet të mirë emocional, sipas Biblës, duhet të gjejmë ekuilibrin mes dashurisë për veten dhe dashurisë për të tjerët.
Martesa dhe morali
17. Pse nganjëherë duket sikur këshillave të Biblës u ka ikur koha?
17 Ndonëse jep këshilla shumë të mençura, Bibla nuk thotë gjithnjë atë që njerëzit duan të dëgjojnë. Shpesh për Biblën thonë se i ka ikur koha. Pse? Sepse, megjithëse këshillat e Biblës janë për të mirën tonë të përhershme, zbatimi i tyre shpesh kërkon disiplinë dhe vetëmohim, cilësi që sot kanë dalë nga moda.
18, 19. Cilat janë normat e Biblës për martesën dhe moralin?
18 Le të ndalemi te martesa dhe morali. Normat e Biblës për këto fusha janë mjaft të qarta. Ajo lejon vetëm monogaminë, pra, që burri të ketë vetëm një grua dhe anasjelltas. Ndonëse përmend rastet ekstreme ku mund të bëhet divorc ose ndarje, në përgjithësi, ajo e paraqit martesën si një lidhje që zgjat për tërë jetën. «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:4-6; 1 Korintasve 7:12-15.
19 Por jo vetëm kaq. Bibla e kufizon intimitetin seksual vetëm brenda lidhjes martesore. Ajo i ndalon të gjitha praktikat seksuale jashtëmartesore. Ja çfarë lexojmë: «As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»—1 Korintasve 6:9, 10.
20. Si shpërfillen gjerësisht sot normat e Biblës për moralin?
20 Sot këto norma përgjithësisht shpërfillen. Dejvid Meisi, profesor sociologjie, thotë: «Në kohën tonë, kultura ka pësuar ndryshime të mëdha. Shumë zakone dhe norma të së shkuarës janë përmbysur krejt. Kësaj nuk i ka shpëtuar as martesa.»6 Shthurja morale është bërë e zakonshme. Marrëdhëniet seksuale mes adoleshentëve që dalin bashkë, shihen si normale. Është bërë zakon që çifti të bashkëjetojë para martese «vetëm për të qenë të sigurt». Edhe pasi martohen, nuk është e rrallë që bashkëshortët të kenë aventura jashtë martese.
21. Ç’pasoja ka sjellë shpërfillja e gjerë e normave të Biblës për martesën dhe moralin?
21 A ka sjellë më shumë lumturi kjo shthurje? Jo, përkundrazi, ka sjellë veç telashe, madje telashe të tilla që kanë kushtuar shtrenjtë—palumturi dhe familje të prishura. Veç kësaj, ka sjellë një pandemi sëmundjesh të transmetuara në rrugë seksuale, që lidhen drejtpërsëdrejti me shthurjen morale. Përhapja e sëmundjeve të tilla si gonorrea, sifilizi dhe infeksione të tjera veneriane ka dalë jashtë kontrollit. Vitet e fundit, prostitucioni dhe homoseksualizmi kanë përshpejtuar përhapjen e SIDA-s. Shtatzënia e vajzave të pamartuara, që janë ende fëmijë për vete, ka arritur përmasat e një epidemie. Në një revistë shkruhej: «Theksi që u vu mbi seksin gjatë viteve 60 dhe 70, jo vetëm që nuk i solli lumturi të pakufishme njeriut, por i shkaktoi mjaft dhembje.»7—Ladies’ Home Journal.
22. Çfarë sjell lumturi të vërtetë në fushën e moralit?
22 Prandaj dëgjojmë komente si ai i Karlfred Broderikut, një profesor sociologjie, që tha: «Ndoshta tani jemi aq të rritur sa të gjykojmë se rruga më e mirë është të nxitim moskryerjen e marrëdhënieve seksuale paramartesore si zgjidhjen më të mirë për nevojat e bashkëqytetarëve tanë dhe për të drejtën e tyre për liri: liri nga sëmundjet dhe nga shtatzënitë e padëshiruara.»8 Vërtet, koha ka treguar se normat e Biblës për moralin kanë sjellë lumturi të vërtetë.
Parime vërtet të dobishme
23. (a) A është divorci e vetmja zgjidhje për një martesë të palumtur? (b) Cilët janë dy çelësa për të pasur një martesë të lumtur e të qëndrueshme?
23 Përderisa martesa duhet të zgjatë për gjithë jetën, është e rëndësishme të dimë si t’ia dalim mbanë. Disa thonë se është më mirë t’i japësh fund një martese të palumtur, sesa të vuash gjithë jetën. Megjithatë, ka një zgjidhje tjetër: të përpiqesh të sheshosh problemet që sjellin palumturi. Kjo është një fushë tjetër ku Bibla ofron ndihmë. Siç e kemi parë tashmë, ajo këshillon të jemi besnikë në martesë, dhe ky është një nga çelësat për të pasur një martesë të lumtur e të qëndrueshme. Një tjetër është të pranojmë se vetëm njëri mund të jetë kreu në martesë, dhe Bibla thotë se duhet të jetë burri. Gruaja nxitet që ta mbështetë, dhe jo të jetë rivale e tij. Kurse burri këshillohet të luajë rolin e tij si kreu, për mirëqenien e gruas, dhe të mos jetë egoist.—1 Korintasve 11:3; 1 Timoteut 2:11-14.
24, 25. Si i nxit Bibla burrat dhe gratë të përmbushin rolin e tyre në martesë?
24 Bibla i këshillon burrat: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet.» (Efesianëve 5:28, 29) Një burrë i dashur tregohet i kujdesshëm kur ushtron autoritet mbi gruan. Ndonëse është kreu i gruas, nuk harron se duhet të marrë mendimin e saj dhe ta mbajë parasysh. Martesa është bashkëpunim, jo diktaturë.
25 Një nga këshillat e Biblës për gratë është kjo: «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Gruaja duhet ta respektojë burrin për shkak të pozitës së tij dhe duhet ta tregojë këtë duke e mbështetur, njësoj si burri e tregon dashurinë për gruan duke u kujdesur për të. Sot, për shumë njerëz këto këshilla janë të papranueshme. Por çiftet që e bazojnë lidhjen e tyre te dashuria dhe respekti, siç këshillon Bibla, janë gjithnjë të lumtura.
26. A sjellin dobi në martesë normat e Biblës? Ilustro.
26 Një përvojë nga ishujt e Paqësorit tregon dobitë që i sjellin martesës këshillat e Biblës. Pas dhjetë vjetësh jetë bashkëshortore, një çift ishte i bindur se martesa e tyre kishte dështuar dhe po mendonin të ndaheshin. Në atë kohë gruaja foli me një Dëshmitare të Jehovait. Me ndihmën e saj, filloi të studionte këshillat e Biblës për të martuarit. I shoqi tregon: «Dalëngadalë që mësonte parimet e Biblës, gruaja përpiqej t’i zbatonte. Brenda pak javësh vërejta disa ndryshime.» Nga kureshtja, edhe ai pranoi të studionte Biblën bashkë me të dhe mësoi çfarë këshillonte Bibla për burrat e martuar. Cili qe rezultati? Ai thotë: «Tani kemi zbuluar se nga varet lumturia e vërtetë familjare.»
27. Cilat parime biblike mund t’i ndihmojnë të krishterët që vuajnë nga varfëria?
27 Bibla jep këshilla të dobishme për të përballuar edhe një vështirësi tjetër: varfërinë. Për shembull, duhani dhe dehja, dy vese që zhvatin të ardhurat e pakta të shumë njerëzve, bien ndesh me parimet e Biblës. (Proverbat 23:19-21) Veç kësaj, Bibla na nxit të jemi të papërtueshëm pasi, kush punon pa u lodhur, zakonisht e gjen një mënyrë për të ushqyer familjen, ndryshe nga dembeli ose ai që e lëshon veten. (Proverbat 6:6-11; 10:26) Madje, këshilla për ‘të mos i pasur zili ata që bëjnë padrejtësi’, nuk e lë njeriun t’i hyjë rrugës së krimit ose të bixhozit për të zbutur varfërinë. (Psalmi 37:1) Praktika të tilla duket sikur ofrojnë një zgjidhje të shpejtë për vështirësitë financiare, por sjellin pasoja shumë të hidhura.
28-30. (a) Si e ndihmuan parimet e Biblës një të krishtere të përballonte varfërinë? (b) Çfarë tregojnë përvojat e mijëra të krishterëve të varfër?
28 A i ndihmojnë vërtet këto këshilla ata që jetojnë në varfëri ekstreme, apo tregojnë thjesht një pikëpamje idealiste? Përgjigjja është: shumë përvoja në të gjithë botën tregojnë se këto këshilla janë të dobishme. Për shembull, një gruaje të krishtere në Azi i vdiq burri dhe mbeti pa asnjë të ardhur. Veç kësaj, kishte një djalë të vogël për të rritur. Si e ndihmoi Bibla atë dhe të birin?
29 Ajo s’ia përtonte punës, si këshillon Bibla, dhe filloi të bënte rroba e t’i shiste. Duke qenë e ndershme dhe e besueshme, si këshillon përsëri Bibla, shpejt krijoi një klientelë të rregullt. (Kolosianëve 3:23) Më pas, një dhomë të shtëpisë e ktheu në një mensë të vogël. Çdo ditë ngrihej që në katër të mëngjesit për t’ia nisur punës. Kjo ia shtoi disi të ardhurat. «Por prapëseprapë,—thotë ajo,—na duhet të bëjmë një jetë të thjeshtë.» Megjithatë, s’e harron këshillën e Biblës: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»—1 Timoteut 6:8.
30 Ajo shton: «Edhe pse jam pothuajse e varfër, nuk mërzitem a hidhërohem. E vërteta që kam mësuar në Bibël, më bën optimiste.» Gjithashtu, ajo e ka provuar vetë sa i vërtetë ka qenë për të premtimi aq i njohur i Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Duke vënë në vend të parë shërbimin ndaj Perëndisë, në një mënyrë a në një tjetër, ajo i ka përmbushur gjithnjë nevojat e veta materiale. Rasti i kësaj të krishtereje, si edhe i shumë e shumë të krishterëve të tjerë të varfër, dëshmon edhe më tepër se këshillat e Biblës janë vërtet të dobishme.
31. Çfarë sjell zbatimi i këshillave të Biblës dhe ç’tregon kjo?
31 Në këtë kapitull prekëm vetëm disa nga këshillat e panumërta të Biblës dhe pamë vetëm pak raste që tregojnë se si kanë ndihmuar këto këshilla. Përvoja si këto që përmendëm, ka me mijëra. Gjithnjë ato tregojnë se, nëse njerëzit zbatojnë këshillat e Biblës, nxjerrin dobi; nëse i shpërfillin, vuajnë. Asnjë përmbledhje tjetër këshillash, të së shkuarës a të së sotmes, nuk u ka sjellë vazhdimisht dobi njerëzve të të gjitha racave. Këshilla të tilla të mençura s’mund të jenë thjesht fryt i mençurisë së popullit. Duke qenë një gurrë e pashtershme mençurie, Bibla jep prova bindëse se është Fjala e Perëndisë.
[Diçitura në faqen 168]
Kur ndihmon të tjerët, përfiton edhe vetë
[Figura në faqen 163]
Po të shoqërohemi me të mençurit, bëhemi të mençur, por po të shoqërohemi me budallenjtë, do të na shkojë keq
[Figura në faqen 165]
Duhani nuk duhet përdorur, sepse bie ndesh me parimet e Biblës
[Figura në faqen 171]
Ata që ndjekin këshillat e Biblës për martesën, kanë një bazë të fortë për lumturi
[Figura në faqen 173]
Zbatimi i këshillave të Biblës i ndihmon njerëzit të përballojnë problemet e rënda të varfërisë