«Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj»
«Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në unitet me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë.»—EFESIANËVE 6:1.
1. Si mund t’ju mbrojë bindja?
NDOSHTA ne jemi gjallë sot sepse u treguam të bindur, kurse të tjerë kanë vdekur ngaqë nuk treguan bindje. Bindje ndaj çfarë gjëje? Për shembull, ndaj paralajmërimeve që jep trupi ynë, i cili ‘është krijuar në mënyrë të mrekullueshme’. (Psalmi 139:14) Sytë tanë shohin re të zeza dhe veshët dëgjojnë gjëmime. Më pas, ngarkesa elektrike që është në ajër na i ngre përpjetë qimet e flokëve. Për ata të cilëve u janë mësuar rreziqet e mundshme, këto shenja janë paralajmërime për të kërkuar një vend të sigurt nga stuhia që kanoset të vijë, me rrufetë dhe breshrin që mund të jenë të rrezikshëm për jetën.
2. Pse fëmijët kanë nevojë për paralajmërime e përse duhet t’u binden prindërve?
2 Ju fëmijë keni nevojë për paralajmërime që t’ju mbrojnë nga rreziqet e mundshme, dhe prindërit tuaj kanë përgjegjësinë që t’jua thonë ato. Ndoshta ju kujtohet që ju kanë thënë: «Mos e prek sobën! Është e nxehtë.» «Mos u fut thellë në ujë. Është e rrezikshme.» «Para se të kalosh rrugën, shih nga të dyja anët.» Mjerisht, disa fëmijë janë dëmtuar ose edhe kanë vdekur ngaqë nuk janë bindur. T’u bindeni prindërve «është e drejtë»—është gjë e mirë dhe e përshtatshme. Është edhe e mençur. (Proverbat 8:33) Në një varg tjetër biblik thuhet se kjo «është e pëlqyeshme» për Zotërinë Jezu Krisht. Në fakt, Perëndia ju urdhëron që t’ju bindeni prindërve.—Kolosianëve 3:20; 1 Korintasve 8:6.
Shpërblimet e bindjes
3. Cila është ‘jeta e vërtetë’ për shumicën prej nesh dhe si mund të shpresojnë ta kenë fëmijët atë jetë?
3 Bindja ndaj prindërve ju mbron ‘jetën e tashme’, por, falë bindjes, do të gëzoni edhe jetën «që do të vijë», e cila quhet ‘jeta e vërtetë’. (1 Timoteut 4:8; 6:19) Për shumicën prej nesh, jeta e vërtetë është jeta e pafund në tokë, në botën e re të Perëndisë, të cilën ai ua premton atyre që u përmbahen me besnikëri urdhërimeve të tij. Një urdhërim kryesor thotë: «‘Ndero atin dhe nënën tënde’, që është urdhërimi i parë me premtimin: ‘Që të të vejë mbarë dhe të jetosh gjatë në tokë.’» Pra, nëse u bindeni prindërve, do të jeni të lumtur. E ardhmja juaj do të jetë e sigurt dhe do të gëzoni jetën e përhershme në një tokë parajsore.—Efesianëve 6:2, 3.
4. Si mund ta nderojnë Perëndinë fëmijët dhe kështu të nxjerrin dobi?
4 Kur i nderoni prindërit duke iu bindur, ju nderoni edhe Perëndinë, sepse është ai që ju urdhëron t’u bindeni atyre. Njëkohësisht nxirrni dobi vetë. «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete»,—thuhet në Bibël. (Isaia 48:17; 1 Gjonit 5:3) Si nxirrni dobi duke qenë të bindur? Kjo gjë e bën të lumtur mamanë dhe babanë tuaj, dhe si rrjedhim, ata do ta tregojnë kënaqësinë e tyre në shumë mënyra që do t’jua bëjnë juve jetën të lumtur. (Proverbat 23:22-25) Por ç’është më e rëndësishme, kur bindeni bëni të lumtur Atin tuaj qiellor dhe ai do t’ju shpërblejë në mënyra të mrekullueshme! Le të shohim se si Jehovai e bekoi dhe e mbrojti Jezuin, i cili tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.»—Gjoni 8:29.
Jezui—Një punëtor i palodhur
5. Ç’arsye kemi që të besojmë se Jezui ishte një punëtor i palodhur?
5 Jezui ishte fëmija i parë i Marisë, nënës së tij. Jozefi, babai që e birësoi, ishte zdrukthëtar. Edhe Jezui u bë zdrukthëtar, e me sa duket këtë zanat e mësoi nga Jozefi. (Mateu 13:55; Marku 6:3; Luka 1:26-31) Ç’lloj zdrukthëtari mendoni se ishte Jezui? Kur ishte në qiell, para se të ngjizej me anë të një mrekullie në barkun e nënës së tij të virgjër, ai shpjegoi në rolin e mençurisë së personifikuar: «Unë isha përkrah [Perëndisë] si një kryemjeshtër dhe ai më kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë.» Perëndia kënaqej me Jezuin, i cili në qiell ishte një punëtor i palodhur. A mendoni se edhe kur ishte fëmijë në tokë, ai u përpoq të ishte një punëtor i palodhur, një zdrukthëtar i aftë?—Proverbat 8:30; Kolosianëve 1:15, 16.
6. (a) Pse mendoni se kur Jezui ishte i vogël mund të ketë bërë punë shtëpie? (b) Si mund ta imitojnë fëmijët Jezuin?
6 Pa dyshim që Jezui luante nganjëherë kur ishte fëmijë, siç thotë Bibla për fëmijët në kohët e lashta. (Zakaria 8:5; Mateu 11:16, 17) Megjithatë, të jeni të sigurt se, duke qenë fëmija më i madh i një familjeje të varfër, ai bënte edhe punë shtëpie, përveçse mësonte prej Jozefit si të bëhej zdrukthëtar. Më vonë, Jezui u bë një predikues dhe iu kushtua aq shumë shërbimit, sa iu desh të hiqte dorë nga disa rehati. (Luka 9:58; Gjoni 5:17) A shihni këtu ndonjë mënyrë se si mund ta imitoni Jezuin? A ju kërkojnë prindërit që të pastroni dhomën tuaj ose të bëni punë të tjera? A ju nxitin që të merrni pjesë me ta në adhurimin e Perëndisë, duke ndjekur mbledhjet e krishtere dhe duke u folur të tjerëve për besimin tuaj? Si mendoni se do të ishte përgjigjur Jezui i vogël po t’i kishin kërkuar prindërit këto gjëra?
Student dhe mësues i shkëlqyer i Biblës
7. (a) Me cilët mund të ketë udhëtuar Jezui me rastin e Pashkës? (b) Ku ishte Jezui kur të tjerët filluan të ktheheshin në shtëpi dhe pse ishte atje?
7 Të gjithë meshkujt e një familjeje izraelite ishin urdhëruar që të shkonin të adhuronin Jehovain në tempull gjatë tri festave judaike. (Ligji i përtërirë 16:16) Kur Jezui ishte 12 vjeç, e tërë familja e tij mund të ketë bërë udhëtimin për në Jerusalem me rastin e Pashkës. Ndër ta me siguri përfshiheshin vëllezërit dhe motrat e tij nga nëna. Megjithatë, mes atyre që udhëtuan me familjen e Jezuit mund të ketë qenë edhe Saloma, që ndoshta ishte motra e Marisë, bashkë me burrin, Zebedeun, dhe djemtë e tyre, Jakovin e Gjonin, të cilët më vonë u bënë apostuj.a (Mateu 4:20, 21; 13:54-56; 27:56; Marku 15:40; Gjoni 19:25) Gjatë kthimit, Jozefi dhe Maria mund të kenë menduar se Jezui ishte me të afërmit, prandaj në fillim nuk u ra në sy mungesa e tij. Por tri ditë më vonë, kur Maria dhe Jozefi e gjetën më në fund Jezuin, ai ishte në tempull, ‘i ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste’.—Luka 2:44-46.
8. Çfarë bëri Jezui në tempull dhe pse u mahnitën njerëzit?
8 Si po «i pyeste» Jezui mësuesit? Pyetjet e tij mund të mos kenë qenë vetëm sa për të shuar kureshtjen ose për të ditur disa gjëra. Fjala greke që është përdorur këtu mund t’u referohej atyre lloj pyetjeve që përdoreshin në gjyq dhe prandaj mund të përfshinin edhe marrjen në pyetje. Po, që kur ishte fëmijë, Jezui ishte bërë një studiues i Biblës që i habiti mësuesit e ditur fetarë! Bibla thotë: «Të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij.»—Luka 2:47.
9. Si mund të ndiqni shembullin e Jezuit në lidhje me studimin e Biblës?
9 Si mendoni, pse Jezui që në moshë të re, arriti të habiste edhe mësues me përvojë me njohurinë që kishte për Shkrimet? Patjetër ai ishte bekuar me prindër që i frikësoheshin Perëndisë, të cilët që nga foshnjëria e mësuan për Perëndinë. (Dalja 12:24-27; Ligji i përtërirë 6:6-9; Mateu 1:18-20) Sigurisht që Jozefi e merrte Jezuin e vogël në sinagogë që të dëgjonte kur lexoheshin dhe shtjelloheshin Shkrimet. A jeni bekuar edhe ju me prindër që e studiojnë Biblën me ju dhe ju marrin në mbledhjet e krishtere? A i çmoni përpjekjet e tyre, siç i çmonte Jezui përpjekjet e prindërve të tij? A u flitni të tjerëve për gjërat që mësoni, siç bënte edhe Jezui?
Jezui ishte i nënshtruar
10. (a) Pse prindërit e Jezuit duhej ta kishin ditur se ku ta gjenin? (b) Cilin shembull të shkëlqyer la Jezui për fëmijët?
10 Si mendoni se u ndien Maria dhe Jozefi kur më në fund e gjetën pas tri ditësh Jezuin në tempull? Patjetër që u ndien shumë të lehtësuar. Kurse Jezui u habit që prindërit e tij nuk e kishin ditur se ku ishte. Të dy ata e dinin se Jezui kishte lindur me anë të një mrekullie. Gjithashtu, edhe pse nuk i dinin të gjitha hollësitë, ata duhet të kenë ditur diçka për rolin e tij të ardhshëm si Shpëtimtar dhe Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 1:21; Luka 1:32-35; 2:11) Prandaj, Jezui i pyeti: «Pse duhej të më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» Megjithatë, u bind dhe u nis bashkë me prindërit për në shtëpi, në Nazaret. Bibla thotë: «[Ai] vazhdoi t’u nënshtrohej atyre.» Kurse «e ëma i ruante me kujdes në zemër tërë këto fjalë».—Luka 2:48-51.
11. Ç’mësim për bindjen mund të nxirrni nga Jezui?
11 A e keni të lehtë ta imitoni Jezuin, duke iu bindur gjithmonë prindërve? Apo mendoni se shpesh ata nuk e kuptojnë botën e sotme moderne dhe ju dini më shumë se ata? Vërtet, ju mund të dini më shumë për disa gjëra—ndoshta si të përdorni celularët, kompjuterët ose pajisjet e tjera moderne. Por mendoni për Jezuin, i cili i mahniti mësuesit me përvojë «me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij». Ndoshta jeni dakord se, në krahasim me të, ju dini pak. Gjithsesi, Jezui u nënshtrohej prindërve. Kjo nuk do të thotë medoemos se ai ishte gjithnjë dakord me vendimet e tyre. Prapëseprapë, ai «vazhdoi t’u nënshtrohej atyre»—gjatë gjithë viteve të adoleshencës. Ç’mësim mendoni se mund të nxirrni nga shembulli i tij?—Ligji i përtërirë 5:16, 29.
Të bindesh është e vështirë
12. Si mund t’jua shpëtojë jetën bindja?
12 Nuk është gjithnjë e lehtë të jesh i bindur. Këtë e ilustron edhe një rast që ndodhi pak vite më parë, kur dy vajza të vogla donin të kalonin një autostradë me gjashtë korsi duke i rënë mes për mes, në vend që t’i binin nga mbikalimi. Vajzat i thanë shokut të tyre që po shkonte te mbikalimi: «Hë Xhon, do të vish me ne?» Kur ai ngurroi, njëra nga vajzat u tall me të: «Ti je zemërpulë!» Xhoni s’kishte frikë, por u tha: «Duhet të bëj siç më ka thënë mamaja.» Pak çaste më vonë, tek ecte në mbikalim, ai dëgjoi frenimin e menjëhershëm të gomave të një makine dhe kur pa poshtë, vajzat sapo i kishte goditur një makinë. Njëra vdiq, kurse tjetra u vra aq keq, sa u desh t’i pritnin njërën këmbë. Mamaja e vajzave, e cila i kishte porositur ato që t’i binin nga mbikalimi, i tha më vonë mamasë së Xhonit: «Ah, sikur vajzat e mia të kishin qenë aq të bindura sa yt bir!»—Efesianëve 6:1.
13. (a) Pse duhet t’u bindeni prindërve? (b) Kur do të ishte e përshtatshme që një fëmijë të mos bënte diçka që i thonë prindërit?
13 Pse Perëndia thotë: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj.» Kur u bindeni prindërve, ju në fakt po i bindeni Perëndisë. Përveç kësaj, prindërit tuaj kanë më shumë përvojë se ju. Për shembull, vetëm pesë vjet para aksidentit që treguam më sipër, një shoqes së mamasë së Xhonit i kishte vdekur djali ndërsa përpiqej të kalonte po atë autostradë. Vërtet, mund të mos jetë gjithnjë e lehtë t’u bindeni prindërve, por Perëndia thotë se duhet t’u bindeni. Nga ana tjetër, nëse prindërit ose të tjerët ju thonë të gënjeni, të vidhni ose të bëni ndonjë gjë që Perëndia nuk e miraton, ju duhet ‘t’i bindeni Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’. Ja pse, pasi thotë «bindjuni prindërve tuaj», Bibla shton «në unitet me Zotërinë». Kjo do të thotë t’u bindeni prindërve në të gjitha gjërat që janë në përputhje me ligjet e Perëndisë.—Veprat 5:29.
14. Pse një njeri i përsosur e ka më të lehtë të bindet, por pse do t’i duhej ta mësonte gjithsesi bindjen?
14 A mendoni se po të ishit të përsosur—domethënë, ‘të pandotur, të ndarë nga mëkatarët’, siç ishte Jezui—do ta kishit gjithnjë të lehtë t’u bindeshit prindërve? (Hebrenjve 7:26) Po të ishit të përsosur, nuk do të kishit prirjen që të bënit të keqen, siç e keni tani. (Zanafilla 8:21; Psalmi 51:5) Megjithatë, edhe Jezuit iu desh të nxirrte mësime për bindjen. Bibla thotë: «Edhe pse ishte Bir, [Jezui] mësoi bindjen nga ato që vuajti.» (Hebrenjve 5:8) Si e ndihmuan vuajtjet Jezuin që të mësonte bindjen, mësim që kurrë nuk iu desh ta mësonte në qiell?
15, 16. Si e mësoi bindjen Jezui?
15 Nën drejtimin e Jehovait, Jozefi dhe Maria e mbrojtën Jezuin kur ishte fëmijë. (Mateu 2:7-23) Por në fund Perëndia ia hoqi Jezuit mbrojtjen e mbinatyrshme. Vuajtjet mendore dhe fizike të Jezuit u bënë kaq të mëdha, saqë në Bibël thuhet se ai «me klithma të forta dhe lot . . . bëri përgjërime dhe kërkesa». (Hebrenjve 5:7) Kur ndodhi kjo?
16 Në veçanti gjatë orëve të fundit të jetës së Jezuit në tokë, kur Satanai bëri çdo përpjekje për t’ia thyer integritetin. Me sa duket, Jezuin e munduan aq shumë mendimet se si vdekja e tij sikur të ishte një keqbërës mund të ndikonte për keq tek emri i Atit të tij, sa, ndërsa ‘vazhdonte të lutej [në kopshtin e Getsemanisë], djersa iu bë si pika gjaku që binin përtokë’. Disa orë më vonë, vdekja në një shtyllë torture ishte aq e dhembshme, saqë Jezui lëshoi «klithma të forta [me] lot». (Luka 22:42-44; Marku 15:34) Pra, ai «mësoi bindjen nga ato që vuajti», dhe kështu ia gëzoi zemrën Atit. Tani që është në qiell, Jezui e ndien se sa dhembje kemi ndërsa shpesh na duhet të luftojmë që të jemi të bindur.—Proverbat 27:11; Hebrenjve 2:18; 4:15.
Mësoni të bindeni
17. Si duhet të ndihemi kur na disiplinojnë?
17 Kur babai dhe mamaja ju disiplinojnë, kjo tregon se dëshirojnë më të mirën për ju dhe ju duan. «Cili është ai bir, që i ati nuk e disiplinon?»—thuhet në Bibël. A nuk do të ishte e vajtueshme sikur prindërit të mos ju donin aq shumë e të mos gjenin kohë që të përpiqeshin t’ju ndreqnin? Kështu, pra, Jehovai ju disiplinon ngaqë ju do. «Vërtet, për momentin asnjë disiplinë nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim. Mirëpo më pas, u jep fryt paqeje, domethënë drejtësi, atyre që janë stërvitur nga ajo.»—Hebrenjve 12:7-11.
18. (a) Çfarë tregojnë prindërit duke dhënë disiplinë me dashuri? (b) Nga sa keni parë, në cilat mënyra të dobishme ua ka modeluar jetën njerëzve kjo disiplinë?
18 Një mbret në Izraelin e lashtë, të cilin Jezui e përmendi për mençurinë e tij të madhe, tha se kemi nevojë për ndreqje të dashur nga prindërit. Solomoni shkroi: «Kush e kursen shkopin, e urren birin e tij, por kush e do, i rri mbi kokë duke e disiplinuar.» Madje Solomoni tha se ai që merr disiplinë me dashuri, mund të shpëtojë shpirtin e tij nga vdekja. (Proverbat 13:24; 23:13, 14; Mateu 12:42) Një gruaje të krishterë i kujtohet se kur ishte fëmijë, sa herë që sillej keq në mbledhjet e krishtere, babai i thoshte se sapo të ktheheshin në shtëpi do ta disiplinonte. Tani ajo e kujton me përzemërsi babanë, ngaqë e disiplinoi me dashuri, e kështu ia modeloi jetën në mënyrë të shkëlqyer.
19. Për ç’arsye të veçantë duhet t’u bindeni prindërve?
19 Në qoftë se keni prindër që ju duan aq shumë sa gjejnë kohë për t’ju disiplinuar me dashuri, jini mirënjohës për këtë. Bindjuni atyre ashtu si Zotëria ynë Jezu Krisht u bindej prindërve të tij, Jozefit dhe Marisë. Por bindjuni atyre sidomos ngaqë Ati juaj qiellor, Perëndia Jehova, ju thotë të veproni kështu. Në këtë mënyrë do të keni dobi për veten tuaj dhe ‘do t’ju vejë mbarë e do të jetoni gjatë në tokë’.—Efesianëve 6:2, 3.
[Shënimi]
a Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqja 841, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshit?
• Cilat dobi mund të kenë fëmijët duke iu bindur prindërve?
• Si la shembullin Jezui, kur ishte fëmijë, për sa i përket bindjes ndaj prindërve?
• Si e mësoi bindjen Jezui?
[Figura në faqen 24]
Jezui dymbëdhjetëvjeçar i njihte mirë Shkrimet
[Figura në faqen 26]
Si e mësoi Jezui bindjen nga vuajtjet?